Gjendja aktuale: Rritet lista e vende që raportojnë vdekje si pasojë e COVID-19

1 Mars 2020, 19:00Shëndeti TEMA

Numri i vdekjeve si pasojë e koronavirusit vazhdon të rritet. Australia, Tajlanda dhe Japonia kanë rapotuar raste të reja personash që kanë humbur jetën prej infeksionit viral. Në Australi, një burrë 78-vjeç, i cili ndodhej në karantinë në anijen kruz “Diamond Princess” vdiq në dielën, rasti i parë i vdekjes në vend. Në Tajlandë, një 35-vjeçar që thuhet se kishte mjaft kontakte me turistë të huaj, shënoi rastin e parë të vdekjes për këtë vend nga COVID-19. Në Japoni, një burrë rreth të 70-ve vdiq në ishullin verior të Hokkaido-s.

Të shtunën Presidenti amerikan Donald Trump tha se Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura për çdo rrethanë që do të sjellë përhapja e koronavirusit. Një ditë më parë zyrtarët amerikanë raportuan vdekjen e parë në vend nga virusi. Zoti Trump tha se raste të reja me koronavirus në Shtetet e Bashkuara ishin “të mundshme”, por shtoi “se nuk ka asnjë arsye për panik”.

Guvernatori i shtetit të Uashingtonit, Jay Inslee, deklaroi gjendjen e jashtëzakonshme të shtunën dhe urdhëroi agjencitë shtetërore të përdorin “të gjitha burimet e nevojshme” për t’iu përgjigjur situatës.

Shtëpia e Bardhë njoftoi të shtunën kufizime të forta për udhëtimet drejt Iranit, përfshirë dhe çdo shtetas të huaj që e kishte vizituar vendin gjatë 14 ditëve të fundit. Gjithashtu autoritet rekomandojnë që të shmangen me çdo kusht udhëtimet drejt Italisë dhe Koresë së Jugut, vendet më të prekura nga virusi krahas Kinës.

Përhapja e virusit ka rritur shqetësimin mbi mundësinë e një recesioni global. Kina njoftoi të shtunën se aktiviteti prodhues në vend ka rënë në mënyrë dramatike në muajin shkurt si pasojë e situatës së krijuar prej koronavirusit.

Por krahas lajmeve të këqija, ka të dhëna se ngadalësimi ekonomik në Kinë ka ulur nivelet e ndotjes në vend.

Agjensia Hapësinore Amerikane, NASA dhe Agjensia Evropiane e Hapësirës njoftuan se ata kanë vënë re rënie të konsiderueshme të dioksidit të azotit mbi Kinë, duke e theksuar këtë si “dëshmi se ndryshimi ka ndodhur të paktën pjesërisht prej ngadalësimit ekonomik pas shpërthimit të koronavirus”.

Kjo është hera e parë që vë re një përmbysje kaq dramatike mbi një zonë kaq të gjerë lidhur me një dukuri specifike“, tha studiuesi i cilësisë së ajrit në NASA-s, Fei Liu.

Çmimet botërore të aksioneve pësuan rënie duke mbyllur një prej javëve më të këqija për tregjet botërore që nga kriza financiare e vitit 2008.

Katari raportoi rastin e parë me koronavirus të shtunën, tre ditë pasi udhëheqësi Emir Shejh Tamim bin Hamad al-Thani urdhëroi evakuimin e shtetasve të tij nga Irani, epiqendra e shpërthimit në Lindjen e Mesme.

Franca njoftoi të shtunën 16 raste të reja me koronavirusit një ditë pasi Meksika, Nigeria, Zelanda e Re, Lituania, Bjellorusia, Azerbajxhani dhe Islanda raportuan rastet e tyre të para.

Në Itali, Agjensia e Mbrojtjes Civile tha që tetë vetë kishin vdekur nga koronavirusi, duke çuar totalin në 29.

Autoritetet amerikane kërkuan të shtunën përshpejtim e aftësive të spitaleve për të testuar amerikanët nëse janë bartës ose jo të virusit vdekjeprurës. Ata lëshuan udhëzime “që do t’u mundësojë laboratorëve të përdorin teste që zhvillohen shpejt, në mënyrë që të arrijnë kapacitete më të shpejtë të testimit të popullatës amerikane”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje