▪Shqipëria, Mali i Zi dhe Kroacia, dje vendet me numrin më të lartë të të shëruarve ditorë në rajon
▪Në vendin tonë përqindja e të shëruarve kundrejt numrit të të prekurve gjithsej u ngjit në nivelin 59.4 për qind
▪Në të gjitha vendet e rajonit ballkanik treguesi i numrit të të shëruarve ndaj të sëmurëve gjithsej është në përmirësim
▪Ritmet e rritjes ditore të të prekurve të rinj në Europë kanë shenjuar në tërësi ulje
▪Në kahje jo të mirë dhe me tregues me lëkundje kanë qenë Brazili e India
▪Përkeqësim relativ i treguesit të shtimit të të sëmurëve të rinj gjatë ditës së djeshme në Botë, por përsëri trendi mbetet në kahje pozitive
(E-group-i ndërdisiplinar “Në ndjekje të pandemisë” paraqet relacionin e vet ditor për gjendjen e sëmundjes së shkaktuar nga Corona-virus-i në vendin tonë, në Europë dhe në Botë gjatë ditës së djeshme)
Numri i të shëruarve nga Corona-virus-i në Shqipëri kundrejt numrit të të prekurve gjithsej dje u ngjit në nivelin 59.4 për qind. Së bashku me Malin e Zi dhe Kroacinë, vendi ynë ka dëshmuar dje kështu treguesin më të lartë të të shëruarve në rajon. Në Tiranë numri i të shëruarve shkon në 64.6 për qind, ndërkohë që Korça e ka këtë tregues në nivelin 94 për qind, Fieri dhe Elbasani në mbi 80 për qind, ndërsa katër qarqe: Vlora, Gjirokastra, Dibra e Berati kanë aktualisht nga zero deri 2 të sëmurë gjithsej.
Në të gjitha vendet e rajonit ballkanik treguesi i shërimeve kundrejt të sëmurëve gjithsej është përmirësuar, në shkallën nga 1 deri 3 për qind plus.
Ritmet e rritjes ditore të të prekurve të rinj në Europë gjatë 24 orëve të fundit kanë shenjuar në tërësi ulje. Në gjithë kontinentin tonë ky tregues u vërtetua në nivelin 1.85 për qind; në vendet kryesore perëndimore – nga 0.44 për qind deri 1.7 për qind, ndërsa në tërësi në vendet e tjera e në rajon – nën 3 për qind. Përjashtim bën Rusia, e cila ka shenjuar një rritje ditore prej 7.35 për qind, duke vazhduar kështu trendin ulës prej disa ditësh.
Në shkallë botërore dje numri i të sëmurëve rishtas ka pasur një rritje prej 2.5 për qind, nga 2.3 për qind një ditë më parë. Por përsëri trendi mbetet pozitiv. Në po këtë nivel ka qenë rritja e numrit të të sëmurëve edhe në SHBA dhe Britaninë e Madhe. Në kahje jo të mirë dhe me tregues me lëkundje kanë qenë Brazili e India, gjegjësisht me rritje 9.6 për qind dhe 6.3 për qind. Përkeqësim ka pasur edhe treguesi i humbjeve në jetët njerëzore, ku është shenjuar rritje në nivel botëror, për shkak të ndikimit të nivelit të tyre të lartë në SHBA dhe Brazil.