Rreziku i zgjedhjeve në sistemin e vjetër; përse nuk administrohen nga një trupë ndërkombëtare?!

14 Maj 2020, 19:08Politika TEMA

Nga Ylli Pata

Partia Socialiste, në zgjedhjet e vitit 2017 premtoi përpara shqiptarëve për të marrë timonin e vetme, krijimin e një drejtësie të re të pakorruptuar e cila do të niste pastrimin e politikës dhe votën e emigrantëve, që do të jetë gati për zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

Në fakt këto të dyja, janë ҫështjet thelbësore të shqetësimit publik në Shqipëri, i cili ka investuar mjaft besim në pastrimin e politikës nëpërmjet drejtësisë së re dhe kthimin e një të drejte elementare qytetare për gjysmën e kombit shqiptar, e cila kontribuon prej vitesh për vendin e tyre, por që nuk mund të shprehë A-në e një procesi demokratik-votën e lirë.

Në të gjitha vendet e Ballkanit: që nga Kroacia në Maqedoni, mërgimtarët votojnë rregullisht dhe madje kanë qenë vendimtarë me votën e tyre për të përcaktuar drejtimin politik të vendit.

Sot 3 vjet pas zgjedhjeve të vitit 2017, reforma në drejtësi është në formën e saj ende të plotë dhe ende nuk dihet kur do të nisë spastrimi i politikës së korruptuar.

Ndërkaq, vota për emigrantët është anuluar sërish pasi për këtë nuk ka konsensusin nga opozita e PD-së dhe LSI-së. Madje kjo opozitë ka kërkuar që të ndalohet implementimi i një administrate zgjedhore të depolitizuar dhe kërkon të ketë gjyqtarë në Kolegjin Zgjedhor prej atyre që nuk kanë kaluar vettingun. Pra një rikthim në pikën zero të politikës shqiptare: sistemit klientelist të zgjedhjeve me komisionerë partiakë që kanë rezultuar se janë e pakta orientues dhe ndikues të vullnetit politik, ndërkohë që ka vendime gjyqësore që këta komisionerë kanë manipuluar zgjedhjet.

Opozita e Bashës dhe e Kryemadhit, ka bërë të ditur se nuk ka besim tek administrimi i zgjedhjeve nga një klasë apolitike pasi thekson se mund të manipulohet nga Rama, po ashtu duke qenë kundër reformës për drejtësinë, nuk i beson gjyqtarëve që nuk kanë kaluar vettingun,

Por kjo opozitë nuk ka dhënë asnjë variant alternativ të administrimit të zgjedhjeve pa u kthyer në skemën e vjetër të komisionerëve partiakë, ku gjithsesi ka më shumë se njëmijë ide sesi mund të realizohet administrimi fair i zgjedhjeve.

Qoftë edhe duke kërkuar që të paktën në këto zgjedhje përzgjedhjen dhe trajnimin e një kontigjenti elektoral profesionist ta kryejë një trupë ndërkombëtare e udhëhequr nga SHBA e BE.

Kthimi në pikën zero duket si një rrotullim në asgjë dhe ofendim për vullnetin e mijëra shqiptarve që kërkojnë përmbysje të kësaj mënyreje të të bërit politikë.

Pikërisht, kjo trupë ndërkombëtare mund të realizojë me besueshmërinë edhe të opozitës, një administrim të votës të miliona shqiptarëve që jetojnë në SHBA, vendet e BE-së, Britaninë e Madhe, apo Australi e Zelandë të re.

Dalja hapur kundër votës së shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit si parim është një akt politik shumë i rëndë, që asnjë parti, qoftë edhe koalicion nuk mund ta bëjë.

Nëse PD e LSI ka motive të forta, le ta ҫojë ҫështjen në referendum, e atëherë do të shikonim ardhjen në vendlindje të qindra mijëra emigrantëve vetëm që të bëjnë të mundur jetësimin e një të drejte që e kërkojnë prej kohësh.

Maqedonia dhe Kosova, dy vende fqinj që afërsisht kanë standard të përafërta të institucioneve kanë vite që e zbatojnë votën e emigrantëve dhe tashmë kjo votë ka qenë pjesë e jetës politike që ka ndikuar edhe në përfaqësimin më të mirë të vendit.

Në Kosovë, Albin Kurti siguroi primatin e grupit parlamentar në Kuvend falë votës së mërgatës. Shembuj të tillë ka plot.

Nëse zgjedhjet e reja do të kryhen me standardin e vjetër të numëruesve mercenar të tre partive kryesore, si dhe regjenca në Kolegj të modeleve të vitit 2011, atëherë del se e gjithë vota e shqiptarëve në 2013 dhe 2017 është dhënë vetëm për të sjellë Edi Ramën dhe ministrat e tij në qeveri, e asnjë efekt tjetër eminent reformues për vendin.

Pranimi më gjysëm zëri i kërkesave të PD-LSI nga Damian Gjiknuri, duke propozuar një takim Rama-Basha për një Pazar të radhës politik, thjesht do të sillte një dejavu të pangrënshme për publikun shqiptar. Me ҫfarë rekordesh politike, kjo mazhorancë do të kërkonte mandatin e tretë nëse rikthehemi sërish në sistemin e vjetër?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje