Me rikthimin e futbollit të Superiores në fushë frika për interferimin e virusit në lojën më të dashur të shqiptarëve ishte e madhe, por sot që loja i ka kaluar të gjitha testet, Covid-19 duket se ka kaluar barrierat burokratike të zyrave duke infektuar ekranin.
Java e 29 shënoi një precedent të pazakontë, ndoshta edhe rast i veçantë studimi për katedrat ndërkombëtare të cilat duhet të japin leksione se si nuk duhet menaxhuar një kompeticion që ngjall kaq shumë interes.
Brenda 48 orëve, Superiorja konsumoi një javë delikate dhe një ndeshje të shëmtuar për sytë e ndjekësve nga ekrani i televizorit.
Pasi nuk u interesua për të shpërblyer me ndeshje pa pagesë publikun për sakrificën që u detyrua të bënte gjatë dhe pas izolimit, Federata Shqiptare e Futbollit kërkoi të arkëtonte shumën që sipas rregullores i detyrohet transmetuesi privat.
Për të dytin sezon rresht transmetuesi, sipas federatës, nuk ka derdhur asnjë qindarkë dhe vetë institucioni bëri një bllokadë të papritur vetëm pak orë përpara javës së 29.
Me gurin dhe arrën në dorë, FSHF njoftoi gjithashtu se java do të ishte e aksesueshme në versionin online, pavarësisht faktit a kanë apo jo mundësi dhe njohuri tifozët e njerëzit e thjeshtë për të klikuar në linkun apo linqet e propozuar.
Si për të treguar vërtet se mund të shtinte me pistoletë, me një plumb manovër federata shtiu mbi “Selman Stermasi” gjatë festivalit të golave të Partizanit.
Shqiptarëve që kishin një kontratë me transmetuesin me pagesë, u mohoi të drejtën për të përfituar shërbimin për të cilin kishin paguar. Ironike, e padrejtë ndaj tifozëve të cilëve u është mohuar e drejta e hyrjes në stadiume për arsye që tashmë të gjithë i dimë por ai plumb ishte manovër dhe qëllimin për të trembur armikun e arriti.
Vetëm pak orë përpara nisjes së maratonës së të hënës me 4 ndeshje të tjera, FSHF kaloi nga versioni kërcënues në atë paralajmërues me një klauzolë të veçantë, sfidat u rikthyen në paketën “pay per view” por kujdes, ndoshta jo deri në fund.
Javës tjetër, avaz i vjetër. Abonentëve nuk u mbetet gjë tjetër veçse të kryqëzojnë gishtat që paketa të cilës i kanë besuar të derdhë këstin e radhës ndërsa federata të cilës paketa i ka besuar, të vendosë dorën në zemër. (Rtsh)