Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati mbështet vendimin e qeverisë për masat shtrenguse, si mbyllja e kufijve, për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Bushati thotë se këto masa janë të domosdoshme, por kërkon që të gjendet zgjidhje për gjithë shqiptarët që duan të kthehen në atdhe, që kanë shkuar jashtë shtetit për studime, trajtim mjekësor apo qëllime të tjera.
Po kështu, duhet kërkuar ndihma e Komisionit Europian dhe Vendeve Anëtare të BE-së që askush prej shetatasve shqiptar të mos penalizohet në rastet e tejkalimit të periudhës 90 ditore në zonën Schengen”, shkruan ndër të tjera Ditmir Bushati.
Postimi i plote i ish ministrit:
Të dashur bashkëatdhetarë,
Jemi të gjithë sot në një situatë të paprecedentë sepse e tillë është vetë natyra e kësaj Pandemie që s’njeh kufij dhe që ka detyruar e po detyron një e nga një shtetet t’i mbyllin ato.
Masat e ndërmarra janë të domosdoshme megjithëse kanë shkaktuar vështirësi në funksionimin e rrjedhës normale të jetës. Jeta, shëndeti dhe siguria e çdo qytetari ka përparësi absolute.
Por besoj se krahas masave shtrënguese të pashmangshme, duhet të gjejmë edhe mjete e mënyra për të ndihmuar çdo bashkëatdhetar, aty ku janë mundësitë.
E kam fjalën pikërisht për ato qindra qytetarë shqiptarë që kjo situatë i gjeti në befasi jashtë vendit. Dikë në udhëtim në kufijtë kohor të qëndrimit të lejuar brenda zonës Schengen, dikë për trajtim mjekësor e dikë tjetër për qëllime studimi. Këta qytetarë me të drejtë kërkojnë të kthehen një orë e më parë në Shqipëri pranë familjeve të tyre.
Në kushtet kur kthimi në atdhe duket një mision i pamundur, është i nevojshëm informimi i tyre, qartësimi i procedurave dhe rrugëve që mundëson kthimin e tyre në atdhe në përputhje me praktikat ndërkombëtare për situata të tilla.
Po kështu, duhet kërkuar ndihma e Komisionit Europian dhe Vendeve Anëtare të BE-së që askush prej shetatasve shqiptar të mos penalizohet në rastet e tejkalimit të periudhës 90 ditore në zonën Schengen.
Ne nuk mund të parashikojmë se sa do të zgjas kjo situatë. Por, duhet të evidentojmë rastet e bashkëatdhetarëve të mbetur jashtë Shqipërisë për shkak të kësaj situate dhe përmes bashkëpunimit ndërshtetëror të sigurojmë një kalim të sigurtë që mundëson kthimin e qytetarëve në atdhe.
Me kurajë, ndërgjegjësim e solidaritet do ta kalojmë edhe këtë situatë!