Mesi i muajit nëntor do të heqë një pjesë të madhe të pikëpyetjeve që rrethojnë të tashmen dhe të ardhmen e Kombëtares Shqiptare.
Sfidat me Andorrën dhe Francën mbyllin ciklin eliminator dhe hedhin dritë mbi të ardhmen e trajnerit tashmë pothuajse të sigurt për rinovimin dhe skuadrës në procesin e gjatë për të nisur epokën e re për të cilën Edi Reja i ka hedhur themelet.
Në këtë optikë, 180 minutat e fundit konsiderohen si shumë të rëndësishme pasi trajneri italian pret përgjigje të rëndësishme nga grupi i tij që do të rikthehet me minutat e duhura dhe pak pasiguri.
Marash Kumbulla është lajmi më negativ pasi mbrojtësi i Veronës do të mungojë për shkak të një dëmtimi por titullari i dy ndeshjeve të fundit, Kastriot Dermaku ka fituar minuta të rëndësishme në disa sfida si titullar me Parmën. Në paketën e tërhequr edhe Strakosha, Gjimshiti e Veseli po kalojnë momente pozitive në Itali.
Nëse bazohemi në formacionin titullar të Moldavisë, Trashi vazhdon të shkëlqejë në krahun e majtë të Partizanit pasi ai gol në Kishinjev duket se e ka siguruar lojtarin e kuq që hedh kandidaturën për një tjetër ndeshje titullar, ndërsa Abrashi-Bare e Gjasula po ruajnë vazhdimësinë në aktivizim duke rezultuar shumë të rëndësishëm për skuadrat e tyre.
Me mbrojtjen dhe mesfushën që i kanë siguruar minutat për të mbajtur muskujt e ngrohtë, trajneri Edi Reja duhet të fokusohet pjesërisht tek sulmi ku zgjedhjet vazhdojnë të jenë me bollëk pasi Balaj, Roshi, Cikalleshi, Manaj mbeten në garë për dy vende, për të mos lënë pas dore Selahnin që ka gjetur golin e parë në Holandë dhe Lenjanin e Memushajn.
Me këtë ritëm, ndoshta 6 pikët në dy sfidat e fundit nuk konsiderohen utopi edhe pse Tiranën do ta vizitojë një skuadër që vetëm 1 vit e gjysmë më parë triumfoi mes më të mirëve të planetit.