Dr. Emilio Çika – Pedagog në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë.
Kur studjuesi i mirënjohur noekonservator Francis Fukuyama, shkruante në veprën e tij të shumë debatuar “The end of History and the Last Man” se pas rënies së bllokut socialist historia do të ishte tashmë një vijë e drejtë dhe se neoliberalizmi ishte mbizotërues, kursesi nuk do mendonte se atë që nuk mundi dot ta bënte ideologjia marksiste ndoshta do ta bënte një pandemi e cila po nxjerrë edhe një here në pah problemet më të qënësishme që mbart ky sistem.
Ndërkohë që bota vazhdon të vuaj humbjet në jetë njerëzish dhe ekonomitë e shteteve po kërcënohen realisht të përballen me mos përmbushjen e nevojave jetike, shëndetësore, sociale për qytetarët e tyre, lindin natyrshëm disa çështje të cilat nxjerrin në pah dobësitë e modelit mbizotërues ekonomiko social të shteteve perëndimore (sigurisht nëse ende sot mund të flasim për model perëndimor). Është e qartë tashmë që perceptimet dominuese që tregjet janë rregullatorët për jetën politike, ekonomiko-sociale, në mënyrë që të kemi një shtet sa më të vogël dhe rrjedhimisht një administratë të reduktuar, që sistemet shëndetësore t’i përgjigjen përfitimit të sektorit privat, që mbështetja sociale të jetë në marrëdhënie të zhdrejtë me zhvillimin, bien ndesh me situatën reale se ku ndodhet sot bota. Pandemia globale ka shfaqur nevojën për një një debat thelbësor rreth modelit ideologjik që shtetet duhet të përqafojnë.
Shteti neoliberal dhe dobësitë strukturore.
Pjesa më e madhe e shteteve moderne perëndimore janë të bazuara në parimet liberale ose neoliberale, këto të fundit kryesisht pas rënies së bllokut socialist. Qëndrimin neoliberal për shtetin mund ta konsiderojmë si të instaluar brenda një hapësire historike kryesisht në Evropën Perëndimore dhe në Amerikën Veriore pas viteve 70të të shekullit të kaluar. Mendimi neoliberal e vendos shtetin social si një aktor të rrezikshëm dhe dominues që i imponohet me ndërhyrjet e tij tregut dhe si rrjedhojë kemi pasoja të dëmshme. Për ekonomitë aktuale neoliberale – të cilat janë një miksim i nacionalizmit ekonomik, mbizotërimit të tregut të aksioneve dhe koorporatave multikombëshe si edhe ndërvartësisë ekonomike – çdo kufizim në shkallë të gjerë që pengon lëvizjen e kapitalit, punës, dhe mallrave shihet si “mos zhvillim” dhe rrjedhimisht është e padëshirueshme nga qeveritë dhe korporatat. Pra është e qartë që zhvillimi ekonomik vlerësohet si primar duke lënë në varësi të tij politikat e tjera shtetërore (përfshirë këtu ato shëndetësore dhe sociale).
Frederik Hajek (Friedrich Hayek), si një prej eksponentëve më të qënësishëm të qëndrimeve për shtetin neoliberal vlerëson se, detyra e shtetit nuk është që të kënaq interesat e tij, por të sigurojë kuadrin brenda të cilit mund të zhvillohet shoqëria e rregulluar nga tregu. Dhe në vazhdimësi citon se, shteti duhet të kufizohet vetëm te ruajtja e sigurisë kolektive ndaj kërcënimeve të jashtme, krijimin e shtetit ligjor, sigurimin e atyre pak mallrave publikë, që nuk mund të lëvrohen në mënyrë efikase nga tregu dhe ndihmat në kohë të vështira. Në lidhje me pushtetin taksa mbledhës të shtetit shprehet se, duhet kufizuar vetëm për të financuar këto pak aktivitete legjitime.
E analizuar kjo, në situatën e krizës humanitare dhe ekonomike të shkaktuar nga pandemia e Cov- 19, u jep tribunë kritikëve të neoliberalizmit që e shohin situatën si një shembull të përsosur që tregon se si sistemi ekonomik kapitalist nuk arrin t’i shërbejë shumicës së popullit dhe shtresave më në nevojë, që duhet theksuar janë punonjësit e bizneseve të vogla, vetëpunësuarit, të papunët afatgjatë etj.
Është e qartë tashmë se përhapja e virusit e gjeti njerëzimin, dhe botën e zhvilluar perëndimore plotësisht të papërgatitur. Në këtë kuadër – duke mos i dhënë vëmendjen e duhur dhe në kohë rekomandimeve të vlefshme të OBSH-së- shumë nga shtetet por edhe organizatat ndërkombëtare (BE) preferuan të nënvleftësojnë impaktin fillestar nga pasojat që do të vinin prej krizës humanitare si pasojë e pandemise së Cov-19. Qeveri të ndryshme si ajo e Britanisë së Madhe, e Shteteteve të Bashkuara, e Brazilit, por edhe vende të tjera evropiane ishin hezituese për të vendosur masa karantine për popullsinë ose bllokimin e pjesshëm të aktivitetit ekonomik edhe kur shpërthimi i pandemisë po trokiste në dyert e tyre, me rezultate tashmë të mirënjohura në humbje njerëzore dhe me probleme sociale në rritje. Megjithëse kërcënimi ishte real, (madje i paralajmëruar prej vitesh nëpërmjet skenareve hipotetikore të ndryshme të OBSH-së, OKB-së dhe organizatave të kujdesit) për arsye të politikave të ndjekura në tridhjetë vitet e fundit, nuk iu dha përparësi krijimit të infrastrukturave të përshtatshme shëndetësore duke qenë se sistemi ishte përqëndruar në skemën private të funksionimit.
Karantinimi dhe si pasojë dhe frenimi ekonomik, i kombinuar me ndërvartësinë ekonomike dhe globalizmin, i dhanë shenjat se do të godasin ekonominë botërore dhe atë të shteteve të mëvetme duke shkaktuar një krizë të re ekonomike. Kështu, sipas të dhënave të tremujorit të parë (Q1) shihet qartë një rritje galopante e nivelit të papunësisë në shtetet kryesore të BE-së por edhe në SHBA. Tabela e mëposhtme na jep një ide të projeksioneve statistikore për papunësinë deri në fund të vitit 2020 dhe gjatë vitit 2021.
Mos vallë nevojitet një shtet me fytyrë më sociale?
Ashtu si edhe mund të viheret re nga të dhënat e mësipërme, kriza pritet të shkaktojë një valë të madhe të papunësisë, rritje të inflacionit dhe si rrjedhojë shkurtime në mbështetjen sociale në të gjitha vendet brenda BE-së por më të goditura do të jenë vendet e jugut të Evropës, Italia, Spanja, Greqia etj (kjo e fundit edhe si vazhdimësi e goditjes nga kriza e viti 2008). Në lidhje me shtetet e lartëpërmendura kjo situatë nuk është vetëm për arsye të pandemisë por kryesisht si pasojë e këndveshtrimit ideologjik kundrejt qasjes se si duhet të jetë shteti por edhe e shtrëgimeve financiare të imponuara nga BE dhe institucionet ndërkombëtare financiare. Pasojat e të cilave dalin në pah sot edhe më dhimbshëm. Paketat financiare të ndihmës që kanë ndërmarrë shtetet e ndryshme, qartazi tregojnë vështirësitë me përballjen e situatës. Shumica prej tyre shtrihen për periudha të shkurtra, kryesisht për përmbushjen e nevojave imediate tre mujore, me kalime nga plani a, në atë b ndoshta dhe atë c. Shumica e vendeve në zhvillim i janë drejtuar institucioneve kredidhënëse si pasojë e mungesës së likuiditeteve. Por një pjesë e mendimit ekonomik nuk e shohin këtë si zgjidhje, pasi kjo mund ta përkeqësojë situatën duke mos harruar se kjo është kredimarrje me rrezik të lartë inflacioni.
Të shumtë janë ata që po trumbetojnë se bota pas pandemisë do të ndryshojë. Por edhe nëse vjen, ky ndryshimi po vjen në mënyrën me eksperiencat më të dhimbshme. I referohem kwtu intervistës së sotme (dt 12/04/2020) të ministrit të jashtwm të Gjermanisw Heiko Mass, i cili foli për përballjen me krizwn pa “mjete torture” si Troika dhe masa shtrënguese finaciare. Ironia këtu, është se këto masa gjatë krizës së 2008, konsideroheshin si efikase dhe të domosdoshme, duke u bërë shkas për aktivizimin e politikave më ndëshkuese neoliberale, kryesisht për vendet e Evropws Jugore me pasoja të gjithënjohura. Mësimet që duhet të dalin nga përballja me këtë pandemi por edhe nga e shkuara duhet ta bëjnë shtetin me fytyrë më sociale dhe të vendosi në qendër të funksionit të tij mirëqenien e popullit. Për këtë arsye, në kundërshtim me praktikat e deritanishme, shteti është ai i cili duhet të marri rolin e tij dominues.
Për të arritur këtë, së pari, në kundërshtim me qëndrimin neoliberal, shteti për të siguruar drejtësinë sociale duhet të ndërhyjë në treg brenda kuadrit demokratik (një qëndrim ky i gjithë pranuar i socialdemokracisë dhe të majtës në përgjithësi). Duhet të shmangen shembujt negative të së shkuarës, rast tipik është trajtimi i Greqisë gjatë krizës së 2008 nga institucionet ndërkombëtare financiare, ku ndërhyrja e shtetit në interes të tregut dhe institucioneve financiare rrëzoi çdo të drejtë sociale të fituar në tridhjetë vite (humbja e kontrata kolektive për punonjësit, reduktimin e pensioneve, reduktim i kujdesit social dhe shëndetësor si edhe privatizim i pjesës dërmuese të madhe të pronës publike etj). Së dyti, në kundërshtim me qëndrimin neoliberal, të fuqizohet kuadri ligjor në favor të mirëqenies. Në vazhdimësi, prioritet i shteteve duhet të jetë forcimi esencial i sisteme shëndetësore (si në infrastrukturë ashtu edhe në përkujdesjen financiare kundrejt trupës mjekësore), mbështetja e grupeve sociale të rrezikuara nëpërmjet programeve gjithëpërfshirëse dhe integruese. Së treti, në kundërshtim me qëndrimin neoliberal, shteti duhet të ndërhyjë atëherë kur nevojitet në rendin spontan të shkaktuar nga transaksionet e tregut. Së katërti, shoqëritë dhe shtetet duhet të jenë sa më solidare, citoj këtu Naom Chomsky në një prej intervistave të tij të fundit ku me ironi thoshte se: “një prej elementëve me ironik të krizës së virusit është se Kuba po ndihmon Evropën. Gjermania nuk mund të ndihmojë Greqinë, por Kuba mund të ndihmojë vendet evropiane”. Bashkimi Evropian ashtu si edhe vazhdimisht ka treguar gjatë të paktën dhjetë viteve të fundit po largohet vazhdimisht nga principet e krijimit. Gjatë viteve 90të disktutohej se BE po shndërrohej në një organizatë me shumë shpejtësi, ndërsa sot është e qartë që BE është me vetëm një shpejtësi, ku një bosht po drejton dhe vendet e tjera ndjekin për inerci.
Në situata të tilla të vështira, jo vetëm shëndetësore dhe ekonomike por edhe të një krize të pritshme identitare, nevoja për një front politiko-social i cili duhet të investoj për një sistem të fortë shëndetësor publik, të promojë ndërhyrjen e shtetit ku është e nevojshme në mënyrë demokratike dhe në favor të shoqërisë, është mëse i nevojshëm. Është e vërtetë se sot të gjithë po njohin që dobësitë e tregut janë mëse evidente dhe se rëndësia e shtetit dhe rritja e ndikimit të tij gjithëpërfshirës është e nevojshme. Për këtë arsye, pasi kjo situatë të jetë tejkaluar, është detyra jonë që në të ardhmen mos të kthehemi në politika edhe më radikale se të tanishmet si tendencë por edhe si dritëshkurtësi politike. Kjo mund të shmanget edhe nëpërmjet ndërtimit të modeleve qeverisëse të bazuara në qasjeve ideologjike që mbështesin drejtësinë sociale si edhe nëpërmjet politikave për zhvillimin e qëndrueshëm.
Pervec dobesive te neoliberalizmit,ky virus ve ne pah dhe ato te globalizimit. Kemi arritur ne piken qe vende te zhvilluara evropiane qe prodhojne aviona dhe arme te sofistikuara te mos jene ne gjendje te prodhojne maska per popullsine e tyre, por te varen nga Kina. Pastaj, nje virus qe shfaqet ne Kine perhapet ne te gjithe boten per shkak te levizjes se lire. Te shpresojme se dicka e mire do dali ne fund dhe qe ata qe vendosin per fatet e botes te arrijne ne te njejtat konkluzione me ty.