2 marsi i Ilir Metës, një lëvizje për pazar

27 Shkurt 2020, 09:14Blog TEMA

Nga Altin Ketro

Sa herë ka pasur përplasje të forta politike, gjuha e drejtuesve të partive kryesore në Shqipëri, ka qenë shumë e ashpër me njëri- tjetrin. Duke lënë pas periudhën 1990- 2005, ku mbizotëroi një gjuhë përplasjesh Berisha- Nano, Berisha- Meta dhe Nano- Meta, periudha tjetër, 2005- 2020, karakterizohet nga përplasjet Berisha- Rama, Rama- Basha, Rama- Meta, dhe me intervale të shkurtra Basha- Meta.

Periudha e parë nuk ia vlen të merret në analizë për vetë faktin se ajo periudhë përfaqësonte fillimisht kohën e rënies së regjimit komunist dhe të gjithë ata drejtues nuk kishin përvojën e duhur për të pasur një komunikim sipas standardeve demokratike të cilat i munguan Shqipërisë për 45 vjet me radhë. Po në atë periudhë, janë edhe ngjarjet e vitit të mbrapshtë ‘97, që krijuan atë klimë lufte dhe as që mund të bëhej fjalë për komunikim normal.

Periudha e cila duhet të ishte pika e kthesës është pikërish ajo mes viteve 2005- 2020. Janë vetëm 15 vite, të cilat, të futura në kornizën e kohës që jetojmë, duhet të kishin sjellë një pjekuri më të madhe mes liderëve politikë.

Fatkeqësisht politika shqiptare ka ecur për inerci të traditës së asaj që mbolli qysh në vitin 1991 dhe nuk po del dot nga qerthulli ku është futur. Niveli i diskutimit politik është në nivel shumë të ulët, gjë që më pas ndikon negativisht edhe në zinxhirin e militantëve të partive respektive.

Dashuri- urrejtjet në lidershipin e partive politike në Shqipëri janë shumë të çuditshme. Personazhe që nuk kanë lë gjë pa i thënë njëri – tjetrit në publik, befas i gjen aleatë politikë po të njëri- tjetrit.

Periudha 2005- 2007 është periudhë dashurie midis Ramës dhe Metës, ku të dy së bashku fitojnë me lehtësi zgjedhjet vendore. Pas dy vitesh, dy aleatët e majtë kthehen në armiq. Ishin pikërisht zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 që krijuan çarjen Rama- Meta. Që të mos u hamë hakun, ishte Meta ai që devijoi. Kush e mban mend fushatën elektorale të atij viti, do të konstatojë me lehtësi se Ilir Meta mbante lart flamurin anti-Berisha. Aq i fortë ishte ai flamur, saqë në disa raste Rama dukej si aleat i Berishës.

Kur rezultati zgjedhor i dha PD-së 70 mandate dhe LSI-së 4 mandate, anti-berishisti elektoral Meta, papritur lidh koalicion qeverisës me të akuzuarin e tij, Berisha. Argumenti mbi të cilin Meta bëri atë koalicion, ishte, sipas tij, “mos lënia e vendit pa qeveri pasi për LSI-në, çështja e integrimit evropian, ishte më parësore se sa çuarja e vendit në krizë politike”.

Ky oksigjen që Meta i dha Berishës duke u bërë patericë e zgjatjes së pushtetit të tij, ndërkohë që votat i kishte marrë për të kundërtën, solli një fjalor të rënduar politik të Ramës kundrejt tij, sepse u ndje i tradhtuar.

Kulmi i përplasjes Rama- Meta arriti në vitin 2011, pas videos “Meta- Prifti” dhe vrasjeve në bulevard, ku Meta, në kushte “vetëmbrojtje” politike, e shthuri gjuhën ndaj Ramës. Ky i fundit kërkonte kokën e Metës dhe Berisha që bënte mbrojtjen e saj. Në fakt, koka e Metës futi në krim politik dhe penal vetë Berishën dhe një zot e di përse duhet ta merrte atë risk, përveçse nëse Meta ia kishte lidhur duart me ndonjë shantazh.

Dy vjet më pas, në vitin 2013, Rama dhe Meta harrojnë çfarë i kishin thënë sho- shoqit, dhe lidhin aleancë politike, duke mundur lehtësisht në zgjedhje Berishën.

Sërish dy vjet më pas, në vitin 2015, kemi një përplasje Meta – Basha, ku ky i fundit kërkon shkarkimin e Metës si kryeparlamentar pas një video të shfaqur ku Meta aludohej si urdhërdhënës për vrasjen e dy deputetëve. Luftë e nxehtë në Kuvend ku Basha kërkonte kokën e Metës dhe Rama që bënte gardianin e asaj koke.

