Rudina Xhunga: Gjirokastra këtë verë nuk njihet, shko ta shijosh vetë

21 Qershor 2020, 13:40Turizëm TEMA

Nga Rudina Xhunga

Këtë verë shkoni në Gjirokastër. Gjirokastra ju do, do e doni edhe ju më shumë kur ta vizitoni. Prandaj edhe ne po jua tregojmë përmes “Shqiptarët e mrekullueshëm” që t’ua ngulisim në mendje dhe zemër Gjirokastrën e Kadaresë. Por ajo Gjirokastra me shtëpi muze, që mban era gjalpë, byrek dhe petulla nuk është vetëm e Kadaresë, por edhe e juaja.

Ndaj nëse doni të shkoni në jug, mos synoni vetëm detin, ndaloni në Gjirokastër e do t’ju kënaqet zemra e syri. Mos ia lini Gjirokastrën vetëm turistëve të huaj, por shijojeni edhe vetë. Sepse siç thotë edhe kryebashkiaku, Flamur Golemi, është koha për turizëm patriotik.

“Është momenti që të gjithë ta bëjmë këtë me dashuri, për vendin tonë, por edhe për bizneset. Jo vetëm e shijojmë Gjirokastrën, por mbështesim njëri-tjetrin. Është momenti për të vizituar, parë dhe shijuar bukuritë e vendit tonë.”, shprehet Flamuri.

E nëse mbrëmja ju zë rrugicave të Gjirokastrës, do të keni ç’të shihni. Hyni në rrugicën e pazarit që tani është rikonstruktuar dhe ju pret me suvenire të bukura. Gjirokastra nuk njihet vetëm për rrugët me kalldrëm, çatitë apo shtëpitë karakteristike, por edhe për pazarin e mbushur plot me suvenire, që tregojnë gjithë qytetin. E njëri prej tyre ishte mbushur plot me histori, nga Kalaja e Gjirokastrës, te Shtëpia e Zekatëve dhe Kulla e Sahatit, veshjet karakteristike të zonës nuk kanë si të mungojnë. Por gjëja më e bukur është të shihni nën këmbët e tuaja një pus 400-vjeçar.

Dyqani para 100 vjetëve ka qenë kafene dhe uji për të bërë kafet nxirrej nga pusi. Pronarët e dyqanit e dinin që kishte një pus aty, e kërkuan, e gjetën dhe e nxorën para turistëve pa e ndryshuar. Para se të ikni mos harroni të merrni diçka në dyqan, që ta keni kujtim dhe të riktheheni sërish në Gjirokastër.

Por ju do të ktheheni prapë sepse do t’ju mungojë, muzika e bujtinave, mbrëmjeve. Edhe nëse ende mendoni dhe thoni: “S’kam çfarë të bëj po vajta në Gjirokastër”, e keni gabim. Keni bujtina me aromë borziloku, muzikë fizarmonike dhe pamje që të kënaq sytë, ku mund të kaloni një mbrëmje fantastike. Ah, edhe raki, se nuk mund të shkosh në Gjirokastër dhe të mos provosh rakinë.

“Në Gjirokastrës nuk shijohet vetëm historia, por edhe kulinaria.”, rrëfen kryebashkiaku ndërsa bashkë me gazetaren Rudina Xhunga bëjnë gëzuar me raki në dorë, ulur në një bujtinë te pazari. Tani në verë, bujtinat, tavernat, restorantet i gjeni plot dhe po nuk nxituat të shkoni, do t’i gjeni edhe më plot me turistë vendas dhe të huaj.

Ndërsa ecin në një rrugicë të pazarit, Golemi i tregon gazetares se këtë rrugë ia kanë kushtuar të rinjve. Dyert e mbyllura ju presin juve që të hapen. Rrugica e të rinjve ju pret juve që të shkoni dhe të kënaqeni.

“Kur të vish në Gjirokastër dhe të ecësh në ato rrugica me kalldrëm, para se të gjesh vendin e duhur për të ngrënë darkën mos harro të kesh një fustan mëndafshi me vete. Por për këpucë, vish atlete.”, sugjeron Rudina.

E ndërsa mbrëmjen do ta kalosh në rrugicën e të rinjve, me muzikën e bujtinave dhe një teke raki Gjirokastre, mëngjesi nuk të shijon më shumë se në rrugicën e Hotel Gjirokastrës, me diell, lule, reçel qershie, me mjaltë, karkanaqe e trëndafila. Çfarë nuk ka Gjirokastra, të mbush shpirtin, zemrën dhe sytë.

“Oh çfarë arome. Tavan lulesh te Hotel Gjirokastra. Kur të vish në Gjirokastër hajde patjetër këtu. Unë kam ardhur shumë vite më parë, dhe kam ngrënë një mëngjes që më ka mbetur në mendje dhe erdha ta pi kafen këtu. Nuk ishin këto lulet, por ishte përsëri kaq bukur. Në Gjirokastër janë të etur të të presin. Ka njerëz që mendojnë se në Gjirokastër vijnë vetëm të huajt edhe nuk e kanë gabim. Të huajt e dinë çfarë është më e mira jonë.”, thotë Rudina ndërsa sugjeron se tani është koha më e mirë për ta vizituar Gjirokastrën, hotel më hotel, sokak më sokak, rrugë më rrugë, mace më mace, petull më petull, shtëpi më shtëpi, muze më muze. Është e gjitha që ju pret juve këtë verë.

Por nëse shkoni në Gjirokastër dhe nuk ndaloni te furra e Premtos të hani byrekët me gjizë dhe spinaq, zëre se nuk keni shkuar fare. Aty është gjithë lezeti. Të shijosh byrekët 300-vjecarë të Premtoja. Sepse siç thotë dhe Rudina, do të provash byrekët që s’i ke ngrënë ndonjëherë, në asnjë vend tjetër, do të të mbeten në mendje:

“Ju kujtoni se këta janë byrekë, si çdo byrek. Jo, more jo. Këta byrekë janë 300-vjeçarë. Janë modestë gjirokastritët, thonë 1903-shin. Por në fakt në 1903-shin, furra është restauruar. Është 300-vjeçare. Që kur është bërë pazari, është bërë edhe furra. Zjarri ka 300 vjet që ndizet në këtë furrë, dhe bën byrekun më të mirë që keni provuar ndonjëherë, në Gjirokastër, Sarandë, në Korçë, në Vlorë e kudo. Ky zjarri më kujton fëmijërinë, kur shikoja tavat që futeshin te furra e lagjes. Por asgjëkund nuk është ruajtur tradita, ndërsa këtu po.”

Pronarja e Premtos tregon se, në zonën muzeale nuk ka ikur asnjëherë tradita e pjekjes në furrë. Që nga byrekët që ka mbetur si traditë, te bakllavatë, mishrat, bakllavatë për dasma e Vit të Ri. Dhe sekreti i byrekëve nuk është te gatimi, por te pjekja, ndaj të shijojnë kaq shumë.

11 komente në “Rudina Xhunga: Gjirokastra këtë verë nuk njihet, shko ta shijosh vetë”

  1. Sandro says:

    Vemi o Rudina vemi po thuaju nje here te pastone banjot e kalase se te ze frika kur futesh e ata qe punojne aty lart te jene pak me te sjellshem.

  2. Ladi says:

    Te lumte. Je vajze shqiptare e vertete.

    1. lom deliu says:

      Girokastra është Gjirokastra….qoftë dhe si Qytet Muze… por Jo Gjirokastra e Kadaresë…
      Mos e tepëroni… blejini Librat… mbajeni portretin në dhomat tuaja.. ju kuptoj, por mjaft me imponim të
      atyre dhe që kontetstohen nga një pjesë (gjysma) e mos e tepëroni se shtohet kontestimi…
      Gjella me kripë.. kripa me karar

  3. ??? says:

    Bravo Rudina. Na kēnaqe , na shtove kureshtjen oreksin dhe lezetin. Je e mënçur e butë , herë me kripë dhe herē me sheqer .Por gjithmonë, me karar .

  4. Mandi says:

    Bravo Rudina, the cdo gje bukur, por fjalet nuk mjatojne ta pershkruash ate qytet te mrekullueshem, mikprites, te gurte, te bukur, sikur ka dale nga librat e historise. Gatimet e zonjave gjirokastrite te lene pa fjale, aroma e manxuranes qe te ndjek neper sokake eshte e pa harrueshme, eshte nje qytet qe te fton perseri dhe perseri te shkosh me shume deshire.

  5. Seiti says:

    Nje qytet interesant me nje popull shume inteligjent e burim intelektualesh te famshem (Cabej, Kadare, etj.)

  6. qazim says:

    Cfar shkrimi,kenaqesh dhe te duket sikur je duke shetitur ne ato vende te bukura. Kjo eshte Rudina,si gjithnje te lumte. Me profesionalizem,dashuri dhe patriotizem.

  7. Poko says:

    Zakonisht ne maje te shtepise kendojne gjelat,ne Gjirokaster paskan filluar te kendojne pulat.Je e mrekullueshme Rudina,nga fotot e tua me te bukura.

  8. Naja says:

    Bravo Rudina po Sandro ka te drejte. Brenda vitit kam shkuar tre here ne Gjirokaster, thjeshte per qejf, jam gjirokastrite 24 karate, pot me vjen turp edhe nga burri tim qe nuk eshte gjirokastrit, kur vete ne kala. Nuk e di ku jane strukur gjirokastritet pastertore e me kulture, muzeu mbahet shume keq. Ta lavderojme Gjirokastren per ato qe ka por duhet ti tregojme pergjegjesve ti mirembajme vlerat te pastrojne dhe banjot sic thote Sandro dhe ka shume shume te drejte. Edhe ne shtepite e gjithe secilit nga ne pastertia eshte kryesoria, rrugicat e kalase, dyert e kalase, po burgu i kalase te gjithave ju shtohet vlera kur jane edhe te pastra.
    Bashkia duhet te bej kujdes edhe per rrezat themi ne gjirokastritet dhe Flamuri e kupton.

  9. Deni says:

    Edhe Golem edhe gjirokastrit,sikur nuk shkon.Megjithate shkrimi eshte i bukur.

  10. bllokmen says:

    Lum ne per kete dite beme krushqi me gjirokastrit. KUsh lidhet me keta gjithmone i del mire

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje