FOTOT/ Post tërmeti: Vullnetarë nga e gjithë Shqipëria pranë banorëve të Durrësit

4 Dhjetor 2019, 17:41Sociale TEMA

Vullnetarë nga e gjithë Shqipëria i janë përgjigjur thirrjes për të shërbyer në zonat e prekura nga tërmeti në qarkun e Durrësit.

Janë rreth 302 vullnetarë nga Tirana, Durrësi, Elbasani dhe Vlora të cilët u kanë shërbyer banorëve të dëmtuar nga tërmeti i 26 Nëntorit.

Zëvendës ministrja e Drejtësisë Fjoralba Caka, e cila është angazhuar në tërren që nga 26 nëntori, shprehet se grupet e vullnetarëve janë shpërndarë në të gjitha zonat e prekura nga tërmeti; Durrës, Shijak, Krujë, Bubq, etj.

“Për të organizuar më mirë vullnetarët dhe për të çuar ndihmat atje ku ka nevojë menduam të centralizojmë informacionin dhe për këtë arsye tek faqja e-Albania i kemi dhënë mundësi çdo qytetari, vullnetari apo organizate jo fitimprurëse të regjistrohet duke specifikuar sa herë në ditë ata mund të shërbejnë, në çfarë harku kohor dhe frekuence, në çfarë vendesh dhe çfarë shërbimi mund të japin”, tha zv/ministrja e Drejtësisë Fjoralba Caka.

Zvministrja Caka theksoi se grupit të vullnetarëve i janë bashkuar dhe aktivistë nga Kosova. Ajo vlerësoi se një ndihmë e madhe në rikuperimin e dëmeve nga tërmeti ka qenë dhe puna në terren e 18 organizatave jo fitimprurëse.

Ndihma e tyre konsiston në krijimin e kampeve ose qendrave të vogla të lojërave për fëmijët.

“Pranë çdo qendre janë vendosur vullnetarë nga Urdhri i Psikologëve. Janë 350 psikologë të cilët po ofrojnë shërbimin e tyre të mbështetjes psikologjike në gjitha vendet ku janë akomoduar qytetarët e dëmtuar nga tërmeti.
Janë mbi 1500 persona deri tani që kanë marr shërbim psikologjik”, u shpreh zvministrja e Drejtësisë Fjoralba Caka.

Për shpërndarjen e ndihmave për banorët e prekur nga tërmeti Caka shpjegon se po operohet me 2 sisteme.

“Sistemi parë ka qenë ai i Rezervës Shtetërore, ku çdo gjë shkon tek Rezerva Shtetërore dhe pastaj seleksionohet dhe shpërndahet sipas nevojave. Sistemi tjetër me të cilin ne po koordinojmë tani është që vetë organizatat, qytetarët mund ta çojnë ndihmën direkt atje ku duhet”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje