Një tjetër person ka humbur jetën në Itali si pasojë e virusit vdekjeprurës me origjinë nga Kina duke e çuar në katër bilancin e viktimave në pak ditë në vendin fqinjë.
Viktima është një 84-vjeçar që jeton në Bergamo. Sipas autoriteteve italiane i moshuari vuante dhe nga sëmundje të tjera. Deri tani raportohet se numri i të prekurve nga koronavirusi ka arritur në 157.
Rajonet më të prekura mbeten Lombardia dhe Veneto, ku shkollat e universitetet janë mbyllur. Deri më 1 mars, sipas autoriteteve vendore, është pezulluar çdo aktivitet shkollor, artistik e kulturor. Pavarësisht masave të marra për parandalimin e përhapjes së virusit, autoritetet njoftuan edhe pezullimin e karnavaleve të Venecias.
Në provincën e Lodit, një nga më të goditurat nga virusi, të gjithë rrugët hyrëse dhe dalëse patrullohen nga forcat e rendit, që paralajmërojnë se ata që hyjnë nuk mund të dalin më nga provinca, deri në një urdhër të dytë.
Ndërkohe, ulja e numrit të të prekurve nga koronavirusi që nga dita enjte ka bërë që zyrtarët e 6 provincave në Kinë të ulin nivelin e alarmit nga 1 që është maksimali, në 2 ose 3. Bëhet fjalë për provincat Gansu, Liaoning, Guizhou, Yunnan, Shanxi e Guangdong.
Kjo lëvizje e autoriteteve lokale vjen pas ftesës së bërë nga presidenti Xi Jinping për rikthim në normalitet të aktiviteteve pas pushimeve të vitit të ri kinez që zgjatën më shumë këtë vit për shkak të përhapjes së virusit vdekjeprurës.
Ndërkohë një zhvillim tjetër i rëndësishëm në Kinë është dhe ai që autoritetet në Wuhan do lejojnë personat që nuk janë rezidentë të kthehen në qytetet e tyre nëse nuk shfaqin simptomat e sëmundjes. Me këtë vendim të zyrtarëve të Wuhanit largohet bllokimi total që ishte vendosur për të ndaluar përhapjen e epidemisë.