Nga Prof. Dr. Isuf Kalo
Në këto ditë kur pandemia e virusit Covid-19 i shtriu kthetrat edhe në vendin tonë mendoj se është koha të jemi të gjithë të bashkuar ndaj këtij rreziku që i kanoset njerëzve tanë.
Është pozitive që një sërë mësimesh të vyera i kemi përfituar tashmë nga eksperienca e përballimit të kësaj pandemie në vendet e tjera, veçanërsisht nga fqinjët, dhe që disa masa mbrojtëse të domosdoshme janë ndërmarrë paraprakisht nga Ministria jonë e Shëndetësisë dhe Task Forca e ngritur posaçërisht kundra tij.
Specialistët e shkencëtarët tanë infeksionistë me kompetencë dhe përkushtim professional të lartë kanë zhvilluar një veprimtari intensive informuese për popullatën lidhur me masat mbrojtëse nga kjo e keqe krejtësisht e mundur për tu mposhtur. Ata janë skalioni i parë që po ndeshet me të dhe meritojnë admirim nga të gjithë ne.
Megjithëkëtë në ngjarje të tilla dramatike përveç qetësisë, mirëinformimit dhe bashkëpunimit nga secili prej nesh, mendoj se do të ndihmonte shumë edhe solidariteti, kontributi dhe paqja në nivel jo vetëm personal e familjar, por edhe politik e shoqëror.
Në këtë kontekst mund të ishte me vlerë që edhe partitë e faktorët e tjerë politikë gjatë kësaj periudhe të ulnin përkohësisht armët, të shuajnë kontradiktat dhe polemikat mes tyre për tu bashkuar secila me propozimet, vërejtjet dhe kontributet në një front unik, çka do të maksimalizonte forcën dhe efektivitetin tonë.
Shëndeti nuk ka ngjyrë partiake. Ai është njësoj i bardhë, i çmuar dhe jetësor për të gjithë. Prandaj edhe Task Forca e ngritur kundra coronavirusit them se do duhej të ishte bi-partizane, gjerësisht përfaqësuese dhe gjithëpërfshirëse. Përtej kufijve teknokratik përballimi i rreziqeve të tilla merr dimensione kombëtare, madje edhe më gjerë.
Uroj me gjithë zemër që kjo e keqe të mposhtet shpejtë tek ne. Por nëse ajo do të shtrihet më tej do ta bëjë të vështirë përballimin me kontigjentin e disponueshëm (jo aq të madh) të tanishëm të bluzave tona të bardha.
Do ju bëja thirrje, duke filluar nga vetja ime (77 vjeçar) edhe kolegëve bashkëmoshatarëve të mij pensionist mjek, të ofrohemi të gatshëm pavarësisht nga profilizimet tona, të ndihmojmë sa mundemi vullnetarisht në këtë front të ri.
Mposhtja e virusit Covid-19 kësaj monstre mikroskopike tinzake kaq shumë dëmprurëse për shëndetin, ekonominë dhe mirëqenien tonë, është sot detyrë mbi detyrat për të gjithë. Prandaj edhe për ne.
Comments are closed.
Thirrje nga një profesionist i përkushtuar!
Presim ti përgjigjen të gjithë mjekët pensionist, duke veshur bluzat e bardha dhe të gjenden pranë pacientëve.
Vendi ka nevojë për VEPRA, jo për LLAFE.!
A ka turp me te madh kur në këto kohë kritike, ka akoma mjek, që gjejnë kurajon të dalin neper ekrane per të përgojuar.
Faleminderit Doktor,
gjithnje njeriu i logjikshem dhe zemermadh.
Dija dhe mencuria e njerezve te kalibrit tuaj jane te neojshme per kete vend.
Kur njeriu ka dimension te madh njerezor, mposht nji vocrrak qe kenaqet duke numeruar kufoma qe nga viti 90, deri ne vdekje keshtu do mbetet, duke ja transmetuar te tjereve si vet coronavirus.
pershendetje prof. respekt e nderim per ate qe thua e ben nuk e harron kure betimin si mjek per te sherbyer ne profesionin e nderuar te mjekut.Te uroj shendet e cdo te mire per ty e familjen tende qe be kete kohe te veshtire per vendin i jep mesazhin e bashkimit,e te shpetimit nga e keqja duke e luftuar ate duke qen te bashkuar.