Letërsia shëlbuese në kohë virusi

14 Mars 2020, 14:27Sociale TEMA

Nga Esma Dodaj

Ditët tona janë ditë të shpejtësisë. Vrapojmë çdoherë, ngutemi për gjithçka. E gjithë koha na shkon në rendje e sipër sa kur më në fund në darkë, ulemi për prehjen e gjumit bujar, jemi prore të trishtuar, gati-gati të pikëlluar, sado mirë të na kenë shkuar angaritë e përditshme.

Kjo sepse humbasim në rrjedhën e vrulltë të punëve tona dhe nuk na mbeten veçse ca grimëçaste të praruara të hapave të ndalur. E ato segmente ne duhet t’i përpjestojmë për të dashurit tonë të zemrës e për veten tonë, për përmasën subtile brenda nesh, për shpirtin.

Ky i fundit është forca më imperialiste; pushton, pushtohet. Perandoria e tij i duket përherë e ngushtë, shtrihet më tej që “të sundojë” hapësira të reja, që të mund të mbushet plotësisht me frymë.

Për këtë mjafton të futesh qoftë edhe jo fizikisht, përmes stërkave të detit amësor e atësor, të detit të familjes, e të mundesh të shijosh dëshmitë e kopshteve të amshueshme që i dëshmojnë gjërat më të thjeshta: buzëqeshja e fëmijëve; lulet; yjet; qielli; hëna; kafshët; një kafe apo çaj përpara një pamjeje prej tabloje plot ngjyra; ushqimi i gatuar me dashuri; një lojë shah, letra apo domino; një lutje ndër vetvete apo pjesëmarrja në meshën e lumë të së dielës; një bisedë me miq të mirë; muzika; piktura; baleti; libri etj.

Iu qepesh si pulëbardhave dhe lëshon sytë edhe më tej pafundësisë se detit. E ndjen veten të ngashënjyer, të fortë, të përtërirë të lumtur.

Prandaj miqtë e mi këtë kohë që na duhet ta kalojmë brenda, ta shijojmë të përthyer në këtë spektër.

Ta vlerësojmë, ta çmojmë, se e kemi kërkuar e se kemi gjetur. Nuk është dënim. Besomëni që mamatë tuaja bëjnë kafe më të mira se ekspresi, divanet janë më të rehatshëm se karriget e klubeve, ushqimi i restoranteve nuk krahasohet me atë të shtëpisë dhe foleza jonë e ngrohtë ka oaze të vogla mrekullish.

Një prej tyre, fort i dashur për mua është të lexuarit. Është mënyrë shumë e mirë edhe për ju për ta kaluar kohën, thënë më mirë për ta mbushur me gjëra që vlejnë e që na dhurojnë dhe kënaqësi estetike. Për të pësuar katarsën aq të nevojshme për qeniet njerëzore.

Sikur nga një tregim, nga një poezi, nga një prozë poetike, të cilat nuk i marrin hua shumë Mbretit Kronos.

Unë besoj se letërsia e shpëton njeriun, sepse, përpos higjienës vetjake, për të cilën e kemi shtuar vigjilencën, ka një higjienë shpirtërore për të cilën nuk kujdesemi fare. Kësisoj bëhemi njerëz idhnakë, smirëzinj, të panginjur nga asgjë, të zbrazët.

Arti padyshim na nxjerr nga kjo boshësi e ftohtë. Ai na mundëson të njohim/ rinjohim veten e tjetrin, të zbulojmë e të kultivojmë pasionet tona, ta duam dijen se ajo është drita që mposht çdo verbëri, ta duam jetën e ta jetojmë atë me guxim, me pasion, me dashuri.

Ndre Mjedja është njëri prej poetëve më të dashur për mua. Në fakt do të doja që ju të gjithë të lexonit prej tij “Andrra e jetës” por meqënëse është pak e gjatë, zgjodha një poezi me titull stinën në të cilën sapo kemi hyrë e që duket sikur s’po mundemi t’i gëzohemi. Ne s’do rrim’ ndej’ aq sa t’mykemi, ne s’do rrim’ ndej’ tû prít me ú mýk. Përkundrazi do të rinovojmë energjitë tona, do të kthjellohemi, do të rigjenerojmë fuqitë tona dhe do t’i rikthehemi daljeve, vrapit tonë, punëve tona, takimeve, gjithë veprimtarive e aktiviteteve të mundshme.

Sot nuk po zgjatem me një koment mbi poezinë meqë është edhe prezantimi i kësaj pune të frytshme që mund të bëjmë bashkë.

Në vijimësi do t’ju paraqes copëza të tjera që të bashkëndajmë leximet tona, të ndërkëmbejmë përjetimet tona mbi to, gjerë, gjatë e shtruar. Kohë kemi me tepri apo jo?

Nëse ju do ta ndjeni të nevojshme mund t’ju jap ndonjë çelës leximi, ndonjë menyrë qasjeje ndaj materialeve që do përzgjedhim, bazuar në përvojën time personale të leximit që sigurisht gërshetohet dhe me studimet e mia universitare.

Së fundmi ju uroj të gjithëve të mbeteni me shëndet, të kujdeseni për veten e për kë të mundni dhe ta shijoni këtë kohë që e kemi të gjithën për vete e për të dashurit tonë.

Me shumë dashuri, Esma.

Préndvéra – Ndre Mjedja

Jeni lodhë, dallëndysha t’shkreta,

Jé molis’i ziu bylbyl;

Ah! pushoni n’streh’ kû u gjeta,

Pushò n’kopshtë te njaj zymyl.

 

Mbî krahë t’uej prei dhenash tjera

Ju prêndvéren na prûet këtej;

Shlodhn’ju prá, dallëndysha t’mjera,

Rri, bylbyl, n’lulzim qi kthej.

 

Se qe’j prrue prei malit ulet

E t’tanë fushës ushqim i nep;

E nen borë po shperthejn’ lulet

Porsì fëmië qi zblohen n’djep.

 

Fllad i lét me vapë dashtnijet

Puthî pémen gêmb per gêmb;

U zgjue pêma, e qe prei shijet

Buloj mbarë neper kopshtë t’êm.

 

Ndej’ brîë votres nieri myket:

Vrapó, búlk, kû puna t’thrret;

Tui vrue fushen kau berlyket,

Lyp’ m’u vûe per lavrë t’vet.

3 komente në “Letërsia shëlbuese në kohë virusi”

  1. MAJAKOVSKI says:

    Shume bukur Esma. Nje mesazh i duhuri ne kete kohe qe po kalojme. Gezuar Diten e Veres dhe qofsh e lumtur.

  2. Nji shkrim qe sipas meje i takon nji Bote te vecant,
    tjeter –
    Letersia ne ate vend kto 30-vjet ka qen nen Karantin ,
    nga Viruset shkaterruese qe vershuan pameshire duke mos kursyer
    asgje ,ne vendin tim .

    Por ja , gjithmon ka Pranvere ,
    e lulet e reja celin dhe ti shikon Nostalgjik e mendon se je ne nji pralle …

    *Mjeda* me i Madhi poezise asaj ndjeje romantike
    qe duhet studjuar ne gjithe permasat e tij ,ne shkolla .

    Oh c’fllad i but lekund ate trendafil te bukur kopeshtit te Letersise .
    Dua ta besoj se eshte e vertete ,
    e ktu s’kerkoj te personalizoj asgje – por mendoj per te gjithe ata ,
    qe menduan si un ,,,

    ate qe dikur enderuam mbi ate pasion Literature
    edhe pse ajo hapje e syve ,prapritur zhgenjeu jovetem dalladyshet ,
    duke na ber papritur te menduar ´´ dyshuar ne ate ender te bukur ,
    zgjuar me sy melankolik ,
    buze plasaritur nga ajo temperature qe ai pasion injektoj,,,
    si ai zogu qe ka humbur gjithcka ,e endet i pashpres ne kerkim te lengut te jetes ,
    asaj Foles se Ngroht .

    Faleminderit edhe njiher autores se ktij shkrimi

    e sidomos ilustrimi me poezine Pranvera te te Mrekullkushmit Mjeda…

  3. LARG QOFT !

    LARGOHU GOCE MEJIHER SE RREZIKONI INFEKTION
    TE SHKRIMIT TAT POR EDHE VET LETERSISE !
    KOMENTET TONA STALLIERI I PERDOR SI “TAGJI”
    E TASH PO I HA LOPA E STALLES ?
    HAHAHAHA
    O FSHATR KAPTIN PA RRUR
    ASHTUSI KE LIND DO VDESESH O MUT BURR !

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje