Basha rrëzon projektin e Berishës për protesta, merr vendim për të nisur takimet me qytetarët

13 Maj 2020, 09:17Politika TEMA
Basha rrëzon projektin e Berishës për protesta, merr vendim

Kryetari i Partisë Demokratike duket se ka ndryshuar strategji. Tërmeti i 26 nëntorit dhe mbërritja e koronavirusit hodhi në “erë” planet e opozitës për të rikthyer protestat, me qëllim rrëzimin e qeverisë e çuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme.

Por i ndodhur përpara kësaj situate, kryedemokrati Basha ka bërë dje një lëvizje surprizë, ndërsa ka vendosur të zhvillojë takime të përditshme me qytetarët për të dëgjuar hallet e tyre dhe propozuar zgjidhje.

Ky vendim është marrë gjatë mbledhjes së djeshme që Basha zhvilloi në selinë blu me aleatët e PD, ndërkohë që gazeta ka mësuar detaje nga ato që janë diskutuar mes krerëve të partive opozitare.

Sipas informacioneve, mësohet se zoti Basha fillimisht ka informuar aleatët mbi shqetësimet dhe kërkesat e paraqitura gjata takimeve që ka zhvilluar gjatë javës me përfaqësuesit e bizneseve, ndërsa është shprehur se në kushtet kur qeveria iu ka kthyer krahët qytetarëve, aksioni opozitar sipas tij, do të shtrihet në takime të përditshme në të gjithë Shqipërinë.

“Qeveria i ka braktisur. Nuk i dëgjon, nuk i pret, nuk do t’ia dijë për shqetësimet dhe problemet e tyre. Është detyra jonë jo vetëm të jemi zëri i tyre, por të ridimensionojë planin tonë për shpëtimin e ekonomisë, për ruajtjen e vendeve të punës, duke marrë parasysh pasojat që ka krijuar kriza. Qytetarët po humbin vendet e punës dhe situata është emergjente.

Duhet angazhim i shpejtë dhe intensiv nga të gjithë ne. Kam parë dhe takuar vetë njerëz që nuk kanë marrë asnjë lek ndihmë nga qeveria. Biznese që nuk kanë përfituar asnjë ndihmë dhe po mbyllen. Edi Rama nuk mendon për shqiptarët, por për karrigen e tij.

Ai i dërrmoi të varfrit dhe shkatërroi shtresën e mesme. Është përgjegjësia jonë të jemi pranë tyre”, mësohet të jetë shprehur Basha.

Më pas, në mbledhje mësohet se ndër të tjera është diskutuar në detaje menaxhimi i situatës nga qeveria, si edhe është argumentuar se qeveria e keqmenaxhoi krizën e shkaktuar nga pandemia në dëm të shqiptarëve. “

Qeveria e keqmenaxhoi krizën e shkaktuar nga pandemia në dëm të shqiptarëve. 41.5 milionë euro ka dhënë Edi Rama për 3 milionë shqiptarë, ku janë qindra e mijëra të papunë dhe biznese gati për t’u mbyllur. Ndërkohë që kaq i ka dhënë qeveria oligarkëve të vet për 2 km rrugë tek Unaza e Re”, mësohet të jetë shprehur kryedemokrati.

Rikthimi i protestave të kërkuara me aq ngulm nga ish-kryeministri Sali Berisha, si e vetmja rrugë që do të bëjë të mundur rrëzimin e qeverisë “Rama”, nuk është diskutuar fare. 

Madje, mësohet se diskutimi është fokusuar vetëm tek situata dhe menaxhimi që po bën qeveria, pas mbërritjes së Covid-19 dhe se artikulimet për zgjedhje të parakohshme dhe rikthim të protestave duket se tanimë i përkasin së shkuarës. 

Kjo do të thotë se kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, jo vetëm që nuk ka ndërmend të thërrasë qytetarët në protesta, por ka injoruar kështu totalisht thirrjet e ish-kryeministrit Sali Berisha për revolta. 

Pra, në kushtet kur Basha dhe aleatët e tij kanë vendosur që të nisin takimet me qytetarët për t’iu ardhur në ndihmë e dëgjuar shqetësimet e tyre, plani i Berishës për protesta ka rënë. Megjithatë, mbetet për t’u parë në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.

1 komente në “Basha rrëzon projektin e Berishës për protesta, merr vendim për të nisur takimet me qytetarët”

  1. ..dhe , siguro qe 7×7=42 ne zgjedhjet e 2029 , jaaaarebi mund te fitoje PD + LESHELI (LSI) + aleatet me ne krye “tasqebap e dopio raki e pilaf e grosh e qofte te LZHK e Dashamir buzeshtremtit” , me jo ma sim se 50,001%. Liri Demokraci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje