Miratohen pagesat për 3 mijë familjet e prekura nga tërmeti dhe rindërtimin e 200 shtëpive të para, Veliaj: Lagjet e reja më cilësore dhe me hapësira dinjitoze

19 Qershor 2020, 15:29Sociale TEMA

Pak muaj nga tërmeti tragjik i 26 Nëntorit, Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi sot pagesat e para në dorë për 3 mijë familje, shtëpitë e të cilave pësuan dëme që mund të riparohen, të kategorisë DS1, DS2, DS3. Po ashtu, u miratua edhe rindërtimii200 banesave të shpallura të pabanueshme nga Instituti i Ndërtimit. Ky proces u realizua në kohë rekord, duke bërë të mundur që familjet të kompensohen shumë shpejt nga fondi i rindërtimit. Në mbledhjen online të Këshillit Bashkiak, që u zhvillua sot, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se me miratimin e 3 mijë dosjeve të para, qytetarët mund të vazhdojnë t’i kryejnë vetë riparimet e shtëpisë së tyre.

“Sot janë 3 mijë familje të kategorive DS1, DS2 dhe DS3 që marrin pagesat cash. Do të vazhdojmë kështu, nga 3 mijë në çdo mbledhje, që t’i afrohemi sa më shpejt shifrës së 10 mijë dosjeve, të gjitha nga tërmeti i nëntorit”, tha Veliaj. Ai dha lajmin e mirë se shumë shpejt do të nisë puna edhe për rindërtimin e 200 shtëpive të para, kryesisht në zonat rurale të Tiranës.

“Kemi gati edhe 200 dosjet e para për shtëpitë që do të rindërtohen, kryesisht në zonat rurale. Nuk bëhet fjalë për pallatet, por për shtëpitë private familjare. Me këtë lot hapen disa kantiere pune në shumë prej zonave rurale të Tiranës, për të filluar në kohë rekord edhe ndërtimin e shtëpive. Për 200 dosjet e shtëpive të reja do të procedohet me një kontratë me operatorin që do ta ndërtojë. Sigurisht, kontrata na lipset pasi të marrim çelësat në dorë, që të kemi mundësi ta hipotekojmë. Për të gjithë këto procedura, çdo njësi administrative do të informojë qytetarët që përfitojnë nga procesi i rindërtimit”, tha ai.

Veliaj kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për të mos abuzuar me aplikimet. “Duhet të kuptojmë se ky është grant solidariteti; pra, qeveria nuk e ka detyrim me ligj, por ka vendosur që ta ketë këtë dëshirë për solidaritet. Ky është një fond solidariteti dhe nuk vlen për shtëpinë e dytë, të tretë apo të katërt. Nëse dikush zotëron disa shtëpi, nuk përfiton nga ky fond solidariteti. Ky fond është ekskluzivisht për ata që kanë vetëm një banesë dhe kjo banesë është dëmtuar nga tërmeti”, tha kryebashkiaku.

Sipas tij, rindërtimi i shtëpive të reja do të bëhet bazuar në numrin kurorave në familje. “Bëhet fjalë për të ndihmuar ata që, sipas kurorave, kanë nevojë x metra katrorë, siç parashikohet nga ligji dhe akti normativ. Ndaj, për të gjithë të tjerët që kanë dy apo tre shtëpi, dua t’i sqaroj se thjesht vonojnë nevojtarët, duke aplikuar për shtëpinë e dytë apo të tretë. Nuk është ky rasti për abuzim, as për përfitim nga grantet e qeverisë”, deklaroi Veliaj.
Pjesë e projektit historik të solidaritetit do të jetë edhe rindërtimi i pallateve të shpallura të pabanueshme. Kryebashkiaku i Tiranës tha se deri më tani në kryeqytet janë rreth 41 pallate në listë për t’u prishur dhe rindërtuar nga e para. “Janë pallate kryesisht në zonën e Kombinatit, disa në Kinostudio dhe shumë më pak në zonat e tjera. Me t’i pasur të gjitha procesverbalet, do të vijmë në Këshill Bashkiak. Do të presim nëse do të ketë të tjerë që janë në proces verifikimi nga inxhinierët, të cilët na japin përfundimin nëse një ndërtesë qëndron dhe mund të rikuperohet, ose nëse duhet t’i hapim udhë një lagjeje të re, ku do të ndërtojmë jo vetëm me më shumë cilësi, por edhe me hapësira shumë më dinjitoze”, sqaroi ai.

Veliaj falenderoi anëtarët e Këshillit Bashkiak për ndihmën në dhënien në kohë rekord të dëmshpërblimeve të tërmetit. Ai shtoi se ndryshe nga qeveria e mëparshme, e cila nuk dha dëmshpërblimet e përmbytjeve, qeveria e sotme e gjeti zgjidhjen shumë shpejt. “Po i japim dëmshpërblimet në më pak se 10 muaj nga tërmeti i nëntorit; pra,mbaruampagesat për tërmetin e shtatorit, po përurojmë shtëpitë e reja të atij tërmeti, dhe tani në kohë rekord po bëjmë kompensimet për tërmetin e nëntorit. Nuk është njëmoment për të bërë politikë, por ju kujtoj përmbytjen e Shkodrës: U deshën 10 vite dhe qeveria e Edi Ramës për të bërë atë kompensim. Fakti që në 10 muaj, zgjidhëm një nga burokracitë më të vështira dhe më të komplikuara, besoj se i bën nder dhe meriton mirënjohjen tonë”, tha ai.

