100 vjet në fund të detit: Nxirren 900 shishe me konjak dhe liker francez, të destinuara për car Nikollën II

6 Nëntor 2019, 11:45Lifestyle TEMA
100 vjet në fund të detit: Nxirren 900 shishe me konjak dhe liker

Pasi ka kaluar mbi një shekull nën ujë, një ngarkesë e destinuar për carin e fundit të Rusisë, është nxjerrë nga deti Balltik. Ngjarja e ka origjinën në maj të vitit 1917, kur një avullore suedeze “S/S Kyros” lundroi për në Petrograd – sot Shën Petersburg – me 50 arka konjak dhe 15 të tjera liker. Ngarkesa ishte destinuar të mbërrinte te Perandori Nikolla II, i cili kishte hequr dorë nga froni vetëm dy muaj më parë.

Rusia ishte ende zyrtarisht në luftë me Perandorinë Gjermane, kështu që ngarkesa u nis nga Franca me një anije që i përkiste Suedisë neutrale. Por “Kiros” nuk arriti kurrë në destinacion. Ajo lundroi pranë ishullit Aland në ujërat e Balltikut, ku u diktua nga një nëndetëse gjermane UC-58.

Sipas ligjeve të atëhershme të luftës, gjermanët e akuzuan ekuipazhin për kontrabandë të produkteve të paligjshme, lejuan marinarët të hipnin në një anije tjetër dhe anijen e tyre e lanë në mëshirë të fatit. 900 shishe me pije të zgjedhura franceze u “varrosën” në det.

Në vitin 1999, anija e mbytur u zbulua, por në atë kohë ishte shumë e rrezikshme të përpiqeshe për ta nxjerrë nga fundi i detit. Njëzet vjet më vonë, një ekip shpëtimi suedez dhe islandez vendosën të merreshin me të.

Pas vitesh të tëra përgatitjeje, ata u nisën për misionin e ri me anijen ndërkombëtare “Deepsea Worker”. Duke përdorur robotët e saj, ata më në fund arritën të nxjerrin nga deti rreth 600 shishe konjak “De Haartman & Co” dhe 300 shishe liker “Benedictine”.

Rëndësia e kësaj ngjarjeje nuk mund të mos theksohet – nuk janë disa pije që ne i nxorëm nga deti, por edhe një pjesë e historisë së Rusisë së dikurshme perandorake“, shkroi “Ocean Explorer” në faqen e saj të internetit.

Ajo që e bën akoma më interesante nxjerrjen e shisheve është fakti se konjaku “Benedictine” nuk prodhohet më dhe prodhuesi i tij, i cili e ka origjinën te murgjit francezë, është blerë nga “Bacardi”.

Ky i fundit mezi po pret të mësojë nëse produkti në fjalë është ruajtur i pandryshuar përgjatë gjithë këtyre viteve në ujë. Është një mundësi shumë e mirë marketingu.

 RT / Përgatiti: Gazmira Sokoli 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje