"Shami të zeza qiellore", ose arka e re e Noes, nga Petrit Ruka

20 Tetor 2019, 14:03Kulturë TEMA

Nga Ilirian Zhupa*

I dashur Petja,

Të dashur miq që jeni mbledhur sonte në këtë festë të dyfishtë për Petritin, të trefishtë për ne që kemi rastin t’a ndjejmë dhe këndojmë të parët librin e tij, dhe të shumëfishtë për ata që do e zbulojnë dhe rizbulojnë në të ardhmen.

I dashur shoku, miku dhe vëllai im prej shpirti dhe prej fjale, (Shpirti dhe fjala jetojnë më gjatë se gjaku, ndaj vëllazëria e ngjizur prej tyre, mbase ka një bekim të fshehtë nga Zoti!).

Ndjehem ligsht nga pamundësia të jem fizikisht i pranishëm, në këtë gëzim të përbashkët. Në këtë festim të udhëtimit tënd jetësor 65 vjeçar, dhe poetik gjysmë shekullor. Po gjërat që dikur nuk mund t’i humbisnim për asnjë arsye, tani, mund t’i humbasim për shkak të përditshmërisë prozaike, angazhimeve dhe dhimbjeve njerëzore, të punëve, të distancave, të deteve në mes dhe qiejve përmbi.

Ka qenë gushti i vitit 1976, një e dielë, kur unë bëja pushim nga miniera dhe mund të isha pranë familjes, shokërisë dhe librave në Tepelenë. Afër mesditës, mbërriti në librarinë e Niqit gazeta Drita. E hapa si gjithmonë direkt në mes, ku botoheshin poezite dhe tregimet e numrit. Gjerë-gjatë në faqen 8 të saj ishte një cikël yti me poezi. Ti ishe në Turan. Ti nuk e dije. Ti nuk mund ta besoje. As ne. Nën diellin përvëlues, u nisëm për në Turan bashkë me Fuatin të të sillnim lajmin dhe gazetën. Na pritën te oborri i shtëpisë nënë Sefteja me xha Novruzin, pastaj u shfaqe ti. Nuk e them dot se ç’dasëm kemi bërë. Dëshmitarët e mi nuk janë më. As xha Novruzi, as nënë Sefteja dhe as Fuati….

E solla këtë histori, jo për të thënë “Doni më për Belulin…”, siç qesh dhe nënqesh miku yt dhe yni Pëllumb Kulla. Por për të thënë, se ai cikël kishte thyer akullin dhe na bënte të gjithëve të besonim, se përpëlitjet tona poetike nuk ishin thjesht makthe dhe ëndrra… Se edhe ne mund të synonim dhe të bënim atë që kishin bërë apostujt tanë letrarë. Se edhe ne mund të shkruanim “Iliadën” tonë, siç thua ti te poezia “Po përkthej një grua”.

Mik i shtrenjtë,

Me “Shami të zeza qiellore”, ti e ke bërë Iliadën tënde. Pavarësisht se ende ti e ndjen që “Shqipërinë e ke si kërthizë të pambyllur në bark”. Besoj kështu e kemi të gjithë, sepse fatalisht kështu e kemi trashëguar brez pas brezi, por nuk dua të besoj se kështu do ua lemë edhe fëmijëve tanë.

“Mua më ka humbur çelësi i portës së fëmijërisë…” thua ti te poezia “Lutje”. Nuk flet per fëmijërinë tënde… Flet për fëmijërinë e botës, e cila i ka mbyllur fëmijtë e sotëm në akuariume xhami…. Ndaj “Mos u nis pa hedhur një amanet mbi shpatullat e tua…”, është lutja dhe amaneti i poezisë “Shqipëria”.

Në çdo faqe të “Shamive të zeza qiellore”, bien kambanat e lutjes, kujtesës, pëgjërimit, hyjnizimit, ndjenjës, frymës, hovit, frikës, besimit, trishtimit, përsosjes, rroposjes. Ndjehet qenia, natyra dhe përpjekja jetësore e saj…..
Si ditë feste që është, për ty, për ne shqipfolësit dhe më tej, nuk flas dot gjatë, por dua shkurt të ndriçoj dy tre plane të fjalës tënde poetike.

Poezia jote, pëpos shumë e shumë tipareve lëndore e kuptimore që janë të materializuara te shiriti filmik i fjalës poetike, ka dy veti thelbësore që e bejnë të zërë vend në çdo bibliotekë dhe zemër.

E para, duke kumtuar në mënyrë artistike, ajo “shkund fara” asosacionesh në mendjen dhe shpirtin e lexuesit, të tilla prej të cilave mund të mbijnë fauna të reja poetike dhe të pasurohet më tej shprehja metaforike e filozofike e botës.

Se dyti, poezia ndërtohet prej një materjeje të tillë, e cila le shenjë te gjithkush që e merr këtë libër në dorë. Shtresëzimet kuptimore e artistike te saj, ngjajnë me rrathët e pafundëm që bën guri i diamantë poetik, në membranën e përjetimit artistik të qenies njerëzore.

Së fundi, për ta mbyllur, unë dua të të falenderoj dhe uroj për magjinë që ke bërë brenda kësaj shamie. Aty është përmbledhur gjithë bota jote dhe e njerëzve të tu të dashur, aty janë gjithë hovet e stepjet, dashuritë e tradhëtitë, miqësitë e inatet, zjarret dhe kongjijtë ku është ngrohur jeta njerëzore jotja dhe jona. Atje janë të gjitha rritmet dhe isot, fëshfërimat e mallit dhe brengës, dihatjet e fjalëve dhe kumtimeve….

Mik i çmuar,

Mbas një pune këmbëngulëse 50 vjeçare, ashtu si Noeja, edhe ti Petrit i dashur e ke ndërtuar arkën tënde për shpëtimin e fjalës, qenies dhe botës sonë.

Të faleminderit për këtë shërbesë që na ke bërë të gjithëve, Poet, Mik dhe Vëlla!

*Përshëndetje në përurimin e librit dhe festimin e 65 vjetorit të autorit.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje