Operacioni i Barcelonës për të rikthyer në skuadër Nejmar mori vëmendjen kryesore në këtë merkato verore. Sulmuesi u shpreh publikisht se ishte penduar për transferimin te PSG dhe se në Francë ishte i palumtur. Në këtë formë, katalanasit nisën tratativat me parisienët për të gjetur formulën e duhur.
Bisedimet zgjatën deri në ditën e fundit të merkatos, por mungoi një marrëveshje. Ndërkohë, me tratativat që me shumë mundësi do të vazhdojnë në merkaton e ardhshme, mbrojtësi Xherrard Pike ka treguar edhe një prapaskenë për të lehtësuar rikthimin e Nejmar. Spanjolli tregon se lojtarët mund të pranonin një ulje të pagës për Nejmar në mënyrë që klubi të mos kishte probleme me Fair Play.
Ndërkaq, Pike zbulon se i ka thënë Nejmar se po largohet drejt një burgu të artë, në momentin kur braziliani vendosi për t’u transferuar te PSG. “ Në futboll gjithçka mund të ndodhi. I thamë atij: Po shkon në një burg të artë. I kërkuam Bartomeut që të na prekte rrogat tona, në mënyrë që për rikthimin e Nejmar të mos kishim probleme me Fair Play. Por, më shumë se fjalët duhej gjetur një formulë e duhur. Klubi gjeti një propozim shumë të mirë, por më pas probleme tjera dolën në sipërfaqe”, tha Pike.