8 ndeshje, 6 gola, 2 asistime të ndara në 645′ minuta – Rashica po shijon një sezon fantastik dhe është shndërruar në futbollistin më të rëndësishëm te Werder.
Sulmuesi i Kosovës po rritet dita ditës dhe duke parë statistikat deri më tani në sezonin 2019/20 – nuk ka asnjë dyshim se 23-vjeçari po shkon drejt edicionit më të mirë në karrierë.
Milot Rashica është në një ecuri mbresëlënëse me Werder Bremen.
Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës ditë pas dite po trego se e pret një e ardhme e ndritur. Ai ka shënuar gol pothuajse në të gjitha ndeshjet për klubin gjerman deri më tani këtë sezon, raporton Gazeta Express.
Ecuria fantastike e Rashicës nisi në “Signal Iduna Park”, kundër Borussia Dortmund, pas rikthimit nga lëndimi, që ia humbi edhe ndeshjet me Kosovën në shtator.
Ai shënoi një gol shumë të bukur për ta kaluar Werderin në epërsi në minutën e 8’, por në fund ndeshja përfundoi 2-2.
23-vjeçari luajti 73 minuta në këtë takim.
Pak ditë pas ndeshjes me Dortmund, Rashica shënoi një tjetër gol në Bundesliga.
Talenti i Kosovës shënoi golin e barazimit për 2-2 kundër Eintracht Frankfurt në fund të ndeshjes nga penalltia, për t’ia siguruar një pikë Werderit.
Dëmtimi duket se i kishte bërë mirë, pasi Rashica vazhdoi me gola edhe kundër Bayer Leverkusen me 26 shtator.
Edhe njëherë tregoi se ky do të jetë sezon i veçantë për të, duke shënuar golin për 1-1 në minutën e 40’, sfidë që në fund përfundoi barazim, 2-2.
Ai luajti për 80 minuta në këtë ndeshje.
Pas takimit në Bundesliga, ishte radha që Miloti të shënojë edhe në Kupë.
Ai gjeti golin sërish pas disa ditësh në rundin e dytë të Kupës së Gjermanisë kundër FC Heidenheim.
Rashica shënoi me të filluar takimi në minutën e gjashtë, për ta kaluar Werderin në epërsi, sfidë që skuadra e shqiptarit e fitoi 4-1.
Rashica luajti në këtë ndeshje për 74’ minuta.
Forma e mirë e 23-vjeçarit vazhdoi edhe këtë vikend.
Ai realizoi një tjetër gol të bukur në Bundesliga.
Rashica hapi serinë e golave kundër Freiburg duke shënuar për 1-0 në minutën e nëntë.
Ai asistoi edhe për golin e dytë të Werder, por në fund lëshuan pikë, duke barazuar 2-2 në këtë sfidë.
Rashica u largua nga loja në minutën e 86’, kur Werderi po fitonte 2-1 me golin dhe asistin e talentit të Kosovës.
8 ndeshje, 6 gola, 2 asistime të ndara në 645′ minuta deri më tani në sezonin 2019/20 – nuk ka asnjë dyshim se 23-vjeçari po shkon drejt edicionit më të mirë në karrierë.