Arrestohet në Paraguaj djali i ish-prefektit të Shkodrës: Historia e djemve Radovani mes fajdeve, borxheve e arratisë

14 Tetor 2019, 11:45Kronika TEMA

Elton Radovani, djali i ish-prefektit të Shkodres, Paulin Radovani, është arrestuar në Paraguaji, pasi akuzohet si i përfshirë në një skemë borxhesh dhe mashtrimesh në Shkodër.

Radovani është arrestuar pasi Interpoli e ka shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Sipas mediave paraguajiane, urdhri i arrestit ndërkombëtar ishte për shkak të krimeve të mashtrimit bankar dhe financiar dhe u vu në dispozicion për qëllime ekstradimi drejt Shqiperise.

Elton Radovani është arrestuar më 3 tetor në Paraguaj rreth ores 11:00 në një autostrade atje dhe tashmë pritet ekstradimi drejt Shqiperisë.

Ndaj tij, të vëllait Bert Radovani dhe babait të tyre Paulin Radovani, ish- prefekt, vazhdojnë seancat dhe hetimet për mashtrim dhe borxhe të pashlyera.

Historia e djemve Radovani

Dy djemtë e Paulin Radovanit, njëri prej të cilëve anëtar në Këshillin aktual të Bashkisë Shkodër, Elton Radovani, si shkak i vesit të bixhozit dhe varësisë ndaj kazinove, nisën duke marrë hua shuma të mëdha parash te persona të ndryshëm në Shkodër, të cilët ia lëshonin me një përqindje që varionte nga 3- 20%, siç bën të ditur Prokuroria e Shkodrës.

Këto fajde bënë që ish-prefekti të nisë dhe të shesë disa prej pronave të tij për kthimin e parave. Disa i shiti brenda një kohe të shpejtë, ndërsa disa prona të tjera ia morën fajdexhinjtë duke qenë se nuk kishte shlyer tek ata borxhet që kishte.

Disa të tjerëve nuk arriti që t’ia shlyente fajdet dhe kështu nisën që t’i bënin edhe presione. Në një moment, ish-prefekti edhe është goditur teksa ka qenë duke shkuar në shtëpinë e tij, ndërsa mësohet se ka dy urdhra mbrojtjeje nga Gjykata, pikërisht për shkak të këtyre problemeve.

Në një moment ish-prefekti edhe është goditur teksa ka qenë duke shkuar në shtëpinë e tij, ndërsa mësohet se ka dy urdhëra mbrojtjeje nga gjykata pikërisht për shkak të këtyre problemeve.

Besnik Barbullushi, një emër i njohur në Shkodër, pak kohë më parë u vetëvar dhe kjo ngjarje dyshohet se ka ndodhur pikërisht për shkak të një borxhi të madh që i ka dhënë familjes Radovani.,Duke ditur pamundësinë për t’i marrë mbrapsht ato para, është vetëvarur.

Dy djemtë e ish-prefektit kohët e fundit ishin arratisur jashtë Shqipërisë për t’i shpëtuar përndjekjes nga fajdexhinjtë, ndërsa vetë ish-prefekti ndodhej në Shkodër.

I ndodhur mes këtyre problemeve, Paulin Radovani ka vendosur që të shkojë në Prokurori dhe të denoncojë disa prej emrave, të cilëve ai vetë apo dy djemtë e tij u kishin marrë para hua.

Pas denoncimit të tij, Prokuroria dhe Policia nisën hetimet, ndërsa shumë prej bisedave janë regjistruar nga vetë ish-prefekti Radovani, i cili ka pasur një përgjues që ia kanë dhënë prokurorët kur ka diskutuar këto çështje me fajdexhinjtë.

Pas rreth dy muajsh erdhën edhe arrestimet në kuadër të operacionit “Maranaj”, duke vënë në pranga 12 persona, mes të cilëve kancelarin e Gjykatës së Shkodrës, si dhe ish-drejtorin e Patentave në Shkodër.

PERGJIMET që gozhduan fajdexhinjtë e Shkodrës: Lec s’kam ku i gjej paratë, ose t’ia fus vetes, ose më vrit ti

Një histori e pashpresë bixhozi. Dy të rinj të varur prej tij që i lanë mbi kurriz të atit miliona euro borxh. Dhe 19 persona nën hetim, që të gjithë ata pretendues të pafajësisë, mes tyre edhe policë, noterë, biznesmenë, por edhe shokë të dy të rinjve shkodranë, dëshmia e të cilëve është e domosdoshme, por ata janë arratisur jashtë vendit. Prokuroria e Shkodrës i ka veshur emrin e një hetimi për fajdet, që edhe pse dihej botërisht në qytetin e Shkodrës përderisa dy të rinjtë që luanin bixhoz kishin marrë borxhe ngado; por denoncimi i babait të tyre ishte motori lëvizës.

Ish-prefekti i Shkodrës Paulin Radovani u detyrua të shkojë në dyert e policisë atëherë kur çdo ditë borxhdhënës i vinin në biznesin e tij dhe i kërkonin shumat e dhëna dy djemve të tij, Robertit dhe Eltonit. Mandej, gjithë procesi rrjedh mes përgjimeve dhe vëzhgimeve ambientale. Përgjimet kanë zgjatur dy muaj dhe nga janari Paulin Radovani ka pasur dhjetëra vizita në oborrin e fabrikës, të personave që kërkonin kthimin e borxheve, të cilët shpesh flisnin për përqindje e shpesh e kërcënonin.

Përgjimi 1

Më datë 25 janar Paulin Radovani telefonohet nga i dyshuari Byrhan Aliaj. Ai e kërcënon se nëse nuk i jep borxhin përpara të tjerëve, do t’i ketë punët keq. Gazeta “Si” disponon përgjimin si më poshtë:

Byrhan Aliaj“Më ke 45 mijë euro, ku 45 mi ka Toni dhe 10 mi ka Berti, para se me ik Toni (që të dy djemtë e Paulinit). Ka ardhur e mi ka marrë ke bixhozi në Rus. Ka ken edhe Elisi me të, pyete. Më kanë marrë më pas edhe makinën që i kanë shitur Gysit, makinën time dhe për këtë punë po të them unë. Ti sqaroji muhabetet edhe deri në fund të muajit të pres. Nuk kam ça me t’ba. Njikaq të thotë Byli ty”.

Paulin Radovani: “Djemtë e mi nuk kanë pasur makinë X5, cilën makinë të kanë marrë mor?”

Byrhan Aliaj: “Ai e ka marrë makinën edhe ku e ka shit , ai e din vetë. Unë për njet punë po të them. Ti merre Tonin në telefon edhe fol me të”.

Prokuroria pohon se Byrhan Aliaj jep lekë me fajde, por edhe pse i referohet përgjimit të datës 25 janar ku flitet për borxhet e shkaktuara nga bixhozi, nuk sjell raste të tjera konkrete në adresë të këtij shtetasi. Por si prova prokuroria ka radhitur kundër tij mbajtjen peng të 11 automjeteve të regjistruara në emër të familjarit të tij që dyshohet se janë përfituar prej tij sapo personat që kishin marrë borxh i kishin lënë peng, por në pamundësi për të paguar fajdet, u janë sekuestruar makinat.

Për këtë person Radovani tregon se e njeh me nofkën Myl katunari, por edhe të birin, Jonuzin. Radovani pranon se një vit para denoncimit i kishin lënë një këst të fajdeve, por më pas Burhani i ka thënë se borxhi ka shkuar 44 mijë euro. Madje, Radovani shton se në fabrikë i kishte ardhur edhe i biri i Burhanit që i kishte përcjellë mesazhin: “Mos e harro borxhin e babës”.

Përgjimi 2

Gjatë përgjimeve të pranuara nga gjykata dhe që nisin fillimisht në datën 26 janar e madje janë shtyrë me nga 15 ditë, del se borxhet shpesh jepeshin me përqindje javore që variojnë nga 3 për qind deri në 5 për qind dhe që më pas nga pamundësia e borxhliut shkonin në 20 për qind. Në përgjime del edhe një tjetër fajdexhi, Edi Memcaj nga Shkodra i moshës 33 vjeç. Sërish telefonata i adresohet Paulin Radovanit, babait të Eltonit dhe Robertit, të cilët janë larguar nga Shqipëria. Ata kanë hyrë miliona euro borxh gjatë lojës së bixhozit, por nga biseda kuptohet se edhe vetë denoncuesi kishte marrë lekë hua për rrogat e punëtorëve pasi ai ka një fabrikë në qytetin e Shkodrës.

Telefonata kryhet në datën 28 janar dhe dy ditë pasi një tjetër borxhli kishte telefonuar ish-prefektin.

Edi Memcaj: “Kam një javë, 10 ditë që të marrin njerëz me të taku, jo sot, jo nesër. Pse më bezdis, pasi më ka marrë noterja dhe i thua nuk di ku kam hedhur firmat. Të kam respektuar pasi kam të gjitha kamerat dhe të kam incizuar çdo bisedë me djemtë e tu, unë jam ai djali që më ke lyp lekë për rroga. Jam ai djali që me ke mbetur shumë lekë borxh. Bën mirë me ardhë e me m’taku, unë nuk ta ha tokën ty dhe nuk të dua asnjë cent më shumë. Mos më luaj mua viktimën, mos më ba si të marr, mos më thuaj nuk e di ku janë djemtë, ti flet me djemtë e tu, ti ke fillu tu i ba punët me shtet. Mua si të duash më ke, n’daç me shtet e n’daç me privat”.

Paulin Radovani: “Çfarë kuptimi ka n’daç me shtet e n’daç me privat se s’po të marr vesh itash?”

Edi Memcaj: “E di mirë ti se je t’u m’inçizu, unë do shkoj të denoncoj në shtet se ça je t’u ba ti. Sa herë më ke ardhur te shtëpia të kam me kamera. Kam me inçizime djemtë e tu sa herë kanë ardhur, sa lekë më kanë çu me lyp në tanë Shkodrën. Nuk të kam borxh as unë e as familja ime. Nuk dona me dit gja më Pavlin, na ti kena dhanë lekët ty”.

Paulin Radovani: “Një minutë mor, unë s’të kam nisë kërkënd dhe s’jam marrë hiç me ty mor”.

Edi Memcaj: “Ka një javë që të kërkoj”.

Paulini: “Ti nuk ke një javë që më kërkon se para katër a pesë ditësh dole andej nga oborri”.

Edi: “Unë nuk kam ardhur të të bezdis te puna. Mos kujto se kam frikë kënd. Asnjë send nuk ke ça me më ba, as me më fut në burg, jeta është e gjatë dhe lekët janë të miat”.

Paulini: “Nuk jam nisur me fut kënd në burg, por me mujt me la ato borxhe që kam unë, boll kam”.

Edi: “Ka 3 katër muaj që mua as më kanë dhënë fajde e asnjë send djemtë e tu. Ti ke marrë noteren dhe i ke thënë se unë nuk di gjë se kam hedhur firmat. Tokën e ke njaty, s’prish punë toka”.

Në përgjime, ish-prefektit i kërkohet ta takojë dhe në fund vendoset që atë ta takojë shtetasi Altin Salihi, i cili një ditë pas telefonatës hyn në firmën e Radovanit. Takimi mes dy burrave fiksohet kësaj radhe nga përgjimi ambiental. Të dy burrat flasin për një borxh prej 80 mijë euro që dy djemtë e tij ia kishin marrë Edi Memcajt, aty diskutohet se nëse nuk shlyhet borxhi, atij do t’i merret toka që ishte lënë peng te noterja Valbona Fishta, një peng i lënë përmes kontratës noteriale. Kontrata siç rezulton është lidhur në fakt mes shtetasit Musa Derguti dhe Paulin Radovanit për shumën e 80 mijë eurove dhe në rast moskthimi atij do t’i merrej toka. Paulin Radovani ka pranuar se e njeh Edi Memcaj dhe se përfituesi i vërtetë i kësaj kontrate ishte ai, por ai pranon gjithashtu se Memcaj iu ka dhënë lekë me fajde dy djemve të tij. Për shkak të këtyre huave Memcaj ka përfituar një truall 500 metra katrorë në Velipojë dhe një dyqan.

Përgjimi 3

Paulin Radovani vizitohet gjithashtu edhe nga të dyshuar të tjerë që u numërojnë borxhet dhe fajdet. Marjan Bregu rezulton t’i numërojë si borxhe një gjashtëshe dhe një treshe dhe më pas shton 3 herë nga dy mijë plus një mijë. Kur Radovani e pyet a kanë qenë me përqindje këto shuma, ai i përgjigjet që ia ka dhënë 10 për qind. Në një përgjim tjetër, Kolec Marku ose siç njihet në Shkodër me nofkën Lec Gjoni telefonon Paulin Radovanin.

Koleci: “Leci jam drejtor”.

Radovani: “O Lec m’kishe ba mesazh e më thoshe se po të pres tek Elita për me më marr 3 mijë euro dhe dy milionë lekë?”

Koleci: “Po”.

Radovani: “Ku me i marr o Lec, ti hajde e merr në shtëpi c’të jenë edhe shiti. Unë edhe me mujt me marr kund lekë unë nuk kam ku me i marr”.

Koleci: “Për kryet e fëmijëve, unë i kam të huajat o drejtor”.

Radovani: Po pse i le ti kesh këtë shumë, tash që më ikën fëmija more Lec. Po prit more Lec. Ku kam me i marrë mor Lec?”

Koleci: “Mu dekshin fëmija mor, nuk të rrej, por ja çu njito dy burrave që ua kam marrë . Janë çu peshë, e kanë marrë vesht se kanë ikë dhe për kryet e fëmijëve 8 mijë herë telefonit m’i kanë ra. Nuk po dij se ku me i marr se nuk të…”

Radovani: “Lec, sa ditë ke që i ke kallxu Paulinit se më kanë marrë fëmijët borxh?”

Koleci: “Po ca me të thanë unë more drejtor, po kush dreqin e diti këtë punë?”

Radovani: “O Lec unë nuk kam ku me i marr. Njishtu me asht me lëshu tanë Shkodrën dhe unë po marr vesht se çfarë po bëhet. A ke leverdi me ia fut unë vedit, ose me vra ti e po ta firmosi se të kam thënë unë, a po e zgjidh problemin? Lec të lutem se jam nën një trysni që po loz mendsh”.

PERGJIMET 2 për grupin e fajdeve në Shkodër: T’i gjej djemtë për 24 orë e t’i vras, o Paulin

Paulin Radovani, u detyrua të shkojë në dyert e policisë, atëherë kur çdo ditë borxhdhënësi i vinte në biznesin e tij dhe i kërkonte shumat e dhëna dy djemve të tij, Robertit dhe Eltonit. Mandej, gjithë procesi rrjedh mes përgjimeve dhe vëzhgimeve ambientale.

Përgjimet kanë zgjatur dy muaj dhe, nga janari, Paulin Radovani ka pasur dhjetëra vizita në oborrin e fabrikës, të personave që kërkonin kthimin e borxheve, të cilët shpesh flisnin për përqindje e shpesh e kërcënonin.

Mes të hetuarve është edhe ish-drejtori i Transporteve, Ilir Sokoli, shok me dy djemtë e Paulin Radovanit. 31-vjeçari Sokoli shfaqet në një përgjim ambiental nën shoqërinë e të vëllait dhe kërkon shumat e dhëna me fajde. Të njëjtën gjë bën edhe i vëllai. Prokuroria thotë se disponon filmime, ndërsa në një moment Iliri i thotë ish-prefektit Radovani: “Na ke marrë në qafë, na ke varrosur të gjithëve”.

Vladimir Sokoli: “Iliri ka marrë lekët e mia dhe ua ka dhënë. Ato janë kursimet e mia. Ti Paulin ke bërë lëvizje taktike, i ke dërguar fëmijët jashtë, por fol me djalin të të tregojë se ku e ka futur Ilirin”.

Paulin Radovani“Kam dërguar njerëz për ta shitur fabrikën dhe të laj borxhet, por nuk njoh kush janë borxhlinjtë. Sa kohë ke që u jep lekë fëmijëve të mi, se më keni thënë për një Prek Hoxha që ai rri në Malci të Madhe dhe nuk del. Prokuroria m’i ka bllokuar pronat, nuk i shes dot”.

Ilir Sokoli“Unë 70.000 ia kam Ed Memcës se nuk ua jepte djemve të tu, as Bertit dhe as Tonit. Hina unë garant. Kemi lekë edhe në Dobrac se kena shku i kena marrë me Tonin, të dy ata e dinë si unë. O prefekt 1000 mijë dollarë a euro me të lujt, qa të thotë Ilir Sokoli e ca përmend me emra e me fiks, domethënë ti mua s’më ke asnjë lekë, unë kam hallin tan me heq njerëzit mar”.

Vladimir Sokoli“Nëse ti merresh me këto kërcënimet, do futet shteti e do futet kjo, dëgjo se fjalët e tepërta janë fukarallëk. Në qoftë se ti ke plan me ju thanë atyre të tjerëve se janë më trima, zotni në qoftë se këtij i preket një qime floku, si kemi bo muhabet bashkë…im vëlla Iliri ka ndejt më shumë me fëmijët e tu sesa me mu..: gjej lekët e rregulloje këtë punë.. ose çoje edhe Ilirin te djemtë e tu.

Ke bërë gabim që i largove djemtë e na le me kaq shumë probleme se vijnë e të vrasin Ramazanët, na vrasin e ti vrasin Memcajt.. i kishe majt mbyllur. Nëse merresh me denoncime unë ti gjej djemtë për 24 orë se njerëzit vrasin aty ku të dhemb më shumë o Paulin”.

Prokuroria thotë se Dragani është përfshirë gjithashtu në skemën e pastrimit të parave përderisa ka sjellë lekë nga Luksenburgu dhe nuk dihet burimi i tyre.

Në një përgjim tjetër zbulohet edhe roli i të dyshuarit Dritan Kalaja, i cili kërkon lekët e tij.

Megjithëse Iliri pretendon se kishte hyrë garant te një person tjetër që ju kishte dhënë lekë me fajde djemve të Radovanit, emri i tij del si fajdexhi gjatë një përgjimi me një person tjetër. Kësaj radhe ish-prefektin e takon në fabrikë Artan Dragani, edhe ky i kërkon lekët borxh, herë 400 që nënkuptohen 400 mijë euro e herë 700. Shuma kërkohet në emër të një personi tjetër, i cili siç del nga biseda i kishte marrë edhe një tokë Radovanit një tokë në Velipojë. Ky person përmendet me emrin “Lilo” dhe prokuroria interpreton se ai është shtetasi Ilir Sokoli. Radovani shfaqet i habitur pasi sipas tij ai ishte shok me dy djemtë e tij, por Artani shton:

“Lilo dhe Astrit Sali ka 12 vjet që ju jep lekë me fajde fëmijëve të tu”.

Radovani shton se Lilo i ka futur fëmijët e tij edhe në një lojë tjetër dhe i kanë marrë 125 mijë euro.

Radovani“Kujtova se djalin Tonin ma vranë në Malsi. Ata vinin dhe më bënin presion djalit tjetër do ta vrasim, dhe se ai të djeg dhe në një janar i çuam 100 mijë euro”.

Më tej, Radovani e pyet Draganin: “Duke parë letrat zbulova se edhe ty të kam borxh. Sa të kam borxh dhe sa të kam fajde?”

Artan Dragani“Të sqaron Tani ty, unë Tonit i kam dhënë 110… 10 njëherë tek .. 100 njëherë dhe 15 kam çuar Fatmir Bërricën me ja marrë”.

Paulin Radovani“Unë di që është bërë muhabet për një 5 -çe…”

Dragani“15…  jo pesë”.

Radovani“Stop njëherë… sa janë?”

Dragani“Borxh janë 175 mijë euro pa fajde… tashti 65 janë marrë në Luksemburg. I kam marrë me duart e mia, ja kam pru Tanit 65 Mijë euro. Dhe 100 mijë euro lekë cash pa fajde. Fajde janë 40 mijë euro”.

Radovani“E sa është përqindja?”

Dragani“Me pesë për qind, ja ka vu vetë Toni përqindjen. As më ka dhënë fajde as një ditë. Nëntë muaj janë marrë lekët si kena dhënë fajde kërkujt. Janë 175 mijë euro plus 45 mijë euro që shkojnë në 220 mijë euro”.

Dritan Kalaja“Kam dy vjet që më ka dalë goja mbrapa. Kam hyrë për t’i bërë nder Bertit dhe lekët m’i ka marrë Berti. Mora kredi për dy vjet. 200 mijë euro në 2015 dhe e kam lenë kolateral ndërtesën teme. Bisedat i kam bërë me dy djemtë e tu. Lashë ndërtesën peng. Veprimet i kanë bërë ata. Lekët si kam parë fare. Kredia dhe lekët janë në emrin tim. Kam marrë borxh për t’i larë”.

3 komente në “Arrestohet në Paraguaj djali i ish-prefektit të Shkodrës: Historia e djemve Radovani mes fajdeve, borxheve e arratisë”

  1. ideali says:

    Po ku i gjeti ky i gjayi i qeverise o Mero keto plehra? Apo plehra gjen plehren?…

  2. Bureto says:

    Prefekti dhe ish drejtori i DPShTRr, (Drejtoria Rajonale e Transporteve) Shkodër ishin ‘kuadro’ të LSI. Ngado LSI del si një bandë e strukturuar për përfitime të paligjshme. Persona të këtij morali, kudo nëpër Shqipëri, janë rekrutuar vazhdimisht nga sekti i Ilir Metës, nëpërmjet të cilëve ai ka grumbulluar pasuri përrallore, një pjesë të të cilave, e përdor për të mbajtur në këmbë krijesën e tij politike famëkeqe. Prova më e gjallë se ç’përfaqëson Ilir Meta dhe sekti i tij, ishte vidio e famshme e të ndjerit Dritan Prifti. E megjithatë ky faqezi, edhe për faqen tonë të zezë, është ende presidenti ynë. Deri kur?

  3. piku says:

    vaj medet. Ky me mire tja fusi vetes e te bi rehat.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje