Massimo Cacciari, profesor emeritus i Fakultetit Filozofik të Universitetit Vita-Salute San Raffaele në Milano, është autor i rreth gjashtëdhjetë librave, shumë të përkthyer në disa gjuhë.
Ai ka studiuar krizën e mendimit dialektik, ka shkruar për borgjezinë dhe klasën punëtore, për Perëndimin dhe utopitë, për Zotin, Evropën dhe shumë të tjera. Libri i fundit, “Mendje e trazuar” është një ese mbi humanizmin.
Ai ka qenë deputet, eurodeputet, kryetar i Komunës së Venecias tre herë. Që nga viti 2010, ai e ka lënë politikën aktive dhe daljet publike.
Massimo Cacciari, në moshën 74-vjeçare, çfarë marrëdhënieje keni me pleqërinë?
Të tmerrshme. I urrej njerëzit që flasin për të dhe i referohen si “buzëmbrëmje e qetë”. Dridhem nga ideja që më lind në tru.
A mendoni ndonjëherë për vdekjen?
Nuk më bëhet vonë. Mendoj për të vazhdimisht, por në kuptimin që mendonte Spinoza, por edhe Platoni, aq shpesh të cituar pa kuptuar asgjë prej tyre. Duke e ditur që duhet t’i shkoj në fund, asnjë finesë nuk më kushtëzon. Po stërvitem të vdes duke jetuar mirë.
Dhe çfarë është sipas jush “të jetosh mirë”?
Duke u varur sa më pak të jetë e mundur nga ndikimet e jashtme, pasionet e paarsyeshme dhe nga nderet e të tjerëve. Duke mbrojtur ligjin tim të brendshëm, duke mos lënduar askënd.
Pse keni karakter të keq?
Jam i paduruar. Jam i tillë me ata që nuk kuptojnë dhe sepse koha nuk është kurrë e mjaftueshme për mua.
Thuhet se, kur keni qenë kryetar i Komunës së Venecias, u keni thënë idiotë njerëzve tuaj.
Asnjëherë. Me të tjerët shpesh më ka ndodhur të jem i pasjellshëm dhe kam kërkuar falje.
Jeni djali i një pediatri dhe një shtëpiakeje. Çfarë edukimi keni marrë?
Asnjë. Meritë e madhe për prindërit e mi. Ata më mësuan të ec, të notoj, të flas, të mos vjedh … gjëra elementare, një parakusht për çdo jetë civile. Kaq. Ata më lanë të lirë pastaj, patën besim absolut dhe më dhanë të gjithë librat që më duheshin.
Si lind pasioni për filozofinë?
Në moshën 15 vjeç, kur lexova” Fenomenologjinë e shpirtit” të Hegelit. Filozofia është gjuha e Perëndimit, ajo përbën formën e njohurive dhe veprimit të saj, ajo siguron konceptet themelore për të kuptuar shqetësimin, tragjeditë dhe vetë çmendurinë.
A besoni akoma, siç keni thënë në të kaluarën, se potenciali maksimal i trurit arrin moshën 26 vjeç?
Nëse në atë moshë vërtet ke udhëtuar, ke bërë gjithçka ose asgjë. Nuk flas për udhëtimin si turist, por për mendjen. E bën këtë udhëtim dhe më pas, në pjesën tjetër të jetës, i organizon njohuritë, i thellon, por idetë themelore vijnë nga rinia. Prandaj është për të ardhur keq si është katandisur shkolla.
A është “elita dhe populli” një kontrast që ilustron kohën në të cilën jetojmë?
Është idiotizëm: populli në vetvete nuk ekziston; ka interesa specifike, organe të ndërmjetme, autonomi. Ideologjia e marrëdhënies së drejtpërdrejtë midis liderit dhe masës është mënyra kryesore për zgjidhje autoritare. Demokracia jeton me ndërmjetësim. Është politeiste në thelbin e saj. Lideri duhet të jetë në krye të një grupi drejtues me njerëz kompetentë, me bazë sociale dhe me votat e tyre.
Sa e vetmuar është jeta e studiuesit?
Unë, kur studioj, jam me autorët dhe mësuesit e mi, u flas atyre. Kur mundem, mbyllem një javë në studion time në në Venecia, midis tridhjetë mijë librave të mi. Është diçka shumë e bukur.
Kur sheh se në shoqëri ka ligësi, çfarë mendon filozofi?
Nuk është për t’u habitur. Lexoni Spinozën. Natyra jonë është e burgosur brenda pasioneve që janë më të praktikuarat, aq sa janë edhe më të zhvlerësuarat: zilia, xhelozia, pakënaqësia, egërsia … Filozofia është ushtrimi për të mësuar t’i qeverisim ato.
Çfarë është sot Evropa?
Një shpresë pa shpresë. Por siç na mëson Shën Pali, duhet të shpresojmë. Është e pamundur të mos shpresosh: edhe ai që vetëvritet shpreson, mbase për t’i bërë të tjerët të dëshpërohen.
Pse nuk jeni martuar kurrë?
Duhet të kesh lexuar Niçen për të kuptuar se çfarë do të thotë të thuash po, kur ai pyet: a e ke gërmuar fundin e shpirtit tënd? A je gati të thuash “përgjithmonë”? Kjo gjithashtu vlen për të qenit baba; në fakt, unë nuk kam pasur kurrë fëmijë.
A keni pasur ndonjëherë dyshimin të martoheni apo jo?
Sa herë që kam dashuruar dikë.
Dhe sa herë keni dashuruar dikë?
Është e pamundur ta thuash … Të thuash dashuri është si të thuash njerëz: çdo herë, është diçka tjetër. (intervistë e prillit 2019)
Marrë me shkurtime nga Corriere della Sera
Vari tenqen nga Platoni kaloj Tek Shen Pali Aziatik, pastaj thote nuk jam Martuar nuk Kam Femije,dhe Pastaj thote qe Europa,ska shprese,po cfare Shpresojme do kete me nje Kar si puna jote