Kina e ka menaxhuar më së miri situatën e pazakontë që ka krijuar koronavirusi dhe po merr rezultatet e para të punës parandaluese por edhe të betejës së autoriteteve shëndetësore me epideminë.
Rreth tre muaj pasi u regjistrua rasti i parë, në provincën Hubei, numri i rasteve të reja ka rënë në minimum. Sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror Kombëtar, në të gjithë Kinën janë 19 rastet e reja, 17 prej të cilave në provincën Hubei, aty ku e ka origjinën koronavirusi.
Një rast tjetër është në Peikn dhe tjetri në Guangdong. Ndërkohë Provinca e Hubeit ka njoftuar miratimin e rregullave të reja të kontrollit që lejojnë njerëzit e shëndetshëm të lëvizin.
Për koronavirsuin ka tashmë një aplikacion, çdo banor do të ketë një ngjyrë: e kuqja tregon një rast të konfirmuar ose të dyshuar të Covid-19, e verdha tregon një kontakt të ngushtë ndërsa jeshilja vërteton mungesën e kontakteve.
Masat e reja lejojnë që qytetarët nga zonat me rrezik të mesëm dhe të ulët, të udhëtojnë në krahinë për të rifilluar aktivitetet e prodhimit.
Presidenti kinez, Xi Jinping, për herë të parë që nga shpërthimi i epidemisë po viziton Vuhanin, në kuadër të një “një inspektimi parandalimi dhe kontrolli”.
Epidemia e re e koronavirusit “është në thelb e kufizuar në epiqendër“, tha presidenti kinez. Xi premtoi “një betejë të vendosur për fitoren në luftën kundër koronavirusit“, duke nxitur “përpjekje vendimtare dhe të sakta të parandalimit dhe kontrollit në mbrojtje të Hubeit dhe Vuhanit“. Pas punës së vështirë, situata “ka treguar ndryshime pozitive me përparim të rëndësishëm“.
Në Vuhan, të gjitha spitalet e ngritura për situatën janë mbyllur. Autoritetet e Vuhanit, kryeqyteti i provincës kineze Hubei dhe epiqendra e epidemisë Covid-19, kanë mbyllur dy spitalet e fundit të përkohshme të ngritur për të mirëpritur pacientët e infektuar me koronavirus, duke shënuar kështu mbylljen e të gjitha 16 strukturave të dedikuara sëmundjes. 49 pacientët e fundit u larguan sot nga spitali Vuçhang. (TemA TV)