Rriten rastet e reja, Koreja e Jugut kthen masat shtrënguese

28 Maj 2020, 12:17Bota TEMA

Koreja e Jugut do të rikthejë masat shtrënguese nga nesër, pas raportimeve për një rritje të rasteve ditore me koronavirus. Muzeumet, parqet dhe galeritë e arteve në Seul do të mbyllin dyert nga e premtja, ndërsa kompanive do t’u kërkohet që të kufizojnë oraret për punonjësit.

Lajmin e bëri me dije ministri i Shëndetësisë së vendit aziatik, Park Neung-hoo, pasi sot, në Korenë e Jugut, u raportuan 79 raste të reja, numri më i lartë që nga 5 prilli.

“Kemi vendosur për të shtrënguar masat e karantinës në Seul për dy javët e ardhshme. Ftojmë qytetarët që të shmangin grumbullimet dhe të mos shkojnë në bare apo restorante”, tha ministri.

Ai shtoi se nëse në 7 ditët në vijim do të regjistrohen më shumë se 50 raste në ditë, atëherë Koreja e Jugut do t’i rikthehet plotësisht karantinës.

Distancimi social në Korenë e Jugut është lehtësuar javët e fundit, me muzeumet dhe kishat që janë hapur. Gjithashtu, disa sporte si futbolli dhe bejsbolli kanë nisur sezonin e ri, edhe pse pa tifozë. Edhe nxënësit janë kthyer në shkolla këtë javë.

Frika për një valë të dytë të Covid-19 në Kore do të rrisë shqetësimin edhe për shumë vende evropiane, të cilët kanë marrë të njëjtat masa për ta parandaluar këtë valë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje