A do ndryshojnë shqiptarët mënyrë jetese pas këtij virusi?

8 Prill 2020, 22:05Sociale TEMA

Nga Entela Resuli 

Shqiptar Oseku, prej 30 vitesh jeton në Suedi. Është punonjës social pasi ka studiuar punën sociale në universitetin e Stokholmit. Gjithashtu është poet dhe përkthyes nga disa gjuhë të botës.

Oseku është një ndjekës i vëmendshëm i aktualitetit në Shqipëri e Kosovë.

Nëpërmjet rrjeteve sociale ai nuk nguron asnjëherë të reagojë sa herë ka diçka për të thënë në lidhje më atë çka ndodh në Shqipëri.

Suedia është një nga vendet që po e përballon ndryshe koronavirusin, me masa më të lehta, pa shumë kufizime.

Shqiptari në këtë intervistë në “Dita” ka ndarë me ne disa mendime në lidhje se si po e përballon vendi ku ai jeton dhe punon këtë situatë të vështirë të ardhur prej virusit dhe se si e shikon gjendjen ne Shqipëri e Kosovë dhe masat që janë marr këtu.

 -Shqiptar, si po i kaloni këto ditë teksa bota është përfshirë nga një pandemi për shkak të një koronavirusi që po qarkullon gjithandej?

Ndodhem nën karantinë të rregullt tash e katër javë, bashkë me fëmijët e mi. Një nga vajzat ka një astma të lehtë dhe prandaj ndodhet në grupin e rrezikuar. Prandaj jemi mbyllur te gjithë dhe presim sinjal se kaloi rreziku. Fatmirësisht mund të punoj nga shtëpia, interneti na e jep këtë mundësi që s’ekzistonte në brezin e prindërve të mi.

-Ju jetoni në Suedi dhe ky vend duket se ka një qasje tjetër për sa i përket masave të marra për t’u mbrojtur nga ky virus, çfarë po ndodh konkretisht aty?

Suedia ka vënë rregulla më të relaksuara të karantinës, ushtria dhe policia nuk kanë urdhër të ndalojnë trafikun a qarkullimin e njerëzve. Janë ndaluar eventet publike, vizitat në shtëpi të pleqve, si dhe fluturimet brenda e jashtë vendit. Janë ndaluar dhe mbledhjet me 50 persona e më lart, jo pse kjo shifër luan ndonjë rol ekzakt në epidemi, po më tepër si sinjal dërguar publikut që të shmang mbledhi të panevojshme. Përndryshe vlejnë udhëzimet e rëndomta, njerëzve 70+ dhe atyre me rrezik të shtuar u bëhet thirrje për karantinë, ndërsa tjerëve thjesht për kujdes të shtuar, me larje duarsh, hapësirë sigurie prej 1 metër, e punë nga shtëpia nëse kanë mundësi. Sot kur më intervistoni mua parlamenti ka votuar për t’i dhënë qeverisë mandat të zgjeruar për kufizime tjera sipas nevojës, për aq kohë sa ka rrezik nga virusi korona. Por të gjithë presin që edhe ky mandat i zgjeruar të përdoret urtësisht.

-Pse mendoni se autoritetet suedeze kanë zgjedhur këtë formë për t’u përballur me virusin?

Ka të bëjë me shumë arsye. Me traditën e këtij vendi, ku ligji thotë se institucionet janë në shërbim të qytetarit e jo anasjellltas. Prandaj ekziston një shprehi institucionale të punohet me udhëzime e jo me urdhëresa. Qytetarët kanë një besim të lartë për institucionet e vendit dhe udhëzimet ndiqen në shkallë të gjerë. Por kjo ka të bëjë edhe me parakushtet socioekonomike që ka Suedia. Lakorja e infektimeve mund të jetë pak më e lartë këtu, pasi shëndetësia publike është e fortë dhe mund ta ndorojë (menaxhojë) edhe një influks ca më të lartë infektimesh. Ideja e përgjithshme është që të moshuarit të ruhen dhe të rinjtë të krijojnë sa më shpejt imunitet tufe, pra një gjendje ku rreth 70-80 për qind të popullsisë e kanë kaluar sëmundjen dhe janë imunë. Dihet se sëmundjet virale vetëvdesin diku në atë kufi, pasi qytetarët imunë bëhen si mur sigurie përreth pakicës që s’ka imunitet.

