Sot u zhvillua Asambleja e Jashtëzakonshme e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, ku u zgjidh ngërçi institucional dhe përplasja publike mes presidentit Viron Bezhani dhe Sekretarit Stavri Bello, të paktën për momentin.
Palët janë përplasur vazhdimisht mes tyre në muajt e fundit me akuza nga më të ndryshmet, edhe për përfitime të paligjshme e shpërdorim fondesh, ndërsa ka pasur edhe kallëzime penale.
Megjithatë, Asambleja e sotme ka vendosur të mos ketë asnjë ndryshim madhor, por të vazhdohet me të njëjtët drejtues, që ishin para rifillimit të konfliktit.
Gjithashtu është miratuar edhe rezoluta e propozuar nga KOKSH, e cila do të ketë disa ndryshime, pas propozimeve nga përfaqësuesit e federatave.
Tashmë do të zhbllokohen të gjitha llogaritë bankare dhe do nisin përgatitjet për Lojërat Olimpike, sipas udhëzimeve të përfaqësuesve të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Gjithashtu është rënë dakord për evitimin e deklaratave publike, deri atëherë, që situata të mos përshkallëzojë.
Zgjedhjet do të zhvillohen pas Lojërave Olimpike, pasi të ndryshohet edhe statuti i KOKSH dhe për organizimin e tyre do të ndihmojë edhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar.
Një pjesë e mirë e këtyre propozimeve ishin bërë nga përfaqësuesi i ndërkombëtarëve i pranishëm në Asamble i cili që natën e kaluar kishte ulur në një tryeze dy palët. /vipsport.al/
LIVE, ORË PAS ORE
13:55 Miratohet rezoluta me ndryshimet e propozuara nga KOKSh me vetëm dy vota kundra.
13:30 Dorëhiqet Stavri Bello. Kërkohet edhe largimi i Viron Bezhanit
13:15 Disa nga Federatat këmbëngulin për përjashtimin e dy drejtuesve kryesorë.
13:00 Përfaqësuesi i Komitetit Olimpik Europian merr fjalën e tij. “Kërkoj të pranohet rezoluta e propozuar sot nga KOKSh sepse është një propozim që i përshtatet kushteve tona. Zgjedhjet duhet me patjetër të zhvillohen pas Lojërave Olimpike dhe deri atëherë të vazhdojnë drejtuesit aktualë. Pas Lojërave Olimpike do të organizohemi dhe të ndërtojmë bashkë një sistem cilësor. Do të më pëlqente që sot të arrihej një kompromis për të mirën tuaj dhe të sportistëve që do shkojnë në eventin e madh sportiv”, u shpreh ai.
12:30 “Të shtohet pika, që zgjedhjet të zhvillohen pas Lojërave Olimpike. Dua një reflektim serioz dhe jo falje formale”, thotë presidenti i Federatës së Futbollit. Pika e propozuar nga Armando Duka shtohet në rezolutë.
11:00 Ndërsa diskutohet për rendin e ditës, 15 Federata janë mbledhur dhe kërkojnë perjashtimin si e Bellos ashtu edhe të Bezhanit nga KOKSh
10:30 Fedetatat sportive në sallë kanë kërkuar që asambleja të zhvillohet me praninë e medieve, ndërsa si Bezhani, ashtu edhe Bello kishin rënë dakord për mospraninë e mediave në sallë.