Kryefajtori: Plani i madh i Stalinit, për të filluar Luftën e Dytë Botërore

22 Qershor 2020, 11:12Dossier TEMA

Nga Saimir Loja

24 Qershori i vitit 1812 ishte dita kur Ushtria e Madhe franceze nën drejtimin e Napolon Bonapartit sulmoi Rusinë. Kurse 22 Qershori i vitit 1941 qe dita kur ushtria gjermane dhe aleatët e saj sulmuan për t’u mbrojtur ushtrinë e Bashkimit Republikave Socialiste Sovjetike (Rusisë së Madhe) në tokat që ajo kishte pushtuar në Europën veriore dhe lindore. Në pajtim me propagandën e Lidhjes Entente (Britani-Rusi-Francë), botimeve të deritanishme në Lindje e Perëndim iu mungojnë qëllimisht të dhënat për numrin, llojin, madhësitë, hartat apo vendndodhjet e armatave sovjetike në vigjilje të sulmit mbrojtës të ushtrisë gjermane e aleatëve të saj. Ato të dhëna janë akoma sekret shtetëror në Rusinë federative.

Edhe nëpër dokumentarët e Luftës II Botërore kapërcehen njoftimet për numrin dhe vendndodhjen e armatave sovjetike të këmbësorisë, për numrin dhe llojet e armatave të tankeve, për armatat e parashutistëve, për numrin dhe llojet e armatave të aeroplanëve, si dhe për llojin e fortikimeve në kufijtë perëndimorë të BRSS, dhe për ndihmën amerikane që mbuloi 41-63% të nevojave ushtarake të BRSS gjatë Luftës II Botërore. Fitimtarët e Luftës II Botërore janë marrë vesh jo vetëm edhe për ndarjen e zonave të ndikimit edhe se më pas historia e Luftës II Botërore do shkruhej në pajtim me propagandën e Lidhjes Entente.

Shënimet e mëposhtme janë mbështetur në këtë libër të autorit Viktor Suvorov, The Chief Culprit: Stalin’s Grand Design to Start World War II, Naval Institute Press, 2008. (Krye fajtori: Plani i madh i Stalinit për të filluar Luftën II Botërore). Dy pjesët pararendëse të përmbledhjes së librit lexohen këtu:

www.gazetatema.net/2015/04/18/kryefajtori-plani-i-madh-i-stalinit-per-te-filluar-luften-ii-boterore-1/

www.gazetatema.net/2015/04/20/kryefajtori-bolshevik-dhe-mbrojtja-nepermjet-sulmit-me-22-qershor-19412/

Fushatat gjermane në perëndim dhe jug

Në periudhën 10 Maj – 22 Qershor 1940, ushtria gjermane kreu fushatat ushtarake të pushtimit të Belgjikës, Hollandës e Francës. 3’350’000 trupa gjermane dhe 300’000 italiane u përballën me 3’300’000 trupa franceze, britanike, belge, hollandeze, kanadeze, çekosllovake, polake e të Luksemburgut. Në Maj 1940, divizionet tankiste gjermane i rrethuan trupat britanike, franceze e belge në bregun e qytetit Dunkirk. Shumica e trupave britanike mundën të shpëtohen nëpërmjet detit, por humbjet qenë të mëdha: 68’000 të vrarë, 63’000 makina dhe tërë tanket e artileria u lanë në breg, gjysëm milioni ton municione e furnizime ranë në duart e ushtrisë gjermane. Si rrjedhojë, më pak se 100 tanke të vjetër mbetën për të luftuar në Britani. Më 1940, e vetmja mënyrë për të shpëtuar Britaninë ishte lindja e frontit të dytë për ushtrinë gjermane. Belgjika u pushtua më 28-05-1940 kurse Franca më 22-06-1940. Ushtria gjermane kapi bazat detare franceze në bregun e Atlantikut dhe nëndetëset gjermane i shtuan mjaft goditjet e tyre. Më 30-06-1940, forcat gjermane pushtuan ishullin e Gernsit në Kanalin La Mansh. Ishte hera e parë që nga viti 1066 (kur Normanët pushtuan Britaninë) që një ishull britanik pushtohej.

Në fund të fushatës në Perëndim, ushtria gjermane humbi 49’000 ushtarë dhe ajo italiane 1250 ushtarë. Kurse trupat kundërshtare patën 360’000 të vrarë, 1’900’000 robër, 2233 avionë të shkatërruar, etj. Në Prill 1941, ushtria gjermane pushtoi ish-Jugosllavinë dhe Greqinë. Më 20-05-1941, parashutistët gjermanë u hodhën në ishullin e Kretës dhe ndonëse në numër më të vogël e pushtuan ishullin pas ca ditësh. Analistët ushtarakë e gjykuan operacionin e Kretës si një provë të ushtrisë gjermane për të bërë të njëjtën gjë në Britani. Ndërkohë, flota tregtare dhe ushtarake britanike humbi 2’890’000 ton anije e mallra prej goditjeve të nëndetëseve gjermane vetëm në periudhën Janar-Qershor 1941.

Lojrat e Kremlinit

 Më 04-09-1939, Trocki shkruante: “…Pa Stalinin nuk do kishte patur Hitler…..Pakti i mos-sulmimit midis Gjermanisë dhe BRSS praktikisht kishte zmadhuar zjarrin e luftës…..Kremlini e furnizoi me naftë e benzinë ushtrinë e Musolinit në fushatën kundër Abisinisë [Etiopia dhe Eritrea e sotme]….Me “asnjanësinë” e BRSS dhe me furnizimet nga BRSS në produkte vajgurore, krom, kallaj, nikel, platin, hekur, pambuk, grurë, mangnez, bakër, vanadium, molibden e tungsten, Hitleri do sulmojë në Europë….”. Parashikimet e Trockit u vërtetuan pas disa muajsh. Më 12-11-1940, Molotovi i paraqet Hitlerit në Berlin listën e mëposhtme të dëshirave të BRSS:

–prej Finlandës, portin Pechenga në Detin Barenc dhe gadishullin Porkkala-Udd në Detin Balltik;

–baza detare në bregun danez në ngushticën që lidh Detin e Veriut me Detin Balltik;

–një bazë detare në bregun jugosllav në Detin Adriatik.

–një bazë detare në Selanik të Greqisë.

–prej Rumanisë, edhe Bukovinën Jugore;

–futjen e Bullgarisë në zonën e ndikimit të BRSS;

–baza detare prej Turqisë në ngushticat e Bosforit dhe Dardaneleve;

–baza ushtarake në bregun iranian në Gjirin Persik;

–kalimin nën ndikimin sovjetik të territoreve në jug të linjës Baku-Batumi (Azerbajxhan-Gjeorgji);

–lejen për nxjerrje nafte në Veri të ishullit japonez Sakhalin.

Molotovi këmbënguli se detyrimet e Paktit të Gushtit 1939 pothuaj ishin plotësuar dhe kishte ardhur koha për një ndarje të re të Europës. Më 25-11-1940, ambasadorit gjerman në Moskë iu ripohuan kërkesat mësipërme dhe njëkohësisht iu kërkua që Gjermania të largonte trupat nga Finlanda. Më 25-11-1940, Ministri i Mbrojtjes i BRSS, Marshalli S. K. Timoshenko dhe Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Kuqe Gjenerali K. A. Mereskov urdhëruan përgatitjen e një plani të ri sulmi kundër Finlandës. Në këtë situatë të re, Hitleri urdhëroi ndërprerjen e çdo përgatitjeje për zbarkim trupash në Britani, ndërkohë që lejoi vazhdimin e bombardimeve në Britani për arsye maskimi. Bombardimet e Britanisë prej avionëve gjermanë u kryen ndërmjet datave 07-09-1940 dhe 10-05-1941. Tanimë, çdo gjë u vu në shërbim të përgatitjeve për fushatën kundër BRSS.

Nga data 31-12-1940 deri më 11-01-1941, në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë së Kuqe u kryen provat vendim-marrëse për sulmin e madh në drejtim të Perëndimit. Natë e ditë, në prani edhe të Stalinit, oficerët me të lartë sovjetikë, të ndarë në dy grupe kryen mbi hartë dy lojra strategjike në lidhje me  sulmin e ardhshëm. Plani luftarak skicohej si më poshtë: “…Më 15-07-1941, Gjermania sulmon BRSS….Trupat gjermane hyjnë 70-120 km në territorin sovjetik…..Deri më 01-08-1941, trupat gjermane janë zmbrapsur aty ku qenë….”. Rajoni i BRSS ndahej në mes, në drejtimin Lindje-Perëndim, nga një rrjet i gjërë dhe i gjatë tokash moçalore që njihet me emrin rajoni i Polesisë [Veriu i Ukrainës]. Në këtë rajon është i pamundur qëndrimi, marshimi apo sulmi i ushtrisë. Prandaj, ky rajon e ndan sulmin Lindje-Perëndim në dy drejtime: njëri ndodhet në Veri të moçaleve të Polesisë, domethënë drejtimi Rusi e Bardhë, Poloni, Gjermani; kurse tjetri është në Jug të moçaleve të Polesisë, domethënë drejtimi Ukrainë-Moldavi-Rumani-Hungari-Austri/Poloni-Gjermani. Në drejtimin e sipërm, Gjermania kishte të fortifikuar shumë rajonet e Prusisë Lindore dhe Kënisburgut. Në drejtimin e poshtëm, Rumania nuk kishte fortifikime dhe fusha naftëmbajtëse e Ploeshtit ose kapej shpejt ose bombardohej lehtë; në të dy rastet Gjermanisë i mbyllej rubineti i vajgurit dhe do dorëzohej shpejt.

Pas dy lojërave strategjike që kreu, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Kuqe vendosi që goditja kryesore do jepej nga Jugu i moçaleve të Polesisë dhe këtu do përqendrohej fuqia më e madhe  ushtrisë sovjetike; drejtimi nga sipër moçaleve të Polesisë do ishte drejtim dytësor. Shtabi i ushtrisë gjermane kishte kryer një lojë operative të ngjashme ndërmjet datave 29-11-1940 dhe 13-12-1940. Në përfundim, Shtabi i ushtrisë gjermane kishte vendosur që goditjen kryesore do ta jepte në drejtimin e sipërm, kurse nga Rumania do ishte drejtimi dytësor.

KUFIRI dhe siguria

BRSS dhe Gjermania nuk kishin kufij të përbashkët. Shtetet ndërmjet tyre ishin shtete asnjanëse. Nëse do sulmohej Gjermania dhe Europa, së pari duheshin zhdukur këto shtete të ndërmjetme. Me ndarjen dhe pushtimin Polonisë prej Gjermanisë dhe BRSS, këto dy shtete krijuan një kufi të përbashkët prej 570 km. Nëse BRSS kishte qëllim mbrojtës, atëherë duheshin ndërtuar fortifikime të fuqishme në tërë këtë kufi dhe në thellësi; porse këto gjëra nuk u kryen jo se nuk dinin. Për të përballuar ushtrinë gjermane në betejën e Kurskut në Korrik-Gusht 1943, ushtria sovjetike ndërtoi gjashtë linja të njëpasnjëshme mbrojtëse (gjërësia e mbrojtjes shkonte 250-300 km) dhe me një fuqi zjarri e minimi të paparë deri atëherë. Rripi i tokës (disa qindra kilometra) përgjatë e përbrenda kufirit perëndimor të BRSS, i cili në rast sulmi kundër BRSS do të shërbente për mbrojtje, kishte kohë që ishte zhvilluar e plotësuar me punime. Pas përfundimit të Luftës së Dimrit me Finlandën në Mars 1940, komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Kuqe, Gjenerali K. A. Meretskov, urdhëroi prishjen e rripit të vjetër të sigurisë dhe mos krijimin e rripit të ri të sigurisë në territorin e pushtuar polak. Kështu në brendësi të BRSS, u prishën digat ujore, u hoqën minat nga fushat e urat, u prishën linjat fortifikuese, etj. Ndërkohë, u ndërtuan rrugë e u përmirësuan të vjetrat që të çonin drejtpërsëdrejti në kufirin gjerman; shumë linja hekurudhorë të tilla u bënë dyfishe; u ndërtuan fusha avionësh pranë kufirit, kurse urat në lumenjtë e kufirit dhe në brendësi nuk u minuan.

Në Shkurt 1941, Stalini e zëvendësoi Gjeneralin K. A. Meretskov, ngaqë ishte i pakënaqur me ritmin e këtyre punimeve, dhe vuri në pozitën e tij Gjeneralin G. K. Zhukov dhe ritmet e punimeve u trefishuan. Për luftë mbrojtëse rrugët ndërtohen në thellësi dhe paralel me kufirin. Në atë kohë, BRSS ndërtonte rrugë e hekurudha që të çonin m’u në buzë të kufirit dhe tërë urat në këtë drejtim ose u ndërtuan të reja ose u përforcuan. Buza e kufirit u bë njëkohësisht edhe depo e sasive të mëdha të materialeve të ndërtimit, shinave e trarëve të trenit dhe qymyrit për lokomotiva, të cilat do nevojiteshin për të mbështetur mësymjen sovjetike. Në Qershor 1941, forcat sovjetike të kufirit filluan të hiqnin telat me gjemba, të cilat vijëzonin kufirin konkret. Për trupat sovjetike të përqendruara në buzë të kufirit nuk kishte më pengesa për të filluar sulmin dhe përparuar në thellësi, sepse edhe ushtria gjermane në Poloninë e pushtuar po kryente të njëjtat punime në mbështetje të sulmit.

Thellë në rripin e sigurisë ishin ndërtuar linja mbrojtëse fortifikimi mjaft të organizuara, me mijra pika zjarri, me mure të trasha hekur-betoni, me tunele lidhëse me kilometra të gjatë, me guzhina e menca, me depo municioni e furnizim uji, me maskim të përsosur, etj. Më e spikatura nga këto ishte rrjeti mbrojtës Stalin me 13 rajone fortifikimi pranë kufijve perëndimorë të BRSS, i cili u ndërtua në fshehtësi dhe shtrihej nga bregu i Detit Balltik (në Veri) deri në Detin e Zi (në Jug). Linja mbrojtëse Stalin kishte qëllim të ndalonte edhe këmbësorinë edhe tanket armike. Pjesë të kësaj linje mbrojtëse ishin edhe fortifikimet e brigjeve lindore të lumenjve kryesorë në Perëndim të BRSS, të cilët i bënin ato lumenj praktikisht të pakalueshëm. Në vitin 1938, të 13 rajonet e fortifikuara u përforcuan me artileri të rëndë dhe 8 rajone të reja fortifikimi filluan të ndërtohen.

Më 23-08-1939 nënshkruhet pakti i mos-sulmimit midis Gjermanisë dhe BRSS, Polonia pushtohet nga këto dy vende dhe kështu kufiri i BRSS shtyhet 200 km në drejtim të Perëndimit. Në vend që punimet e fuqizimet e linjave fortifikuese të vazhdonin, në Vjeshtë të vitit 1939 ndodhi e kundërta. Garnizonet e rajoneve të fortifikuara filluan të tkurren deri sa u zhdukën fare; materialet për ndërtim fortifikimesh pothuaj u ndërprenë; armatimet, municionet, pajisjet e vëzhgimit dhe ndërlidhjes u hoqën; një pjesë të godinave iu dha kooperativave bujqësore për magazinim prodhimi; fortifikime të tjera u mbuluan me dhe ose u shkatërruan me dinamit; industria ushtarake ndërpreu prodhimin e topave 76-mm që përdoreshin kundra-tankeve; pushkët kundra-tank u hoqën nga prodhimi, etj. Megjithatë, një linjë rajonesh të fortifikuara filloi të ndërtohej në Verë të vitit 1940 pikërisht në buzë të kufirit gjermano-sovjetik. Kjo linjë, e cila njihet me emrin Linja Molotov, kurrë nuk u mbarua dhe pati si qëllim që gjermanët ta shihnin atë si synim mbrojtës. Për nga materialet, organizmi, fuqia e zjarrit, minimet, thellësia dhe prapavija, taktika e luftimit, aftësia dhe shpejtësia e mbrojtjes Linja Molotov i ngjante një loje fëmijësh. E njëjta situatë ishte edhe për fortifikimet gjermane në kufirin (e vjetër) gjermano-polak dhe për fortifikimet e reja që ato filluan në Poloninë e pushtuar përballë Linjës Molotov.

Shumë kohë para fillimit të Luftës II Botërore, organizimi i luftës partizane në BRSS në kushtet e pushtimit nga ushtritë e huaja ishte i plotë. Një rrjet i organizuar mirë i tuneleve, depove, forcave paraushtarake, ndërlidhjes, spitaleve, punishteve të prodhimit të armëve e municionit, shkollave të spiunazhit e luftimit ishte i shtrirë në Ukrainë, Rusi të Bardhë, Krime, Leningrad, etj. Stërvitjet e partizanëve të ardhshëm bëheshin paralel edhe nga Ministria e Brendshme [Narodnyy Komissariat Vnutrennikh Del – NKVD] edhe nga Zbulimi Ushtarak Sovjetik [Glavnoye Razvedyvatel’noye Upravleniye – GRU]. Që nga viti 1935, tërë organizimi i luftës partizane filloi të krasitej deri në rrënjë: shkollat e stërvitjes u mbyllën, depot e municioneve e lëndëve shpërthyese u zbrazën, grupimet ushtarake u shkrinë, etj.

Aviacioni sovjetik

Nëse BRSS do të dëshironte të pengonte luftën që po vinte, do nevojitej të prodhoheshin 1000 avionë bombardues strategjikë TB-7, të cilët fluturonin mbi 10 km lart dhe udhëtonin 3700 km. Një aeroplan i tillë, që vendet e tjera nuk e kishin, ishte i pakapshëm prej artilerisë kundër-ajrore dhe avionëve ushtarakë të kohës. Më pas do të mjaftonte vetëm një demonstrim force me këto aeroplanë për ta ndaluar ushtrinë gjermane të sulmonte. Me këto aeroplanë mund të shkohej sa herë të dojë në prapavijat e armikut dhe të derdhje lumë me bomba ku t’i doje. Me një aeroplan të tillë Ministri i Jashtëm i BRSS Vaislav M. Molotov udhëtoi në pranverë të vitit 1942 nga Moska në Britani, mbi Europën që digjej nga lufta, i pa dalluar nga mbrojtja kundër-ajrore gjermane, më pas në Amerikë e u kthye po nga e njëjta rrugë. Bombardimi me avionë të tillë do të digjte e do të prishte çdo gjë ku do derdhej lumi i bombave. Një gjë e tillë nuk i interesonte një ushtrie pushtuese, sepse ajo do dëshironte që urat, rrugët, qytetet, fabrikat ushtarake e industritë të ishin të pacënuara. Katër herë e ktheu Stalini urdhërin për të prodhuar armatën e këtyre avionëve. Deri në Qershor 1941, u prodhuan vetëm 17 të tillë.

Për luftën rrufe [blitzkrieg] nevojiteshin aeroplanë të vegjël, në sasi të madhe, të cilët do të goditnin me saktësi vetëm shënjestra të përcaktuara në tokë, p.sh. aeroplanë në fushë, tanke, kollona ushtarësh, makina, pika komandash e ndërlidhjesh, etj. Rrugët, urat, fabrikat e uzinat duhej të qëndronin të padëmtuara me qëllim që të përparonte ushtria me shpejtësi. Me një taktikë ushtarake të tillë dhe aeroplanët Pe-2 and Il-2 Ushtria e Kuqe mundi Armatën 6 japoneze në lumin Khalkhin-Gol të Mongolisë në Gusht 1939 dhe u bë gati të sulmonte Europën. Me një taktikë të tillë dhe aeroplanët Ju-87 e Ju-88  ushtria gjermane pushtoi Europën Perëndimore e Jugore dhe më vonë për t’u mbrojtur sulmoi BRSS.

Nëse BRSS po përgatitej për mbrojtje, atëherë nevojiteshin të projektoheshin e prodhoheshin aeroplanë gjuajtës që të mbronin qiejt e BRSS. Si aeroplanë të tillë ishin modelet I-15 e I-16. Aeroplani I-15, i pa arritur nga aeroplanët e tjerë në lëvizjet horizontale, vendosi edhe rekordin e lartësisë 14’575 metra më 21-11-1935. Pra mjaftonte që inxhinieri projektues i tyre të vazhdonte t’i përsoste akoma më shumë këto modele. Por Stalini e urdhëroi të ndërpritej puna në këtë drejtim dhe vuri në garë zyrat inxhinierike të projektonin një aeroplan të lehtë bombardues (të quajtur Ivanov, sipas njërit nga emrat e fshehtë të Stalinit). Ky aeroplan sulmi duhej të ishte i thjeshtë dhe me fuqi zjarri të madhe. Ai do të prodhohej në sasi tepër të mëdha (mbi 100’000 copë) dhe, ashtu si hordhitë mongole të kalorësve të lehtë të Xhenxhis Kanit, do të jepnin goditje shkatërruese të përqendruar. Garën e fitoi inxhinieri Pavel Osipoviç Sukhoy me modelin Su-2. Me qëllim që një sasi kaq e madhe aeroplanësh të tillë të mbahej e fshehtë, gjatë mobilizimit të fshehtë (Shtator 1939 e deri në Qershor 1941) u prodhuan vetëm disa qindra të tillë, sa për t’i bërë gati linjat e prodhimit në fabrikat përkatëse. Aeroplanët Su-2 që fluturonin ulët për të goditur shënjestra mbi tokë përsëri do kërkonin për t’u mbrojtur po aq aeroplanë gjuajtës lart mbi to. Por një urdhër për të prodhuar aeroplanë gjuajtës në sasi të mëdha nuk u dha. E vetmja zgjidhje përdorimi e aeroplanëve Su-2 ishte që ato të sulmonin në sasi të mëdha të parët armikun për t’ia shkatërruar aeroplanët pa u ngritur nga fushë-qëndrimet.

Po e njëjta situatë qe edhe me projektin e armës automatike për këmbësorinë PPSh-41 (Pistolet-Pulemyot Shpagina, me 71 fishekë në karikatorin e rrumbullakët), e cila u projektua, u provua e u pranua para Luftës II Botërore. Sapo lufta filloi, kjo armë sulmuese që derdhte lumë fishekësh filloi të prodhohej me miliona nga fabrikat sovjetike. Gjatë periudhës së mobilizimit të fshehtë u prodhuan me miliona raketa që do montoheshin në aeroplanët Su-2, etj. Këto ishin të njëjtat raketa që përdoreshin për “katjushkat” sovjetike. Edhe pse pas sulmit gjerman më 22-06-1941 BRSS humbi furnizimet me alumin dhe shumicën e fabrikave të aeroplanëve e motorrëve, Bashkimi Sovjetik prodhoi gjatë luftës 38’729 aeroplanë Il-2 e Il-10 (më të ndërlikuar se modeli Su-2); pa llogaritur mijëra të tjerë të modeleve të tjera më të ndërlikuara.

Avionët e shumtë të planifikuar e të prodhuar kërkonin po shumë pilotë. Edhe këta u përgatitën, por stërvitja e tyre ishte e thjeshtë dhe vetëm për qëllim sulmues (ashtu si edhe aeroplanët që do pilotonin): ngrije aeroplanin nga toka, fluturo në formacion, sulmo e mundohu të kthehesh. Kaq shumë pilotë të tillë kishte sa atyre iu dhanë edhe pushkë e i bashkuan me këmbësorinë në Stalingrad. Aeroplani Il-2 u projektua posaçërisht për të sulmuar fushë-qëndrimet e aeroplanëve dhe i ngjante një tanku fluturues, sepse kishte një mburojë 12 mm të trashë, xhami i tij ishte 63 mm i trashë, kishte 8 raketa, dy topa automatikë 23 mm, dy mitraloza dhe 400-600 kg bomba. Në fillim ky model kishte një pilot dhe një mitraljer që mbronte aeroplanin nga mbrapa. Stalini urdhëroi të mbetej vetëm piloti. Përshtatja e modelit të ri e vonoi prodhimin e këtij aeroplani dhë në kohën e sulmit Gjerman ishin prodhuar vetëm 249 copë. Ushtria gjermane dhe ato të vendeve të tjera nuk kishin aeroplan të ngjashëm në armatimet e tyre. Projekti i një aeroplani përcaktohet nga strategjia ushtarake; aeroplani Il-2 nuk ishte projektuar për luftim ajror mbrojtës. Prandaj në fillim të luftës ky aeroplan pësoi humbje të mëdha, sepse pa mitraljerin e mbrapëm ai ishte plotësisht i pambrojtur në ajër. Vetëm në fund të vitit 1942, ky model u prodhua për dy njerëz, pilotin dhe mitraljerin, e megjithatë nuk u arritën cilësitë e projektit origjinal.

Ushtria e Kuqe kishte avionin bombardues Pe-2, i cili ishte 75 km/orë dhe 100 km/orë më i shpejtë përkatësisht se avionët bombardues gjermanë Ju-88 dhe He-111. Deri më 22-06-1941 ishin prodhuar 490 avionë Pe-2, domethënë më shumë se tërë avionët Ju-88 të pozicionuar në frontin gjermano-sovjetik. Ushtria e Kuqe kishte tre modele të rinj avionësh gjuajtës: MiG-3, LaGG-3, Yak-1. Aeroplani MiG-3 kishte shpejtësinë 628 km/orë dhe lartësinë 7000 metra; më 1941, këto nuk arriheshin nga avionët gjermanë. Më 22-06-1941, ushtria gjermane pati gjithsejti 1129 avionë gjuajtës në frontin gjermano-sovjetik. Ushtria sovjetike kishte 1309 copë vetëm nga modeli MiG-3, plus 399 aeroplanë Yak-1 dhe 322 LaGG-3. Ushtria sovjetike kishte 2769 aeroplanë vetëm të modeleve të rinj Il-2, Pe-2, MiG-3, Yak-1, LaGG-3. Veç këtyre ishin edhe modelet e viteve 1940-1941: Ar-2, Er-2 (bombardues me rreze 4000 km), Su-2, Pe-8, Yak-2, Yak-4, Il-4 (bombardues me rreze 3300 km e lartësi 11 km).

Veç këtyre modeleve të rinj ishin edhe ato pak më të vjetër: bombarduesit e rëndë katër-motorrik TB-3 e SB, gjuajtësit I-16 e I-153. Kur filloi lufta ishin 541 aeroplanë TB-3 (nga 819 që u prodhuan gjithsejti), me rreze 2250 km e shpejtësi 288 km/orë; të dhëna këto që nuk arriheshin nga aeroplanët e vendeve të tjera. Ushtria gjermane nuk kishte bombardues të rëndë dhe as aeroplanë me rreze 4000 km. Bombarduesi SB ishte 70 km/orë më i shpejtë se aeroplani gjerman Ju-87. Më 22-06-1941, BRSS u sulmua nga 324 avionë Ju-87 ndërkohë që ushtria sovjetike kishte 6656 aeroplanë SB. Më 22-06-1941, forcat ajrore sovjetike kishin 4226 aeroplanë gjuajtës në kufijtë perëndimorë të BRRS, nga të cilët 1635 ishin të modelit I-16, më i përparuari në botë. Ndërsa 344 aeroplanë të tjerë I-16 ishin me flotat e Detit të Veriut, Detit Balltik dhe Detit të Zi. Gjithsejti u prodhuan 7103 aeroplanë gjuajtës I-16 gjatë viteve 1934-1942 të prodhimit të tij. Ndërkohë kishte edhe 3437 aeroplanë gjuajtës I-153 me shpejtësi më të vogël se aeroplani I-16 por me lëvizshmëri të përsosur. Ky aeroplan bënte dy kthesa të plota më shpejt sesa aeroplani i ngjashëm gjerman Me-109 bënte një.

Më 01-06-1941, ushtria gjermane kishte në përdorim në të gjitha frontet e saja 6852 aeroplanë ku futeshin 823 aeroplanë zbulimi, 2017 aeroplanë gjuajtës me një-motorr dhe 232 me dy motorra, 2141 aeroplanë bombardues, 501 gjuajtës-bombardues, 719 transportues, 133 për ndërlidhje dhe 286 aeroplan për marinën. Forcat ajrore gjermane që sulmuan BRSS përbëheshin nga 3520 aeroplanë, plus 307 aeroplanë finlandezë, 393 rumunë, 48 hungarezë; domethënë gjithsejti 4268 aeroplanë. Nga 3520 avionët gjermanë, 2510 ishin avionë luftimi, përfshirë edhe modelin Hs-123 me shpejtësi 338 km/orë, dhe 1010 të tjerët qenë për transport, ndërlidhje e qëllime mjekësore.

Edhe pse pati sasi e cilësi më të lartë në aeroplanë luftarakë, ushtria sovjetike humbi fuqinë e saj ajrore në periudhën e parë të luftës. Arsyeja ishte se shumica e pilotëve sovjetikë nuk ishin stërvitur për të bërë luftim në ajër [dogfight]. Strategjia sovjetike e sulmit rrufe [blitzkrieg] e kishte drejtuar stërvitjen e pilotëve vetëm për një goditje të përqendruar, të papritur, me një numër tepër të madh aeroplanësh, kundër aeroplanëve armiq në fushë-qëndrimet e tyre. Pikërisht për qëllim aviacioni sovjetik më 1941 ishte përqendruar pranë kufirit perëndimor të BRSS. Për shembull, fushë-qëndrimi i Regjimentit 123 të avionëve gjuajtës ishte vetëm 2 km larg nga kufiri gjerman, kurse fushë-qëndrimet e avionëve bombardues nuk ishin më larg se 80 km nga kufiri gjermano-sovjetik.

Më 1933, Ushtria e Kuqe mori tankun T-28 dhe në vitin 1937 u prodhua modeli T-28 PKh [Podvodny Khod = kalim nënujor]. Tanket T-28 mund të ecnin 1 km nën ujë në thellësinë 4.5 m kundër një rryme uji me shpejtësi 1 m/s. Nuk kishte në vitet 1930 ndonjë tank gjerman, britanik, amerikan, francez apo japonez që mund t’ia kalonte tankut T-28 për sa i përket armatimit, mbulesës së çeliktë dhe fuqisë motorrike. Në fund të vitit 1937 gjermanët filluan prodhimin e tankut Pz-IVA, që për to do ishte tanku më i fuqishëm në gjysmën e parë të Luftës II Botërore. Ky tank kishte një mbulesë çeliku 15 mm të trashë, fuqi motorrike 250 kuaj fuqi, një top me kalibër 75 mm e shpejtësi predhe 385 m/s, dy mitraloza. Tanku T-28 kishte mbulesë çeliku 30 mm të trashë, fuqi motorrike 500 kuaj fuqi, një top me kalibër 76 mm e shpejtësi predhe 555 m/s dhe katër mitraloza.

Më pas Ushtria e Kuqe mori tankun T-34 me cilësi akoma më të mira dhe që e bënin të ishte tanku më i mirë në botë për sa i përket shpejtësisë, nxitimit, kapërcimit të terrenit ranor apo baltor apo me borë, shtypjes së ulët mbi tokë, thjeshtësisë në projektim, etj. Ky tank u projektua para Luftës II Botërore dhe jo vetëm nuk u vjetrua edhe për 50 vjet të tjera por u bë bazë për shumë modele të tjera; nuk ekzistonte ndonjë tank tjetër në botë me këto veti. Oficerët gjermanë kërkuan që të prodhohej një tank i ngjashëm, por Gjermania për shkak të mungesave në përbërësit metalikë e kishte të pamundur të prodhonte aliazhet duhura të çelikut si të tankeve sovjetike.

Më 22-06-1941, skalioni i parë (pesë distriktet ushtarake perëndimore) sulmues i Ushtrisë së Kuqe kishte 967 tanke T-34. Skalioni i dytë kishte 433 tanke T-34. Në gjysmën e dytë të vitit 1941, industria sovjetike prodhoi edhe 1789 tanke T-34 dhe në vitin 1942 ajo prodhoi 12’520 tanke të tillë. Tanku i ngjashëm gjerman ishte tanku Panther, por ky u duk për herë të parë në Verën e vitit 1943 gjatë betejës së Kurskut. Tanku T-34 kishte motorr diezel (me naftë), kurse tanku Panther e kishte me benzin (më lehtë për të marrë flakë). Tanku T-34 kishte edhe motorrin edhe kutinë e lëvizjes në pjesën e prapme; tanku Panther e kishte kutinë e lëvizjes përpara. Si rrjedhim, tanku Panther peshonte 44.8 ton kurse tanku T-34 ishte 26.5 ton. Më 22-06-1941, Skalioni i Parë Strategjik i Ushtrisë së Kuqe kishte 508 tanke të rëndë KV-1 (47 ton) e KV-2 (52 ton) dhe Skalioni i Dytë kishte 203 të tillë; ndërkohë që tanke të ngjashëm nuk ekzistonin në ushtritë e vendeve të tjera. Ndodhte që një tank i tillë të kishte deri në 100 shenja goditjesh nga predhat gjermane e përsëri shkonte në luftim.

Kur sulmoi ushtria gjermane më 22-06-1941, mijëra tanke sovjetike u shkatërruan ose u braktisën ose nuk arritën të lëviznin nga vendi. Mijëra nga ato tanke kishte shenjën “BT” [bystrokhodnyi = shpejtësi e lartë] dhe i përkisnin projektit të inxhinierit amerikan të tankeve George Walter Christie. Dy tanke model të tij u blenë dhe u nisën fshehtas nga Nju Jorku më 24-12-1930. Veç modeleve BT-2, BT-5, BT-7, BT-7A, BT-7M që u zhvilluan në BRSS prej këtij tanku amerikan, edhe tanku T-34 lindi prej tij.  Tanket BT kishin një top me kalibër 45 mm, i cili shponte çdo mburojë të tankeve të huaja. Një top të tillë amerikanët dhe britanikët filluan ta montojnë mbi tanket e tyre në vitet 1942 e 1943. Tanku BT-2 me fuqi motorrike 400 kuaj fuqi hyri në Ushtrinë e Kuqe më 1932; një tank gjerman me të njëjtën fuqi hyri në ushtrinë gjermanë në fund të vitit 1942. Tanket BT jepnin 36.4 kuaj fuqi për ton peshë të trupit të tyre, gjë që jepte shpejtësinë 72-110 km/orë dhe mund të kapërcenin hendeqe të gjerë 15-20 m. Nuk kishte tank në botë me të tilla të dhëna në atë kohë. Në Prill 1941, Gjermania filloi prodhimin e tankut T-IIIJ, i cili jepte 13.9 kuaj fuqi per ton peshë. Tanku BT-7M që hyri në Ushtrinë e Kuqe më 1939 kishte një motorr diezel me 500 kuaj fuqi dhe ecte 520 km (mbi zinxhirë, rrugë e pashtruar), 630 km (mbi zinxhirë, rrugë e shtruar) dhe 1250 km (mbi rrota, rrugë e shtruar). U deshën të paktën 20 vjet që ushtritë e vendeve të tjera të montonin në tanket e tyre motorë diezel kaq të fuqishëm.

Armatat e këtyre tankeve, ashtu si hordhitë mongole të kalorësve të rëndë të Xhenxhis Kanit, me goditje të përqendruar mund të çanin vijat mbrojtëse të armikut, të bënin krahmarrje e rrethime dhe të hynin thellë në prapavijat e armikut. Në fillim të Luftës II Botërore Ushtria e Kuqe kishte 6456 tanke BT, aq tanke sa kishte tërë pjesa tjetër e botës. Ky tank në fushë të hapët përdorte zinxhirët, kurse në rrugë të shkruar rrotat. Tanket BT ishte një armë sulmi e shpejtë dhe e projektuar për rrugët Europiane, e sidomos për rrugët e mëdha të shtruara në Gjermani. Prandaj vlera e tyre nuk qe e dukshme shumë brenda luftimeve në BRSS dhe kur sulmoi ushtria gjermane më 22-06-1941 shumë nga këto tanke u braktisën. Tanket BT nuk ishin tanke për mbrojtje, por tanke vetëm për sulm.

Tanku sovjetik T-37A ishte tank amfib i prodhuar në vitet 1933-1936. Në vitin 1941, vendet Europiane dhe Amerika nuk kishin akoma në ushtritë e tyre tanke amfibe. Në provat që u bënë në vitin 1935, ky tank mbuloi për 11 ditë 700 km, nga këto 600 km mbi ujë, pa u prishur fare. Tanket amfibe përdoren vetëm për sulm dhe për të pushtuar territore. Për mbrojtje nevojiten tanke më mburojë të trashë çeliku dhe armë të fuqishme. Gjatë një beteje kundër vijave mbrojtëse dhe kundër tankeve të armikut në fillim nevojiten tanke të rëndë, me mburojë të trashë e armë të fuqishme. Sapo linja mbrojtëse e armikut çahet, atëherë nevojiten tanke të lehtë e të shpejtë për të kryer rrethimet, për të sulmuar shpejt prapavijat e armikut dhe për të këputur linjat e furnizimit të tij. Dhe për të kaluar pengesat ujore, me ose pa luftë, nevojiten tanket amfibe. Numri i tankeve amfibe sovjetike të kohës së luftës u mbajt i fshehur për gjysmë shekulli. Më 1941, 2627 tanke T-37A ishin në shërbim ushtarak. Gjatë viteve 1936-1939 u prodhuan edhe 1’375 tanke amfibe T-38, që ishin të një cilësie akoma më të lartë.

Më 1933 ushtria gjermane nuk kishte tanke, kurse Ushtria e Kuqe kishte 4’000 tanke. Prodhimi i tankeve gjerman filloi më 1934 dhe deri në vitin 1939 u prodhuan 2’683 tanke; për të njëjtën periudhë fabrikat sovjetike prodhuan 14’283 tanke. Më 01-01-1939 Ushtria e Kuqe kishte 21’100 tanke gati për betejë, kurse ushtria gjermane e filloi Luftën II Botërore në Shtator 1939 me 3195 tanke. Numri i tankeve sovjetike të Qershorit 1941 është mbajtur jo vetëm i fshehtë për 60 vjet, por është shkrojtur (e vazhdon të shkruhet) se ato ishin tanke më cilësi të ulët. Nga data 03-09-1939 deri më 08-05-1945, Britania prodhoi 25’116 tanke. Në vitet 1939-1945, Gjermania prodhoi 24’242 tanke dhe Japonia 5’085 tanke; shuma e tyre është 54’443 tanke. Në periudhën Shator 1940 – Shtator 1945, BRSS prodhoi 54’853 tanke vetëm të llojit T-34.

Bashkimi Sovjetik ishte vendi i parë në botë ku u krijuan trupat sulmuese që mbarten nëpërmjet ajrit. Rregullat ushtarake të Ushtrisë së Kuqe më 1936 (ashtu si çdo ushtri edhe në kohën e tanishme) e përcaktonin përdorimin e këtyre trupave vetëm për qëllime sulmi. Ato u themeluan më 1930, kurse Gjermania i krijoi më 1936 dhe Italia para Luftës II Botërore. Ushtria gjermane më 22-06-1941 kishte 4’000 parashutistë, kurse Italia 700 të tillë. Më 1933, BRSS kishte rreth 10’000 parashutistë dhe më 22-06-1941 kishte zyrtarisht më shumë se një milion (1’000’000) të tillë; në fakt ishin afër 2 milion parashutistë. Gjatë periudhës Prill 1934 – Shkurt 1936, vetëm në Ukrainë u stërvitën 427’000 parashutistë. Në vitet 1930, rajonet ushtarake perëndimore të BRSS u mbuluan nga manovra të mëdha ushtarake, të cilat patën vetëm një përmbajtje: Pykëzim i Thellë. Skenari ishte i thjeshtë: sulm ajror i papritur e masiv kundër fushë-qëndrimeve të avionëve, i pasuar nga vala e parë e parashutistëve për të pushtuar bazat ajrore; më pas vinte vala e dytë e trupave ajrore që zbarkonin bashkë me armatimin e rëndë në bazat e pushtuara; kurse tanket e këmbësoria në formacione gjigande, nën mbështetjen e artilerisë, sulmonin në formë pyke vijën mbrojtëse të armikut.

Më 1939, Stalini urdhëroi prishjen e bazave të stërvitjes partizane dhe regjimenteve të saj, të cilat ishin projektuar në rast se territori sovjetik pushtohej nga një ushtri e huaj. Me këto forca u krijuan trupa sulmuese të reja paraushtarake. Pesë Korparmata me trupa sulmuese ajrore (secila me 10’419 ushtarë) u krijuan vetëm në Prill 1941 dhe u vendosën në kufijtë perëndimorë. Të gjitha këto Korparmata ishin në çdo çast në gjendje gatishmërie të plotë. Më 12-06-1941, Ushtria e Kuqe krijon Shtabin e saj Komandues për Trupat e Sulmit Ajror. Që nga data 13-06-1941, të gjitha Korparmatat sulmuese ajrore morën urdhërat të kryenin përgatitjet përfundimtare për luftë. Parashutat u palosën dhe u stivuan gati për përdorim. Këtyre trupave iu bashkëngjitën regjimente artilerie dhe tanke amfibë. Të gjithë këto trupa u rigrupuan pranë kufirit, të fshehur nëpër pyje dhe mund të sulmonin pa patur nevojë për rigrupim tjetër. Korparmatat 4 e 5 kishin shënjestër Gjermaninë, Korparmata 3 kishte Rumaninë, Korparmatat 1 e 2 mund të zbarkonin në Rumani, Çekosllovaki e Austri për të prerë linjat e furnizimit me naftë që shtriheshin përmes maleve nga Rumania në Gjermani. Në Qershor 1941, Ushtria e Kuqe kishte 10 Korparmata sulmuese ajrore (tre brigada secila), 6 brigada të veçanta dhe një numër regjimentesh të veçuar. Përveç këtyre, batalionet e parashutistëve ishin pjesë e Korparmatave të këmbësorisë së Ushtrisë së Kuqe. Gjithashtu një numër Divizionesh pushkatarësh u stërvitën për sulm duke u mbartur nëpërmjet ajrit dhe një stërvitje e tillë masive ndodhi pikërisht më 21-06-1941.

Në të njëjtën kohë, trupat e sulmit ajror kërkonin një armatë avionësh mbartës dhe rrëshqitës [glider – aeroplan që tërhiqet nga një aeroplan i tjetër]. Aeroplani rrëshqitës G-63 ishte krijuar që para vitit 1933 dhe në vitet e mëpasshme u krijuan aeroplanët rrëshqitës A-7 e G-11 për të mbartur tanke e makina. Më 1939, kishte 30’000 njerëz të cilët njëkohësisht stërviteshin për t’u bërë pilotë të aeroplanëve rrëshqitës. Gjatë një manovre ushtarake më 1940, 11 aeroplanë rrëshqitës u tërhoqën prej një aeroplani të vetëm. Prodhimi masiv i aeroplanëve rrëshqitës filloi në vitin 1941. Stalini dhe Molotovi drejtpërdrejti urdhëruan që prodhimi i aeroplanëve rrëshqitës për 11 ushtarë të arrinte kulmin më 15-05-1941, kurse ai për 20 ushtarë më 01-07-1941. Më 16-06-1941, Gjenerali Zhukov urdhëronte industrinë e aviacionit të prodhonte 7500 aeroplanë rrëshqitës në vitet 1941-1942. Aeroplanët rrëshqitës për vetë nga natyra e tyre janë të ndërtuar me materiale delikate që nuk i rezistojnë veprimit të diellit, erës, shiut, borës e ngricës. Prandaj, ato që prodhoheshin në pranverë 1941 do të përdoreshin para Shtatorit 1941.

Gjithë këto trupa të sulmit ajror bashkë me armët e tyre ishin përgatitur vetëm për sulm dhe nuk ishin në pozicione mbrojtëse. Këto lloj trupash i ngjajnë gurëve të çmuar në ushtri, sepse përbëhen nga ushtarë elitë. Sulmi i papritur gjerman i prishi në fillim planet ushtarake sovjetike. Të 150’000 trupat sovjetike të sulmit ajror që ishin gati për sulm pranë kufirit perëndimor ose u rrethuan e u asgjësuan prej ushtrisë gjermane ose u dërguan për t’u grirë në makinën e mishit të tankeve, avionëve dhe këmbësorisë gjermane. Pjesa tjetër, qindra mijra e milion trupa të tjerë të sulmit ajror, u rigrupuan në prapavijën e thellë ku formuan rezervën strategjike. Këto trupa formuan Korparmatat e Rojeve dhe vetëm stërviteshin. Kjo rezervë qe aq e madhe sa pati Korparmata që iu ra rradha të futeshin në luftim nga fundi i luftës.

Në Pranverë të vitit 1942, Ushtria e Kuqe pësoi përsëri humbje të mëdha prej ushtrisë gjermane. Kështu, Armata 39 u rrethua e u asgjësua afër qytetit Rzhev; Armata 33 u rrethua e u asgjësua afër qytetit Vyazma; Armata 2 Sulmuese u rrethua; të tjerat u dorëzuan dhe u zhdukën. Fronti i Krimesë u ça dhe Armatat 44, 47, 51 u asgjesuan. Në betejën e qytetit Kharkov, Armatat 6, 9, 28, 57 u shkatërruan bashkë me shtatë Korparmata të veçanta tankesh e kalorësie dhe një numër të madh Divizionesh, Brigadash e Regjimentesh. Mijëra tanke, armë e furnizime u humbën dhe qindra mijëra ushtarë e oficerë u asgjësuan ose u kapën robër. Fronti i Jugut u ça aq keq sa më pas trupat gjermane vetëm ecnin drejt Stalingradit dhe Kaukazit, kurse trupat sovjetike tërhiqeshin duke vrapuar. Kjo e detyroi Stalinin të lëshonte urdhërin Nr. 227, nga i cili lindën Njësitë ndëshkuese të Ministrisë së Brendshme dhe Batalionet ushtarake të pushkatimit. Këto njësi mitralonin e pushkatonin ushtarët e oficerët që tërhiqeshin apo nuk jepnin jetën në frontin që zmbrapsej. Megjithatë kjo nuk solli zgjidhjen e dëshiruar, sepse nuk mund të pushkatohej tërë ushtria që tërhiqej me vrap. Ato që nevojiteshin ishin rezervat e freskëta. Rezervat e rregullta ishin harxhuar në sulmet gjatë Dimrit 1941-1942, në përpjekjet e pafrytshme për të çarë rrethimin e Leningradit si dhe për të vonuar disfatat në Kharkov e Krime.

Mrekullia ndodhi kur Korparmatat e Rojeve 10 e 11 arritën dhe formuan një vijë mbrojtëse përballë Armatës 4 të tankeve gjermanë që lëvizte drejt Kaukazit. Sulmi gjerman u ndal, trupat që tërhiqeshin ndaluan e morën frymë, pastaj filluan të tërhiqeshin me rregull derisa ngulën një vijë mbrojtëse që përballoi furinë gjermane. Humbja e Kaukazit dhe naftës që vinte prej Detit Kaspik do të thoshte disfatë për Ushtrinë e Kuqe. Rënia e Stalingradit do sillte të njëjtën gjë, sepse do ndërpriste mbartjen e kësaj nafte nëpër lumin Vollga. Deri në ato çaste dihej se kishte patur vetëm nëntë Korparmata Rojesh, të cilat pothuaj ishin harxhuar në betejat e shkuara. Mrekullia tjetër ndodhi në betejën e Stalingradit ku papritur u dukën Divizionet Pushkatare të Rojeve 32, 33, 34, 35, 36; dhe pas tyre, Armata e Parë e Rojeve, me pesë Divizionet e saja pushkatare 37, 38, 38, 40, 41, u gjend në Stalingrad.

Një mrekulli e ngjashme ndodhi në betejën e Kurskut në Verën e vitit 1943. Tanket gjermane sulmuan fort nga të dy krahët por nuk e çanë mbrojtjen sovjetike. Zbulimi ushtarak sovjetik, gjashtë vijat mbrojtëse dhe sasia e cilësia e armatimit sovjetik bënë punën e tyre. Sulmi gjerman nga Veriu u përballua nga Armata 13 e Frontit Qendror, ku bënte pjesë Korparmata 18 Pushkatare e Rojeve e cilësisë së lartë; po ashtu, sulmi gjerman nga Jugu u përballua nga Divizionet cilësore të Rojeve që u dukën papritur në front. Edhe në Frontin Jugperëndimor, ushtria sovjetike hodhi në çastet vendimtare të sulmit Armatat cilësore 4 e 5 të Rojeve.

Në fillim të vitit 1945, Ushtria e Kuqe kapi burimin e fundit të naftës në rajonin e Liqenit Balaton, në Hungari. Për Gjermaninë kjo nënkuptonte fundin, prandaj ushtria gjermane ndërpreu kundërsulmin në kodrat pyjore të Ardeneve [kufiri Francë-Belgjikë] dhe sulmoi me Armatën 6 SS të tankeve për të rimarrë rajonin e Liqenit Balaton. Ushtria sovjetike e kishte të pamundur ta përballonte sulmin, por papritur u fut në betejë Armata cilësore 9 e Rojeve e përbërë nga Korparmatat 37, 38, 39 Pushkatare të Rojeve. Vala e betejës u kthye kundër ushtrisë gjermane dhe Armata 9 e Rojeve, pasi humbi gjysmën e ushtarëve përreth Liqenit Balaton, vazhdoi përparimin drejt Vjenës dhe nëpërmjet Pragës arriti Lumin Elba në Gjermani ku u takua me ushtrinë amerikane. Armata 9 e Rojeve për herë të parë hyri në luftim në Janar 1945.

Spiunazhi dhe sulmi

Rrjete të pavarura agjentësh të cilët vërtetonin njëri-tjetrin shërbenin në Gjermani për spiunazhin sovjetik. Një grup agjenturor nën emrin “Viking” dhe i përbërë nga shtatë oficerë të lartë gjermanë ishte pjesë e Komandës së Sipërme të Forcave të Armatosura gjermane [OKW]. Një grup tjetër nën emrin “Alta” punonte në ambasadën gjermane në Moskë, kurse një agjent tjetër ishte një nga ndihmësit e ngushtë të Ministrit të Jashtëm gjerman Ribbentrop. Si agjente sovjetike ishte edhe një artiste e famshme gjermane dhe njëkohësisht shoqe e ngushtë me gruan e Herman Gëringut. Rrjetet agjenturore sovjetike arrinin deri aty saqë Stalini të kishte plane të komandës së lartë gjermane një javë para se ta merrnin për zbatim trupat gjermane në front.

Shumë libra e artikuj magjepsës janë shkruar për agjentin Richard Sorge me nofkën Ramzai, një gjerman që punonte për spiunazhin sovjetik në Japoni. Më 29-07-1938, Moska i kërkon atij “të kthehet për pushime” dhe ia përsëriti kërkesën edhe në vitet në vazhdim; por ai pa pushim iu përgjigj “jam shumë i zënë”. Drejtori i zbulimit ushtarak sovjetik, Yan K. Berzin, i cili e pat rekrutuar Sorgen u pushkatua. Solomon Uritsky, një drejtor tjetër i GRU dhe udhëzues personal i Sorges, u pushkatua. Lev Borovich, me nofkën Rozental, zëvëndës-drejtor i Departamentit II të spiunazhit sovjetik, i cili kishte qenë kontrolluesi i drejtpërdrejtë i Sorges, u pushkatua. Agjenti sovjetik rezident në Gjermani, Gorev, i cili e nxorri Sorgen nga Gjermania, ishte në burg. Aino Kuusinen, bashkëpunëtorja e Sorges ishte në burg. Ekaterina Maksimova, gruaja e Sorges, vdiq në burg. Karl Ramm, agjenti rezident i GRU në Shangai dhe ish-zëvendës i Sorges, u thirr “për pushime” dhe u pushkatua. Prandaj, Richard Sorge nuk mund “të kthehej për pushime”, sepse e dinte se çfar e priste. Edhe pse mbeti komunist në shpirt, Richard Sorge u bë agjent i dyfishtë dhe të dhënat që ai dërgonte në Moskë, përfshirë edhe thashethemin se ai rrëfeu kohën e sulmit gjerman kundër BRSS, ishin ose të parëndësishme ose mashtruese.

Stalini e Hitleri, bashkë me shtabet dhe spiunazhet e tyre, e dinin se Gjermania mund të fillonte një luftë kundër BRSS vetëm pasi Britania të ishte dorëzuar ngase Gjermania nuk mund të mbante dy fronte lufte. Hitlerit dhe shtabit të tij gjithnjë e më shumë iu bë e qartë se ato praktikisht e kishin frontin e dytë, në Lindje. Në çdo rast, Ushtria e Kuqe do të sulmonte në Verën e vitit 1941. Ajo që i mbetej ushtrisë gjermane ishte të mbrohej duke sulmuar para kohe ushtrinë sovjetike; dhe kështu ndodhi më 22-06-1941. Derisa ndodhi ay sulm konkret, Stalini dhe shtabet e tij politike, ushtarake e të zbulimit nuk e besonin se mund të ndodhte ai sulm vetvrasës për sulmuesin.

Një agjent sovjetik kishte arritur të prekte dokumentet e fshehta të vetë Hitlerit. Njëmbëdhjetë ditë pasi Hitleri firmosi planin përfundimtar të luftës kundër BRSS, më 18-12-1940, kjo e dhënë bashkë me planin e Komandës së Lartë Gjermane ranë në duart e zbulimit ushtarak sovjetik [GRU]. Në fund të Dhjetorit 1940, Nën-Gjenerali F. I. Golikov, drejtori i GRU, i raportoi Stalinit se Gjermania do sulmonte BRSS pa e përfunduar luftën në Perëndim. Stalini dhe pak vetë të Komandës së Lartë Sovjetike nuk e besuan të dhënën e zbulimit. Drejtori Golikov kërkoi që burimi i kësaj të dhënë të dihej vetëm prej Stalinit. Gjithashtu, Golikov shpjegoi se analistët e zgjuarsisë në GRU analizonin përgatitjet ushtarake të Gjermanisë nga shumë këndvështrime dhe mund ta dallonin me saktësi kur përgatitjet për pushtim do fillonin. Që nga Janari 1941, nën-gjenerali Golikov i raportonte vetëm për vetëm Stalinit dhe i pohonte se përgatitjet për pushtim nuk kishin filluar. GRU dinte se trupat e municionet gjermane po përqendroheshin në kufi, se aviacioni gjerman po zhvendosej pranë kufirit; dinte tërë numrat dhe pozicionet e divizioneve gjermane, emrat e komandantëve të tyre, etj. E megjithatë deri kur ndodhi sulmi më 22-06-1941, nën-gjenerali Golikov raportonte se ushtria gjermane nuk ishte gati për sulm.

Gjithë agjentët e GRU në Europë ishin urdhëruar të kishin njohuri të saktë për ndërmarrjet blegtorale dhe ato që kishin lidhje me to. Numri i deleve, lloji i tyre, fabrikat e therjes dhe përpunimit të lëkurëve të tyre ishin në qendër të mbledhjes së të dhënave. Golikovi merrte dy herë në ditë njoftim për çmimin e mishit të qengjit në tregjet Europiane. Gjithashtu, agjentët sovjetikë grumbullonin leckat e mbetura (zakonisht ato digjeshin) me të cilat ushtarët gjermanë fshinin e vajisnin armët e tyre. Këto lecka me vaj dërgoheshin fshehtas në BRSS dhe analizoheshin kimikisht. Analiza e të dhënave për delet dhe e leckave me vaj pohonin (dhe këtë raportonte Golikovi) në mënyrë të pavarur se ushtria gjermane nuk ishte gati për sulm kundër BRSS. Nëse një ushtri do sulmonte BRSS, ajo duhej të kishte të paktën 6’000’000 veshje me lëkurë delesh për t’i mbijetuar dimrit rus. Nëse komanda e lartë gjermane do kërkonte të prodhoheshin rroba të tilla, me miliona dele do thereshin dhe si rrjedhojë çmimi i mishit të qengjit do binte. As porosia e as rënia e çmimit nuk ndodhi.

Në kushtet e dimrit rus, vaji në përdorim i makinave e armëve gjermane do të ngrinte dhe ato do bëheshin të papërdorshme; po ashtu edhe benzina e nafta që përdornin makinat e tanket gjermane. Edhe këto nuk ndryshuan në ushtrinë gjermane dhe Golikovi raportonte se ushtria gjermane nuk ishte gati për sulm. GRU mbante sytë hapur sidomos për divizionet gjermane që kishin në depot e tyre të paktën 15’000 rrobe me lëkurë delesh; por divizione gjermane me lëkurë delesh në magazina nuk kishte. Stalini i pranonte këto të dhëna dhe nuk e ndëshkoi Golikovin pas sulmit gjerman më 22-06-1941; biles Golikovi bëri karrierë derisa u bë Marshall i BRSS. GRU dinte ku dhe çfar lloj e sasie lëndësh djegëse e vajrash lubrifikues prodhoheshin në Gjermani dhe vendet e tjera të pushtuara. Sasia e lloji i tyre as nuk mjaftonte e as nuk përshtatej për mësymje të thellë e të gjatë në BRSS. As kërkimi shkencor gjerman për të prodhuar produkte vajgurore që i rezistonin ngrirjes nuk ishte i dukshëm.

Benzeni (benzoli), i cili është përbërësi kryesor i benzinës që përdoret në motorra, ngrin ndërmjet temperaturave –0.6oC dhe 10.4oC. Benzina sintetike në Gjermani prodhohej duke trajtuar me hidrogjen qymyret e cilësive të ulta. Kjo benzinë sintetike ishte me cilësi (numër oktani) të ulët dhe për t’ia rritur numrin e oktanit asaj i shtohej benzol. Benzina që përftohej e kishte temperaturën e ngrirjes nga –9.6oC  në – 14.5oC. Për udhëheqjen sovjetike, vetëm një i çmendur me këtë lloj benzine mund të sulmonte Rusinë e Madhe ku temperatura normale në dimër ishte –20oC, pa llogaritur erën që e ulte akoma më shumë këtë temperaturë. Zbulimi ushtarak sovjetik i gjykonte gjeneralët gjermanë jo të çmendur dhe prandaj arrinte në përfundimin se ushtria gjermane nuk po përgatitej për luftë. Ushtarët gjermanë do kishin nevojë për çizme e rroba të ngrohta, çadra të posaçme, ngrohës, ski e dyll për skitë, pelerina maskimi, produkte vajgurore dhe vajra lubrifikues që nuk ngrinin, ngrohës uji, bateri makinash që nuk ngrinin; dhe benzinë, naftë e vajgur dimri për tanket, makinat e avionët. Ushtria gjermane kishte nevojë për tank me zinxhirë të gjërë e mijra makina që mund të përballonin rrugë të këqija. Ushtria gjermane nuk pati materiale të tilla të posaçme.

Drejt Berlinit

Prej natyre, lumi i madh Dnepr bllokon lëvizjen nga Perëndimi drejt Lindjes. Para vitit 1939, të gjitha urat e këtij lumi ishin minuar. Në fillim të viteve 1930 ishte krijuar edhe flotilja ushtarake e këtij lumi, e cila më 1941 numëronte 120 anije luftarake dhe mbështetej nga fortifikime, artileri me kalibër 130-mm në brigjet lindore të lumit dhe skuadrilje aeroplanësh. Një vijë e tillë mbrojtëse në këtë lumë pengonte çdo përparim drejt rajoneve industriale të Ukrainës jugore dhe bazave detare të Detit të Zi. Që nga Maji 1940 kur ushtria gjermane sulmoi Francën, Stalini urdhëroi prishjen e vijës mbrojtëse të lumit Dnepr. Minat u hoqën nga urat dhe flotilja e dërgua në lumin Danub, në kufi me Rumaninë, për të mbështetur sulmin e ardhshëm në këtë drejtim dhe për të përparuar nëpërmjet Danubit drejt Austrisë.

Armata 9 sovjetike u krijua në Vjeshtën e vitit 1939. Një javë pasi u pozicionua si duhej në kufi me Finlandën, ajo sulmoi për “çlirimin” e Finlandës. Pas mbarimit të kësaj lufte, kjo Armatë më 26-03-1940 u fshi nga lista, për t’u dukur papritmas në Qershor 1940 në kufi me Rumaninë. Pas “çlirimit” të Besarabisë dhe Bukovinës Veriore, kjo Armatë më 10-07-1940 u fshi përsëri nga lista. Në fakt, trupat qëndruan pranë kufirit, porse si ushtarë që i përkisnin njësive ushtarake të vogla. Më 14-06-1941, Armata 9 mbiu përsëri nga dheu në kufi me Rumaninë dhe filloi të përforcohej me armët më të fundit dhe oficerët më të mirë. Në këtë Armatë bënte pjesë edhe Divizioni 30 Malor Pushkatar Irkutsk, i cili ishte pozicionuar në krah të djathtë të Armatës 9 sovjetike, përballë vargmaleve Karpate të Rumanisë. Përbri Armatës 9 sovjetike ishte Armata 12 Malore sovjetike e pozicionuar përballë vargmaleve Karpate të Rumanisë e Polonisë. Kjo Armatë ushtarët i kishte nga rajonet malore të Kaukazit dhe ishte pajisur me armatim e mjete për luftim malor.

Më 13-06-1941, Agjensia Telegrafike e Bashkimit Sovjetik (TASS) lëshoi një njoftim në radio sipas të cilit “….Gjermania dhe BRSS po i zbatojnë si duhet kushtet e paktit gjermano-sovjetik të mos-sulmimit;…..dhe se zërat e përhapura për një sulm të Gjermanisë kundër BRSS janë thjesht një fabrikim propagande nga armiqtë e Gjermanisë dhe BRSS”. Stalini ishte hartuesi i këtij njoftimi “të çuditshëm”. Për një dëgjues radioje të mefshtë njoftimi ishte një shenjë qetësimi; për Ushtrinë e Kuqe njoftimi i shenjë kushtrimi. Skalioni i Parë Strategjik i ushtrisë sovjetike kishte 170 Divizione tankesh, të motorrizuara, kalorsie dhe pushkatarësh. Nga këto 56 Divizione ishin vendosur në buzë të kufirit dhe 114 Divizionet e tjera ishin pak më thellë. Më 13-06-1941, të 114 këto Divizione morën urdhër të lëviznin drejt kufirit. Po në të njëjtën datë, Divizione të rajonit të maleve Ural morën urdhër të fshehtësisë më të lartë për t’u zhvendosur në “kampe të rinj” më në Perëndim, konkretisht në pujet e Rusisë së Bardhë. Pesë Armata nga thellësia i ishin afruar kufirit që nga muaji Shkurt 1941 dhe tre të tjera ishin në lëvizje për këtë qëllim. Këto tetë Armata i përkisnin Skalionit të Dytë Strategjik të ushtrisë sovjetike, i cili përmbante 77 Divizione tankesh, të morrizuar dhe pushkatarësh, pa llogaritur dhjetra Regjimente e qindra Batalione të veçantë.

Mijëra vagonë nevojiten për të mbartur trupat dhe materialet ushtarake të një Armate të vetme. Kjo ishte arësyeja pse formimi i Skalionit të Dytë Strategjik kërkoi pesë muaj. Pasi shkatërruan Skalionin e Parë Strategjik të ushtrisë sovjetike, njësitë sulmuese gjermane papritmas ndeshën Armata të reja sovjetike për të cilat komanda e lartë gjermane nuk dinte gjë. Lufta rrufe ishte llogaritur me shkatërruar trupat sovjetike pranë kufirit, kurse ushtria gjermane u ndesh me një mur tjetër Armatash që kishin ardhur apo ishin duke ardhur nga Kaukazi Verior, Volga, Uralet, Siberia, Trans-Baikali dhe Lindja e Largme. Stacionet e trenave pranë kufirit u kthyen në magazina gjigande municionesh që mbaheshin në vargje vagonësh që s’iu shihej fundi dhe në gjendje gatishmërie për të vazhduar rrugën drejt Perëndimit në mbështetje të sulmit të ushtrisë sovjetike. Njëkohësisht, 8500 çisterna hekurudhore plot me naftë e benzin u grupuan në stacionet e trenit pranë kufirit. Ushtria sovjetike ishte organizuar në pesë fronte sulmi në Perëndim të Bashkimit Sovjetik. Fronti Jugperëndimor kishte 1500 vagonë treni plot me municion vetëm në stacionin e qytezës Kalinovka. Pas sulmit gjerman, vetëm fronti perëndimor humbi 4216 vagonë treni plot me municion. Përqendrimi i trupave dhe materialeve ushtarake të ushtrisë sovjetike në të pesë frontet e sulmit ishte planifikuar të përfundonte më 10-07-1941.

Trupat sovjetike të Skalionit të Parë Strategjik nuk kishin gazerma për të fjetur; ato ishin në buzë të kufirit dhe flinin e hanin me çadra nëpër pyje. Po ashtu edhe trupat e Skalionit të Dytë Strategjik flinin nëpër pyje dhe nuk bënin ndërtime për stërvitje ose për të kaluar dimrin aty. Shumë nga lëvizjet e trupave dhe armatimit kryhej natën, kurse ditën trupat flinin nëpër pyje. Në rajonet pranë kufirit perëndimor nuk kishte fusha stërvitjeje për Ushtrinë e Kuqe dhe ato miliona ushtarë të përqendruar nuk mund të qëndronin për kohë të gjatë ashtu. Për më tepër, shumë Armata e Korparmata ishin krijuar kohët e fundit për t’u hypur menjëherë nëpër trena dhe si të tilla ato nuk kishin një gazermë ku të ktheheshin. Edhe nëse do ktheheshin, operacioni do kërkonte muaj të tërë, do bllokonte përsëri rrjetin hekurudhor dhe do sillte rrënim ekonomik për tërë vendin. Gjithashtu, tërë ato trupa nuk mund të rrinin për një kohë të gjatë të përqendruara në pyjet pranë kufirit, sepse fshehtësia e tyre dhe e tërë operacionit do të zbulohej. Në trupat sovjetike të Skalionit të Dytë Strategjik kishte shumë ushtarë të veshur me rroba të zeza, të cilët ishin në fakt ish të burgosurit e kampeve sovjetike të përqendrimit [GULAG] në Siberi. Armatat e Skalionit II Strategjik filluan të krijoheshin në Qershor 1941 dhe të burgosurit ushtarë u grumbulluan e u armatosën pikërisht në këtë kohë. Dërgimi i tyre në Perëndim ishte pa kthim, sepse do ishte e pamundur që ato të dorëzonin vetë armët dhe të ktheheshin mijëra kilometra larg, thellë në gulagët e Siberisë.

Manovrat ushtarake zakonisht kryheshin në fillim të Vjeshtës; kurse ky përqendrim forcash kishte nisur me fshehtësi që nga fillimi i vitit 1941 dhe po përfundohej në fillim të Verës. Zakonisht manovrat me rezervat ushtarake kryheshin pasi të korreshin të lashtat [grurë, misër, etj.]; kurse në atë vit, ky rregull u shkel. Në manovra ushtarake, oficerët e dinin lojën luftarake që do zbatonin; kurse në atë vit, oficerëve iu thuhej se do shkonin për stërvitje, dhe kaq. Paralel me trupat tokësore sovjetike, Divizionet dhe Regjimentet e aviacionit iu afruan kufirit, biles disa fusha-qëndrimi ishin 10 km larg kufirit. Divizionet ajrore zakonisht kishin 247 aeroplanë të shërbimeve të ndryshme. Me afrimin pranë kufirit, ato u furnizuan me aeroplanët më të rinj MiG-1, MiG-3, Pe-2, Il-2, dhe sasia e avionëve të tyre u dyfishua e u trefishua.

Pozicionimi dhe sulmi

Kufiri gjermano-sovjetik në Poloninë e pushtuar i ngjante një sharre dhe ushtritë sovjetike dhe gjermane ishin përqendruar pikërisht në majat e thepave; vetëm dhe gati për sulm. Kush ushtri do sulmonte e para do të rrethonte përqendrimet e ushtrisë tjetër. Më 1941, trupat gjermane u vendosën edhe në territoret e Rumanisë dhe Finlandës me kërkesën e këtyre vendeve për t‘u mbrojtur nga sulmi i ushtrisë sovjetike të përqendruar në kufi. Më 16-06-1941, qeveria britanike i kaloi qeverisë sovjetike një paralajmërim të zbulimit britanik për një sulm të mundshëm të ushtrisë gjermane. Raporti, i cili ishte i saktë, përcaktonte 115 Divizione të Skalionit të Parë Strategjik gjerman, nga të cilët 80 ishin në Poloni, 30 në Rumani dhe 5 në Finlandë e Norvegjinë veriore; pa llogaritur divizionet e ushtrisë rumune. Më 22-06-2941, numri i tyre në buzë të kufirit arriti në 125 Divizione dhe dy Brigada. Për ushtrinë gjermane, mbartja e avionëve pranë kufirit filloi në fund të muajit Maj e mbaroi më 18-06-1941. Meqenëse ushtria gjermane kishte më pak trupa se Ushtria e Kuqe, ajo fitoi dy javë kohë për mbartjen e tyre dhe pozicionimin e duhur pranë kufirit me BRSS; e rrjedhimisht sulmoi më herët.

Fronti Jugperëndimor i ushtrisë sovjetike ndodhej në rajonin ushtarak të Kievit. Ky ishte fronti më i fuqishëm sulmues i Ushtrisë së Kuqe dhe tre Armatat 6, 12 Malore, 26 ishin përqendruar në thepin e qytetit Lviv. Më 22-06-1941, Grupi i Parë i Tankeve gjermane, me fuqi të vogël ushtarake, sulmoi në drejtimin Lutsk-Rovno-Berdichev dhe i rrethoi këto tre Armata. Më pas ky grup tankist me shumë lehtësi lëroi prapavijën ushtarake duke shkatërruar ose kapur në sasira të pamenduara fusha avionësh, spitale, pika komandimi, ushqime, municione e armatime. Ato trupa sovjetike që i shpëtuan rrethimit lanë çdo gjë mbrapa dhe morën vrapin drejt Lindjes. Sulmi i Grupit të Parë Tankist gjerman rrezikoi tërë Frontin Jugor Sovjetik, sepse para këtij Grupi Tankist shtrihej tani një hapësirë e lirë dhe ai mund të sulmonte ku të donte.

Grupi i Parë Tankist mund të shkonte drejt Kievit; mund të kapte kombinatet metalurgjike të Ukrainës në Dnepropetrovsk, Dneprodzerzhinsk, Zaporozhye; pas kësaj mund të arrinte në Krime dhe në bazat detare të Deti të Zi; mund të kapte hidrocentralin DneproGES, më të madhin në Europë; mund të kapërcente lumin Dnepr dhe të kapte rajonin Donbass, i cili ishte rajoni qymyrguror më i madh i BRSS; mund të vazhdonte drejt Kaukazit Verior dhe të kapte linjat e furnizimit me produkte vajgurore, etj. Por për të gjitha këto shënjestra nuk mjaftonte vetëm ky Grup Tankist, i cili kishte 799 tanke të vjetër e të përdorur. Grupi i Parë Tankist gjerman u urdhërua të sulmonte në drejtim të lumit Dnepr, ku pas betejave të ashpra e kapërceu këtë lumë dhe u bashkua me Grupin e Dytë Tankist gjerman. Si rrjedhim katër Armata sovjetike u rrethuan dhe dhanë 664’000 robër, pa llogaritur sasitë e panumërueshme të armatimit, municioneve dhe furnizimeve të tjera. Kjo ndodhi në Shtator 1941 dhe bëri që ushtria gjermane të humbte shpejtësinë dhe të vononte sulmin kundër Moskës; me fillimin e Vjeshtës e cila sillte shira e baltë nuk kishte më luftë rrufe [blitzkrieg].

Fronti sovjetik Perëndimor në Rusinë e Bardhë kishte Armatat 3, 4, 10, 13 të përqendruara në thepin e qytetit Byelostok. Më 22-06-1941, dy grupe tankiste gjermane sulmuan nga krahët, kryen rrethimin e 30 Divizioneve sovjetike dhe pasi u bashkuan vazhduan drejt qytetit Minsk. Më 03-07-1941, këmbësoria gjermane i arriti Grupet 2 e 3 të tankeve dhe më pas sulmi i tyre u drejtua kundër rajonit të qytetit Smolensk. Ky qytet komandonte rrugën për në Moskë. Saktësisht 129 vjet më parë, ushtria franceze e Napolon Bonapartit pat kryer një betejë të ngjashme në Smolensk para se të hynte në Moskë. Beteja e Smolenskut u krye midis datave 10-07-1941 dhe 10-09-1941. Grupi i Dytë Tankist nën komandën e Gjeneralit Heinz Guderian mori krahët nga Jugu, kurse Grupi i Tretë Tankist nën komandën e Gjeneralit Hermann Hoth mori krahët nga Veriu. Meqenëse shpejtësia e sulmit nga Jugu qe më e ulët sepse tanket e Grupit të Dytë gjerman lëvizën në toka të përbaltura, rrethimi u mbyll me vonesë dhe 200’000 trupa sovjetike i shpëtuan rrethimit. Megjithatë, në përfundim të betejës 310’000 trupa sovjetike nga Armatat 16, 20 e një pjesë nga Armata 19 u zunë robër, kurse të 700 tanket sovjetike u shkatërruan. Nga këtu, busulla shigjetonte drejt Moskës.

Një ushtri Europiane mund të sulmojë në territorin sovjetik vetëm në periudhën 15 Maj – 15 Shtator. Pjesa tjetër e vitit është me shi, borë, baltë, ngrica e ftohësi. Në Qershor 1941 dhe pa filluar lufta, ushtria sovjetike numëronte 5.5 milion ushtarë e oficerë. Pas një jave nga sulmi gjerman, më 01-07-1941, u mobilizuan në ushtrinë sovjetike edhe 5.3 milion njerëz të tjerë dhe mobilizimi vazhdoi edhe në muajt në vazhdim. Gjatë Luftës II Botërore 20% e popullsisë së BRSS u vesh ushtar, domethënë 34.5 milion vetë. Gjermania nuk ishte gati  për luftë të gjatë kundër BRSS. Hitleri besonte se po të kapej Moska, atëherë tërë Rusia e Madhe do kapitullonte. Qëllimi i operacionit Barbarosa [sulmi gjerman kundër BRSS] nuk ishte i qartë. Gjeneralët e Hitlerit planifikuan ta shkatërrojnë Rusinë e Madhe për tre muaj duke patur naftë e benzin vetëm për dy muaj. Lufta rrufe është një luftë tankesh të shpejtë dhe të fuqishëm. Më 01-09-1939, Gjermania kishte 2977 tanke (6 Divizione) nga të cilët 1445 Pz-I pa top, 1223 Pz-II me top 20-mm, 98 Pz-III me top 37-mm të papërdorshëm dhe 211 Pz-IV me top 75-mm me tytë të shkurtër i papërdorshëm kundër tankeve. Më 22 Qershor 1941, ushtria gjermane sulmoi BRSS me 3332 tanke të vjetër (në 21 Divizione), pa tanke të rëndë e pa tanke amfibë. Nga ana tjetër, ushtria sovjetike kishte 23’925 tanke të modeleve më të mira në botë, me armatim të fuqishëm, me motor diezel, etj.

Më 22-06-1941, ushtria gjermane kishte në frontin lindor 750’000 kuaj, shumica për mbartje furnizimesh. Këto kuaj ngordhën me një ritëm mesatar prej 1000 kuajsh në ditë. Nga 153 Divizione gjermane të të dy Skalioneve Strategjike që u derdhën mbi BRSS, vetëm 17 prej tyre ishin Divizione tankesh (4 Grupe Tankiste). Nuk kishte biles edhe një tank të vetëm në të 13 Divizionet e motorizuara gjermane në fillimin e Luftës II Botërore, ndërkohë që secili Divizion sovjetik pushkatarësh kishte Batalionin e vet të tankeve T-26. Një shembull ishte Armata 20 Malore gjermane e cila kishte 200’000 ushtarë dhe 70’000 kuaj. Ushtria gjermane mbështetej shumë në mbartjen e trupave nëpërmjet makinave dhe në sulmin kundër BRSS u përdorën 500’000 të tilla. Në rrugët e Europës këto makina e treguan vlerën e tyre, kurse në fushatën kundër BRSS ato ngecën në baltën e të ashtuquajturave rrugë sovjetike. Më 01-06-1941, ushtria gjermane kishte 10’816 armë artilerie të shpërndara në frontet e Afrikës, Europës Perëndimore, Juglindore dhe Lindore; dhe këto ishin me municione të pakta. Më 22-06-1941, Ushtria e Kuqe kishte 15’464 armë artilerie dhe shumë fabrika që prodhonin municion për to.

Hitleri nënshkroi Urdhërin e Hapur Nr. 21 më 18-12-1940, prej të cilit filloi zbatimi i Operacionit Barbarossa, domethënë sulmi kundër BRSS. Sipas këtij dokumenti, “…..qëllimi i operacionit është krijimi i një prite mbrojtëse ndaj Rusisë aziatike përgjatë vijës Vollga-Astrakhansk. Rajonet industriale të mbetura në Urale do të paralizoheshin nëpërmjet aviacionit…..”. Ushtria gjermane nuk kishte bombardues, fusha aviacioni, vajgur, vajra lubrifikues e furnizim me bomba, që mund të arrinin malet Urale, të bombardonin e të ktheheshin. Ushtria gjermane nuk e arriti lumin Vollga para shirave të Vjeshtës. Tanket gjermane e kishin të shkurtër kohën e punës dhe tërë ushtria gjermane duhej të ndalonte për 2-3 javë me qëllim që të riparonte tanket (zëvendësim motorri, kutie shpejtësie, pistonash, etj.). Gjithashtu, tanket gjermane ngecën në baltën ruse për shkak të vetë ndërtimit të tyre. Tanku gjerman T-IIIA, më i miri në vitin 1941, kishte shtypjen 0.94 kg për centimetër katror sipërfaqe mbështetëse dhe jepte 13.9 kuaj-fuqi për ton peshë të vetën; pa dyshim ky tank do zhytej në baltë dhe nuk as krahasohej me tanket sovjetike për nga cilësia e sasia. Veç kësaj, që në Gusht 1941, ushtarët gjermanë shfaqën shenja lodhje dhe fuqia e ushtrisë kishte rënë për shkak të humbjeve e furnizimeve të pakta. Lufta rrufe e ushtrisë gjermane u shua që në Gusht 1941. Gjithashtu, ushtria gjermane nuk mori furnizimet e duhura për të përballuar dimrat në Rusinë e Madhe. Natyrisht, pa një përgatitje të tillë nuk mund as t’i mbijetohej atje dimrit e as të përparohej ushtarakisht.

Lufta filloi

Më 19-08-1939, gazeta Pravda shkruante se “….në interes të mbrojtjes së BRSS do të kërkohen operacione të mëdha sulmuese në territorin e armikut dhe se kjo nuk kundërshton karakterin e luftës mbrojtëse”. Në Qershor 1941, populli dhe ushtria sovjetike nuk ishin gati për mbrojtje, as edhe mendërisht. Në periudhën 13-20 Qershor 1941, trupat e Ministrisë së Brendshme Sovjetike larguan me forcë popullsinë që ishte deri në 100 km afër kufirit, që nga Deti i Bardhë e deri në Detin e Zi. Një pjesë e të zhvendosurve formuan fshatra të rinj në Siberi, kurse të tjerët i dërguan nëpër Gulagët e Siberisë. Pas largimit të popullsisë, rojet e kufirit hoqën të gjitha telat me gjemba dhe minat e kufirit; dhe më pas u larguan edhe vetë duke ia dorëzuar kufirin ushtrisë. Menjëherë, batalionet e zbulimit të ushtrisë sovjetike u afruan në buzë të kufirit. Më 19-06-1941, Divizioni 164 Pushkatar i saj zëvendësoi rojet e kufirit në lumin Prut. Komanda e lartë e ushtrisë sovjetike e dinte se ushtarët e dërguar pranë kufirit mendërisht nuk mund të duronin për një kohë të gjatë pa u hedhur në sulm. Tërë këto trupa nuk kishin gërmuar llogore për mbrojtje, por qëndronin gati me fytyrë vetëm drejt Perëndimit.

Midis datave 29-05-1941 dhe 05-06-1941, u shtypën dhe iu shpërndanë ushtarëve e oficerëve të rinj sovjetikë pesë milion kopje të një fjalori Rusisht-Gjermanisht-Rusisht, i cili përmbante pyetje-përgjigje në të dy gjuhët, edhe me gërma latine edhe cirilike. Në anën tjetër, një libër të ngjashëm kishte shtypur edhe ushtria gjermane për veten e vet. Për të njëjtin qëllim sulmi ishin edhe hartat të cilat iu ishin shpërndarë oficerëve sovjetikë ose ishin magazinuar pranë kufirit duke pritur përdorimet e rradhës. Shumë nga ato harta iu kapën oficerëve sovjetikë të zënë robër, ndërsa të paktën 100 milion të tjera ose u kapën ose u dogjën nëpër magazinat pranë kufirit. Veç kësaj sasie hartash, trupat sovjetike vetëm në rajonet ushtarake të Veriperëndimit, Perëndimit dhe Jugperëndimit dogjën gjatë tërheqjes 200 vagonë treni me mbi 200 milion harta ushtarake.

Më 22-06-1941, Divizioni 41 Pushkatar i Korparmatës 6 Pushkatare, që bënte pjesë në Armatën 6 të ushtrisë sovjetike, pa pritur urdhërin nga komanda e lartë, filloi zbatimin e planit të mësymjes. Ky Divizion sulmoi në rajonin Rava-Russkaya dhe hyri deri në 4-6 km thellë në territorin polak të pushtuar nga ushtria gjermane. Po në këtë datë, komandanti sovjetik i Frontit Veriperëndimor, Gjeneral-Koloneli F. I. Kuznetsov, urdhëroi trupat e tij të sulmonin sipas planit qytetin gjerman Tilzit në Prusinë Lindore. Po në këtë datë, komanda e lartë sovjetike urdhëroi Frontin Perëndimor të sulmonin fuqishëm drejt qytetit polak Suvalki.

Më 23-06-1941, Korparmata e Parë sovjetike e Bombarduesve me Rreze të Gjatë veprimi kreu sipas planit dhe urdhrit të marrë më 22-06-1941, ora 06:44, një bombardim masiv kundër shënjestrave në qytetet gjermane Kënigsberg dhe Danzing. Më 25-06-1941 dhe sipas planit të parapërgatitur, trupat dhe aviacioni sovjetik i Frontit të Veriut u hodhën në sulm kundër Finlandës. Më 26-06-1941, Korparmata 4 e Bombarduesve me Rreze të Gjatë filloi bombardimin e rajonit vajguror dhe rafinerive të Ploeshtit në Rumani. Pas disa ditë bombardimi, sasia e përftuar e produkteve vajgurore në Rumani u përgjysmua. Në të njëjtën kohë, flotilja ushtarake sovjetike në lumin Danub filloi operacionet sulmuese në Deltën e Danubit.

Sipas dokumenteve të arkivuara të hapura vetëm pas vitit 1991, vizitori i fundit doli nga zyra e Stalinit më 21-06-1941 në orën 23:00. Ditën tjetër, më 22-06-1941, në ora 05:45 hyn vizitori i parë. Në ditët në vazhdim Stalini punonte pa pushim me orë të tëra. Dokumentet e zyrës nuk kanë të regjistruar takime apo mbledhje pune për datat 29 e 30 Qershor 1941. Më 29-06-1941, Stalinit iu raportuan përmasat e vërteta të disfatës në Frontin Perëndimor e Jugor. I pezmatuar se plani i tij për të “çliruar” Europën e botën u prish, Stalini tërhiqet në kështjellën e tij jashtë Moskës. Më 30-06-1941, tek ai shkojnë anëtarët e byrosë politike Molotov, Beria, Malenkov, Mikojan, etj. Për këtë vizitë, Mikojani në kujtimet e tij shkruan: “….Stalini pyeti: Për çfar keni ardhur?….Ai po priste që ta arrestonim. Molotovi, në emër të gjithëve tha se fuqia duhej përqendruar me qëllim që të ngrihemi përsëri në këmbë dhe se një Komitet Shtetëror për Mbrojtjen duhej krijuar. Ju duhet të jeni në krye përsëri….”.

Një nga robërit që u kap nga ushtria gjermane ishte edhe Yakov Iosifovich Dzhugashvilli, djali i [Iosif Vissarionovich Dzhugashvili] Stalinit, me detyrën e komandantit të Baterisë 5 të Regjimentit 14 të Artilerisë të Divizionit 14 Tankist të Korparmatës 7 të Mekanizuar. Atij iu gjet një letër-këmbim i datës 11-06-1941 me një oficer tjetër ku pohohej sulmi sovjetik drejt Berlinit; kjo letër iu raportua Hitlerit, i cili e citoi më 18-05-1942. Oficerët gjermanë e pyetën djalin e Stalinit pse artileria sovjetike, me topat më të mirë në botë dhe me numrin më të madh, qëllonte kot dhe nuk qe e frytshme kundër mësymjes gjermane. Ai iu përgjigj: “…artiljerët sovjetike kishin harta vetëm për territoret matanë kufirit perëndimor të BRSS”. Kur sulmoi ushtria gjermane, trupat sovjetike nuk kishin as plan e as pozicione për mbrojtje dhe si rrjedhojë u rrethuan shpejt prej tankeve gjermane. Hutimi dhe çorganizimi ishte që nga Stalini, shtabet ushtarake e politike të Ushtrisë së Kuqe e deri tek oficeri më i thjeshtë. Në Gusht-Shtator 1941, 665’000 trupa të ushtrisë sovjetike u rrethuan e u kapën robër në rajonin e qytetit Kiev dhe 310’000 të tjerë në rajonin e Smolenskut. Më 1942, Frontit sovjetik të jugut (të Krimesë) nuk i numëroheshin ushtarët e rrethuar, të kapur rob ose të asgjësuar, pa llogaritur humbjet në armatime e materiale. Këto ndodhi nuk përmenden nëpër rrëfimet apo librat e historisë.

PUSHTIMI I IRANIT NGA BRSS DHE BRITANIA

Po ashtu nuk përmendet nëpër historitë zyrtare të Lindjes e Perëndimit edhe pushtimi i Iranit prej ushtrisë sovjetike dhe asaj britanike në Verën e vitit 1941. Një ndodhi e tillë ndodhte në kulmin e mësymjes të ushtrisë gjermane në BRSS, kur miliona ushtarë sovjetikë rrethoheshin e ziheshin robër. Një ndodhi e tillë nuk jepet, sepse do lindte nevoja me emërtuar kush ishte i keqi (pushtuesi) e kush i miri (i pushtuari). BRSS dhe Britania, në marrëveshje të ngjashme me atë midis BRSS e Gjermanisë për pushtimin e ndarjen e Polonisë, sulmuan Iranin asnjanës më 25-08-1941 dhe përfunduan pushtimin e tij më 17-09-1941. Forcat ushtarake të perandorisë britanike që sulmuan nga Jugu përbëheshin nga Divizionet 8, 10, 21 të Këmbësorisë Indiane, Brigada 2 e Blinduar Indiane dhe Brigada 9 e Blinduar Britanike. Trupat e Ushtrisë së Kuqe që sulmuan nga Veriu përbëheshin nga Armatat 44, 47, 53 të Këmbësorisë të Frontit sovjetik Trans-Kaukazian. Operacionet ushtarake në të dy drejtimet u mbështetën edhe nga forcat detare e ajrore sovjetike dhe britanike.

 


Ajo që jepet në historitë zyrtare është vetëm ndodhia e datës 22-06-1941, e ditës së sulmit të ushtrisë gjermane dhe aleatëve të saj kundër BRSS. Dhe ajo që jepet tjetër është përralla se sovjetikët ishin të papërgatitur për luftë, të përgjumur, të pa mbrojtur, me armë të vjetra, pa tanke e avionë, të veshur e ushqyer keq, pa oficerë e pa ushtarë të mjaftë. Dhe ajo që zgjat përrallën është se lufta ktheu në kahun e ushtrisë sovjetike vetëm prej baltës, të ftohtit, dimrit rus dhe hapësirave pa fund. Ajo që nuk jepet është një ushtri sovjetike me miliona ushtarë e përqendruar në buzë të kufirit, gati për sulm kundër Europës, me armatim të ri, sasior e cilësor.

Pushtimi sovjetik i mançurisë

Më 13-04-1941, BRSS dhe Japonia nënshkruan një pakt mos-sulmimi midis tyre. Politikisht, kjo ishte një goditje për Gjermaninë dhe fitore për Bashkimin Sovjetik. “Dhurata” për japonezët do jepej pas katër vjetësh. Kështu më 1945, BRSS filloi të rigrupojë ushtrinë nga Europa në Lindjen e Largët për të goditur trupat japoneze në Mançuri të Kinës. Largësia e mbartjes së trupave ishte 9000 – 12000 km. 135’756 vagonë treni u përdorën për tre muaj për të përqendruar trupat në tre fronte. Forca sovjetike përbëhej nga 11 Armata këmbësorie, tre Armata të Mbrojtjes Ajrore, tre Armata të Sulmit Ajror, një Armatë tankesh, 4 Korparmata të veçanta të forcave ajrore; kësaj i shtoheshin flota sovjetike e Oqeanit Paqësor, flotilja e lumit Amur, trupat kufitare sovjetike dhe forcat e armatosura të Mongolisë. Fuqia në tokë përbëhej nga 1’747’465 ushtarë e oficerë, 29’835 topa e mortaja, 5250 tanke dhe 5171 aeroplanë. Flota e Oqeanit Paqësor përbëhej nga 339 anije lufte, 78 nëndetëse dhe 1618 aeroplanë. Flotilja e lumit Amur kishte 126 anije lufte dhe 68 aeroplanë. SHBA dërguan furnizime për këtë fushatë të Ushtrisë së Kuqe kundër ushtrisë japoneze, ku përfshiheshin aeroplanë, makina të blinduara, radio ndërlidhëse, materiale mjekësore dhe për ndërlidhje, lëndë djegëse, ushqime, etj.

Sulmi do ishte rrufe [blitzkrieg], me forca të grupuara fshehtas, zjarr të përqendruar dhe krahëmarrje; ashtu si ushtria sovjetike kishte sulmuar në Gusht 1939 forcat japoneze në Mongoli dhe ashtu si ushtria sovjetike u bë gati të sulmonte Europën në Verën e vitit 1941. Fronti Trans-Baikal dhe Fronti i Parë e Lindjes së Largët do sulmonin nga krahët; në qendër do përparonte Fronti i Dytë i Lindjes së Largme me synim kryerjen e rrethimit. Të tre frontet sulmuese duhej të përparonin njëkohësisht përgjatë një vije 5130 km të gjatë. Më 06-08-1945 ushtria amerikane hodhi bombën atomike mbi qytetin japonez Hiroshima dhe më 09-08-1945 edhe mbi qytetin Nagasaki. Mësymja e Ushtrisë së Kuqe në Mançuri filloi më 09-08-1945 dhe mbaroi më 02-09-1945. Në përfundim, ushtria sovjetike kishte pushtuar Mançurinë, Mongolinë e brendshme, Korenë e Veriut, pjesën jugore të ishullit Sakhalin dhe ishujt Kuril. Tërë Armatat i kryen veprimet në harmoni të plotë dhe me shpejtësi rrufe; për shembull, Armata 6 Tankiste e Rojeve përparoi 810 km për 11 ditë. Kjo fushatë mësohet në akademitë ushtarake sovjetike si një luftë model. Me rreth tre javë fushatë ushtarake, qindra milion njerëz ranë nën kontrollin sovjetik. Ushtria komuniste kineze mori sasi shumë të mëdha armatimesh, pajisjesh e furnizimesh ushtarake. Më 02-09-1945, lindi Republika Demokratike e Vietnamit nën udhëheqjen e Ho Shi Minit; më 12-10-1945, komunistët në Laos bënë të njëjtën gjë.

Plani operacional i asaj fushate ushtarake u hartua nga Marshall Vasiljevski, i cili kishte qenë Zëvendës-Drejtor i Operacioneve të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Kuqe  në periudhën Maj 1940 – Qershor 1941. Gjatë asaj periudhe ai kishte hartuar planin operacional të përqendrimit të forcave sovjetike në Frontin Verior (Karelian), Veriperëndimor (Balltik) dhe Perëndimor (Rusia e Bardhë). Pikërisht në këto Fronte ushtria sovjetike u godit më fort në Verën e vitit 1941. Çarja e Frontit Verior i solli trupat finlandeze në Veri të qytetit Leningrad, kurse thërrmimi i Frontit Veriperëndimor i solli trupat gjermane në Jug të Leningradit. Ndërsa trupat sovjetike të Frontit Perëndimor u rrethuan dhe ose u asgjësuan ose u kapën robër, duke lënë të hapur rrugën për në Moskë. Gjeneral-Majori Vasiljevski jo vetëm që nuk u dënua prej Stalinit për planifikimin e tij, por për një vit e gjysmë hypi shkallët e karrierës deri sa u bë Marshall i BRSS. Stalini i besoi Marshall Vasiljevskit planifikimin e rrethimit të trupave gjermane në Stalingrad, operacionin e betejës së Kurskut, operacionin në Rusinë e Bardhë dhe së fundi operacionin kundër ushtrisë japoneze në Lindjen e Largme.

Deri në Shkurt 1941, Gjenerali K. A. Meretskov ishte komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Kuqe dhe mbante përgjegjësinë më të lartë për planet e luftës. Rrjedhimisht,  përgjegjësia e disfatës së ushtrisë sovjetike kur sulmoi ushtria gjermane më 22-06-1941 binte mbi të. Porse ai nuk u dënua nga Stalini, vazhdoi ngjitjen në karrierën ushtarake dhe në vitin 1945 mbante titullin e Marshallit të BRSS dhe komandantit të Frontit të Parë të Lindjes së Largme. Nën-Gjenerali M. A. Purkaev në vitin 1941 ishte komandanti i Shtabit të Ushtrisë së Kuqe të Frontit Jugperëndimor (rajoni i Kievit). Ai ishte drejtpërsëdrejti përgjegjës për planet e luftës së ushtrisë sovjetike. Me sulmin e ushtrisë gjermane më 22-06-1941, Armatat sovjetike të këtij fronti u asgjësuan. Megjithatë, edhe ky ushtarak nuk u dënua nga Stalini por vazhdoi karrierën dhe më 1945, me gradën e Gjeneralit, ishte komandant i Frontit të Dytë të Lindjes së Largme. Më 1941, Gjeneral-Majori R. Ya. Malinovsly komandonte Korparmatën 48 Pushkatare të pozicionuar për sulm në kufirin Rumun. Më 1945, ai ishte bërë Marshall i BRSS dhe komandant i Frontit Trans-Baikal të Lindjes së Largme.

Pra të njëjtët ushtarakë që hartuan planet e sulmit rrufe kundër ushtrisë japoneze në Mongoli në Gusht 1939, kundër Finlandës në Nëndor 1939, kundër Besarabisë në Qershor 1940, kundër Europës në Verën e vitit 1941, kundër Iranit në Gusht 1941, hartuan e zbatuan edhe planet e sulmit rrufe kundër ushtrisë japoneze në Mançuri në Gusht 1945. Ushtria japoneze e shihte përqendrimin e trupave sovjetike dhe armatimit në tërë frontin dhe priste që një sulm i madh, të cilit nuk do i bënte ballë, do të ndodhte herët a vonë. E vetmja zgjidhje për ushtrinë japoneze ishte që të sulmonte para kohe (në fund të Korrikut 1945) dhe të arrinte një fitore si të ushtrisë gjermane në Qershor 1941. Tërë armatimi sovjetik, avionët, artileria, produktet vajgurore, municionet, etj., qëndronin të stivuar mbi dhe në buzë të kufirit ose nëpër vagonët hekurudhorë pranë kufirit. Pikat e komandimit dhe linjat e ndërlidhjes ishin pozicionuar në buzë të kufirit. Ushtria e Kuqe edhe këtë herë përgatitej vetëm për sulm dhe jo për mbrojtje; pra do mjaftonte që ushtria japoneze të sulmonte e para dhe ndodhia do ishte e ngjashme si me ushtrinë gjermane në Qershor 1941. Por ushtria japoneze nuk sulmoi, sepse asaj i kishte ardhur fundi.

Lufta mbaroi për disa

BRSS e filloi dhe e mbaroi Luftën II Botërore si pushtues [aggressor]. BRSS ishte i vetmi vend që u zgjerua si rrjedhim i Luftës II Botërore duke bërë pjesë të vetën Estoninë, Lituaninë, Letoninë [Latvian], Bukovinën e Veriut, Besarabinë, Poloninë Lindore (Ukrainën Perëndimore dhe Rusinë e Bardhë Perëndimore), pjesën e Prusisë Lindore me qytetin Kënigsberg, Ukrainën Trans-Karpate [Carpathian Ruthenia], ishujt Kuril dhe Jugun e ishullit Sakhalin [në Veri të Japonisë]. Stalini pjesën veriore të Iranit e bëri pjesë të Republikës sovjetike të Azerbajxhanit dhe, më 23-07-1945, kërkoi baza ushtarake në Ngushticat e Bosforit dhe Dardaneleve territoret turke të rajoneve Kars dhe Ardagan.

Nën flamurin e “luftës së madhe patriotike”, popuj e kombe të tërë në BRSS pësuan dhunim e genocid. Nën urdhërat e Stalinit, Çeçenët, Ingushetët, Tatarët e Krimesë, Gjermanët e Vollgës, e popuj të tjerë u morën me forcë dhe u braktisën në mes të stepave të thata e të ngrira, thjesht për t’u “vetshfarosur”. Popullsia Kalmyk e Mongolisë Perëndimore, e cila në mënyrë natyrale jeton nëpër stepa, u mor me forcë nga aty dhe u lëshua në tajgat e Siberisë. Mbi një milion polakë u shpërngulën me forcë nga Polonia Lindore. Miliona gjermanë të Prussisë, Silezisë e Sudetëve që ranë nën nën sundimin sovjetik ose u dëbuan nga shtëpitë e tyre ose nuk u lejuan të kthehen pas përfundimit të luftës. Në vitin e fundit të Luftës II Botërore Ushtria e Kuqe filloi të marrë ushtarë djem nën moshën e lejuar dhe i mbante ushtarë 7-8 vjet. Kjo bëri që të mos kishte njerëz të mjaftueshëm për të mbjellur e të korrur produktet bujqësore. Një gjë e tillë shkaktoi urinë masive të viteve 1946 e 1947 në BRSS, si rrjedhim i së cilës vdiqën një milion vetë. Prandaj regjistrimi i popullsisë në BRSS u bë vetëm në vitin 1959 me qëllim që të mos tërhiqej vëmendja tek humbjet e mëdha në njerëz për shkak të terrorit të brendshëm dhe luftërave.

Ndërsa udhëheqësit nazistë gjykoheshin në Gjygjin e Nyrembergut, kampet nazistë të përqendrimit në Buchenwald, Saksenhausen, Mühlberg, Furstenwalde, Liebe-Roze, Bautzen, etj. që u pushtuan nga ushtria sovjetike nuk u mbyllën. Ato u bënë pjesë e rrjetit sovjetik të kampeve të përqendrimit GULAG nën urdhërat e Ministrisë së Brendshme Sovjetike. Për shembull, ish-kampi nazist në Mühlberg  mori emrin “Kampi i Posaçëm Nr. 1”, ai në Buchenwald mori emrin “Kampi i Posaçëm Nr. 2”; dhjetë kampe të tillë të numëruar kështu ishin në përdorim deri në vitin 1950. Në “Kampi i Posaçëm Nr. 2” pati 28’000 të burgosur gjatë viteve 1945-1950. Nga këta vdiqën 7000 vetë ose 25% e të burgosurve; në këtë kamp, nën nazistët, në periudhën 1937-1945 vdiqën 20% e të burgosurve. Nën flamurin e “çlirimtarit”, ushtria  sovjetike përparoi deri në Europën Qëndrore ku ndërtoi Perden e Hekurt dhe futi brenda vathës sovjetike Poloninë, Çekosllovakinë, Gjermaninë Lindore, Hungarinë, Rumaninë, Bullgarinë, Jugosllavinë, një pjesë të Austrisë dhe Shqipërinë. Shplarja e trurit, “lufta e klasave”, përmbytja me kulturë sovjetike, shkrirja e ekonomive dhe e ushtrive bëri që popujt e këtyre vendeve të ndjehen “vëllezër të lindur të njëri-tjetrit”. Në Lindjen e Largët, Mongolia, Kina, Korea e Veriut dhe Vietnami ranë gjithashtu nën kontrollin sovjetik.

Kujtesë

Ajo që vazhdon të jepet për 22 Qershorin 1941 është përralla e një Ushtrie të Kuqe të papërgatitur, të fjetur, me armatim të vjetruar dhe të pakët, e pangrënë dhe e veshur keq, pa oficerë që ta komandonin e organizonin. Dhe përralla vazhdon me Stalinin që e besoi verbërisht Hitlerin dhe se pas sulmit të ushtrisë gjermane Stalini iku e u fsheh. Hap pas hapi, përralla ka ndërtuar “turpin” e Bashkimit Sovjetik që ra “viktimë” e sulmit të Gjermanisë naziste. Ky është një “turp” i dobishëm që “të turpëruarit” e përhapin në mënyrë të paturpshme, sepse iu mbulon të vërtetën e një Ushtrie të Kuqe që gati sa nuk sulmoi për të “çliruar” tërë Europën. Disa nga gjërat që kjo përrallë “harron” t’i rrëfejë janë:

1.Më 11-11-1938, Ministria e punëve të Brendshme e BRSS dhe Policia e Fshehtë e Shtetit gjerman [Geheime Staatspolizei – Gestpo] nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi, të firmosur përkatësisht nga P. Beria dhe H. Müller. Ajo marrëveshje u pasua nga tre konferenca të përbashkëta më 27-09-1939, fund Nëntori 1939 dhe më 20-02-1940. Qendra e bashkëpunimit ishte “qetësia dhe pastrimi” i Polonisë së pushtuar nga ushtria gjermane dhe ajo sovjetike. Në Konferencën e Jaltës më 4-11 Shkurt 1945, Stalini ia paraqiti Berian Presidentit amerikan Franklin D. Roosevelt duke e quajtur “Himleri ynë”; kuptohet duke qeshur.

2.Në Qershor 1939, Ushtria e Kuqe kishte dy Armata këmbësorie të vendosura jo në Perëndim të BRSS. Në Qershor 1941, Ushtria e Kuqe kishte 31 Armata këmbësorie, nga të cilat 26 pranë kufinjve perëndimorë të BRSS.

3.Më 11-03-1941, Marshall Timoshenko dhe Gjeneralët Zhukov e Vasilevsky, drejtuesit e Ministrisë së Mbrojtjes së BRSS, i paraqitën Stalinit planin e pushtimit të Gjermanisë. Mbas dy vjetësh të dy këta gjeneralë u bënë Marshallë të BRSS. Të 16 faqet e këtij dokumenti ndodhen në Arshivin Qëndror të Ministrisë Ruse të Mbrojtjes me këto të dhëna: CA MD RF, Rafti 16, Regjistri 2951, Kutia 241, faqe 1-16.

4.Disfatat e Ushtrisë së Kuqe në Korrik-Tetor 1941 në Smolensk, Kiev, Uman dhe Vyazma dhe në vitin 1942 në Krime, Kharkov, Leningrad dhe Rzhev.

5.Ndihmat nga ShBA mbuluan 41-63% të nevojave ushtarake të Ushtrisë së Kuqe gjatë Luftës II Botërore.

6.Plotësimin e dëshirës së Kryeministrit britanik Churchill, drejtuar Carit Stalin dhe Presidentit amerikan Franklin D. Roosevelt, që vetëm Ushtria e Kuqe të sulmonte Berlinin. Sulmi sovjetik për të pushtuar Berlinin filloi më 20-04-1945 e mbaroi më 02-05-1945. Dhurata e parë që “çlirimtarët sovjetikë” i bënë popullsisë së Berlinit ishte përdhunimi masiv.

Ushtria gjermane bashkë me aleatët e saj sulmoi BRSS (Rusinë e Madhe) pikërisht më 22 Qershor 1941 dhe pushtoi një pjesë të madhe të territorit të tij. Ushtria e Kuqe kundërsulmoi, e rimori territorin e humbur dhe më pas në pajtim me marrëveshjen e fshehtë anglo-sovjetike Entente vazhdoi sulmin e papërfunduar kundër Europës. Ushtria e Kuqe arriti të pushtojë gjysmën e Europës sepse i dolën përpara armatat amerikane e të aleatëve perëndimorë që të mos shkonte më tej. E thënë saktë, nëse ushtria gjermane dhe aleatët e saj nuk do kishin sulmuar në verën e vitit 1941 dhe nëse trupat amerikane dhe aleate perëndimore nuk do i kishin dalë përballë ushtrisë sovjetike në pranverën e vitit 1945, ushtria sovjetike do kishte arritur brigjet e Atlantikut dhe Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike do kishte gardhuar tërë kontinentin europian.

Meqenëse BRSS kishte lindur për qëllim lufte dhe pushtimi të botës, ai u mbajt gjallë vetëm prej Luftës së Ftohtë. Gjermania humbi Luftën II Botërore, por sot ajo është shteti më i fuqishëm në Europë dhe të cilën të gjithë e kanë zili. Tensioni i lindur në Europë prej pushtimit sovjetik, ngarkesa e stërmadhe e shpenzimeve ushtarake sovjetike dhe shuarja e Luftës së Ftohtë e dhanë pasojën e tyre: fitimtari i ndihmuar i Luftës II Botërore, BRSS, u thërrmua dhe nuk është më.

28 komente në “Kryefajtori: Plani i madh i Stalinit, për të filluar Luftën e Dytë Botërore”

  1. Nje qytetar says:

    Hajde karlliqe,hajde ! Fajin per fillimin e lufte se dyte boterore e paska patur Stalini . Epo mire , Stalin ishte zot na ruaj ,nuk kishte njeri më antinjeri se ai . Dhe ushtria naziste e sulmon Bashkimin Sovjetik per tu mbrojtur nga ky agresor komunist .Ok, deri ketu hajt’ se po e besojme . Por ç’pati Hitleri qe sulmoi e pushtoi Polonine , Francen, Çekosllovakine, Norvegjine , Hollanden , Danimarken , Belgjiken, Greqine , Jugosllavine , etj. Bile donte te pushtonte edhe Angline por nuk mund dot ?
    E dini çfare ? Me duket se Tema , per te plotesuar e mbushur gazeten po boton çdo lloj karlliku!

    1. Lionas says:

      Beso deri aty ku mund te besosh, vogelush.
      Nuk eshte ky shkrim per ty, vogelush.
      Ke akoma shume kohe per te lexuar e kuptuar.

  2. NINO says:

    Me të vërtetë përralla po lexojmë dhe idiotsira si këto që shkruhen më lart dhe sa të tjera “zbulime” do të lexojmë kundër Popullit Heroik të Bashkimit Sovjetik, dhe sipas “analistëve të Luftës II-të Botërore fajin dhe vetëm fajin e paska Stalini, pra me ketë llogjike që përshkruhet më lart. Aksi Gjermania, Italia dhe Japonia nuk kishin gabime dhe nuk filluan ata luftën e dytë botërore. Nuk ishin këto shtete që instaluan sistemet e tyre fashisto-naziste. Që provokuan të ngrihej i gjithë bota kundër tyre. Pra këto shtete duhen “reabilituar” se nuk kishin qëllim luftë kundër njerëzimit,me kampet famëkeqe të përqëndrimit dhe shumë krime të tjera kundër njerëzimit. Që u ngrit një Gjyq si ai i Nurembergut që dënoi gjithë kupolën Naziste për krime kundër njerëzimit. Të gjitha sa thuhen më lart është një agjitacion shpifës dhe poshtërues për të ulur të vlerat dhe luftën heroike të popujve të Europës me në krye Amerikën, Bashkimin Sovjetik dhe Anglinë kundër bishës nazo-fashiste. pra siç përmëndet më sipër fajin për vrasjen e 28 milion njerëzve në Luftën e II-të Botërore e paska krye fajtori Stalini,pra shtetet dhe udhëheqësit e tjerë botërore ishin budallenj që ranë në kurthin e tij.Këto janë analiza idioteske alla Lubonja. Nuk po e zgjas më shumë në këtë nalizë idioteske por vetë po citoj : Bota nuk ka parë kurrë një përkushtim, vendosmëri dhe vetëmohim më të madh sesa janë shfaqur nga populli Rus … nën udhëheqjen e Marshall josepf Stalinit. Me një komb që duke sakrifikuar vetveten, po ndihmon në këtë mënyrë, të shpëtojë të gjithë botën nga kërcënimi nazist, vend i yni duhet të jetë gjithmonë i lumtur që është një fqinj i mirë dhe një mik i sinqertë për botën e së ardhmes.
    U.S. Presidend Franklin D. Roosevelt
    28 Qershor 1943

    1. Studenti says:

      Druzhe Ninjo
      Stalini ka vrare me shume se Hitleri. Krimet e bolshevikeve sllave barbare nuk i arrin ndokush. Lexo per shembull librin:
      Timothy D. Snyder, Bloodlands: Europe Between Hitler and Stalin, Basic Books, 2010

  3. Jimi says:

    Historia shkruhet e lexohet sipas orekseve te elitave, qe nuk kane qene pjesmarrese ne aktet historike. Tani cilet duhen besuar, protagonistet e vertet te drames, apo aktoret e skenes qe luajne dramen per spektatoret?

  4. Marko says:

    Qe ta marrim vesh ishte Hitleri qe e filloi luften e dyte boterore apo Stalini. Keto lloj analizash te bejne te vjellesh.Lufta e lavdishme qe bene popujt sovjetike nen udheheqjen e Stalinit ishte faktori vendimtar ne shkaterrimin e bishes naziste dhe qe se erreson asgje. Ajo ube frymezim per gjithe popujt e roberuar dhe simbol i shpreses.

    1. Qepa says:

      Bre Marko, prej fshati.
      Keshtu e lexonte sekretari i kooperatives letren nga partia e m..tit para lopeve e gomereve.

  5. Sandor says:

    Historia asnjehere nuk mund te jete objektive dhe e vertete sepse ajo shkruhet nga fituesit.
    Humbesve nuk u lejohet te shkruajne sepse dalin te pavertetat qe perhapin fituesit.

  6. andri says:

    Nje çorbë që as derrat nuk e përtypin dot!!!!!!!!! Idjotësi e tëra……

    1. Ceni says:

      Nuk ta ka fajin njeri qe nuk pertyp numra e fakte.

  7. sot says:

    librat e Zhukovit e permbysin kete palo artikull .Ky palo artikull ka ne te me mijra pasaktesi , te bejne per te qeshur.Jane thjesht hamendesime te paguara per te zhvleresuar heroizmin dhe qendresen e madhe te sovjetikeve.Shifra te nxjerra nga hici.Fajesimi i sovjetikeve per luften e dyte boterore eshte nje top muti qe e hengshin ata qe e kane hedhur per konsum.Eshte tjeter gje sistemi komunist dhe tjeter lufta.E verteta absolute per luften e dyte boterore eshte se sovjetiket mbajten peshen me te madhe te luftes,paten humbjet me te medha ne njerez dhe materjale.Heroizmi I nje populli qe e beri zap Hitlerin nuk behet zero me “antikomunizem”.Kjo qe na shohin syte eshte nje turp dhe e papranueshme nga ana e njerzve perparimtare.

    1. Zhulatas says:

      Di shume pak Sot.

  8. Agron says:

    Per opinionistet…
    Autori i librit eshte nje ish kapiten i zbulimit te ushtrise sovjetike-GRU-qe u arratis ne perendim dhe mori azil ne Britanine e Madhe. Emri i tij eshte Viktor Rezun. Suvorov eshte pseudonimi i tij. Mjafton kaq te thonte artikullshkruesi dhe do kuptohej se sa te verteta ka ne kete liber.
    Gjate 75 viteve pas luftes se dyte boterore nuk ka dale asnje dokument qe te provoje se Stalini do sulmonte Gjermanine. Asnje te vetem!
    Viktor Rezun/Suvorov eshte denuar ne mungese me vdekje ne ish Bashkimin Sovjetik.

    1. Le says:

      Athere si shpjegohet qe brss e ka pushtuar fjysmen e polonise Para se gjermani ye merrte gjysmen tjeter?
      Spo pretendoj se e di historin, po historia shkruhet sipas fitusit.
      Athere si ka mundesi qe komandanti trupave amerikane qe hyn ne gjermani, ka thene qe ne kemi luftuar armikun e gabuar?
      Dhe kjo u provua me luften e ftoht qe filloi fill pas luftes se 2.

  9. Tajari says:

    Nuk e kuptova ku ishte faji I Stalinit ketu.☹️☹️????

  10. XHH says:

    Mendoj se ky Saimir Koqja eshte nje koqe qe ndoshta nuk e ka parashikuar historia Arrine deri aty sa thote qe Gjermania sulmoi BS per tu mbrojtur nga ruset.
    Po mire o koqe kush quhet sulmues dhe kush quhet mbrojtes . Ai qe futet me ushtri ne vendin e tjetrit qe kerkon te pushtoj ate vend u quaka mbrojets ?????
    Pika qe ste bie qe arrin deri ketu dhe me vjen keq edhe per gazeten tema qe ne fakt e pelqej shume dhe e lexoj shume qe boton kete artikull.
    Eshte turp Turp i madh

  11. Une says:

    Artikull i porositur dhe i trilluar nga fillimi deri ne fund nga qenie qe nuk mund te quhen njerez qe jo nuk e meritojne emrin gazeter por edhe gomar ti thuash eshte ofendim per gomarin! Ju shofte fara nga jeni ju dhe ata qe ju paguajne o qener! Injoranca e kesaj shkalle eshte ndershkimi me i mire qe mund ti jape Zoti ketyre kafsheve… Nuk thone kot ne Itali – e ema e debilave eshte gjithmone me barre… Historia shkruhet nga fituesit! Te tjeret shkojne ne ver te semes bashke me kete pseudoautor injorant qe nuk di as te kopjoje dhe perktheje vrerin e vemjeve neonaziste. Ju nuk meritoni as ferrin!

  12. art says:

    KOha qe agresoret te paraqiten si viktima ka filluar qe ketu e 10-15 vjet me pare. Bravo Tema qe po na tregon se Hitleri ishte humanisti me i madh i botes. Po turp perpara brezave qe do vijne nuk u vjen xhanem??

  13. emigranti says:

    E megjithate eshte nje studim i plote dhe i qarte i mbeshtetur ne fakte.
    Gjithnje historia eshte shkruar nga fituesit dhe nje histori e perseritur perhere ne libra, filma, teatro e kudo eshte veshtire te harrohet.
    Ajo ngulitet ne mendje dhe cdo e dhene tjeter qe bie ndesh me ” historine e mesuar qe paraqesin fitimtaret ” na duket e papranueshme megjithese mbeshtetet ne fakte kokeforte.

  14. Petriti says:

    Artikull me kuptim per ata qe nuk jane indoktrinuar nga propaganda gjysemshekullore komuniste prosovjetike .
    Disa nga gjerat qe me bene pershtypje:
    Se pari, se perendimi ishte ne dijeni te paktit Ribbentrop -Molotov kishte parashikuar ndarjen e trojeve polake midis Gjermanise dhe Rusise , perendimi dhe SHBA denuan vetemr pushtimin e gjysmes se Polonise (ku ishin edhe shume qendra te banuara nga gjermane si Silezia, porti baltik i Danzig-ut, Breslau, etj.) nga Gjermania dhe miratuan ne heshtje pushtimin e Polonise nga Rusia Sovjetike, nje fakt thelbesor per te kuptuar shkakun e Luftes II Boterore.
    Se dyti, me fillimin e luftes Gjermania iu nenshtrua nje bllokade nderkombetare detare dhe tokesore, duke i prere asaj cdo burim lendesh te para sidomos burimeve te energjise (naftes) qe gradualisht e beri jofunksional aviacionin gjerman dhe makinen luftarake gjermane.
    Se treti, se prapavije ekonomike qe vendos fatin ne luftra qe zgjasin me shume se nje muaj (Blitzkrieg) per Rusine Sovjetike ishte ekonomia amerikane, ekonomia me e madhe e botes ne ate kohe qe furnizoi me ushqime, armatime , municione dhe materiale maqinen luftarake sovjetike per tre vjet me radhe.
    Se katerti, se iu desh praktikisht nje bote te tere te luftonte 3 vjet per te mundur ushtrin e nje vendi me 58 milion banore dhe 6 muaj per te marre kryeqytetin e tij, Berlinin

  15. Malo Kanina says:

    Që historia (përjashtuar mundësisë për tju referuar si shëmbull të kaluarës) është një”shkencë” që të jep mundësinë për të ‘dalë jashtë’ kur je zënë kaps, e dinim, por për çfarë arsye e boton Tema këtë gjysëm libri këtu, hajde merre vesh! Me siguri do të largojë vëmëndjen e opinionit publik nga ndonjë e pabërë e qeverisë, ose do të devijojë opinionin publik nga ndonjë gjë shqetsuese. Sepse që të mendohet se e ka bërë për të kaluar kohën mileti kjo duket e tepërt.

  16. memoria says:

    Ky artikulli duket se eshte shkruar nga dikush qe nuk ka haber nga arti ushtarake. Aty behet nje lesheli qe skuptohet dote qellimi i artikullit. Nese dikush perpiqet te tregohet si arkitekte lufte, duhet te dije ne radhe te pare qe si Hitleri, e po ashtu Stalini nuk ishin budallej. Ky Lohja te jete i sigurt qe ne se dote kishte qene ne ndionjeren nga keto dy ushtri do ishte pushkatuar si llafolloge demesjelles. Pastaj strategjite e te dyketyre ushtrive jane alizuar nga stratege te te gjitha ushtrive te tjera. Forca goditese e Hitlerit u sfumua ne teriotorin e pamate rus dhe goditjet e panderprera te ushrtrise partizane. Verte ne fillim ushtria ruse u demtua, por ishte ajo qe rrethoi dhe asgjesoi 320000 ushtar gjerman ne nje rajon. Qe Stalini e organizoi industrine luftarake ne Ural, kjo tashme dihet. Po ashtu dihet qe strategjia e tij doli fitimtare. Prandaj bazimi te nji ish tradhetar nuk mund te sherbeje si nje motiv per te na turullosur mendjen. Megjithate shkrusit i befte mire mendja e tij se sot nuk i hyne ne pune njeriu.

  17. iksi says:

    Me vjen keq me ju komentues qe e paskeni humb shume kohe nga koha e juaj e çmuar me lexu kete psikopat . Une lexova vetem titullin e shkrimit dhe i thash vehtes ky qenka i shtruar ne ndonje spital psiqiatrik . Nje dite ky tash po thot qe 9 Maji te shpallet dita e fitores teHitlerit e Musolinit mbi te gjithe popujt e botes . E dyta qe po ju them eshte qe une qe tani do e fshij nga pasqyra e shtypit gazeten Tema sepse ka shume kohe qe nxjerr edhe ketu tek ne qe ballistat e zogistat i ben fitimtart dhe partizanet i ben humbesa . U munduan me kritiku partizanet dhe Enverin qe ka vrare shum ballista por duhet ta kete te qerte gjithe shqiptaret qe bashkepunetoret e pushtuesave çdo shtet ne bote ata ma kryesoret i ka kalu ne plumbat e armeve , ja nje shembull , Franca qe kush eshte Franca shtet demokratik ka pushkatu mbi 200a (2000 ) veta si bashkepunues me gjermant qe jane quajt kolaboracjonista .

    1. Labi says:

      HAHHA Vetem titullin munde me lexu e kuptu. Sa keq per ty.

  18. Mandravellua says:

    Tash qe pothuajse gjith ish luftetaret e Luftes se Dyte Boterore kane vdekur, fillon dhe merr jete nje plan i ndyre per falsifikimin e historise.
    Hartohen dookumenta te falsifikuara dhe behet c’eshte e mundur qe te demonizohet BS dhe Stalini, ata qe i dhane goditjen kryesore bishes Hitleriane dhe kthyen fatet e luftes ne favor te popujve.
    Te mos qe Stalini (Bashkimi Sovjetik) gjithe Europa do fliste gjermanisht dhe sot e kesaj dite.
    Anglia me USA u futen ne lufte kur pane qe trupan e BS po perparonte me shpejtesi dhe Stalini po merrte gjithe Europen.

    1. Pjetri says:

      Taravell. Po ta kishe lexuar shkrimin dhe te kuptosh shifrat do shkruaje ndryshe.
      Anglia e USa u futen ne lufte kur pane qe trupat e BS po perparonin shpejt?!?!?!?! HAHAHAHAHAH

  19. I. Storiani says:

    Tema, perse i jepni hapsire botimi ketij fashisti?!

    Gjermania sulmoi BRSS per t’u mbrojtur?!
    Edhe cifutet i shfarrosi per t’u mbrojtur?!
    Edhe femijet cifute u vrane se ata perbenin rrezik kur te rriteshin.

    Keto ishin shfajsimet e krimineleve gjermane perpara perpara gjyqit te Nurembergut.

    Keto “argumente” na sjell fashisti Lolja.

  20. Prela UK says:

    Istorian pe koti.
    Pyetjet i ben per veten dhe nuk kane lidhje me shkrimin me siper.
    Nuk ta ka fajin njeri qe nuk e kupton.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje