Nuk ua zuri goja një fjalë të mirë

21 Prill 2020, 09:43Blog TEMA

Nga Prof.As.Dr. Artan XH. DUKA

Askush nuk ka sferë magjike të parashikojë ecurinë e pandemisë por premisa e masave ndaj saj dhe kritikat përkatëse duhet të jetë fakti se pa të drejtën e jetës, asnjë e drejtë qytetare, demokratike dhe ekonomike nuk ka jetë.  

Mbarë bota po pret me ankth “eurekan” ndaj kësaj pandemie me bilanc ditor lufte ku ruajtja e jetës mbetet prioritet absolut. Si kudo, edhe tek ne, ngërçi ekonomik, ndikimet social-psikologjike, kufizimi i të drejtave qytetare etj, po rëndon më tej koston e kësaj pandemie shoqëruar me debat rreth qasjes e masave të përballimit të saj.

Qeveri të ndryshme kanë qasje të ndryshme dhe synimi mbetet balanca mes mbrojtjes të jetës dhe normalitetit të saj. Krahasimet mes qasjeve në vënde të ndryshme nuk janë të drejtëpërdrejta teksa çdo vënd ka veçori, stil jetese, demografi, shpërndarje urbane, kapacitete shëndetësore, fuqi ekonomike etj të veçantë. Akoma më hipotetik është krahasimi i ndikimit të një strategjie me mungesën e saj (citimet zyrtare të humbjeve njerëzore në mungesë të masave kufizuese). Koha do të tregojë por si luftë e përbashkët që është, pritet transparencë dhe vendosmëri nga qeveria dhe dhënie shëmbulli, mbështetje dhe rekomandime të arsyeshme nga opozita përballë.

Mes dy “zjarreve”, ruajtja e jetës qoftë dhe me koston e përkohshme të lirive dhe ruajtja e lirive qoftë dhe me çmimin e pakthyeshëm të jetës, edhe opozita duhet të bëjë zgjedhjen e saj.  

Ata që akuzojnë për “diktaturë” dhe se me preteksin e pandemisë po kufizohen të drejtat qytetare, bëjnë mirë së pari të përshëndesin mbrojtjen e jetës, sakrificën e personelit shëndetësor dhe masat e shpejta kufizuese që shmangën rëndimin e situatës në vënd. Ndryshe, kësaj opozite nuk ia gjen dot; ose të damkos autokrat kur ndërmerr masa kufizuese që shpëtojnë jetë, ose je fajtor për humbje jetësh kur neglizhon apo heziton me masat në kohë.

Në situatë lufte nuk ecet me qasjen “ma ngrohe, ma ftohe gomarin” apo karshillëkun “sikur të isha unë…”. As nuk ndihmon kauzën e përbashkët, as nuk lehtëson atmosferën të nderë gjithsesi, as nuk i bën vetes favor! Nga opozita pritet më së paku fjala e mirë. Shqipëria e ka relativisht nën kontroll këtë epidemi dhe sa kohë jeta po mbrohet mirë, opozita bën mirë të thotë fjalën e mirë. Për të gjithë ata që kanë kontribut, qeverinë përfshirë.

Siç ka të drejtën të kritikojë dhe sugjerojë për më mirë, ashtu ka edhe detyrimin që, në kushte lufte të përbashkët, të urojë e motivojë të gjithë që përballen me të. Duke u distancuar ndërkohë nga përfoljet e masave kufizuese, aludimet fyese ndaj personelit shëndetësor, telefoni i prishur i konspiracioneve pafund, sfidat publike të “trimave” ndaj rregullave, kukuvajkat e “statistikave” të kobit, konfuzioni mediatik që pështjellon etj.

Masat e qeverisë hanë plot debat dhe qeveria duhet të reflektojë ndaj sugjerimeve racionale nga opozita apo publiku gjërë. Por, me karron në baltë, opozita, të gjithë sipër saj, duhet të japin një dorë dhe jo të futin shkopinj nën të. Askush, qeveria e opozita po ashtu, nuk kanë të vërtetën në “xhep” të akuzojnë tjetrin pa teklif. Kanë vetëm në dorë vullnetin dhe fjalën e mirë për të mbrojtur jetën me çdo çmim.

Opozita nuk vulos zgjidhjen por ka shansin e detyrimin për t’u bërë pjesë e saj. Të gjithë do e mirëprisnim testimin masiv dhe rekomandimi opozitar duhet konsideruar për prioritetet në testim sikurse të gjithë duhet të biem dakort se nuk ka pemë magjike nga ku shkunden “para” dhe testimet janë “fotografi” e çastit, deri e pjesshme e realitetit dhe jo “video” kuptimplotë por tepër e kushtueshme e dinamikës së tij.

Pandemia është një sfidë ndaj jetës e jetesës së përbashkët që nuk të fal kohë për karshillëk politik. Opozita bën mirë të mos abuzojë politikisht dhe qeveria bën mirë të mirëkuptojë thirrjet për më shumë hapësirë e liri qytetare që nuk bie ndesh me sigurinë e jetës.

Agresiviteti i kësaj pandemie nuk lë hapësirë për hezitim. Përballë së panjohurës dhe kapaciteteve të limituara njerëzore e teknikës mjekësore (tragjikisht edhe në perëndim mjekët u detyruan të zgjedhin mes jetëve), nëse shejtani del nga shishja, barra ndaj sistemit shëndetësor dhe pritshmëritë ndaj qeverisë do të kapërcenin çdo limit.

Masat kufizuese ishin e para gjë që kishim në dorë për të shpëtuar jetë. Ndryshe bilanci mund të rëndohej, veçanërisht ndaj brezit të tretë që i detyrohemi aq shumë e sot kalon një pleqëri modeste me një barrë sëmundjesh pas.

Por dhe masat duhen riparë vazhdimisht. Gjithnjë me prioritet të drejtën e jetës, qeveria duhet të mendojë më shumë hapje për të gjithë. Nëse dalja për blerje ditore 90 minuta në mjedise të mbyllura dhe të dëndura publike si supermarketet quhet e pranueshme, pse jo edhe mundësia e përditshme për një shëtitje të shkurtër në natyrë apo mjedisin përreth. Do të përdoret po ai ashensor, shkallë, trotuar dhe shesh nga ku shkohet çdo ditë për në treg dhe sa kohë vet-respektohet distancimi social dhe policia është rrotull, nuk ka vënd për panik shtesë.

Do të ishte e mirëpritur çdo mundësi për më shumë hapësirë e kohë jashtë për të gjithë, shoqëruar kjo me paralajmërimin e këshillimin masiv dhe prezencën e kudondodhur të policisë.

Nuk janë të gjithë gazetarë që të bredhin lirisht por është në dinjitetin e qeverisë dhe qytetarit në demokraci që, sesa imponimi nga lart, e përditshmja të rregullohet më së pari me vet-kufizimin e kujdesin ndaj vetvetes si qytetar. Nuk është fillimi që qytetari mund dhe t’a merrte lehtë. Lajmet i shohin të gjithë dhe kushdo e do familjen dhe kokën e tij dhe nëse dikujt i merr erë, policia të bëjë punën e saj. Një mundësi sikurse edhe në perëndim ku lejohet dalja për ushtrime fizike apo si familje një herë në ditë, sa kohë respektohet distancimi social me të tretë dhe zona e lëvizjes (psh. brënda 2 km të banimit).

Vetë koha për blerje duhet të shtohet për të shmangur flukset nëpër dyqane, mundësinë për blerje të domosdoshme në më shumë se një pikë, blerjet për të tretë (prindër të moshuar, të pamundur etj) bashkë me kohën për t’i lëvruar ato dhe një minimum kontakti njerëzor në këmbë tek dera me këtë rast.

Lëvizja me makinë në funksion të blerjeve, sa kohë shmanget rrëmuja e parkimit, lehtëson më tej sepse jo vetëm garanton distancim social në rrugë por dhe mundëson dalje më të rralla gjatë javës për syresh.

Ndërkohë qeveria nuk duhet të vijojë me qasjet me dy standarte ndaj qytetarit. Sullacot “VIP” nëpër plazhe, grisja e gjobave për kundërvajtje gjatë kufizimit etj krijon zhgënjim tek qytetari korrekt ndaj rregullave dhe ligjit edhe kur ka rezerva për to. Një vazhdë kjo e politikës me dy faqe dhe klienteliste të tranzicionit që diskriminon një palë kundrejt tjetrës nga ligji famëkeq 7501 që sanksionoi se “prona tek shkon tek më i zoti dhe jo tek i zoti”, që diskriminoi me mijra familje që 1990 i zuri në banesa shtetërore ish-pronë private, që gjithnjë përflitet për një amnisti fiskale për lekët pa letra(!), ku ligji “tigër” ndaj qytetarit katandiset “pulë” ndaj politikanit etj pafund.

Pandemia është kohë testimi për këdo, politikën përfshirë. Me të drejtën e jetës së qytetarit nuk bëhet politikë. Pandemia siç erdhi dhe do shkojë por ca gjëra do të kujtohen gjatë!

2 komente në “Nuk ua zuri goja një fjalë të mirë”

  1. Epo kjo pune says:

    Ky takem edhe pa virus rrine larg pale tani qe i thote dhe OBSH te mbajne distance!!! Hajde se gjithe zullumqaret do I beje bashke drejtesia se amerika nuk ka kohe te tepert te tallin menderin ca ketu, opozita te pakten te tregojne nje minimum pergjegjshmerie dhe si kohe lufte, ta ulnin tyten dhe te ofronin mesazh besimi e shprese se mileti po dalldis brenda kater mureve ndersa qeveria te reflektoje se nese beka gjemen gjysem ore shetitje vetem tek pulle ose me familjen po daljet ne treg perdite!!! Ka shendet fizik dhe shendet men for njekohesisht

  2. mendimi says:

    Mos interpretoni sipas parimit “dhe me ha dhe me gris.”. Ndershmeria dhe sinqeriteti njeriut, jo i atyre qe i quajme njerez por nuk jane (humane), eshte ta thote te verteten troç dhe pa ekuivoke. Sot eshte koha te shpetojme jeten dhe te shuhen te gjitha te tjerat. Sepse eshte njeriu me mendjen e tij qe do ti ringrere prape , bile me mire se ç’i kishe, se ka pervojen dhe shume gjera te tjera qe nuk i kishte shekuj me pare. Mua me duket tragjike kjo çeshtje e ketij virusi. Ajo pjese e shkences qe i ka sherbyer kesaj katastrofe, eshte kriminale. Dhe vete Anshtanji u pendua per ate qe beri kur e pa se shkencen e shfrytezoni kriminelet politike. KJo eshte koha: ose vdes ose shpeton, prandaj duhet bere hysmet jetes. Po rumbetohet se pas ketij virusi bota do te jete ndryshe! Po ndryshe do te jete, por po u la ne doren e miljardereve do te jete katastrofe me keq se virusi. Dhe do shikoni pa punesi, ulje pagash, krim, droge, poshtersi… ndersa Gjiri i Lalezit per Shqiperine do te jete “lule mos me prek” i mbrojtur me roje te paduksheme. Po lobojne njerezit per pushtet duke derdhur miljona dhe nga ana tjeter “qajne” per te varferit. Perdora nja dy tre fjale turqisht, por ta kuptojne me mire mosha e trete qe bota “moderne” ka vendos ti asgjesoje nepermjet corones , tu ngreje moshen e pensionit dhe ne fund ti fuse ne varre te panjohur ku do kete vetem ferra , driza, dhe gjarperinj. lalezi do lulezoje.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje