Kevin-Prince dhe Jerome Boateng: Vëllazëria më e komplikuar në futboll

3 Janar 2020, 17:16Sport TEMA

Kjo është historia e 2 vëllezërve krejtësisht të ndryshëm. Vëllezërit Boateng mund të kishin luajtur për të njëjtin flamur, por jeta kishte plane të tjera.

Kevin-Prince dhe Jerome Boateng kanë të njëjtin baba, por, ndërsa Prince është rritur në një lagje të varfër të Berlinit, Jerome ka jetuar me mamanë e tij në një zonë më të ngritur të qytetit.  

Edhe pse ata nuk kanë jetuar bashkë, kanë patur një marrëdhënie shumë të mirë. Kur kanë qenë adoleshentë, Kevin-Prince ka qenë shumë më i talentuar se vëllai i tij, por Jerome ishte më i vendosur. Ai stërvitej si i çmendur për të ngushtuar diferencat, shkruan telesport.

Dy vëllezërit i nisën karrierat e tyre me të njëjtën fanellë, në radhët e Hertha Berlin, por rrugët e tyre u ndanë shumë shpejt.

Kevin-Prince u përjashtua nga kombëtarja Under 19 e Gjermanisë pas një nate të kaluar duke festuar.

Ai u zemërua aq shumë për këtë vendim, saqë vendosi të mos luante më për Gjermaninë dhe vendosi t’i bashkohej kombëtares së Ganës, atdheu i babait të tij.

Jerome vazhdoi të përmirësohej falë punës së madhe dhe u kthye gradualisht në një yll me kombëtaren e Gjermanisë.

Dy vëllezërit u kthyen në armiq pasi Kevin-Prince dëmtoi liderin e Gjermanisë, Michael Ballack, pak para fillimit të Kupës së Botës në 2010-ën.

Gjermania doli kundër tradhtarit Kevin-Prince, i cili u kthye në armikun publik numër një. Ganezi, nga ana e tij, sulmoi Jerome për faktin se ai nuk e mbrojti publikisht.

Jerome – “Kevin më tha: ‘Të gjithë kanë një familje. Ti ke tënden dhe unë timen’. Ai e teproi, nuk më intereson më se çfarë bën ai. Unë nuk dua të kem të bëj më me të”.

Vëllezërit e panë veten kundër njëri-tjetri në një duel të pabesueshëm të zhvilluar mes Ganës dhe Gjermanisë gjatë Botërorit të 2010-ës.

Ata nuk flisnin prej një kohe të gjatë, por koha shëron çdo plagë. Pak nga pak filluan të afroheshin përsëri. Ata janë përballur edhe disa herë të tjera si kundërshtarë që nga ajo kohë, por tensioni ishte larguar.

Kevin Prince ka pranuar se ka bërë disa gabime dhe ka thënë se është krenar për faktin se Jerome, i cili ishte më pak i talentuar se ai, tani është një kampion bote me Gjermaninë dhe ka fituar një Champions League me Bayern Munich.

Kevin – “Nuk jam xheloz për vëllanë tim. Ai ka arritur shumë në futboll dhe kjo gjë më bën të lumtur. Tani jemi mirë. Familjet e zgjuara e dinë se pas luftës vjen paqja”.

Historia e vëllezërve Boateng është një provë se, edhe pse ne nuk e zgjedhim familjen ku lindim, në fund, Dashuria është gjëja më e rëndësishme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje