Nga Kristaq Xharo
Grimca e virusit COVID-19 është 1000 herë më e vogël se gjerësia e fijes së flokut, megjithatë ajo e ka gjunjëzuar globin, ka shkundur themelet e rendit botëror dhe tronditur balancën e fuqive më të mëdha. Grimca e ka pushtuar botën, pa i shpallur luftë dhe bota nuk arriti të hedh asnjë fishek nga armët që i kish gati prej kohësh. Corona i tregoi botës, të mbytur në egoizmin e vet, se kish mbetur me shekuj pas. Të vetmit në frontin e luftës luftojnë ata që nuk do të prekeshin në asnjë lloj tjetër lufte –personeli mjekësor
Pandemia ka pushtuar gati të gjithë kryeqytetet e botës, por edhe vënë në dilemë apo këputur zinxhirët e famshëm të globalizmit, në pikat më të dobëta. Përveç presidentit gjerman Steinmeier, që konsideron përballjen ‘qëndresë’, gjithë liderët e tjerë e quajnë luftë. Pavarësisht prej dallimeve, armiku ka kapur jo vetëm vijën e sulmit por ka depërtuar në thellësi. Tashmë të vetmet kështjella të qëndresës kanë mbetur spitalet dhe mjekë e infermierë si ‘forca komando’ dhe të vetme. Është paradoks, sepse në çdo luftë mjekët dhe spitalet nuk renditen, në asnjë rast si forca luftimi, por kjo është një luftë ndryshe.
Të gjithë humbëm shansin për ta goditur armikun kur ai ishte në vend-dislokimin e tij, apo më tej të krijonin vija mbrojtëse e ta kundër-mësynin. Armët që kishim bërë gati për luftë ishin totalisht idiote pasi përballë kundërshtarit ishim një shekull me vonesë… Tashmë mësymjes globale të COVID-19 shtetet po i përgjigjen vetëm me luftë partizane. Secili shtet, në mungesë të vetëdijes globale, po lufton luftën e tij. Pamjet e përditshme nuk japin mjaft optimizëm për idenë e organizimit të një fronti dhe lufte globale, në të njëjtën mënyrë që janë sulmuar.
E sotmja është shumë e vështirë dhe për ditën pas të sotmes, mendimtarët më të shquar thonë se do të jetë tërësisht ndryshe. Pasojat e thella të pas pandemie do të ndjehen kudo. Dilema zmadhohet për aftësinë për tu përballur e madhe qëndron sa dhe si do të jemi të përgatitur për të pranuar këto ndryshime. Shenjat e para janë qartësisht të ashpra. Për individët sugjerohet të rilexojnë Darvinin, ndërsa shtetet po e kërkojnë ombrellën e sigurisë te ‘sovraniteti vestfalian’, ose për tu rikthyer atje ku u nisën para 400 viteve në Traktatin e Vestfalisë.
Jo vetëm shtetet, por edhe organizatat dhe aleancat ndërkombëtare duket se humbën axhendën e tyre, ose më së paku për atë që ishin krijuar. G7, me vendet më të fuqishme, nuk arriti të marr asnjë vendim. K. Sigurimit zhvillon lëvizje centrifugale siç ka bërë për 75 vjet, NATO u gjend pa strategji dhe kapacitete të përbashkëta për një sfidë të tillë, ndërsa i famshmi B. Europian mbeti në klasë dhe duket se ‘harroi’ për atë që ishte krijuar. Nuk dallohet ndonjë shenjë optimiste që edhe institucione e tjera globale apo rajonale të shfaqin ndonjë strategji të suksesshme për këtë armik.
Kisinger, mendimtari më jetëgjatë në majat e shkollave politike, me pamfletin e tij të famshëm për rendin botëror pas pandemie, le të kuptohet se tronditja ekonomike dhe sociale e pandemisë ka bërë shumë më tepër për mbylljen e kufijve, për de-globalizimin, ndërprerjen e zinxhirëve të furnizimit dhe margjinalizimin e institucioneve shumëpalëshe se gjithë përpjekjet më të zjarrta të nacionalistëve populistë kudo në botë.
Megjithatë, një ditë, shpresojmë sa më shpejt, kjo betejë do të përfundojë, por jo lufta. Pasojat e kësaj beteje do të jenë shumë të rënda, por jo të fundit. Shkenca ka parashikuar që beteja të tjera edhe më të vështira priten. Paradoksi qëndron se të gjithë flasin për pasoja, por përgatitja është në mjegull. Të gjithë pyesin kur të dalim në fundin e kësaj krize, nën rrënojat e ekonomisë, sigurisë dhe sistemit shëndetësor, kur njerëzit janë plotësisht të tronditur, në cilin drejtim do të shkojmë të gjithë? Presidenti Trump, në sloganin e tij, “America First” shprehet se “…ne do të jemi një komb krenar, i prosperuar, i pavarur dhe i sigurt në vetvete, të ndikuar nga askush. Por, edhe liderët e tjerë globalë me pak dallime po renditen në këtë linjë.
Bota po ndryshon dhe ky ndryshim do të jetë i thellë.
Corona i vendosi kombet përballë dilemës së mbijetesës. Shtetet e mëdha kanë më pak rreziqe të dështojnë, të vegjlit edhe në këtë rast janë më të rrezikuarit dhe shumë më shumë prej tyre priten të dështojnë. Pra, kombet e vegjël janë kufijtë e mbijetesës. Edhe ne jemi një komb i vogël. Është koha që përveç shansit, duhet të rigjejmë, të organizojmë e të mirë-menaxhojmë burimet e kufizuara kombëtare të fuqisë nëpërmjet një strategjie kombëtare. Ndoshta për të rikuperuar atë që duket se është harruar që prej revolucionit demokratiko-borgjez të vitit 1990, për 30 vjet, nevojën për strategji dhe rivlerësim të burimeve të fuqisë.
Si të gjithë shtetet, është koha për të menduar për një model të plotë të strategjisë kombëtare, që aktualisht qe përshtatet me sfidat e reja, një strategji që të ketë të sinkronizuar edhe sigurinë edhe ekonominë edhe burimet kombëtare të fuqisë. Dhe një strategji kombëtare që referon kombin, përtej kufijve të shtetit. Kambanat kanë rënë dhe të gjithë ndjemë se si shtetet vrapuan të mbledhin bashkëkombësit e vet ne çdo cep të globit. Ne e kemi të pamundur të veprojmë si fuqitë e mëdha pasi kemi burime të kufizuara fuqie. Por edhe për veçoritë, e kombit tonë, pasi gjendemi në trojet tona në 5 shtete dhe gjysma tjetër e kombit e shpërndarë nëpër botë. Ne kemi të gjitha mundësitë për një strategji madhore kombëtare e cila mund ti arrij dhe afrojë shqiptarët kudo që ndodhen. Kjo strategji nuk është luftë kundër askujt, por mbijetese, sigurie dhe prosperiteti. Kjo strategji ngrihet mbi ndarjet politike kudo ku jetojnë shqiptarët dhe ka në bazë interesat vitale. E integruar edhe brenda rajonit edhe më gjerë partnerët kjo strategji bëhet më jetike. Le ta quajmë ‘mbijetesë e mençur’.
E nesërmja do të jetë ndryshe e tillë duhet të jemi edhe ne. Fillesat e veta, mendimi për të nesërmen, ndoshta duhet ta nisim me një koncept tjetër për luftën. Ndoshta duke braktisur shkakun themelor të saj, atë që themeluesi i strategjisë moderne Klausevitz e shpreh në “ … lufta është vazhdimi i politikës me mjetet e tjera…”
Coronavirus nuk është ‘mjet’ dhe aq më pak mund të përdoret për qëllime politike. Ai është shumë më i fuqishëm, është vetë kuptimi i luftës dhe pothuaj po i përmbys gjithë teoritë sociale apo politike. Ilaci dhe rruga më e mirë mund të jetë ideja e filozofit dhe strategut të lashtë kinez Sun Tzu në Arti i Luftës kur shprehet se “ fitimtarë fitojnë e më pas shkojnë në luftë, ndërsa të mundurit shkojnë në luftë dhe më pas kërkojnë fitoren..” Ne na vlen vetëm strategjia e fitores dhe në këtë moment nuk vend që dikush ti shmanget frontit. Pas fitores mbi corona, liderët politikë le ti kthehen edhe luftës së tyre.(Gazeta Liberale)
PËRSHËNDETJE !
POLITIKA SHQIPTARE E PAS VITEVE ’90 KA NXJERRË LIDERË, KA NXJERRË DREJTUES POLITIKË KRYETARË PARTISH POR ASNJËHERË STRATEGË !!!
NË PARLAMENTIN SHQIPTAR EDHE NË KËTË TË SOTMIN MUND TË KESH ISH STUDENTËT E TU POR ASNJË NGA ATA TË KALIBRIT QË KËRKOHEN PËR TË BËRË ANALIZAT PËR TË NGRITUR STRATEGJI.
STRATEGJIA VJEN DHE FARKËTOHET KUR KA BASHKIM TË TË GJITHË FAKTORËVE POLITIKË KOMBËTARË PAVARËSISHT KUFIJVE KU JEMI SHPËRNDARË.
AJO DUHET TË JETË GJITHËPËRFSHIRËSE ASPAK PËRJASHTUESE DHE ME AFAT KOHOR TË MIRËPËRCAKTUAR.
KOHA E SAJ NUK PRET.
AJO DUHET TANI.
AJO DUHET SOT.
AJO NA KËRKON TË GJITHËVE TË THEMI PO !
PO PËR STRATEGJINË !
PO PËR STRATEGUN !
” LUFTA” E SOTME APO EDHE QËNDRESA XHANËM ËSHTË LUFTË PËR EKZISTENCË.
” LUFTA ” E DJESHME, E SOTME E NESËRME ËSHTË LUFTË PËR EKONOMINË.
DHE LUFTA NDAJ COV-19 NUK MUNDET E AS NUK FITOHET PA EKONOMI.
KËTË LLOJ LUFTE TË SHQIPËRISË, VENDIT KU NA RA FATI TË LINDIM TË RRITEMI E TË VDESIM PREJ KAQ E KAQ BREZASH TË VARFËR MUND TA BËJ VETËM BASHKIMI PSE ???
SEPSE PAS BASHKIMIT VJEN HARTIMI I STRATEGJISË DHE MË PAS DEL STRATEGU QË E ZBATON ATË STRATEGJI.
DHE STRATEGJIA FILLESËN E KA TEK ARSIMIMI…!!!
STRATEGJIA PËR ARSIMIMIN E KËTIJ POPULLI QË PAS 100 VJETËSH TË TJERA TË MOS THONË BREZAT PASARDHËS TË VARFËRIT NE…TË VARFËR ISHIM TË VARFËR MBETËM…
NUK KA ZHVILLIM DHE EKONOMI PA ARSIMIM.
KUSH E BËRI AMERIKËN…???
KUSH E BËRI GJERMANINË…???
KUSH DUHET TA BËJË KËTË VEND ATËHERË…
INJORANCA DHE PADITURIA…!!!
QË FILLON PIKËRISHT ATY NË FOLTOREN E KUVENDIT.