Studimi i Oksfordit: Koronavirusi mund të ketë prekur gjysmën e popullsisë së Mbretërisë së Bashkuar

25 Mars 2020, 11:25Bota TEMA

Modeli i ri epidemiologjik tregon se shumica dërrmuese e njerëzve vuajnë pak prej tij ose nuk kanë simptoma.

Nëse rezultatet e studimit konfirmohen, kjo do të thotë se më pak se 1 në 1000 persona të infektuar nga Covid-19 do të sëmuren në atë fazë sa të kenë nevojë për shtrim në spital.

Nga Clive Cookson, redaktor shkencor

Koronavirusi i ri mund të ketë infektuar shumë më tepër njerëz në Mbretërinë e Bashkuar sesa ishte vlerësuar më parë nga shkencëtarët – mbase aq sa gjysma e popullsisë – sipas modelimit nga kërkuesit në Universitetin e Oksfordit.

Nëse rezultatet konfirmohen, ato nënkuptojnë se më pak se një në një mijë prej atyre të infektuar me Covid-19 sëmuren aq sa për të pasur nevojë për t’u shtruar në spital, tha Sunetra Gupta, profesoreshë e epidemiologjisë teorike, e cila ishte në krye të studimit. Shumica dërrmuese kanë simptoma shumë të lehta ose aspak.

“Ne duhet që menjëherë të fillojmë anketimet serologjike në shkallë të gjerë – testimin e antitrupave – për të vlerësuar se në cilën fazë të epidemisë jemi tani”, tha ajo.

Modelimi nga grupi Ekologjia Evolucionare e Sëmundjeve Infektive i Oksfordit tregon që Covid-19 ka arritur në Mbretërinë e Bashkuar maksimumi në mesin e janarit. Ashtu si shumë infeksione në zhvillim, ai u përhap në mënyrë të padukshme për më shumë se një muaj deri sa u regjistruan zyrtarisht transmetimet e para brenda Britanisë së Madhe në fund të shkurtit.

Studimi paraqet një pikëpamje të epidemisë shumë të ndryshme nga modelimi i Imperial College London, i cili ka ndikuar fuqimisht politikën e qeverisë. “Jam e habitur që ka pasur një pranim të tillë të pakualifikuar të modelit të Imperial-it,” tha Prof Gupta.

Sidoqoftë, ajo ngurroi që të kritikonte qeverinë për mbylljen e vendit në mënyrë që të frenohej përhapja virale, sepse saktësia e modelit të Oksfordit ende nuk është konfirmuar dhe, edhe nëse është e saktë, distancimi shoqëror do të zvogëlojë numrin e njerëzve që sëmuren seriozisht dhe do të lehtësojë trysninë e madhe ndaj Shërbimit Kombëtar të Shëndetësisë (NHS) gjatë pikut të epidemisë.

Studimi i Oksfordit bazohet në atë që njihet si “model i dyshimit-infektimit-kurimit” të Covid-19, i krijuar nga raportimet e rasteve dhe vdekjeve nga Mbretëria e Bashkuar dhe Italia. Studiuesit bënë atë që ata e konsiderojnë si supozimi më i besueshëm në lidhje me sjelljen e virusit.

Modelimi sjell përsëri në fokus “imunitetin e tufës”, ideja që virusi do të ndalojë përhapjen kur mjaftueshëm njerëz të kenë krijuar rezistencë ndaj tij, sepse ata janë infektuar tashmë. Qeveria braktisi strategjinë e saj jozyrtare të imunitetit të tufës – duke lejuar përhapjen e kontrolluar të infeksionit – pasi këshilltarët e saj shkencorë thanë se kjo do të përmbyste Shërbimin Kombëtar të Shëndetit me pacientë në gjendje kritike.

Por rezultatet e Oksfordit duan të thonë se vendi ka fituar imunitet të konsiderueshëm përmes përhapjes së panjohur të Covid-19 për më shumë se dy muaj. Nëse gjetjet konfirmohen me anë të testimit, atëherë kufizimet aktuale mund të hiqen shumë më shpejt nga sa kanë thënë ministrat.

Megjithëse disa ekspertë kanë hedhur dyshime mbi forcën dhe gjatësinë e reagimit imunitar të njeriut ndaj virusit, Prof Gupta tha se provat e dala së fundmi e bëjnë atë të sigurt se njerëzimi do të ndërtojë imunitetin e tufës kundër Covid-19.

Për të siguruar provat e nevojshme, grupi i Oksfordit po punon me kolegë në Universitetet e Kembrixhit dhe Kentit për të filluar testimin e antitrupave në popullatën e përgjithshme sa më shpejt që të jetë e mundur, duke përdorur “analizat e specializuara të neutralizimit”  të cilat japin të dhëna të besueshme për imunitetin mbrojtës,” tha Prof Gupta . Ata shpresojnë të fillojnë testimin më vonë gjatë javës dhe të marrin rezultatet paraprake brenda disa ditësh.

The Financial Times-Përgatiti në shqip për TemA, Kebriona Veliaj

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje