Nga Enver Robelli
Në kohërat e luftës dhe të krizave fundosen shumë iluzione.
1. Dëshpërimi dhe vdekja e Robert Bialekut
Polakët i thonë: Wrocław, gjermanët i thonë: Breslau. Sot është një qytet në jugperëndim të Polonisë, dikur ishte qytet i rajonit gjerman të Shlezisë (Schlesien). Në këtë qytet u lind më 1915 Robert Bialek. Që në moshën 13-vjeçare ai u bë anëtar i Rinisë Punëtore Socialiste. Pak para moshës 20-vjeçare u arrestua dhe dënua me 5 vjet burg nga nazistët për shkak të veprimtarisë kundër regjimit të Adolf Hitlerit. Pas daljes nga burgu vazhdoi aktivitetin kundër nazistëve. Më 1944 kaloi në ilegalitet dhe kur erdhi Armata e Kuqe sovjetike në Breslau, Bialek nuk e fshehu entuziazmin.
Pas takimit me komandantin sovjetik, të cilit i ofroi ndihmë, ai u kthye në shtëpi, ku kuptoi se gruaja e tij ishte dhunuar. “Instinktet kafshërore të dy ushtarëve të rëndomtë sovjetikë e përmbysën botën time, gjë që nuk kishin arritur ta bënin torturat naziste apo teknikat subtile të bindjes”, tha Bialek.
Më 27 gusht 1953 Robert Bialek u arratis në Gjermaninë Perëndimore, prej nga filloi të komentojë për programin në gjermanisht të BBC-së. Më pak se tri vite më vonë, më 4 shkurt 1956, në një aksion të shërbimit sekret të Gjermanisë lindore Bialek u kidnapua dhe transferua në Berlinin lindor, ku vdiq në rrethana të panjohura.
2. Apologjeti i Stalinit
Në fillim të viteve 1930, britaniku Walter Duranty ishte korrespondent i “New York Times” nga Moska. Në histori ka hyrë si gazetar prostalinist. Kur Stalini me politikat e tij të kolektivizimit i çoi në vdekje nga uria miliona ukrainas, Duranty tha: “S’mund të bësh omëletë pa thyer vezë”.
Walter Duranty ishte ndër ata persona që më 1933 e bindën presidentin amerikan Franklin D. Roosevelt të pranojë Bashkimin Sovjetik. Duranty e siguroi Rooseveltin se fjala “bolshevik” e ka humbur sekretin dhe tmerrin e mëhershëm. Bashkimi Sovjetik, sipas Duranty, është duke u bërë “normal”.
Kjo ishte njëra ndër rrenat më të mëdha të shekullit të 20-të, siç do të tregonte historia në dekadat e ardhshme.
Në historinë e “New York Times” raportet e Duranty nuk qenë dështimi i vetëm. Kur Hitleri erdhi në pushtet, gazeta amerikane i kushtoi një portret, në të cilin shkroi: “Hitleri flet si një njeri që e ka veten nën kontroll dhe pa dyshim është i sinqertë. Hitleri ka dorën e ndjeshme të artistit”.
3. Merre atë që ke gllabëruar
Në nëntor të vitit 1943 në Teheran u takuan lideri sovjetik Stalini, kryeministri britanik Churchill dhe presidenti amerikan Roosevelt. Në atë takim dhe në takimin tjetër në Jaltë në shkurt 1945 u vendos për ndarjen e sferave të interesit dhe ndikimin gjeostrategjik të Fuqive të Mëdha. Pakkush bëhej merak për fatin e popujve të nënshtruar. Një popull i tillë ishin polakët, të sulmuar dhe pushtuar nga gjermanët dhe sovjetikët.
Kur në Teheran ra fjala për kufijtë polakë, Churchill i tha Stalinit se mund ta mbante pjesën e Polonisë lindore, të cilën e kishte gllabëruar më 1939. Polonia, sipas Churchillit, do të lëvizte drejt perëndimit. Churchill e ilustroi këtë me tri kuti të shkrepëseve, të cilat paraqisnin Gjermaninë, Poloninë dhe Bashkimin Sovjetik. Stalinit i pëlqeu kjo ide.
Në Jaltë, Roosevelti propozoi me gjysmë zemre që kufiri lindor i Polonisë të tërhiqej në atë mënyrë që të përfshinte qytetin Lwow (Lwiw, Lemberg) dhe fushat me naftë në rrethinë. Stalini nuk qe parimisht kundër, por askush nuk e shtyri ta pranojë dhe u hoq dorë nga kjo ide. Kështu u vendos për përkatësinë shtetërore të mijëra njerëzve. Lwow (Lwiw, Lemberg) u bë pjesë e Bashkimit Sovjetik. Sot është qytet në Ukrainë.
4. Cinizmi dhe mizoria e Stalinit pas ankesës së komunistit jugosllav Millovan Gjillas
Më 30 prill 1945 Adolf Hitleri bëri vetëvrasje. Kështu mori fund jeta e një tirani që shkaktoi tragjedi planetare. Një javë më vonë, më 7 maj 1945, gjeneralkoloneli Alfred Jodl nënshkroi kapitullimin e Wehrmacht-it (ushtrisë naziste). Tashmë Armata e Kuqe sovjetike kishte depërtuar në shumë pjesë të Evropës Lindore dhe në Berlin. Ushtarët sovjetikë kishin hapur portat e kampeve naziste të shfarosjes (Auschwitz-Birkenau, Majdanek, Stutthof, Sachsenhausen, Ravensbrück).
Shumë njerëz në Evropën Lindore e patën ndjenjën e çlirimit nga Armata e Kuqe. Por së shpejti çlirimi u shndërrua në tmerr, terr dhe pushtim. Një ndër tmerret më të mëdha ishte dhunimi i mijëra grave nga ushtarët dhe oficerët sovjetikë.
Kur komunisti jugosllav Millovan Gjillas, ndër intelektualët e paktë të botës komuniste, u ankua te Stalini mbi sjelljen e keqe të ushtarëve sovjetikë, lideri moskovit e pyeti malazezin Gjillas nëse si shkrimtar nuk mund ta kuptonte “nëse një ushtar, i cili ka kaluar mijëra kilometra nëpër gjak dhe zjarr dhe vdekje, bën qejf me një grua apo merr me vete diçka”. Bërja e qejfit ishte: DHUNIM. Krim. Krim lufte. Marrja me vete e diçkaje ishte: grabitje grash ose plaçkitje pasurie.
Nën tutelën sovjetike liderët e tjerë komunistë nuk guxuan të hapin fare këtë temë. Gjillas ishte ndër të vetmit. Dëshmitar i mizorive të ushtarëve sovjetikë ka qenë edhe Aleksandër Solzhenicini, i cili më 1945 mori pjesë në marshimin e Armatës së Kuqe në Prusinë Lindore.
Në një poezi, Solzhenicin shkroi: “Nëpër mur si avull depërton – një psherëtimë: / Të gjallë e gjej vetëm nënën. / A ishin shumë mbi dyshek? / Një kompani? Një njësi? Ç’rol luan! / Vajza – ende fëmijë, menjëherë e vrarë. / Gjithçka sipas parullës: / ASGJË NUK ËSHTË HARRUAR! ASGJË NUK ËSHTË FALUR! / GJAK PËR GJAK! – dhe dhëmb për dhëmb. / Kush ishte e virgjër, bëhej grua, / dhe gratë – së shpejti kufoma”.
Dhe te gjitha keto marezira behen ne emer te popullit, te lirise dhe te ideologjive shoqerore, politike e fetare!
Perderisa shkruan per pubblikun shqiptar, agjitatori antiamerikan duhet te kete minimumin e informacionit qe ne shqip shkruhet Silezia dhe Lvov. Lemberg ne Austro -Hungarine ka patur qeveritare lokale dhe qendror austriake, borgjezine dhe inteligjencen polake dhe shumicen e popullsise ukrainase. Fati historik donte qe shumica te kishte te drejten te jetonte ne shtetin e vet. Njejte me shembullin e Kosova Republik per hir te se ciles agjitatori Robell na ndot perdite koshiencen shqiptare me nje kembengulje perverse, shumica vendos. Atje ku ka mbivendosje popujsh, loja e shkrepseve eshte zgjidhja me mire pasi korridorri i Danzing , sherbeu si casus belli per nje lufte boterore. Sigurisht qe per hir te tre fshatrave serbe qe kosovaristet duan ti perdorin si kavie per eksperimentin jugosllav te radhes, politika amerikane nuk do te luaje me jeten dhe parane e taksapagesve amerikane pafundesisht. Ment e kokes ne vend se pa SHBA mund te perfundoni si Koninsbergu, pa nam e nishan.Loja e shkrepeseve kurr nuk mbaron nese nuk i jepni fund papergjegjshmerise dhe mosmirernjohjes tuaj.
Brravo , qartesi mendimi e jashtezakonshme
Qartesi mendimi me e ulet se e …gomarit tim plak!
Vetem se i mungon samari!