Diskutimi i parë mbi fondin e rimëkëmbjes dhe buxhetin ishte shumë pozitiv, deklaroi presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen në përfundim të samitit europian.
“Drejtuesit e BE-së deklaruan se donin një marrëveshje para gushtit dhe janë të vetëdijshëm se suksesi i planit të rimëkëmbjes varet edhe nga miratimi i tij i shpejtë”, theksoi presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
“Ne po kalojmë tashmë në një fazë të re bisedimesh dhe ne synojmë të zhvillojmë një samit në mes të muajit korrik. Para këtij samiti, do të prezantoj propozime konkrete për të bërë përpjekje të arrijmë në një vendim. Ne jemi shumë të vetëdijshëm se një vendim duhet të merret sa më shpejt të jetë e mundur”, theksoi presidenti i Këshillit Europian Charles Michel.
“Ekziston një konsensus në zhvillim mbi fondin e rimëkëmbjes dhe pasqyrat financiare, por në të njëjtën kohë nuk duhet të nënvlerësojmë ndryshimet në vizion në pika të ndryshme. Ne duhet të vazhdojmë bisedimet”, shtoi ai.
“Shuma totale e buxhetit të BE-së dhe Rimëkëmbjes, zbritjet, proporcioni i kredive dhe granteve, kushtëzimet dhe kriteret e shpërndarjes, këto janë çështjet për të cilat diskutimi mbetet shumë i vështirë”, theksoi presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel.
“Në ditët në vijim do të duhet të punojmë për këtë, ne do të përpiqemi të përshpejtojmë negociatat për të pasur një diskutim të dobishëm në korrik, sot ndjeva se ekziston një vullnet i përbashkët politik për të vepruar”, nënvizoi Michel./