Por, krahas projektit të rindërtimit dhe të dhënies së pagesave cash, Bashkia e Tiranës këtë periudhë ka ndihmuar edhe biznesin për faljen e taksave, si dhe për ndihmën ndaj familjeve më në nevojë me pako ushqimore. Veliaj njohu anëtarët e Këshillit Bashkiak me projektet infrastrukturore, të cilat nuk janë ndalur as gjatë pandemisë. Ai bëri të ditur se po punohet me intensitet tek Unaza e Re, për ndërtimin e 17 shkollave të reja, këndeve të lagjeve, rehabilitimit të blloqeve të pallateve, si dhe për furnizimin me ujë të pijshëm të qytetit.

2 komente në “Miratohen pagesat për 3 mijë familjet e prekura nga tërmeti dhe rindërtimin e 200 shtëpive të para, Veliaj: Lagjet e reja më cilësore dhe me hapësira dinjitoze”

  1. Zigur Qarri says:

    Erion Veliaj, Antinjeriu i përjetshëm. Nga Elona Caslli
    Nga ç’natë delirante dhe e ethshme, më ngjizën kaq të madh dhe kaq të panevojshëm ?- do t’i bënte pyetjen vetes një poet, dikur.
    E njëjta pyetje, më vjen ndërmend teksa përballem çdo here me Erion Veliajn. Ai është njëkohësisht edhe i madh edhe krejt i panevojshëm.
    Nëse Niçja na flet për Mbinjeriun, Veliaj mishëron Antinjeriun.
    Veliaj është i denjë të vlerësohet si rast studimit në rracën njerëzore. Mishëron me përpikmëri antinjeriun e kohëve moderne. Veliaj përfaqëson denjësisht atë çka një njeri nuk duhet kurrë të jetë.
    Padituria e tij në nivele të frikshme dhe ligësia e tij e pashmebullt, na bëjnë të rikthemi seriozisht tek pyetja e poteti- Ç’natë e ethshme dhe delirante do të ketë qenë nata kur u ngjiz Antinjeriu?
    Çdo njeri vjen në jetë për të përmbushur një detyrë të caktuar. Antinjeriu vjen në jetë për t’u treguar njerëzve metamorfozën e njeriut.
    Çmojmë virtytin falë ekzistencës së vesit, çmojmë Njeriun falë ekzistencës së Antinjeriut.
    Antinjeriu Veliaj, ka guxuar t’i etiketojë djemtë shqiptarë “zdromsa”.
    Djemtë shqiptarë nuk kanë pasur “ fatin” të ngjizen në netë të ethshme dhe delirante.
    Djemtë shqiptarë nuk kanë pasur “fatin” të shesin fiq dhe me të ardhurat e fiqve të kryejnë ‘“studimet “ në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
    Djemtë shqiptarë nuk kanë pasur “fatin” të gjenden në krye të një lëvizjeje fantazmë dhe në ballë protestash, ku boja e kuqe servirej si gjak.
    Djemtë shqiptarë nuk kanë pasur “fatin” të martohen në kështjellë dhe të organizojnë histeri kolektive që kushtojnë miliona lekë, me kursimet e mamasë.
    Djemtë shqiptarë nuk kanë pasur “fatin” të mbysin familje të tëra me gaz në banesa pa u gdhirë ende dita.
    Djemtë shqiptarë nuk kanë pasur “fatin” t’i përdorin të skamurit si dekor propagande dhe të xhirojnë telenovelën e “ Pornos me varfërinë.
    Djemtë shqiptarë nuk kanë pasur “fatin” të shembin Teatrin Kombëtar në zemër të natës.
    Djemtë shqiptarë nuk kanë pasur “fatin” të përdorin vdekjen e Maks Velos për të rehabilituar figurën politike pas shembjes së Teatrit, duke kryer atë proces që quhet ”Porno me vdekjen”.
    Djemtë shqiptarë nuk kanë pasur “fatin” të ndërtojnë një park, që mund të përdoret vetëm në ditët me diell.
    Djemtë shqiptarë nuk kanë pasur shumë mundësi që ka pasur antinjeriu Veliaj. Lista është e pafundme dhe mund të përmblidhet veçse me një fjalë- Antinjeri.
    Antinjeriu Veliaj duhet të lexojë edhe një herë pjesëmarrjen në zgjedhjen e 30 qeshorit. Aty do të gjejë vlerën dhe domethënien e tij jo vetëm si kryebashkiak, por edhe si Antinjeri.
    Post Scriptum- Djemtë shqiptarë u ngjizën në netë të qeta dashurie dhe si rrjedhim janë krejt modestë dhe të dobishëm për prindërit e tyre, për gratë e tyre dhe për fëmijët e tyre.
    Antinjeriu Veliaj është i madh dhe i panevojshëm kurdo dhe kudo.

  2. Met Selita. says:

    Po mbushin vitin qe mjaft familje jane jasht e ky sharlatani vazhdon akoma te beje projekte ne leter.Megalloman e mashtrues si gjithmone kryehajduti i Tiranes.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje