Ministri serb i Mbrojtjes, tha të premten se Serbia do të vazhdojë të blejë armë nga “shtetet mike” përkundër kërcënimeve me sanksione amerikane në rast se ajo vazhdon të pranojë dërgesa armësh nga Rusia.
“Serbia nuk është koloni” dhe do të vendosë vetë për “fuqizimin dhe pajisjen e forcave të saj të armatosura”, deklaroi ministri serb Aleksandër Vulin.
Zyrtarët amerikanë kanë folur hapur për vendosjen e sanksioneve kundër Serbisë në rast se Moska i shet më shumë armë, veçanërisht të tilla që mund të rrezikojnë sigurinë e vendeve fqinje anëtare të NATO-s.
Serbia ka blerë së fundmi një sistem të sofistikuar kundërajror nga Rusia, e cila i ka siguruar vendit Ballkanik edhe avionë, helikopterë dhe mjete të blinduara
Ministri Vulin, i cili njihet për qëndrimin e tij pro-rus, tha se dërgesat e fundit janë për qëllime mbrojtëse. Ai tha se nuk ka asnjë arsye për sanksione nga “çdo vend që respekton të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtën e Serbisë për të vendosur në mënyrë të pavarur” se si të armatoset.
Armatosja e Serbisë nga Rusia shihet me shqetësim në perëndim, në një periudhë tensionesh në rritje në Ballkanin që u përfshi në luftërat shkatërruese në vitet e 90-ta. NATO-ja ndërhyri kundër Serbisë në vitin 1999 për t’u dhënë fund mizorive ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Ndonëse zyrtarisht kërkon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, udhëheqja populiste e Serbisë ka forcuar më tej lidhjet e ngushta politike dhe ushtarake me aleaten sllave, Rusinë, si dhe me Kinën.
Serbia është zotuar të qëndrojë jashtë NATO-s dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë për shkak të politikave të saj në Ukrainë.
*Mbështetur në agjencinë e lajmeve Associated Press