Kjo që lamë pas ishte një prej fundjavave më problematike në futbollin shqiptar.
Fushat e lojës janë kthyer në arena boksi, kryesisht në nivelet e ulëta.
Duke nisur nga kampionati i të rinjve, me skena aspak të hijshme, në ndeshjen ndërmjet 19-vjeçarëve të Apolonisë dhe atyre të Besës.
Skuadrat e grupmoshave të Fierit dhe Kavajës u përleshën disa herë në fushë, ndërsa ndeshja vendosi edhe një rekord ndëshkimesh.
Arbitri akordoi 7 kartonë të kuq dhe 11 kartonë të verdhë, për të gjithë lojtarët e përfshirë në incidente, shkruan A2.
Ngjarje e papranueshme edhe në ndeshjen e Kategorisë së Dytë, Këlcyra-Maliqi, ku lojtari i miqve Arlind Xaka u dhunua dhe përfundoi në spital me nofull të thyer.
Drejtuesit dhe stafi teknik i Maliqit akuzuan se lojtarët e tyre rrezikuan jetën.