Analisti dhe gazetari Mustafa Nano e sheh si të pamoralshëm qëndrimin e opozitës parlamentare lidhur me marrëveshjen për reformën zgjedhore. Në studion e TvT, Nano tha se e ashtuquajtura opozita e re nuk i ka kredencialet për t’u imponuar, përsa kohë ka mbështetur me votë shumë projektligje të qeverisë.
“Nuk e di sa kompaktë janë deputetët e opozitës parlamentare. Të majtët po të duan votat e tyre kanë për ti marrë. Shumica e shqiptarëve mendojnë se opozita parlamentare është joserioze. Shumë prej tyre janë qesharakë. Nuk kanë kredencialet për t’u imponuar. Nuk u shkon ta bëjnë në një kohë kur sa herë i është dashur maxhorancës, kanë votuar”.
Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, propozoi sot datën 9 maj për zgjedhjet e përgjithshme, duke iu referuar simbolikës së antifashizmit në Europë. Nano e cilësoi këtë lëvizje si një provokim i lehtë.
“Nuk shoh sensibilitete të ndryshme lidhur me antifashizmin. Në përgjithësi antifashizmi njihet si vlerë. E bërë nga Taulant Balla, del si provoikim. Ai e ka thënë për të bërë një provokim të lehtë”, tha ai.
Nisjen e procesit të përzgjedhjes së kandidatëve mbi parimin “një anëtar – një votë”, të cilën Partia Demokratike e bëri të ditur një ditë më parë, Nano e sheh thjesht si propagandë. “Mendoj që kjo gjë shkon aty ku vullneti i masave është i maturuar. Nuk kam shumë besim te modeli amerikan i aplikuar në Shqipëri. Nuk kam besim te disponimi i Lulzim Bashës me kompani. Qëllimi i tyre është të bëjnë propagandë”, tha ai.