Misteri i Mario Mandzukic, “Allegriani” i vetëm i përjashtuar nga Sarri

17 Dhjetor 2019, 20:27Sport TEMA

Ka diçka misterioze për sa i përket Mario Mandzukic dhe marrëdhënies së tij me Juventusin e ri, atë të Maurizio Sarri-t. 

Klubi kërkon ta kalojë duke thënë se është diçka që ndodh shpesh në futboll, por nuk mund të thuash se është me të vërtetë ashtu. Mjafton të ndjekësh me vëmendje disa hapa për të kuptuar se ka diçka më shumë në gjithë këtë histori.

Kur ai firmosi kontratën, Mandzukic ishte me plot gojën një “juventin”. Ai ishte mishërimi i principeve të klubit, sakrificës dhe vullnetit të madh, dhe klubi e pasqyronte, jo kot i rinovoi kontratën deri në vitin 2021 me gati 6 milionë euro në sezon.

Rinovimi i kontratës ka ardhur më 4 prill të këtij viti, jo më 2018 apo 2017. Disa javë më vonë Juve zëvendësoi Allegri-n me Sarri-n. Që atë muaj klubi nuk kishte vendosur nëse do të vazhdonte apo jo me trajnerin, gjithsesi ata rinovuan me lojtarin kroat, madje me shifra të frikshme.

Kjo sepse edhe drejtuesit mendonin se ai ishte i dobishëm, i dobishëm për kauzën e Juventusit, dhe që ajo gjë nuk do të ndryshonte, me apo pa Allegri-n.

Mandzukic është i vetmi veteran i “vrarë” nga Sarri, i cili ka ringjallur lojtarë si Matuidi apo Khedira këtë sezon, por nuk i dha asnjë mundësi Marios. Pse vallë? Sepse refuzoi të largohej? Nuk është një arsye bindëse, sepse po të ishte, e njëjta gjë do të kishte ndodhur edhe me Higuain dhe Dybala.

Mandzukic do të ishte akoma i dobishëm, në ndeshjen e fundit ai mund të ishte futur në fushë për të zëvendësuar një prej lojtarëve të tridentit në sulm.

Mandzukic do të largohet në janar, kjo është thuajse e sigurt. Ekziston hipoteza Milan, por ka edhe klube nga Lindja e Largët që do të paguanin shuma të mëdha për shërbimet e tij. Megjithatë, misteri mbetet dhe tifozët nuk e kuptojnë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje