Prishja e ndërtimeve pa leje në Lezhë, kryebashkiaku Ndreu quan keqinterpretim përplasjen me ministrin Lleshaj

18 Qershor 2020, 11:57Politika TEMA

Një javë më parë, në një takim për turizmin, kryetari i Bashkisë Lezhë Pjerin Ndreu, e cilësoi aksionin “abuziv pa pyetur qeverinë vendore”, madje duke kaluar edhe në një përplasje verbale me ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj.

Mirëpo duke folur për Euronews Albania, Ndreu tha se ka pasur një “keqinterpretim të situatës” siç e konsideroi ai raportimin në media për përplasjen dhe kundërshtitë e Bashkisë Lezhë ndaj prishjeve të ndërtesave.

“Kërkesën për prishje e ka bërë Bashkia Lezhë dhe për disa ndërtesa kemi rënë dakord që të prishen, ndërtesat që u prishën të mërkurën, por debati ka qenë për ndërtesa të tjera që për shkak të madhësisë së tyre dhe problemeve që krijonin me inertet dhe faktit se ndodheshin në zona të populluara e kishim problem t’i sillnim në normalitet.

Nuk bëhet fjalë për aksionin e së mërkurës, ai ka qenë në harmoni të plotë me Bashkinë,” – sqaroi Ndreu në intervistën me gazetaren Esmeralda Mulaj duke këmbëngulur se pronarët e ndërtesave janë njoftuar prej një muaji për shembjet.

I pyetur nëse atyre u janë dërguar shkresa zyrtare, Ndreu e konfirmoi se “janë firmosur personalisht” nga ai duke pretenduar se ua ka dërguar.

“Abuzojnë, gënjejnë, janë pa leje dhe aksioni do të vazhdojnë dhe asnjë subjekt që ushtron aktivitet në një ndërtesë pa leje nuk do të lejohet të hapet këtë sezon. Një herë e mirë duhet të merret vesh se nuk bëhet më biznes pa asnjë lloj letre, pa asnjë taksë.

Unë nuk kam qenë kurrë kundër prishjes së ndërtimeve pa leje apo pro ndërtimeve pa leje, problemi shtrohet këtu se disa prishje ka kosto të madhe në raport me menaxhimin e territorit dhe kthimin e plazhit në normalitet,” – argumentoi Ndreu, i cili zbuloi se në shtator është caktuar për një fazë të dytë prishjesh.

Gazetarja Mulaj e pyeti se përse aksionet nuk u lanë të gjitha për në shtator duke qenë se aktualisht sezoni turistik ka nisur, mirëpo Ndreu tha se ndërtesat kanë mbi 30 vite pa leje dhe “çështja nuk shtrohet nëse ata duheshin lënë edhe këtë sezon turistik, por se si mund të menaxhohen më mirë aksionet”.

Ndreu akuzoi sipërmarrësit që pretendojnë të jenë pronarë në bregdet “se kanë për krenari paligjshmërinë”, pasi ata “nuk kanë letra”. Kryebashkiaku i Lezhës pretendoi se ndërhyrja aktuale nuk e dëmton turizmin, përkundrazi rregullon vijën e plazhit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje