Rokada Allegri-Sarri, rebelimi i CR7 dhe gafat e De Ligt; Del Piero ka “diagnozë” për të gjitha

25 Nëntor 2019, 12:13Sport TEMA

Pasi ka heshtur disa kohë, flet Alessandro Del Piero. Dhe kur ai merr një pozicion ndaj Juventusit, është gjithmonë mirë ta dëgjosh me kujdes.

“AS” ka realizuar një intervistë me “Pinturicchio” para ndeshjes së Champions-it, mes “Zonjës së Vjetër” dhe Atletico Madrid. Ish-numri 10 i bardhezinjve ka lëvdata në lidhje me fillimin e sezonit të kampionëve të Italisë, Cristiano Ronaldo dhe, gjithashtu, ekipit kombëtar.

SARRI – Para së gjithash, ai pyetet për Sarrin, por edhe lamtumirën e Allegrit, dy vendime të papritura nga klubi: “Unë u befasova që Juventusi mendoi për Sarrin, duke pasur parasysh të kaluarën e tij te Napoli. E njëjta gjë ndodhi me Ancelotti dhe Capello, të cilët gjithmonë kanë qenë rivalët e Juventusit. U befasova nga përfundimi i marrëdhënies me Allegri. Nuk mendoja se Juventusi do ta mbyllte një marrëdhënie të tillë fituese kaq shpejt”.

“Sarriball” ende nuk është parë shumë, por Del Piero është i sigurt: “Sarri ka nevojë për kohë. Loja e tij është parë në disa momente, në veprime të caktuara ofensive, me një zotërim të vazhdueshëm të topit, por josterile, si në golin e Higuain ndaj Interit. Por, do të ishte gabim të prisnit një kopje të Napolit dhe Chelsea te Juventusi, meqë aty është trajner Sarri. Juventusi ka ADN-në e vet dhe lojtarë të jashtëzakonshëm, të cilët kanë nevojë për një projekt të arrirë. Dhe trajneri po e bën atë me inteligjencë”.

RONALDO – Nga numri 10 në… te 7. Është thënë shumë për Cristiano Ronaldon, edhe për reagimin kur u zëvendësua ndaj Milanit. Dhe si ish-kapiten, Del Piero e qorton portugezin, ndërsa thekson se qëndrimi i CR7 është gjithmonë pozitiv. 

“Lënia e stadiumit para se të përfundojë ndeshja nuk është sjellje e mirë për një lojtar të cilësisë së tij. Por, në çdo rast, nuk llogaritet vetëm gjesti, i cili nuk ishte i bukur, por mënyra e tij e sjelljes ditë pas dite. Cristiano është një profesionist i shkëlqyer dhe shokët e tij e respektojnë shumë atë”. Edhe një pyetje teknike, pas kritikave të Capello, i cili tha se CR7 ka tri vite pa bërë një driblim: “Fabio po fliste për një ndryshim të stilit të lojës, ai nuk tha që Cristiano po bie. Ronaldo mund të japë ende shumë. Në fillim të sezonit ishte më pak i shkëlqyeshëm, por ndryshimi duhet të bëhet nga shkurti, kur të vijë faza delikate e Champions-it”.

DE LIGT DHE ITALIA – Ekziston gjithashtu një mënyrë për të folur për dy tema të tjera: De Ligt dhe ekipin kombëtar italian. Për holandezin, idetë e ish-kapitenit bardhezi janë shumë të qarta: “Chiellini është thelbësor dhe mungesa e tij ndjehet, por unë jam shumë pozitiv për atë që premton De Ligt. Ai bëri disa gabime, por ka potencial shumë të madh, po rritet nga loja në lojë”. Sa i përket kombëtares axurre, ka shumë duartrokitje për trajnerin: “Mancini po bën një punë të jashtëzakonshme. Për të fituar Kampionatin Europian nuk mjafton të kualifikohemi mirë, por kjo ndihmon në ndërtimin e një grupi, të një mentaliteti, të një ekipi. Dhe Roberto po e ndryshon fytyrën e këtij ekipi kombëtar”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje