Numër i lartë i rasteve të reja, Kina drejt një vale të dytë në pandeminë e koronavirusit

13 Prill 2020, 13:41Bota TEMA

Kina raportoi numrin më të lartë të rasteve të reja në 6 javët e fundit. Në 24 orët e fundit u regjistruan 108 të infektuar, ku 98 prej tyre kishin ardhur nga jashtë.

Kjo shton frikën e Pekinit se udhëtarët e prekur nga Covid-19 mund të shkaktojnë një valë të dytë përhapjeje të virusit vdekjeprurës.

Qyteti i Wuhanit, epiqendër e koronavirust, u rihap pas 3 muajsh izolim. Kina raportoi në orët e fundit dhe dy viktima nga pandemia , ndërsa autoritetet i druhen përhapjes së fshehtë nga të infektuarit pa simptoma.

Shifrat janë relativisht të ulëta, megjithatë trendi është në rritje dhe kjo nuk është një shenjë e mirë për Kinën. Për të frenuar një valë të dytë qeveria e Pekinit ka shtuar kontrollet në pikat kufitare, ndërsa po testohen shumica e udhëtarëve që vijnë nga jashtë.

Ndërkohë, situatë më e qetë paraqitet në të gjithë kontinentin aziatik, me Korenë e Jugut që raporton shifra të ulëta. Sipas qeverisë së Seulit, 32 raste të reja u regjistruan në 24 orët e fundit, me një total prej mbi 10 mijë të infektuarish që prej shpërthimit të pandemisë.

I ulët është dhe bilanci i viktimave: 217 persona kanë humbur jetën në Korenë e Jugut nga Covid-19. Ndërkohë, virusi pandemik ka shqetësuar dhe Korenë e Veriut.

Lideri Kim Jong-un zhvilloi një mbledhje me zyrtarët më të lartë për të diskutuar masat kundër Covid-19.

Udhëheqësi i shtetit komunist konfirmoi dhe njëherë se nuk ka asnjë të infektuar dhe për këtë sukses përgëzoi masat strikte të vendosura prej kohësh.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje