Interi nuk ia ka dalë t’i fitojë dy ndeshjet e fundit në kampionat në “San Siro”, pasi në të dy rastet është ndalur në barazim 1-1 nga Atalanta e më pas Cagliari, ndërsa këtë herë do të rikthehet para tifozërisë zikaltër, për të luajtur derbin e qytetit përballë Milanit.
Trajnmeri Antonio Conte doli sot në konferencën e zakonshme për shtyp, ku foli me superlativa për rivalët kuqezinj dhe deklaroi se ata vlejnë shumë më tepër sesa pikët që kanë në klasifikim, ndërsa shtoi se duhet vlerësim maksimal.
“Me derbin nisim një cikël ndeshjesh mjaft të rëndësishme, që duhet t’i trajtojmë me përqendrim dhe vlerësim maksimal. Sigurisht që Milani vlen shumë më tepër sesa pikët që ka në klasifikim dhe tani ka në përbërje edhe një kampion si Ibra, që i ka ndihmuar shumë. Duhet të bëjmë kujdes dhe të gjejmë mënyrën e duhur për të dalë me tre pikë nga kjo sfidë”, deklaroi tekniku zikaltër.
Handanovic është në dyshim për shkak të një dëmtimi, ndërsa edhe për aktivizimin e danezit Christian Eriksen ka dilema, veçanërisht për pozicionin në të cilin mund të luajë. Vetë Conte i ruajti për vete dilemat, duke mos zbuluar detaje në lidhje me formacionin që do aktivizojë nesër.
“Për Handanovic është më mirë të flasin mjekët, pasi ata vlerësojnë më mirë gjendjen. Eriksen është një vlerë e shtuar për ne pasi ka cilësi të mëdha teknike, por normalisht që do t’i duhet pak kohë për të kuptuar idenë tonë të lojës dhe atë çfarë kërkoj si në planin ofensiv, ashtu edhe difensiv”, tha Conte.
Në konferencën e zakonshme për shtyp sot doli dhe tranneri i kuqezinjve Stefano Pioli doli
Ai vlerësoi maksimalisht sfidën përballë Interit, ndërsa shtoi se ka përgatitur një strategji që shpreson se është e duhura për t’ia dalë ndaj zikaltërve.
Pioli foli edhe për gjendjen e Ibrës, duke shtuar se duhet që skuadra të ketë fytyrën e gjigantit suedez.
“Ndeshjet derbi janë shumë të veçanta dhe të bukura për t’u luajtur. Interi ka bërë një nisje shumë të mirë të kampionatit, ndërsa ne po përpiqemi të rikuperojmë dhe vijmë në një formë shumë të mirë. Kemi përgatitur një strategji, duke pasur parasysh cilësitë e kundërshtarit, por shpresoj që të jetë e duhura dhe t’ia dalim. Ibra ka punuar mirë, por i mungon një seancë e plotë me skuadrën gjatë këtyre ditëve, megjithatë mund të jetë gati nesër. Shpresoj që skuadra të ketë fytyrën e tij, pra të tregojë grintë e dëshirë për fitore nesër”, tha Pioli.