Viti 2017 pati dy zhvillime interesante. Fillimisht pati një përplasje të fortë Basha – Rama, ku i pari ngriti një çadër poshtë selisë së të dytit, dhe ku më pas, i dyti, futi në qeveri të parin. Rama në fakt u tregua shumë diplomat në raport me Bashën dhe mbajti një nivel të lartë komunikimi, pa rënë preh i vulgut që përcillte Basha nga çadra.

Por viti 2017 do mbahet mend për gjuhën e fortë Basha- Meta, ku ky i fundit konsiderohej nga Basha si “kryetar i një sekti të rrezikshëm që duhej zbuar me patjetër nga pushteti të cilit i ishte qepur si ushunjëz gjakpirëse”. Aq e fortë qe përplasja mes tyre, saqë të krijonte bindjen se nuk do mund të lidhin kurrë aleancë mes tyre.

Ajo përlasje ishte disi e çuditshme, sepse Meta refuzoi vijimin e koalicionit me Ramën (dhe praktikisht një fitore të sigurt), pikërisht për të marrë garanci që Bashës t’i jepeshin garancitë që kërkonte për të hyrë në zgjedhje. Dhe, kur Basha hyri në zgjedhje, përplasjen e pati pikërisht me Metën.

Pas dy vitesh, në vitin 2019, kemi sërish një rëndim të gjuhës politike Basha- Rama. Njësoj si në vitin 2017, Rama ruan një gjakftohtësi admiruese, jo vetëm prej detyrës që mban, por edhe pjekurisë politike që kishte fituar. Nga ana tjetër, Basha, kalon në procese ekstreme, me gjuhë zjarri dhe gjakderdhjeje.

Viti 2020, i cili e gjen Ilir Metën në vitin e III-të të mandatit presidencial, e kthen këtë të fundit në llogoren e vitit 2009- 2011 me Ramën. Sërish ky i fundit ruan një vetëpërmbajtje shtetari, deri në injorim të gjuhës së Metës, ndërsa ky i fundit, nën një stres të çuditshëm mendor, ka lëshuar gjithë arsenalin “bërthamor” kundrejt Ramës.

Ka një metamorfozë të çuditshme të Ilir Metës, nëse e krahasojmë me vitin 2009. Siç edhe theksova më lart, pavarësisht anti-berishizimit të tij, Meta lidhi koalicion qeverisës me Berishën për hir të procesit të integrimit evropian. Kurse sot, në vitin 2020, teksa jemi më afër se kurrë çeljes së negociatave me BE-në, është pikërisht Meta që po saboton këtë proces jetik për Shqipërinë, me mitingje antiqeveritare të llojit haxhiqamilist: “dum baba Liken, “mbrojtës” i Kushtetutës për interesat e veta politike”.

Po Berisha, do thoni ju, ku është gjatë kësaj periudhe me gjuhën e tij të shthurur politike? E gjeni çdo ditë në Facebook, me nga pesë postime anti-Rama. Aq thellë i është ngulitur në kokë emri “Edi Rama”, saqë nuk është çudi që edhe në gjumë të flasë përçart emrin e tij.

Si përfundim, mund të themi se politika shqiptare, nisur nga gjuha e politikanëve kundrejt njëri- tjetrit, të jep përshtypjen e një Lufte të III-të Botërore. Por, pikërisht atëherë kur t’i sheh që kjo luftë plasi, befas armiqtë politikë kthehen në miq, kurse miqtë në armiq. Të tillë kanë qenë për njëri- tjerin: Berisha me Nanon, Berisha me Metën, Rama me Metën, Rama me Bashën dhe Basha me Metën.

“Gjuha kocka s’ka, po kocka thyhen”, thotë një shprehje popullore. Në fakt, gjuha e rëndë politike në Shqipëri ka treguar tradicionalisht që nuk thyhen kocka, por lidh aleanca të çuditshme politike. Mbase kjo është arsyeja që presidenti Meta nisi t’i bjerë sërish kësaj daulleje. Çudira shqiptare!

1 komente në “2 marsi i Ilir Metës, një lëvizje për pazar”

  1. Dashamiresi says:

    NUk e lexova gjithe shkrimin se durimi me ka mbaruar, por do te sqaroja pak mbi divergjencat Meta-Rama shkurt. E di pse egzistojene keto? Sepse qysh ne 1991, Ilir Meta kete pune ka bere me Fatos Nanon. Nje dite nuk ra dakort me te edhe formalisht si gjithe te tjeret se donte te ishte ai ne krye. Kete e ka pase qe i vogel, pastaj kur u bashkua dhe me ate me nje çizme, si duket gjeti kudhja kapakun si thone dhe arriten ketu ku jane, prandaj Altin, dilni dhe ju ne 2 mars te shikoni nga afer si do degjeneroj perfundimish Ilir Meta; eshte fundi i tij. SPAK, pastaj duhet te marre çeshtjen ne dore ne kuadrin e zbatimit te ligjit pa pritur gjykaten kushtetuese. Te faleminderit per mirekuptimin se jane gjallesa qe as dine te fshihen, po i bien murit me koke.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje