Pas lëkundjeve të forta sizmike shtë rritur me 30 % gadishmëria në të gjitha Institucionet e Ekzekutimit të Veprave Penale.
Përmes një komunikate zyrtare, njoftohet se të gjithë tē burgosurit ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.
Njoftim për shtyp
Për shkak të situatës së krijuar si pasojë e lëkundjeve sizmike, Ministri i Drejtësisë ka ngritur shtabin e emergjencave me qëllim ndjekjen dhe përballimin e gjendjes aktuale në të gjithë IEVP-të e vendit.
Që në momentet e para, me urdhër të ministrit të Drejtësisë, është rritur gatishmëria në masën 30% të policisë së burgjeve dhe grupeve të shoqërimit, duke kaluar në “Gadishmëri të përforcuar”, në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe në 15 Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale të cilat ndodhen në zonat e prekura nga fatkeqësia natyrore.
Ministrja Gjonaj, e shoqëruar nga shtabi i emergjencave gjatë këtyre orëve ka inspektuar nga afër të gjitha institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale më të prekura nga lëkundjet sizmike, IEVP “Lezhë”, “Durrës”, “Fushë-Krujë” dhe “Jordan Misja”( burgu 313).
Nga vlerësimet e bëra deri më tani, pavarësisht gjendjes emocionale që ka shkaktuar paniku i lëkundjeve sizmike, gjendja shëndetësore te të dënuarit dhe paraburgosurit në të gjitha institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale paraqitet e mirë dhe pa probleme. Përveç dëmeve materiale nuk ka pasur asnjë problematikë tjetër lidhur me jetën dhe shëndetin e të gjithë punonjësve por edhe të dënuarve si pasojë e lëkundjeve sizmike.
Ekipet e vlerësimit të Ministrisë së Drejtësisë të shoqëruar nga ekspertët e fushës, kanë kryer verifikimet në të gjitha godinat e IEVP-ve, të cilat kanë rezultuar në tërësi pa probleme serioze.
Problematike nga vlerësimi i kryer paraqitet vetëm për seksionin nr 2 të IEVP-së Lezhë, duke evidentuar mungesën e qëndrueshmërisë së kësaj godine.
Për këtë arsye, gjatë orëve të paradites së ditës së sotshme u vendos evakuimi i 119 të të dënuarve që qëndronin në këtë godinë duke i transferuar në IEVP-në Shkodër.
Nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve janë marrë masat maksimale të sigurisë për transferimin e të dënuarve dhe aktualisht ky proces ka përfunduar dhe të 119 të dënuarit të sigurisë së zakonshme janë sistemuar në IEVP-në Shkodër. Nga ana e Ministrisë së Drejtësisë janë marrë të gjitha masat për shtimin e punonjësve të policisë së burgjeve me qëllim funksionimin normal dhe garantimin e sigurisë.
Ministria e Drejtësisë së bashku me të gjitha strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe të sigurisë është e angazhuar maksimalisht në marrjen e të gjitha masave për përballimin me sukses të kësaj situate si dhe duke mbajtur nën monitorim të vazhdueshëm të gjitha institucionet.