Kukësi në vendin e fundit të klasifikimit. Nuk është një lojë fjalësh por realitet i hidhur i futbollit shqiptar. Ironike ose jo, shifrat flasin me gjuhën e ftohtë të fakteve dhe kryesuesit e kampionatit dalin zbuluar përpara fakteve nëse u duhet të bëjnë llogaritë me numrin e ndjekësve në stadiumet ku ata luajnë.
E nisën sezonin nga Shkodra, vazhduan më pas në Elbasan por u stacionuan dy herë edhe në Lushnjë dhe ecejaket lartë e poshtë në pritje të ndërtimit të shtëpisë i kanë kushtuar jo pak xhepave të presidentit Safet Gjici dhe arkave të klubit që synon të shpallet kampion për të dytën herë në histori.
Sipas të dhënave që RTSH Sport ka siguruar nga kompania e specializuar “Blilibileta.com”, kryesuesit e kampionatit numërojnë jo më shumë se 200 apo 300 tifozë për ndeshje dhe kjo është një statistikë e trishtë për verilindorët që kanë nevojë edhe për mbështetjen e tifozëve të tyre në rrugëtimin e gjatë drejt fundit të sezonit.
Në përgjithësi, shifrat e këtij sezoni nuk ndryshojnë shumë nga ato të 1 viti më parë, por hyrja në lojë e “Arenës Kombëtare” në mënyrë të paevitueshme e shkund mirë realitetin e vakët që kishte future në një letargji të gjatë tifozët shqiptarë.
Në derbin që Partizani organizoi si pritës në stadiumin modern, u regjistruan 18.600 tifozë. Shifër e frikshme, rekord për një ndeshje të Kategorisë Superiore dhe që për më tepër e ngjit Partizanin në vend të parë me një diferencë të lehtë ndaj Tiranës.
Nëse të kuqtë regjistronin 2000-3000 tifozë për ndeshje përpara derbit, tashmë mund të krenohen me mesataren 4000 për ndeshje duke lënë pas Tiranën që sigurisht nuk ka në krah statistikat e “Arenës Kombëtare”.
Në derbin e parë të sezonit të organizuar nga bardheblutë “ Selman Stermasi” priti 8000 tifozë dhe deri përpara datës 13 Dhjetor, Tirana mbante vendin e parë për numër mesatar tifozësh me rreth 2500 për ndeshje edhe pse në sfidën e fundit kundër Flamurtarit, skuadrën e Egbo e ndoqën nga afër vetëm 1090 tifozë. Në podium ngjitet edhe Vllaznia.
Klubi verior edhe pse nuk ka një mesatare të saktë të këtij sezoni, mund të krenohet me pjesëmarrjet masive në ndeshjet kundër Tiranës apo Partizanit ku numri i të pranishmëve në “Loro Boriçi” ka shkuar deri në 5 mijë.
Për të vijuar me skuadrat e tjera të Superiores, shifrat nuk ndryshojnë shumë mes Laçit, Ballshit, Durrësit, Gjirokastrës apo Korçës e Vlorës ku numri i tifozëve në stadium nuk e prek pothuajse asnjëherë kufirin e 1 mijë të pranishmëve. Shifra që reflektojnë qartë krizën e besimit të njerëzve te futbolli shqiptar.
Nëse ky trend nuk do të ndryshojë, atëherë “Arena Kombëtare” nuk do të jetë asnjëherë lulja që sinjalizon pranverën e shkallëve të Superiores.