Reali nuk përfiton nga humbja Barcelonës, ndalet në Bernabeo nga Betis

2 Nëntor 2019, 23:12Sport TEMA

Real Madrid nuk ia ka dalë që të shoqërojë fitoren e mesjavës me një tjetër sukses në kampionat, aq më tepër kur pak orë para tij kishte gabuar edhe Barcelona kryesuese duke u mundur ndaj Levante.

Skuadra e Zidan është ndalur në shtëpi në barazim pa gola nga Betis, duke konfirmuar se ka ende shumë probleme në repartin e avancuar i cili gaboi disa raste të mira në duelin e sotëm.

Reali kaloi thuajse gjithë takimin në gjysmëfushën kundërshtare dhe provoi në të gjitha mënyrat të shënonte, por nuk ia doli, duke shpërdoruar me radhë me Hazard, Benzema apo edhe Rodrigo e Vinicius.

Madrilenët nuk u ndihmuan as nga episodi i çuditshëm i pjesës së dytë me portierin Xhoel Robles.

Ky i fundit bëri me shenjë që i kishte rënë një nga lentet e syrit dhe u kthye në fushën e lojës pa e rivendosur atë. Por ky problem i portierit nuk u shfrytëzua nga Reali në 20 minutat e fundit, ku pavarësisht dominimit, askush nuk arriti të çante murin e ngjeshur para portës së Betis që mori një pikë shumë të luftuar në transfertë.

Reali kësisoj i bashkohet Barcelonës në kreun e renditjes së kampionatit, por të dy skuadrat mund të kalohen nesër përsëri nga Granada, ose të arrihen në kuotën e 22 pikëve nga Real Sociedad, në duelin direkt mes këtyre dy skuadrave.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje