Provat për shkarkimin e Donald Trump, më se të mjaftueshme!

4 Dhjetor 2019, 12:09Bota TEMA

“Provat për shkarkimin e presidentit amerikan Donald Trump janë më se të mjaftueshme”. Ky është përfundimi në të cilin ka arritur komisioni hetimor i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, duke e çuar kështu një hap përpara shkarkimin e presidentit Trump.

Sipas një raporti që u është dërguar anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve, e cila kontrollohet nga demokratët, kreu i Shtëpisë së Bardhë vendosi interesat personale mbi interesat kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

“Ai e bëri këtë duke u përpjekur të kërkonte ndërhyrje të huaj nga Ukraina për ta ndihmuar të rizgjidhet president në vitin 2020”, thotë raporti.

Ndërkohë presidenti Trump, i cili ndodhet në samitin e NATO-s në Londër, mohoi çdo keqbërje duke e përshkruar hetimin si një gjueti shtrigash.

Pas publikimit të raportit, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Stephanie Grisham tha se demokratët “nuk arritën të dëshmojnë plotësisht se presidenti ka shkelur ligjin” dhe se raporti “nuk pasqyron asgjë më shumë se zhgënjimet e tyre”.

Raporti do të shqyrtohet nga Komiteti i Ligjeve të Dhomës së Përfaqësuesve, i cili do të fillojë procedurat për të marrë pse jo në konsideratë shkarkimin zyrtar të presidentit Trump.

“Veprimet e presidentit Trump kanë minuar politikën e jashtme të SHBA ndaj Ukrainës dhe kanë minuar sigurinë tonë kombëtare në favor të dy hetimeve të motivuara politikisht që do ta ndihmonin për rizgjedhjen e tij si president”, thotë raporti.

Komiteti i inteligjencës votoi për dërgimin e tij në Komitetin e Ligjeve, duke i hapur kështu rrugë nisjes së seancave të shkarkimit. Shtëpia e Bardhë nuk ka pranuar të marrë pjesë në këto seanca.

Ndër akuzat zyrtare që priten të merren parasysh janë abuzimi me pushtetin, pengimi i drejtësisë dhe mashtrimi i Kongresit amerikan.

Demokratët shpresojnë mbajnë një votim për shkarkimin e Trump në Dhomën e Përfaqësuesve përpara fundit të vitit, duke e çuar çështjen në Senatin Amerikan mbase që në fillim të janarit.

Nëse Dhoma e Përfaqësuesve do të votonte pro akuzave për shkarkimin e presidentit, çështja do t’i kalonte Senatit, ku për shkarkimin e tij do të nevojiteshin votat e dy të tretës së senatorëve të pranishëm.

Pjesë e diskutimit është çështja nëse presidenti Trump ka shpërdoruar detyrën duke i bërë presion Ukrainës që të hetojë ish-nënpresidentin amerikan Joe Biden, një nga pretendentët kryesorë për të qenë kandidati zyrtar i demokratëve për zgjedhjet e vitit 2020.

Zoti Trump ka mohuar të ketë shkelur ligjin dhe ka akuzuar demokratët se kanë përdorur hetimet për të përmbysur rezultatin e zgjedhje të 2016.

Sondazhet tregojnë se amerikanët janë të ndarë lidhur me qasjen e tyre ndaj procesit për shkarkimin e presidentit Trump.

Ligjvënësit dhe publiku kanë dëgjuar dëshmi nga zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë se ndihma ushtarake ndaj Ukrainës u pezullua dhe se një takim në Shtëpinë e Bardhë i presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskiy ishte kushtëzuar me nisjen e hetimeve nga Kievi rreth një teorie të pafaktuar se Ukraina ka ndërhyrë në zgjedhjet amerikane të 2016-s.

3 komente në “Provat për shkarkimin e Donald Trump, më se të mjaftueshme!”

  1. Ajet Delaj says:

    Po pse o zoterinj shqiptare futeni ne nje fushe qe nuk dini asgje se si luhet. Demokratet ketu ne Amerike jane jo vetem pa lider por edhe nen nje presion te madh perbadhe ekonomise Amerikane e udhehequr nga Presidenti Trump. Senati eshte i Repuplikaneve dhe nuk mund te arrijne as 50+1 e jo me 2/3. Ju te gazetes Tema jeni si gazete qeveritare megjithse z Rama e mohon por ju lutem mos demtoni interesat e Shqiperise

  2. Azio says:

    Cfare eshte ky artikull.
    Cilat jane provat qe implikojne presidentin e ShBA ,dhe e bene ate perpara shkarkimit.
    Ky qe ka shkruan kete artikull,as e ka idene impichmenit qe Po diskutohet ne Amerike ndaj presidentit Tramp,vetem qe ka degjuar prononcimet e nje ane,te demokrateve,pa marre parasysh,mendimet e republikaneve apo opinionit te popullit amerikan per kete ceshtje.
    Prandaj per te dale ne perfundime reale,I keshilloj artikullshkruesit te zgjeroj akoma me shume idete e tija,ne base te dokomentave,deklaratave dhe opinioneve,serioze dhe te verteta rreth kesaj ceshtje.
    Kaq per sot per artikullshkruesin anonim

  3. american16al says:

    Cfare ju duhet ju me problemin e presidentit american lerini amerikanet te merren me ate problem kur te perfundoje jepni vetem vendimin perfundimtar te ceshtjes sido qe te jete….!!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje