“Nexhmijen e kishte dërguar Enveri, me motrën, për t’i çuar Bahriut peshqeshet e dasmës, sipas zakoneve gjirokastrite”: Dëshmia e ish-të burgosurit

14 Shkurt 2020, 17:56Dossier TEMA

Memorie.al publikon dëshmitë e panjohura të Xhemal Alimehmetit, ish-eksponent i lartë i Rinisë së Ballit Kombëtar në periudhën e Luftës, i cili u arrestua menjëherë që në ditët e para të janarit të ’45-ës, dhe u dërgua të vuante dënimin në Burgun e Vjetër të Tiranës, “Mine Peza”, ku në atë kohë ndodheshin të arrestuar një numër i madh intelektualësh, ministrash, ushtarakësh, politikanësh të njohur dhe funksionarësh të lartë të qeverive shqiptare që nga koha e Ismail Qemalit e më pas, si: Fejzi Alizoti, Terenc Toçi, Aqif Përmeti, Gustav Mirdash, Koço Kota, Hilmi Leka, Reshit Valteri, Javer Hurshiti, Dik Cami, Ismail Golemi, Zef Kadarja, Tahsim Bishqemi, Shyqëri Borshi, Daut Çarçani, Kolë Tromara, Bahri Omari, Qemal Vrioni, Mihal Sherko, Rrok Gera, Tefik Mborja, Sokrat Dodëbiba, Mihal Zallari, Ndoc Naraçi, etj., që përfunduan në Gjyqin Special.

Nga Dashnor Kaloçi

 (vijon nga numri i kaluar)

Z. Alimehmeti, është thënë se në burgun e Tiranës asokohe kane qenë dhe disa kosovarë të cilët më pas u ekstraduan për në Jugosllavi. Si qëndron e vërteta rreth kësaj?

Po, kjo gjë është më se e vërtetë. Mbaj mënd se asokohe në burgun e Tiranës ishin të arrestuar dhe disa persona të cilët gjatë kohës së pushtimit kishin shërbyer në poste të larta në administratën vendore të Kosovës. Një mbrëmje, drejtori i burgut erdhi dhe me zë të lartë lexoi një listë emrash të cilët i porositi që të bëheshin gati, pasi të nesërmen do të udhëtonin për në Jugosllavi.

A ju kujtohet ndonjë nga emrat që u lexuan nga drejtori i burgut?

Me sa më kujtohet në atë listë emrash mbaj mënd se ishin: Bedri  Pejani, ish kryetari i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, Profesor Selman Riza, Qazim Bllaca, Muharrem Mitrovica dhe ushtarakët e lartë Qazim Komani, Fuat Dibra (Xhaferri), Sitki Shkupi, Xhelal Preveza, e disa të tjerë që nuk më kujtohen. Të nesërmen e asaj nate ndodhi një ngjarje tepër e dhimbëshme.

Çfarë ndodhi…?!

Ndërsa kamioni me rimorikio që do t’i transportonte ata për në Jugosllavi kishte ardhur, urdhëri për t’i nxjerrë ata në oborr po vononte. Mbas pak në oborrin e burgut u duk një ambulancë dhe nga pjesa e burgut Nr. 2, dolën katër veta të cilët mbanin një trup njeriu të mbështjellë me një batanije dhe e ngarkuan atë në ambulancë. Ndërsa të tjerët të lidhur me pranga dy e nga dy i hypën në kamionin me rimorikio dhe i nisën për në Jugosllavi, nga ku siç kam mësuar më vonë shumë prej tyre nuk u kthyen më të gjallë.

A u muarr vesh se kush ishte njeriu që kishin mbështjellë me batanije?

Atë e mësuam të nesërmen e daljes tonë në ajrim, pra mësuam gjithçka për ngjarjen që kishte ndodhur në burg. Njëri nga ata që ishte caktuar për të shkuar në Jugosllavi, quhej Riza Ferri dhe ishte nipi i patriotit të madh kosovar Jakup Ferrit. Rizai kishte helmuar veten dhe ishte ai që e nxorrën me batanie për në ambulancë.

Çfarë kishte ndodhur me të, a u mësua përse e kishte bërë atë veprim pikërisht një natë para se do të ekstradoheshin për në Jugosllavi?!

Këtë desha t’u tregoj, dialogun e Rizait në çastet e fundit të jetës, me Komandantin e Brigadës së Mbrojtjes së Popullit, majorin Zija Kambo. Kur e lajmëruan në telefon major Kambon, ai erdhi dhe e gjeti Rizanë akoma të gjallë. Rizai që ishte helmuar duke pirë një grusht të madh ilaçesh, ju drejtua atij duke i thënë: A mor të poshtër, pse nuk na vrisni ju, por na dërgoni që të na vrasi Tito”?!

Nga të burgosurit që ishin shtetas të huaj, kë ke pasur rastin të njohësh?

Siç thashë dhe më lart, në atë burg kishte shumë shtetas të huaj dhe me disa prej tyre ne shiheshim shpesh sepse atëhere dyert e brendëshme të burgut nuk mbylleshin dhe ne komunikonim sa herë me ta. Nga këta mbaj mënd tre vajzat gjermane të cilat i sollën në burg nga fundi i dhjetorit të vitit 1944. Ato quheshin Elsa, Amri dhe Erna dhe ishin kapur rob nga partizënt teksa udhëtonin me një autokollonë gjermane në rrugën Kukës-Prizren. Njëra prej tyre, ishte sekretarja e gjeneralit Fizztung, kryekomandantit të forcave gjermane në Shqipëri. Ndërsa dy të tjerat kishin punuar më duket në shoqërinë gjermane të nxjerrjes së naftës në Kuçovë.

A kishit mundësi komunikimi me to?

Ne ishim në kontakt të përditshëm me to, sepse dhoma e grave ishte ngjitur me dhomën tonë. Historinë e tyre e mësuan të gjithë të burgosurit sepse kishte lidhje me masakrën e ekzekutimit të 104 shqiptarëve që ishin të internuar në kampin e Prishtinës. Mbasi ato u kapën rob, shtabi gjerman nëpërmjet përkthyesit të tyre, kapitenit Petraq Pekmezi, ndërhyri pranë shtabit partizan që asokohe ishte i vendosur në fshatin Priskë të Tiranës, që t’i lironin duke i shkëmbyer me disa robër që ishin në kampin e Prishtinës. Marëveshja u bë dhe gjermanët sipas kërkesës së shtabit të Enver Hoxhës, i liruan dhjetë të internuar që ishin komunistë jugosllavë, por Enveri kërkoi që të liroheshin të gjithë shqiptarët që ishin atje. Pas kësaj gjermanët të indinjuar për prishjen e marveshjes, pushkatuan 104 shqiptarët e kampit të Prishtinës.

Si vijoj fati atyre tre varjzave pas prishjes së marrëveshjeje?

Tre vajza qëndruan në burgjet e kampet e internimit në Shqipëri, deri nga viti 1956 kur u bë e mundur riatdhesimi i tyre mbas marveshjes Hrushov-Adenhauer. Këtë ngjarje ma ka treguar hollësisht profesori im i muzikës, Luigj Filaj, i cili kishte punuar si përkthyes pranë gjermanëve bashkë me kapiten Petraq Pekmezin.

Kë keni njohur tjetër aty në burg nga eksponentët kryesorë të politikës shqiptare të kohës së Zogut apo të periudhës së pushtimit të vëndit?

Aty në burg siç thashë dhe më lart ishin një numër i madh prej tyre. Dua të kujtoj Ibrahim Biçakun, djalin e patriotit të madh Aqif Pashë Elbasanit, që kishte kryesuar Kongresin e Lushnjes, i cili kishte qenë kryeministër në kohën e pushtimit gjerman. Ibrahimi ishte i vetmi kryeministër nga ata që u quajtën kuisling, në të gjithë Europën Lindore që nuk u pushkatua.

Po pse ndodhi kjo?

Kjo erdhi pasi në gjygjin e tij, i doli si dëshmitar Myslym Peza, që në atë kohë ishte zv/kryeministër dhe figura kryesore pas Enver Hoxhës. Myslymi deklaroi në gjygj se gjatë kohës së Luftës, kur Ibrahim Biçaku ishte kryeministër, i kishte dërguar atij në Pezë dy kamionë me armatime, ushqime dhe veshmbathje, për partizanët e Pezës.

Po nga eksponentët e Ballit Kombëtar ku kishit aderuar dhe ju, kë kishit aty në burg?

Në burg kam pasur rastin të njoh nga afër dhe Bahri Omarin, kunatin e Enver Hoxhës dhe shokun e tij të ngushtë, Kol Tromarën, të cilët që nga viti 1920, ishin bërë të njohur si personalitete dhe njerëz me reputacion të madh në jetën politike shqiptare. Mbaj mënd se aty nga shkurti i vitit 1945, Bahriut i erdhi në takim gruaja e tij, që ishte e motra e Enver Hoxhës, së bashku me Nexhmijen që sapo ishte martuar me Enverin. Tek dhoma e takimeve, gruaja e Bariut e prezantoi burrin e saj me Nexhmijen, duke i thënë se ajo ishte nusja e Enverit dhe nga çantat që kishte me vete, nxorri disa peshqeshe të vogla të cilat çifti i porsamartuar jua kishte bërë peshqeshe sipas zakoneve gjirokastrite. Bahriu nuk deshi që t`i merrte fare ato, por ju lut shoku i tij Kolë Tromara, duke i thënë se nuk ishte mirë që tua kthente mbrapsht ato dhe ai i pranoi sa për sy e faqe.

Po nga zogistët kë keni njohur aty në burg?

Kam njohur dhe Osman Gazepin, një oficer i vjetër karriere, i cili për shumë kohë kishte shërbyer si adjutant i Mbretit Zog me gradën e Kolonelit. Mbaj mënd aty nga gushti i vitit 1945, kur në radio po lexohej një artikull përkujtimor për dy vjetorin e Luftës së Barmashit kundër forcave gjermane, Osmani mu lut t`ja lexoja artikullin sepse vetë nuk lexonte dot. Mbasi ja mbarova artikullin, ai më tha: “Sa gënjejnë”?! Më pas ai më shpjegoi se në Luftën e Barmashit, në javën e parë të gushtit 1943, nuk kishin luftuar vetëm partizanët, të cilët e braktisën frontin, por aty kishin bërë një luftë të madhe forcat e Ballit Kombëtar. Kjo kishte ndodhur pas një mbledhje në Vithkuq të Korçës, ku kishin marrë pjesë eksponentët e Ballit Kombëtar, Kolë Tromara, avokat Xhevdet Kapshtica dhe Faslli Frashëri. Për këtë kishte dijeni dhe kryetari i misionit anglez, majori Maklin, i cili kishte ndjekur nga afër luftimet e forcave të Ballit Kombëtar që komandoheshin nga Maliq Dushari, Safet Butka, Qemal Burimi dhe komandanti i operacionit, kapitenit me akademi, Jani Dilo, i biri i patriotit, Ilia Dilo Sheperi.

Po nga klerikët a keni pasur në atë burg?

Nga klerikët në atë kohë ka pasur shumë në atë burg, por unë do të kujtoj disa prej tyre. I pari klerik që u përplas në burgun politik të Tiranës, ishte Hafiz Sherif Lëngu, i cili kishte qenë Kryetar i Komunitetit Myslyman në Shqipëri, detyrë të cilën e kishte ushtruar dhe gjatë okupacionit. Ai rridhte nga një familje e nderuar dibrane dhe kishte qenë për një kohë të gjatë Myfti në Shkup, ku kishte marrë pjesë në shumë kuvende shqiptarësh, i njohur si antisllav, gjë e cila kishte çuar dhe në arrestimin e tij.

Sa kohë e mbajtën në burg atë?

Ai mbasi bëri pesë vite burg, e liruan pak para se të vdiste. Nuk do të më harrohet kurrë një natë e ftohtë dimri, kur u dëgjua hapja e derës kryesore të burgut. Mbas pak pamë se në korridor kishin hedhur dy qenije të gjalla, të mbuluar me një batanije. Njeri nga ata ishte i veshur me kostum kombëtar dhe në kokë mbante një feste tonuz, kurse tjetrin e kishin futur në një thes dhe vetëm koka i dukej jashtë.

Kush ishin ata?

I pari ishte Sulçe beg Bushati, një burrë i vjetër afër të 90-ve, të cilin e njohën nipërit e tij që ishin të burgosur aty, Shefkiu, Shyqëriu dhe Myfiti, kurse tjetri ishte shkrimtari dhe prifti katolik, Dom Lazër Shantoja.

Çfarë kishte ndodhur me ta, pse ishin në atë gjëndje?

Nga torturat barbare që ju kishin bërë atyre, i kishin kthyer në kufoma të gjalla. Herë mbas here Dom Lazër Shantoja me një zë që të ngjallte keqardhje, ju lutej rojeve të burgut duke ju thënë: “A mani bre burra, për hir të zotit më pushkatoni”.

Po klerikë të tjerë keni pasur aty?

Nga klerikët e tjerë kam njohur dhe Padër Mëshkallën. Kujtoj se një ditë ai po shëtiste në ajrim me dy djem të rinj. Nga penxherja e katit të dytë, ata i pa kapiten Muço, oficer i Ministrisë së Punëve të Brendëshme, që shërbente dhe si hetues në burg. Mbasi mbaroi ajrosja, kapiten Muço, së bashku me dy policë të tjerë që mbanin nga një kërbaç në dorë, erdhi brenda në qelinë e dy të rinjëve që ishin shoqëruar me Padër Mëshkallën. Ai ju kërkoi atyre se ç’farë ju kishte thënë prifti dhe urdhëroi që t’i rrihnin me kërbaç. Pas pak thirri dhe Padër Mëshkallën duke i kërkuar dhe atij se çfarë po ju thoshte të rinjëve në oborr. Mbas përgjigjies së tij, kapiten Muçua urdhëroi dy policët që ta rrihnin dhe Padren e shkretë. Ndërsa ata e godisnin atë, Mëshkalla i thoshte kapiten Muços: “Si do të më kuptosh ti mor zotni, që ke 13 muaj që më torturon, unë do të vdisja i lumtur si Jezu Krishti, po të më kryqëzoje si atë”.

Kishte raste të tjera torturash ndaj klerikëve?

Në atë burg, klerikët nuk torturoheshin dhe vriteshin vetëm fizikisht, por ata poshtëroheshin dhe moralisht. Mbaj mënd se aty nga viti 1947, sollën të arrestuar dhe dy klerikët e mirënjohur që shërbenin në Tiranë, Kryepeshkopin Irene Banushi dhe patriotin e poetin, Ibrahim Hafiz Dalliu. Kapiten Muçua që thashë më lart, donte të argëtohej me ta dhe çallmën e Hafiz Dalliut, ja vuri në kokë Kryepeshkopit Banushi dhe pastaj mblodhi të burgosurit duke i pyetur se a`i shkonte ajo. Nuk e harroj përgjigjien e Banushit që tha: “Nuk e di mor zoti kapiten, a e meritoj unë që të vë në kokën time çallmën e këtij patrioti të madh. Pas kësaj, tërbimi i kapitenit ishte i madh dhe mjafton të them se Hafizit ja theu të gjithë dhëmbët.

Gjatë asaj periudhe që ju keni qenë në atë burg, a është pushkatuar ndonjë i burgosur?

Po ju tregoj se vetëm gjatë vitit 1945, ishte e pamundur që çdo ditë të mos pushkatoheshin pesë a gjashtë burra në ditë dhe shpesh herë edhe gra. Kështu në qershorin e atij viti janë pushkatuar në një ditë 13 veta.

Kush ishin ata dhe si e kujton ngjarjen e pushklatimit të tyre?

I kujtoj shumë mirë. Fillimisht ata i lidhën dy e nga dy në korridor dhe i trembëdhjeti prej tyre ishte një djalë i ri që nuk i kishte mbushur akoma të 20-at, i cili quhej Mustafa Vrapi. Qëlloi që atë ditë Mustafait i kishte ardhur nëna dhe e priste për takim tek porta e jashtëme. Ajo e pa djalin e saj të vetëm teksa skuadra e pushkatimit po e çonte në Bregun e Lumit për ta ekzekutuar. Ajo u vu mbrapa makinës dhe qante e bërtiste, por rojet e burgut e zbrapsën me forcë. Të gjitha këto skena, ne të burgosurit e tjerë i shikonim nga frengjitë e burgut. Në atë grup që po i çonin për t’i pushkatuar, ishin: major Murat Basha, Sure Ajazi, Hajredin Zogolli, Osman Taraku, Mersin Hasa, Xhelal Peza, Besim Pazari, Ibrahim Bodinaku, Avdulla Kusi etj. Mbasi i vunë në rresht dy e nga dy sikur të ishin ushtarë, ata i nisën për t’i pushkatuar në Breg të Lumit. Atë çast ndodhi ajo që unë nuk do ta harroj kurrë…

Konkretisht, çfarë ndodhi?

Ata të trembëdhjetë u mblodhën kokë më kokë dhe filluan të këndonin në kor Himnin e Flamurit dhe zërat e tyre u dëgjuan deri sa humbën nga sytë tanë, në drejtim të vëndit të ekzekutimit, i cili nuk ishte më larg se 20 minuta që aty dhe krismat e armëve dëgjoheshin fare qartë nga ne në burg

 

2 komente në ““Nexhmijen e kishte dërguar Enveri, me motrën, për t’i çuar Bahriut peshqeshet e dasmës, sipas zakoneve gjirokastrite”: Dëshmia e ish-të burgosurit”

  1. zhaku i pamposhtur says:

    Boll reklamuat xhelatët e këtij populli. .do përgjigjeni një ditë për këto që bëni. .mero ndyrësira

  2. demo says:

    E vetmja vertet e lumtur ne kete fotografi,eshte Nexhmija.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje