Ze Maria, Ardian Mema e tani edhe Julian Ahmataj, duket se në një vit asgjë nuk ka ndryshuar te Tirana përveç trajnerëve, të cilët shkojnë e vijën, duke i lënë trashëgim pasardhësve të njëjtat probleme.
Klubi duket se nuk di të bëjë hapa konkret në rrugën për t’i zgjidhur ato edhe pse trajnerët flasin qartë se nuk ëshët më as çështje skemash e taktike, e as çështje lojtarësh e motivimi.
I pari e nisi Ze Maria, i cili në largimin e tij në tetorin e një viti më parë deklaroi hapur se problemet ishin nga personat që rrinin afër presidentit Halili.
“Do të shikojmë nëse problemi ishte i imi apo i presidentit. Shpresoj që të jem unë problemi dhe besoj me të vërtetë që të rritet skuadra. Nuk jam ai lloj personi që i marr gjërat nga shtëpia ime dhe i nxjerr jashtë. Presidenti i di problemet. Kam punuar si trajner dhe si futbollist në shumë ekipe.
Të gjithë klubet kanë probleme por më e rëndësishme është që njerëzit të duan t’i zgjidhin këto probleme. Këtu kam hasur vështirësi në këtë drejtim, nuk është gjithnjë faji i presidentit por edhe i njerëzve që punojnë me të, të cilët ndonjëherë i shtojnë këto vështirësi”, janë disa nga akuzat e brazilianit pas lamtumirës së tij nga klubi.
Ardian Mema qëndroi një vit në detyrë pas tij, por ishte gjithmonë në diskutim dhe me zëra që qarkullonin vazhdimisht për zëvendësuesit e tij.
Ish-futbollisti bardheblu preferoi që të mos fliste për telashet e Tiranës shumë hapur, edhe pse lëshoi disa herë mesazhe të qarta duke deklaruar para se të jepte dorëheqjen se “jo gjithmonë është faji i trajnerit” si dhe se ishte e pakuptimtë se si ekipi kishte pësuar golat ndaj Bylisit, duke lënë të kuptohej se lojtarët nuk ndiqnin urdhrat e tij.
Të njëjtën gjë e tha edhe pas humbjes në Korçë trajneri Ahmataj. “Kemi punuar 16 skema të ndryshme në goditje standarde, i kemi edhe në dhomat e zhveshjeve e nuk u zbatua asnjë”, theksoi ai.
“Nuk mbahet vendi i punës me zor, nuk mbahet. Te Tirana sapo vendoset një trajner mendohet për t’u hequr. Në qoftë se gjërat nuk rregullohen brenda konturit që unë shoh…nuk e shoh veten më pjesë të këtij klubi. Unë nuk e mbaj një vend pune kur puna nuk bëhet siç dua unë. Nuk jam mësuar ndryshe.
E njihja këtë ambient por nuk arrija dot që të kuptoja që gjërat ishin në këtë stad”, janë mesazhet e qarta të Ahmatajt që i vënë vulën kaosit njëvjeçar te Tirana, shkruan VipSport.
Tani topi i kalon Halilit, i cili duhet të vendosë nëse më në fund do të dëgjojë tre trajnerët e vitit të fundit, apo nëse do të vazhdojë të drejtojë klubin në të njëjtën mënyrë, mes kaosit që e shoqëron në vitin jubilar të historisë e ndoshta për shumë të tjerë në kushtet aktuale.