Dhionis Grabocka
(23 janar 1938 – 27 nëntor 2019)
Bëjmë shumë mirë që shkruajmë për çdo njeri të fisëm e bujar që ndahet nga jeta. Aq më tepër kur janë të realizuar në kontribute e vlera.
Është një vlerë e shtuar, kur ata përfaqësojnë një plejadë specialitetesh, në fusha të rëndësishme të ekonomisë, kulturës dhe artit për të cilët ne flasim jo pak.
Por jo pak i rëndësishëm është kontributi i inxhinierëve e specialistëve, që projektuan edhe ndërtuan në vite vepra të rëndësishme të ekonomisë shqiptare. Një ndër ta ishte edhe Dhionis Grabocka.
Ai lindi në Vithkuq, më 23 janar 1938, i edukuar me dashurinë për dijen dhe ndjenjën e punës së ndershme në një familje me tradita liridashëse. U largua shpejt nga vendlindja, por mori me vete hijen e rëndë, të burrave atdhetarë vithkuqarë, që ideuan vizionin fatbërës të Atdheut. Fëmijëria e tij kaloi përmes katrahurës së Luftës së Dytë Botërore. Ai do të shihte si digjej mes përflakësh shtëpia e lindjes, do shihte nënën e tij me vëllanë e porsalindur që do u shpëtonin plumbave duke u fshehur pyjeve, nga përpjekja me pushtuesit nuk do të kthehej më në shtëpi gjyshi, Josif Grabocka, i cili ra dëshmor për lirinë e Atdheut. Vitet e pas luftës do të kishin për kryefjalë mbijetesën dhe ëndrrat për të ardhmen. E ardhmja e djemve të “Evëtarit” të Naum Veqilharxhit do të ishte ringritja e jetës mbi gërmadhat e grumbujt gurëve që digjni e nxirrnin tym, por nuk ishin vrarë shpresat për ditë më të mira. Ngjyrat e mrekullueshme të natyrës së malësisë së Vithkuqit u falnin fëmijëve besimin tek vetja. Së pari u rindërtua shkolla. Arsimimi i brezit të ri ishte përgjegjesia e parë ndaj vetes dhe të tjerëve. I edukuar me ndjenjën e lartë ndaj detyrës dhe shpirtin e sakrificës për të triumfuar ndaj vështirësive, Dhionisi do të shquhej gjithë jetën.
Në vitin 1956 mbaroi shkollën e mesme në Tiranë, Politeknikumin, dhe po atë vit fitoi të drejtën e studimit në Poloni për inxhinier mekanik miniere. Aty, kujton shoku i tij i universitetit, Arqile Teta, u dallua si student i zellshëm me aftësi të veçanta, dhe u formua me dije bashkëkohore. I dashur dhe i shkuar me të gjithë shokët shqiptarë, por dhe me studentët e kombësive të tjera, si inxh. Środa, H. Konieczko, J. Vacllavik, A. Miga, R. Jabllorishi, e tj. miqësi të cilat e ruajti deri në fund të jetës, dhe në takimet e festat jubilare të universitetit.
Dhionisi, pas përfundimit të studimeve, më 1962 iu ngarkua detyra e vështirë të hapte dhe të vinte në shfrytëzim minierën e atëhershme të bakrit në Gjegjan të Kukësit. Detyrë e vështirë, por jo e pamundur. Në acar e në zheg, në pluhur e në baltë, duke ndarë me minatorët e thjeshtë, batanijet brymësuara në kushte të jashtëzakonshme të dimrave të egër. Ai punoi shtatë vjet me vullnet të pa hepur, duke drejtuar, vlerësuar e ruajtur mbi të gjitha jetën e njeriun e punës. Vlera e këtyre specialistëve që kanë punuar në kushte shumë të vështira, kujtohen me respekt si një pune heroike, për t’i marrë tokës thesarin e për ta kthyer atë në pasuri kombëtare. Për ne që i njohëm nga afër, idealizmi i tyre buronte prej formimit njerëzor e profesional. Pasionin për dijen e punën ai, e bekonte edhe tek brezat e rinj, jo vetëm në familjen e madhe tek fëmijët e tij, nipër e mbesa, por edhe në shoqëri.
Pas kasaj pune të shkëlqyer dhe me rezultate të pamohueshme, pasi kishte përballuar situata të vështira e me përgjegjësi për kompetencën e aftësitë profesionale të shquara, transferohet në Tiranë, si punonjës i Ministrisë së Minierave dhe Industrisë dhe më vonë në Ndërmarrjen e Tregtisë së Jashtme. Asnjëherë, kujton bashkëshortja e tij Donika, ai nuk fliste për veten e problemet e punës. Ishin kolegët e tij nëpër takimet e ndryshme që do të tregonin episodet, e Dionisi i përcillte me humor e buzëqesjen e pandarë nga fytyra.
Në vitet 1983 – 1988 Dhionisi punon si atashe i tregtisë pranë ambasadës sonë në Paris. Edhe këtu, tregoi vlerat e një karakteri të fortë, të pa koruptueshëm, të ndershëm e bujar me specialistët e huaj, në përputhje me interesat e vendit. Familja e tij do të priste, shokët e miqtë që i çonte puna në ato vite në Paris. Mikpritese, gjithnjë e hapur si shtëpia e tij në Vithkuq.
Dhionisi radhitet në plejadën e inxhinierëve të shkëlqyer të Todo Manços, Muzak Kallajxhi, Minella Hidos, Ligor Gurës, Hajredin Shtinos e të tjerëve, të cilët mbas përfundimit të studimeve në Poloni, në Akademinë e Minierave e të Metalurgjisë të Krakovit (ose siç njihet në botë University of Science and Technology in Krakow), u kthyen në Atdhe dhe filluan punën në miniera të ndryshme, do të thoshte ne fjalën e lamtumirës, miku i jetës, kolegu i nderuar Arqile Teta, Të gjithë këta, dhanë një kontribut të rëndësishëm e të shquar në zgjerimin, zhvillimin dhe intensifikimin e industrisë së minierave të Shqipërisë. I takon shoqërisë shqiptare t’i njohë këto eksperienca si burim frymëzimi për brezin e rinj të shkencëtarve e specialistëve të sotëm, në rimëkëmbjen e ekonomisë në mënyrën më efikase të të gjithë pasurive kombëtare.
I takon çdo gjenerate të formojë elitat e saj drejtuese, por shteti duhet të sigurojë vazhdimësnë e punëve të nisura.
Është bukur të jetosh me dinjitet, është nder të lësh një emër të papërlyer, si inxhinier Dhionis Grabocka.
Zhuljeta Grabocka
Shume poshte keni rene ju Tema me keto shkrime patetike. Keni filluar me obituare? Nese kjo eshte motra, ka shkruar si sekretare partie. Na nxori mallin. Futja kot me llafe. Lere pastaj c’lidhje ka fotografia e maratonomakut hajde merre vesh?! Duhet te nderohet e respektohet puna e njerzve idealist, por jo nga shkrime kot te familjareve te tyre. Nejse u prehte ne paqe!