Një element kritik, që nuk përmendet gjetkë, janë pasojat socioekonomike të karantinës së përzgjatur. Dihet, ta zëmë, se papunësia është faktor që shton mortalitetin. Ka studime të shumta që dëshmojnë se njerëzve që vuajnë nga papunësia në grupmoshën 20-60 vjeç u shkurtohet jeta me 4-9 vjet. Po ashtu, karantina e përzgjatur shton rrezikun për vdekshmëri të shtuar nga probleme kardiovaskulare. Suedezët pyesin, pse askush tjetër nuk i përmend këto fakte të njohura. Suedezët janë koshientë që Europa bën çudi me “eksperimentin suedez”. Por suedezët mendojnë se pjesa tjetër e Europës po bëjnë “eksperimentin e karantinës”, se Europa ka humbur perspektivën e gjerë.

-Po sikur të kishim bërë edhe ne të njëjtën gjë, Shqipëria dhe Kosova e kam fjalën?

Unë nuk jam ekspert i lëmisë dhe nuk mund të gjykoj në këtë fushë. Por arsyeja e shëndoshë më thotë se çdo vend ka specifikat e veta. Shqipëria dhe Kosova nuk kanë resurset e Suedisë, as pensionistët atje nuk janë njësoj të shëndetshëm si pensionistët suedezë. Njësoj si Shqipëria dhe Kosova po veprojnë edhe vendet fqinje, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia. Supozoj se autoritetet në Ballkan reagojnë më sertë pse e dinë se vendet e tyre nuk kanë margjinale. Se shëndetësia publike e korruptuar dhe e keqadministruar me dekada nuk mund të ndorojë (menaxhojë) influks të lartë të pacientëve, ndaj alternativë tjetër pos karantinës nuk ekziston. Vendet e Ballkanit, sa kuptoj unë si laik, duhet të rrafshojnë lakoret e influksit shumë më ulët. Prandaj përdorin më shumë kufizime. Por duhet të jenë të gatshme edhe për karantinë më të gjatë se Suedia, pse do t’u duhet më shumë kohë për të arritur imunitetin e tufës prej 70-80 për qind qytetarësh imunë.

-Pse është i nevojshëm vetizolimi, a mund të na shpëtoi?

Sërish, unë nuk jam ekspert i fushës. Por si laik mund të kuptoj dhe të pranoj mesazhin e autoriteteve, se vetizolimi mundëson që shëndetësia publike të mos gjunjëzohet e thyhet nga një influks i lartë. Që dmth se mund të ndihmojnë ata prej nesh që kanë nevojë për ndihmë intensive, nëse vijmë në grupe të vogla.

-A kemi në aftësitë për të përballuar një numër të lartë të sëmurësh në spitale?

Them se autoritetet shqiptare dhe kosovare kanë qenë shumë transparente tashti, e kanë pranuar hapur se shëndetësia publike nuk ka resurse që të ndorojë (menaxhojë) influks të lartë të të infektuarve përnjëherësh. Atë që autoritetet nuk kanë ekzaminuar, është arsyeja dhe shkaqet pse është kështu. Korrupsionin masiv dhe keqadministrimin prej dekadash.

Në njëfarë mënyrë, autoritetet tashti me masa të ashpra po shpëtojnë qytetarët nga një krizë që ato kanë shkaktuar vetë. Por supozoj se këto janë tema që do shtjelluar kur të mbarojë kriza. Kur nis e digjet shtëpia, së pari do fikur zjarrin. E vetëm pastaj bëhet analiza, si e pse nisi ai zjarr.

-Ne, në Shqipëri, kemi stil tjetër jetese, jemi të paduruar, dhe mbi të gjitha jemi mësuar të qëndrojmë me njëri-tjetrin, në familje të mëdha, në kafene… Mendoni se ky virus do të na ndryshoi mënyrën e të jetuarit?

Mënyra shqiptare e të jetuarit është superstrukturë e ndërtuar mbi realitete socioekonomike të varfërisë dhe shtetit inekzistenit, alternativa shtetit armiqësor. Unë nuk parashoh që këto parakushte të ndryshojnë nga karantina e përzgjatur. Biles përkundrazi.

-Nga ana tjetër, qëndrimi mbyllur, përballja me lajmet, shifrat, përballja me informacionet mbi sëmundjen, ku njerëzit qëndrojnë vetëm në spital, madje vdesin vetëm… sa ndikon në shëndetin mendor?

Kjo është një nga arsyet pse Suedia ka kufizime më të relaksuara. Suedezet thonë gjithnjë se bëjnë gjykime më të gjëra, duke shtuar vazhdimisht se kanë mundësitë dhe resurset që të hapin arsyetimin aq gjerë.

-Pyetje më e shpeshtë që njerëzit i bëjnë mjekëve është: kur do të marr fund, kur do të jemi sërish të lirë. Ju kur mendoni?

Secili vend ka specifikat e veta, por gjykimi im si laik është se vendet që kanë kufizime më të ashpra shkaku i resurseve të mangëta në shëndetësinë publike duhet të bëhen gati t’u përmbahen kufizimeve një kohë më të gjatë. Thjesht pse atyre, për arsye të karantinës, do t’u marri më tepër kohë të arrijnë imunitet të tufës.

-Si janë sjell liderët botëror përball kësaj sëmundje dhe masat që kanë marr?

Unë shikoj këto që shohin dhe lexuesit tuaj, një sjellje skandaloze prej presidentëve autoritarë, si Trump në Amerikë, Putin në Rusi, Erdogan në Turqi, e Bolsonaro në Brazil, që shpërfillën infeksionin gjersa u erdhi thika në kockë. Por shohim dhe të tjerë që bëjnë çmos, gjithnjë konform specifikave të vendeve të veta. E njëjta vlen dhe për krerët fetarë, me një pjesë të madhe të moderuar që ndjekin udhëzimet e autoriteteve laike, ndërsa një pjesë më fundamentaliste sfidon ato dhe bëhen supershpërndarës të infektimit përmes lutjesh publike, mbledhish në godina fetare etj.

-Keni një koment për mënyrën se si Edi Rama po e menaxhon këtë situatë?

Nuk jam kompetent të gjykoj, për arsye të thjeshtë se askush si duket s’i di resurset dhe kufijtë e fundit të shëndetësisë publike ne Shqipëri. Sa të sëmurë mund t’i mbajë shëndetësia publike? Sa të shtrirë në reparte të rëndomta, sa në intensive? Sa ventilatorë ka Shqipëria? Sa mjekë në infektiv? Këto shifra thuajse janë sekret shtetëror. Supozoj se sekrecia ndodh për një arsye, për të shmangur panikun. Që më bën të gjykoj se mbase kufizimet e zbatuara ashpërsisht mund të kenë arsye racionale. Por kjo nuk e lanë kryeministrin, ashtu sikur s’e lanë as opozitën, nga përgjegjësia pse kanë prurë gjendjen gjer te kjo ditë.

-Shqiptar, ka shumë komente në rrjet ku thuhet se ky virus është një shenjë për të na treguar se është abuzuar shumë me natyrën, njerëzit kanë humbur humanizmin… Ju si e mendoni?

Zakonisht janë klerikët ata që bëjnë interpretime teleologjike të gjërave, mua këto ide më duken foshnjore. Fëmijët mendojnë se shiu bie që t’u rriten atyre flokët, klerikët se virusi bie që njerëzit të bëhen më fetarë. Tërë ky diskurs është infantil, foshnjor, dhe nuk më duket i denjë për njerëz të rritur. Pra jo, ky virus nuk vie që të arrijë qëllime të tilla, se virusi nuk ka inteligjencë që të artikulojë qëllime. Por nëse më pyesni nëse kjo krizë mund të na ndihmojnë neve si njerëz vdektarë që të zbulojmë mirësi e humanizëm brenda vetvetes. Atëherë do të thoja se përgjigja është një po e palëkundshme, e paepur. Ne njerëzit kemi shprehi të tjerrim dritë prej fijesh të errësirës, është në genin tonë kreativ. Dhe ne do të gjejmë një mënyrë për të qenë vetvetja, dmth për të qenë të mirë, edhe në këtë situatë. Nëse shikon gjithë nismat private e profesionale në këto kohë. Nëse shikon iniciativat për të shpërndarë ushqime falas, për të marrë pjesë në punë vullnetare, për të ndihmuar mjekët, pacientët, qytetarët. E kupton menjëherë se çfarë qenie e mrekullueshme që është njeriu, që gjen në mënyrë të bëjë mirë edhe në orën e vet më të errët. Dhe kjo përbën ngushëllim të madh për mua.

-Ju vetë si po e përballoni, keni frikë, a flisni më të afërmit tuaj në Kosovë, çfarë thonë ata?

Unë ndjek një orar të disiplinuar, ngrehem ora 7 dhe ha mëngjes, e nis punën nga ora 8. Kur bie zilja është ora 12, ha drekë dhe shëtis me fëmijët në breg të një liqeni që kemi krejt afër. Kthehem në ora 13:15 dhe punoj prapë gjersa të bie ora sërish në 16:30. Kjo epidemi them se konfirmon një ide timen, që do dhënë Çmimin Nobel atyre që shpikën internetin. Një mënyrë e tillë e punës do të kish qenë e paimagjinueshme në brezin e prindër ve të mi. Ndërkohë fëmijët mësojnë sipas orarit të shkollës, me pauza pas çdo 50 min. Ndjekim lajmet përditë, unë me gjithë vajzat e mia, për të evituar diskutimet e rëndomta me fëmijë që duan të shpërfillin karantinën. Unë si i rritur duhet t’ua interpretoj lajmet, për të mos krijuar panik, por lajmet kanë hequr diskutimet e kota nga rendi i ditës. Pas orarit të punës e shkollës, hamë bashkë, luajmë shah, karta, lojëra tjera të tryezës. Shikojmë dhe një serial që na pëlqen në tv. Kemi fituar një rutinë të gjithë, që na mundëson të mos përmbysim oraret e ditës dhe natës, punës e gjumit.

-Është ende herët, por deri tani, çfarë na mësoi përballja me këtë virus, me këtë armik të padukshëm që na izoloi në shtëpi, edhe pse nuk e shihnim…?

Unë mund të flas për veten time, më ka mësuar të mos i tall ata që i quajmë Preppers, ata që përgatiten gjithmonë për fundin e botës duke mbledhur ushqime të thata e konserva. Doli që ne paskemi qenë idiotët, e jo ata. Shoqëria njerëzore është aq e brishtë. Uroj ta çmojmë fort këtë arritje qytetëruese që kemi bërë si specie, pikërisht pse po shohim përditë sa fragjile dhe e thyeshme që është para forcave të natyrës.

6 komente në “A do ndryshojnë shqiptarët mënyrë jetese pas këtij virusi?”

  1. Se cdo behet me shqiptaret mba ikjes se Virusit
    diskutohet Vitin qe vjen .
    mos mahstroni veten ,se do bini shpejt ne gracken e Virusit .
    Mbrohuni se po behet nji politike qe do t’ju zhduke
    mendet ne koke .
    Djalli eshte ne Loje

  2. Moisi Golemi says:

    Vete e harxhon një artikull të tërë, për “intervistë” me këtë pallën. Ky është idiot i lindur, megalloman dhe njeri që vuan nga sindromi i protagonistit. Këtë, nqs do që ta çmendësh, thjesht mos e pyet për asgjë. Heshtja këtë e vret më shumë sesa arma.

  3. Belina Budini says:

    Bravo moj Entela Resuli kur mer penen ti dhe Grisa Duma nuk ka bir none te kuptoje tani, po e kuptoj qe kishte te drejte ai Rekipllari kokepalare qe lepinte buzet…

  4. vjeshta says:

    Jo! Prapë duarxhepista, barkmëdhej e kafexhij do të mbesin.

  5. Belina Budini says:

    Bravo moj Entela Resuli kur mer penen ti dhe Grisa Duma nuk ka bir none te kuptoje. Tani, po e kuptoj qe kishte te drejte ai Rakipllari kokepalare qe lepinte buzet…

  6. Belinda says:

    Bravo moj Entela Resuli kur mer penen ti dhe Grisa Duma nuk ka bir none te kuptoje. Tani, po e kuptoj qe kishte te drejte ai Rakipllari kokepalare qe lepinte buzet…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje