REPORTAZHI: “Ra kjo pandemi e u ndamë”

3 Prill 2020, 12:57Sociale TEMA
REPORTAZHI: “Ra kjo pandemi e u ndamë”

-Reportazh nga pikë-kalimi kufitar Morin-Vermicë, kryesori që lidh Shqipërinë me Kosovën

-Vetëm tre ditë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, forcat policore-ushtarake serbe filluan spastrimin e madh etnik dhe nepermjet vendkalimit Morin-Vermicë u deportuan rreth 500 mijë shqiptarë, të cilet gjetnë strehim në Shqipëri. 21 vjet më pas, shqiptarët e Shqipërisë dhe të Kosoves duhet të paisen me “viza” në ambasadat respektive për të udhetuar për një aresye të fortë te njeri apo vendi tjetër.

Nga Bashkim Shala

Morin-Vermicë me 3 prill : “Ra kjo pandemi e u ndamë”. Kjo shprehje, është lajtomitivi I dramës së koronavirusit që pos tjerash, pas 21 vjetësh ka “ndarë” shqiptarët në të dy anët e kufirit. 21 vjet më parë, pikërisht me 27 mars, vetëm tre ditë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s filloi spastrimi I madh I Kosoves. Pikërisht me 27 mars të vitit 1999, disa fshatra të rajonit të Rahovecit janë boshatisur plotësisht dhe duke filluar nga mesdita deri në oret e vona të mbremjes së kësaj dite në qytetin e Kukësit kishin ardhur rreth 30 mijë vetë, duke e shndërruar atë në një kamp gjigant refugjatësh. Ishin vetë ushtarët serb që kanë bërë transportimin e tyre me kamionë e autobusë, duke I sjellë në Shqipëri.

“Ikni nga toka serbe, shkoni në Shqipëri”- me këtë moto banda kriminelësh e skuadra ushtarësh e policësh serbë , kanë nisur spastrimin e madh të Kosovës. Në Shqipëri, gjatë krizës së Kosovës janë strehuar rreth 700 mijë të debuar nga regjimi I Milosheviçit, pas zbatimit në praktikë të operacionit famëkeq ‘Patkoi”, të cilët janë strehuar në Shqipëri, shumica e tyre në familjet shqiptare. Përmes vendkalimit Morin-Vermicë u deportuan rret 500 mijë refugjatë të luftës nga Kosova. Një vit më vonë, shkrimtari I madh shqiptar Ismail Kadare botoi romanin: “Ra ky mort e u pamë” i shkruar në formën e ditarit. Romani doli në botim vitin 2000 dhe bën fjalë për luftën e Kosovës, nderkohë që në antitezë të titullit mjaft të goditur të Kadaresë, marrë nga një shprehje popullore e zonës së Lekbibajve të Tropojës, tashmë gjen vend shprehja: “Ra kjo pandemi e u ndamë”.

Komandanti I UÇK-së Sami Lushtaku udheton me “vizë” për në Shqipëri

Ishte 12 qershori I vitit 1999, ku trupat gjermane të Bundesverit në kuadër të KFOR-it, të prirë nga gjenerali Fritz von Korff hynë në qytetin e Prizrenit. Bashkë me trupat gjermane drejt këtij qyteti vërshuan me mijra banorë të Kukesit e fshatrave përreth duke festuar kështu prishjen e “Bradenburgut të shqiptarëve” pas 52 vjetësh. Por 21 vite më pas për të shkuar në Kosovë, apo për të ardhë në Shqipëri kerkohet “vizë” në ambasadat respektive. Në vend të fjalës vizë tashmë perdoret fjala e-mail, apo autorizim. Nderkohë që autorizimi për të qarkulluar jepet vetëm në raste shumë të rralla, për aresye shumë të forta.

Që nga 11 marsi kufiri-Shqipëri-Kosovë është I bllokuar për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe afati I mbylljes është I pacaktuar . Pikë-kalimin kufitar Morin-Vermicë tashmë është thuajse I shkretë. 11 korsive të qarkullimit I është vënë trau, ndersa lart tyre tabelat elektronike shkruajnë “Close”. Qetësia është prishur rreth ores 10:00 të së merkurës së 25 marsit kur në këtë pikë-kalimi ka mbritur një autoveturë luksoze e markës së njohur “Range Rover”. Në vendin e parë të kësaj fuoristrade të markes së fundit ishte gjeneral Sami Lushtaku I cili po udhetonte për në Shqipëri, nderkohë që pas një ore bashkëpartiakët e tij do mblidheshin për të rrëzuar Albin Kurtin. Si për ironi, gjenarali I UÇK-së ishte paisur me “vizë” në ambasaden e Shqipërisë në Prishtinë. “ Sami Lushtaku dhe personat që e shoqëronin ishin të paisur me një leje të lëshuar nga ambasada e Shqipërisë në Prishtinë”,

thotë polici kontrollor Bedri Duraku. Pergjegjëesi I turnit në pikë-kalimin kufitar Morin-Vermicë Ajet Halili thotë se leja për të kaluar në Kosovë apo anasjelltas mund të dergohet edhe me e-mail nga ambasadat respektive, por arësyet duhet të jenë të forta. “Që nga koha e mbylljes me 11 mars e deri tani kemi pasur pak raste që janë leshuar leje, nderkohë që janë lejuar të shkojnë në Kosovë shtetasit e këtij vendi, gjithashtu janë lejuar të hyjnë në Shqipëri edhe qytetarët e këtij vendi që kishin mbetur në Kosovë”, thotë Halili. Nderkohë që në sheshin e doganës së Morinit dy vajza të reja me bagazhet e tyre kishin mbritur që në mengjes nga Prishtina, por ende nuk kishin gjetë mundesinë për të udhetuar drejt vendbanimit të tyre që sipas vajzave ishte Tirana. “ Ishin në një shkollë për Make-Up(parukeri) në Prishtinë, por shkolla u mbyll ndaj u detyruam të kthehemi, por kemi orë që presim dhe nuk po gjejmë automjet për të shkuar në Tiranë”, shprehen vajzat. Ndersa qarkullimi I njerëzve është zero, në këtë pikë-kalim sheh tek tuk ndonjë kamion apo autocisterën me karburante që kalon në Kosovë. “ Qarkullimi I mallrave është si më parë”, thotë Eduard Poga, pergjegjes I turnit në doganën e Morinit. Të njejten gjë pohon edhe homologi I tij I Kosoves. Por pohimet e tyre duhen marrë me rezervë, pasi si në sheshin e doganës, ashtu dhe në terminal numri I kamionëve ishte I paktë, kur në kohë normale radha e tyre në ndonjë rast ishte edhe kilometrike.

Historia e pikë kalimit kufitar që lidh Shqipërinë me Kosovën

Kufiri Shqipëri-Kosovë përfundimisht është mbyllur në vitin 1947. Ashtu si ‘Muri I Berlinit” edhe pika e kalimit kufitar të Morinit ishin deshmitarë të ndarjes së një populli në dysh për 52 vjet. Pika e Morinit, ishte dëshmitare e dhimbjes dhe lotëve kur njerezit me lidhje të aferta gjaku por që jetonin të ndarë në dy shtete kishin të drejtë që 10 metra larg vetëm të shihnin njeri tjetrin, pa folur një fjalë dhe pa pasur mundesi t’I jepnin as doren. Fadil Rexha, banor I fshatit Morin,I diplomuar për Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Tiranës, aktualisht drejtor I shkolles së mesme të Bardhocit thotë se shumë vajza nga Morini por edhe nga zona të tjera të Kukesit, Hasit e Tropojës janë martuar në fshatrat e Kosoves gjatë dhe pas luftes së dytë botërore deri në mbylljen e kufirit në vitin 1947. “ Ka mbetë mrena granice(kufi në serbisht)”, thoshin më parë për ndonjë bijë fshati që kishte humbur pa namë e nishan.

Martesat kryesisht kanë qenë në fshatrat e Vermicës, Zhurit, Vlashnjes dhe fshatrave të tjerë të Vërrinit, por edhe në Hasin e Kosoves “Morini dhe Vërmica ishin kaq afër sa lindjet e vdekjet në dy fshatrat anës e kufirit merreshin vesh, ku këndohej më zë të lartë apo vajtohej”thotë Fadili. Ai tregon se kishte të martuar hallen e babes në Planejë para vitit 1947. Kjo ka qenë aresyeja që Fadili disa herë ka qenë vizitor I mesit të të ures në pikë-kalimin kufitar Morin-Vermicë që tashmë nuk ekziston që ai nuk nguron t’a quajë “Ura e Lotëve”. Banori I fshatit Morin thotë se ka qenë disa herë në mes të ures per të parë nga larg të afermit.“Permes vizitoreve të ndryshem që kalonin në Kosovë ku shumë prej tyre edhe nuk I njihnim pasi ishin edhe nga Tirana apo Durresi, linim ditë takimi me të afermit tonë. Edhe pse ishim të paisur me leje ndjeheshim shumë të frikësuar dhe nuk guxonim t’I afroheshim vijës.

Distanca mes njeri tjetrit ishte 10 metër dhe vetem dy persona, një nga secila palë kishte të drejtë të fliste me kusht vetëm prezantimin. Shumë të aferm nuk I njihnim dhe ato nuk na njihnin. Dikur më vonë e shkurtuan distancën. Në ndonjë rast polici që fliste gjithnjë serbisht lejonte që edhe t’I jepnim doren njeri tjetrit, por pa mundur të thonim asnjë fjalë. Megjithatë ky ishte momenti më I lumtur për ne. Megjithese nuk njiheshim në çdo takim kishte vetëm lot dhe vaj”thotë Fadili. Pas vitit 1990 “Muri I Berlinit” ra, por jo muri që ndante shqiptarët. Dogana e Morinit do të vazhdonte të kryente funksionin e saj të kundert deri në qershorin e vitit 1999. Pas vitit 1995, kohë në cilën Jugosllavia e mbetur ishte nën embargo, pika e Morinit ka filluar të funksionojë për kalimtarë dhe autovetura.Banorë të zonës së Gores në rrethin e Kukesit, por edhe goranë nga qyteti të cilet flisnin gjuhën nashke(sllavishte e pashkruar), kishin mundesi

të paiseshin me vizë nga konsullata serbe në Tiranë. Këto banorë tregtonin mallra të ndryshëm në qytetin e Prizrenit, nderkohë që ato që dispononin autovetura shisnin derivatet e shumëkerkuara. Ndersa për të tjerët, kufiri serish mbeti”Mollë e Ndalueme”. Por, shumë “të përvëluar” për Shqipëri dhe Kosovë për “pikë-kalim” ishin shtigjet malore, shpeshherë mes plumbave serbë, ku nuk munguan dhe viktimat. Pas ngjarjeve në Prekaz të Skenderjave në mars të vitit 1998, autoritetet serbe kishin vendosur që të mbyllnin të gjitha shtigjet me Shqipërinë, perfshi edhe doganën e Morinit.

Nga frika e ndonjë sulmi nga ana e Shqipërisë, në maj të vitit 1998, pika doganore e Morinit u bllokua plotësisht me betone të mëdha në formë prizmatike, për t’u “shpethyer” në fund marsin e 99-ës në eksodin biblik të shqiptarëve të Kosoves drejt Shqipërisë ku rreth 500 mijë shqiptarë të Kosovës kaluan permes kësaj ure, ku pesë prej tyre patën fatin tragjik. Serbët kishin “mbjellë” mina gjithandej duke mos “kursyer edhe Uren e Morinit. Një familje nga Mitrovica e perzënë nga serbët duke kaluar në urë me traktorin e saj ka rën në një minë ku kanë humbur jetën tre fëmijë, nëna dhe gjyshja e tyre, duke shpetuar vetëm babai dhe një djalë I kesaj shtepie.

Në qershorin e vitit 1999,llava gjigante e njerëzve u rikthye sërish në Kosovë, por këtë herë e dyfishuar nga shqiptarët e Shqipërisë, që u futën në Kosovë bashkë me vëllezërit e tyre të dëbuar. Piramidat e betonta të serbëve në urë u përmbysën bashkë me simbolet. Më 12 qershor, KFOR-igjerman hyri në Prizren , nderkohë që ushtarët serbë po ia mbathnin më në fund të mundur e të përbuzur. Tani në vend të tabelës ku ishte sigla e ish-Jugosllavisë, është një tjetër emërtim, me mbishkrimin “Republika e Kosovës”.

Në vend të flamurit serb, valëvitet flamuri i ri i Kosovës bashkë me atë të Shqipërisë. Autostrada e bashkuar(Shqiperi-Kosovë) I ka bashkuar dhe më shumë shqiptarët. Nderkohë që Ura e Morinit tashmë nuk ekziston që prej pesë vitesh pas investimeve në infrastrukturë. Një urë ka rënë, një autostradë është ndertuar. Tashmë në një doganë të perbashkët sherbejnë së bashku policë e doganierë të Shqipërisë e Kosovës. Shqiptarët thonë se endrra e tyre thuajse është bërë realitet dhe urojnë që sa më shpejt të mbarojë kjo pandemi që I ka “ndarë” pas 21 vitesh.

Koha Ditore

2 komente në “REPORTAZHI: “Ra kjo pandemi e u ndamë””

  1. Baton DR says:

    Ndarje?!?!? Prit se ske pa gjo akoma….sa naiv duhet me qen mos me kuptu që ka një kufi aty dhe pikë!

  2. Alban Kryeziu says:

    Titulli mjaft i gjetur. Interesante edhe storiet per takimet ne kufi ne kohen e ish Jugosllavise. Flm autorit qe kthehet ne ato kohe mjaft te rendesishme per shqiptaret.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje