Një tunel i posaçëm dezinfektues është instaluar në rezidencën zyrtare të presidentit rus Vladimir Putin, jashtë Moskës për ta mbrojtur atë nga koronavirusi.
Numri një i Kremlinit ka punuar nga shtëpia përmes videokonferencave, gjatë shpërthimit të pandemisë së covid-19, e vetëm pak persona janë lejuar të hyjnë atje.
Cilido që kalon përmes tunelit i nënshtrohet një dushi dezinfektues që mbulon veshjet dhe lëkurën e vizitorëve, siç tregohet edhe në një video të shfaqur nga agjencia e lajmeve RIA Novosti.
Agjencia thotë se njoftimi për instalimin e tunelit ishte bërë nga Ivan Belozertsev, guvernatori i rajonit Penza të Rusisë. Sipas tij, teknologjia ishte zhvilluar nga një kompani lokale e quajtur Motors Technologies, e cila monton pajisje për automjete dhe operacione industriale.