“Kryefajtori: Plani i madh i Stalinit për të filluar Luftën II Botërore” (1)

18 Prill 2015, 20:03Dossier TEMA
“Kryefajtori: Plani i madh i Stalinit për të filluar Luftën

 

Më 22 Qershor 2013 mbushen 72 vjet nga dita kur ushtria gjermane sulmoi Bashkimin Sovjetik. Botimeve të deritanishme në Lindje e Perëndim iu mungojnë të dhënat për numrin, llojin, madhësitë e vendndodhjet e armatave sovjetike në vigjilje të sulmit të ushtrisë gjermane kundër Bashkimit Sovjetik. Këto të dhëna janë akoma sekret shtetëror në Rusinë e Madhe. Edhe nëpër dokumentarët e Luftës II Botërore kapërcehen njoftimet për numrin dhe vend-ndodhjen e armatave sovjetike të këmbësorisë, për numrin dhe llojet e armatave të tankeve, për armatat e parashutistëve, për numrin dhe llojet e armatave të aeroplanëvë, si dhe për llojin e fortikimeve në kufinjtë perëndimorë të BRSS. Në Lindje e Perëndim, librat dhe enciklopeditë e Luftës II Botërore nuk japin as të dhëna të tilla dhe as harta të vendosjes së trupave sovjetike. Fitimtarët e Luftës II Botërore duket se janë marrë vesh jo vetëm për ndarjen e zonave të ndikimit, por edhe si do shkruhej më pas historia e Luftës II Botërore.

Shkrimi i mëposhtëm është mbështetur kryesisht në librin “Kryefajtori: Plani i madh i Stalinit për të filluar Luftën II Botërore” të autorit Viktor Suvorov [Viktor Suvorov, The Chief Culprit: Stalin’s Grand Design to Start World War II, Naval Institute Press, 2008]. Autori ka qenë analist zgjuarsie në zbulimin ushtarak sovjetik [GRU] dhe ka kaluar nëpër duar dokumenta të arshivave ruse që edhe sot e kësaj ditë janë të mbyllura. Ai u arratis në Perëndim në vitin 1978 dhe deri më tani ai ka botuar një seri librash. Për arësye domosdoshmërie, rrjedha e fakteve dhe ngjarjeve nis që nga Lufta I Botërore.

 

            Lufta dhe paqja

 

Në fillimvitin e tretë të Luftës I Botërore, ushtria gjermane e kishte të qartë se nuk do mund të vazhdonte të luftonte nëse kishte njëkohësisht edhe Frontin e Lindjes edhe të Perëndimit. Prandaj, zbulimi ushtarak gjerman arriti një marrëveshje me Leninin dhe e nisi bashkë me shokët e tij me tren të blinduar e të mbyllur diplomatikisht nga Zyrihu i Zvicrës nëpër Gjermani, Suedi, Finlandë e deri në Petrograd të Rusisë, ku arriti më 16-04-1917. Paralel dhe i nisur nga Amerika bashkë me 300 shokë, Trocki arriti në Rusi më 04-05-1917. Bolshevikëve iu pëlqyen ndihmat e zbulimit ushtarak gjerman, sepse ato do mund të përfundonin revolucionin bolshevik në Rusi [më 07-11-1917]. Më pas, ato do të riorganizonin perandorinë e kalbur cariste në Perandori të Kuqe duke i vënë fuqitë e mëdha të saja në shërbim të Revolucionit Botëror. Në këmbim të ndihmës gjermane, qeveria bolshevike nënshkroi më 03-03-1918 nëpërmjet Traktatit të Brest-Litovskit daljen e saj nga Lufta. Ky traktat u nënshkrua edhe nga Perandoria Gjermane, Austro-Hungareze, Bullgaria dhe Perandoria Osmane. Si rrjedhojë, trupat gjermane kaluan nga Fronti i Lindjes në atë të Perëndimit, lufta vazhdoi edhe tetë muaj të tjerë, miliona ushtarë e qytetarë humbën jetën apo u plagosën, ekonomitë e vendeve ndërluftuese u rrënuan akoma më shumë, e nga dhimbje të tilla shoqëritë njerëzore atje u trazuan shumë.

Me këtë traktat, Rusia sovjetike lëshoi nga duart përkohësisht 56 milion banorë, 1/4 e industrisë, shumicën e minierave të qymyrit, fusha të pamata, etj. Por përfitimet afatshkurtëra (iu dha kohë bolshevikëve të kryenin më mirë punët e brendshme të përgjakshme) dhe afatgjate qenë shumë herë më të mëdha sespe filluan përgatitjet për të sulmuar sapo të mbaronte Lufta I Botërore dhe për të ndezur revolucionin botëror në vendet e tjera, në rradhë të parë në Gjermani. Biles që në Janar 1918, me urdhër të Leninit, krijohet në Petrograd organizata komuniste gjermane Spartakus dhe shtypen në miliona kopje e dërgohen në Gjermani gazetat Die Fackel [Pishtari], Die Weltrevolution [Revolucioni Botëror] dhe Die Rote Fahne [Flamuri i Kuq]. Fundi i Luftës I Botërore shoqërohet në Rusi nga një numër i pafundëm takimesh, kongresesh e konferencash politike ku i mëshohej vetëm një gjëje: Revolucionit Botëror dhe vendosjes së komunizmit në Europë. Këtij qëllimi i shërbeu edhe fillimi i përgatitjeve për mbjelljen dhe vaditjen e farërave të një lufte të re botërore, sepse për bolshevikët pas një lufte të tillë të madhe do të vinte një revolucion i madh botëror. Dhe nga ky do të lindnin republikat e bashkuara socialiste sovjetike e shkallë-shkallë do arrihej në një qeveri mbarë-botërore sovjetike me qendër Kremlinin.

Më 11-11-1918 nënshkruhet përfundimi i Luftës I Botërore. Më 13-11-1918, qeveria ruse urdhëron Ushtrinë e Kuqe të sulmojë dhe ajo pushton vendet Balltike. Qeveria komuniste e Estonisë formohet më 29-11-1918, e Letonisë më 04-12-1918, e Lituanisë më 08-12-1918. Një dokument i Ushtrisë së Kuqe më 17-12-1918 dallonte Gjermaninë si shënjestra e rradhës, kurse Lenini ngazëllente: “Ne jemi në pragun e revolucionit botëror!”. Ushtria e Kuqe nisi sulmin në drejtimin Poloni-Gjermani që në Shkurt 1919, por pësoi disfatë përfundimtare nga ushtria polake në Betejën e Varshavës në Gusht 1920 dhe tërhiqet. Për sovjetikët ky qe një mësim, i cili u tregoi se për të shkuar në Gjermani nuk duhej të kishte Poloni ndërmjet tyre; ashtu siç edhe u përgatit të ndodhte pas 20 vjetësh.

 

            Thëngjijtë e luftës

 

Nga ana tjetër, lufta civile i ndryshoi pak planet bolshevike, sepse Ushtria e Kuqe u tërhoq për të kositur për shumë vjet miliona njerëz në Rusinë sovjetike. Në Mars 1919, nën drejtimin e Leninit dhe Trockit, krijohet në Moskë Kominterni [Organizata Ndërkombëtare Komuniste], i cili e quajti veten “Shtab të Revolucionit Botëror” me qëllim krijimin me çdo mjet, përfshirë edhe forcën ushtarke, të “Republikës Botërore Socialiste Sovjetike”. Organizatat komuniste nga çdo vend i botës iu bashkëngjitën këtij rrjeti fanatik, i cili financohej nga rezervat e arit të Rusisë dhe kontrollohej me rreptësi ushtarake nga Kremlini. Çdo person që bëhej anëtar i partive komuniste pranonte me vetmohim t’i shërbente revolucionit komunist botëror dhe të luftonte kundër interesave të vendit të vet, fshehtas ose haptas. Spiunazhi sovjetik u bë kështu që nga vitet 1920 e më pas shërbimi më i fuqishëm në botë, sepse vullnetarë të panumërt (e të tjerë nga larg me gjithë shpirt e mall) nga tërë bota e vunë veten në shërbim të Kremlinit; detyra e spiunazhit sovjetik qe vetëm t’i klasifikonte, t’i përzgjidhte, t’i përpunonte dhe t’i emëronte në detyrë.

Më 28-06-1919 nënshkruhet në Paris Traktati i Versajës, i cili zyrtarisht vendoste paqen në botë duke gjobitur rëndë Gjermaninë dhe duke vijëzuar kufinj të rinj për shtetet e botës. Gjermania nuk mund ta duronte atë traktat dhe pasojat e tij. Prandaj, ajo që mbetej ishte vetëm t’i bëje gati thëngjinjtë dhe t’i hidhje benzinë zjarrit gjerman. Në Mars 1921, me urdhër të Zinovievit, kryetar i Kominternit, hungarezi Bela Kun dërgohet pranë partisë komunistë gjermane me udhëzimin që të kapej pushteti. Paralel, në Gjermani shkojnë zyrtarë të tjerë sovjetikë dhe oficerë të shumtë të zbulimit ushtarak sovjetik [GRU], të cilët menjëherë filluan organizimin e forcave ushtarake të hapta dhe të fshehta të partisë komunistë gjermane. Gazeta “Die Rote Fahne” bënte thirje për revolucion komunist. Më 24-03-1921 komunistët sulen dhe marrin kontrollin e godinave qeveritare, bashkive, bankave dhe postave të policisë në Hamburg, Laipcig, Dresden e Çemnic. Ushtria gjermane ndërhyri dhe e shtypi atë kryengritje komuniste.

Më 30-12-1922 krijohet Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS) që sipas deklaratës së themelimit ishte hapi i parë drejt krijimit të Republikës Botërore Socialiste Sovjetike. Vetë ndërtimi i BRSS nuk njihte kufinj shtetërorë e kombëtarë dhe ishte një shpallje lufte tërë vendeve të tjera të botës që nuk ishin brenda BRSS. Biles, shenja shtetërore e BRSS ishte një glob bote pa kufinj shtetërorë i vulosur nga drapëri e çekani. Rusia nuk ishte nënshkruese e Traktatit të Versajës dhe si e tillë ajo ishte e pa penguar të prodhonte çfardolloj arme dhe e pakufizuar në numrin e ushtarëve. Nga ana e saj, Gjermania e kishte të pamundur të përgatitej për luftë për shkak të kufizimeve që iu vunë nga Konferenca e Paqes më 1919. Por, BRSS ishte gjithmonë gati pikërisht për ndihma të tilla.

Moska iu dha ushtarakëve gjermanë çka ata ishin të ndaluar të kishin: tanke, artileri të rëndë, aeroplanë, fusha stërvitje dhe provash për armët, zyra projektimesh dhe hyrje në fabrikat ushtarake. Veç marrëveshjes në Nëntor 1922 për prodhimin e aeroplanave ushtarakë me firmën gjermane Junkers Flugzeugwerke, dy marrëveshje të tjera filluan zbatimin në Korrik 1923 për prodhimin e municioneve e pajisjeve ushtarake dhe ndërtimin e një uzine kimike. Më 25-04-1925 nënshkruhet një marrëveshje për krijimin e një qendre për forcat ajrore gjermane në qytetin rus Lipetsk ku do stërviteshin pilotët gjermane dhe do provoheshin aeroplanët e rinj. Qeveria ruse bleu 100 areoplanë ushtarake D-XIII nga kompania hollandeze Fokker, të cilët do të përdoreshin për stërvitjen e pilotëve gjermanë. Përgjatë viteve aty u zhvilluan dhe u provuan aeroplanët gjermanë të modeleve Heinkel He-45, He-46, He-51, Arado Ar-64, Ar-65, Junkers K-47 e Dornier Do-11. Deri në fund të viti 1933, aty u përgatitën 450 pilotë gjermanë. Të gjitha këto kryheshin në fshehtësi, për shembull, pilotët gjermanë që stërviteshin ishin të liruar zyrtarisht nga forca ajrore gjermane Reichwehr dhe në Lipetsk mbanin emra të tjerë.

Adolf Hitleri në përfundim të Luftës I Botërore ishte një piktor i dështuar dhe një ushtar i plagosur që kthehej nga fronti. Me këshillën e një oficeri të zbulimit ushtarak gjerman dhe për të pasur një rrogë të vogël, ai i bashkëngjitet në Shtator të vitit 1919 Partisë Kombëtare Socialiste të Punëtorëve Gjermanë [Nationalsozialistische Deutsche Arbeiterpartei, shkurt Partia Naziste] thjesht për të mbledhur dijeni. Shpejt ai bëhet kryetar i kësaj partize, e cila thërriste “Proletarë të gjithë kombeve, bashkohuni” dhe kërkonte heqjen e pronës private mbi tokën, vendosjen e punëtorëve në drejtimin e fabrikave dhe shtetëzimin e industrisë. Me kalimin e kohës, kjo parti e vockël komuniste u shumua dhe u fuqizua. Më 08-11-1923 një grusht shteti ndizet në Mynih të Gjermaninë prej Partisë Naziste. Ai u organizua prej Kominternit dhe u drejtua në fshehtësi nga oficerët e spiunazhit dhe emisarët politikë sovjetikë. Edhe kjo përpjekje për revolucion socialist shtypet në mënyrë të përgjakshme; ndërsa Hitleri plagoset dhe futet në burg. Këtu, nën ndihmën e dhënë nga Rudolf Hess, ai shkruan librin “Lufta ime” [Mein Kampf]. Në këtë libër, në Kapitullin XIV, ai shkruante se Gjermania duhej të mos shihte nga Jugu e Perëndimi por t’i hidhte sytë drejt territoreve në Lindje. Kjo shprehje njihej mirë nga politikanët sovjetikë qëkur u botua libri më 1925-1926 dhe u përdor papushim në propagandën sovjetike.

Më 1925, Stalini shprehej se Lufta II Botërore ishte e pashmangshme dhe ajo nuk duhej penguar. Sa më shumë krime të kryheshin nën urdhërat e Hitlerit, aq “më i arsyeshëm” do ishte dërgimi i Ushtrisë së Kuqe për “të çliruar” Europën. Sa më shumë të rrënohej e lodhej Europa prej luftës, aq më të lehtë do e kishte Ushtria e Kuqe përparimin e saj. Sa më e madhe të ishte pjesa e Europës së pushtuar prej gjermanëve, aq më të lehtë do e kishte Ushtria e Kuqe për “ta çliruar”. Në një Europë të pushtuar, popujt e saj do e mirëpritnin një “çlirimtar” dhe ushtria gjermane do e kishte të pamundur të mbronte tërë territorin Europian nga ushtria “çlirimtare” sovjetike. Partia Socialdemokrate ishte kundër luftës dhe si e tillë “e pengonte” revolucionin botëror të mëvonshëm. Prandaj, nën urdhërat direkte të Stalinit e Kominternit, socialdemokratët kudo ku ishin u vunë në shënjestër për t’u shkatërruar plotësisht. Pra, ajo që mbetej ishte të ndihmohej partiza naziste e Hitlerit të vinte në fuqi në Gjermani.

Rasti tjetër u paraqit në zgjedhjet parlamentare të vitit 1932. Në Korrik 1932 Partia Naziste mori 13.7 milion vota; kjo përbënte 37.3% të tërë votave por nuk mjaftonte për të siguruar shumicën absolute. Pas këtij kulmi numri i votave për Partinë Naziste filoi të bjerë. Më 06-11-1932 mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme nga të cilat doli kjo shpërndarje për partitë kryesore: Partia Naziste 11’705’000 vota, Partia Socialdemokrate 7’231’000 vota, Partia Komuniste 5’971’000 vota. Përsëri shumica absolute për të marrë pushtetin nuk ishte arritur. Po të bashkohej Partia Socialdemokrate me atë Komunistë arrihej shumica absolute dhe historia botërore do kishte qenë ndryshe. Por ndodhi e papritura: nën urdhërat e Stalinit, Partia Komuniste bashkohet me Partinë Naziste dhe si rrjedhim kjo e fundit merr në dorë drejtimin e shtetit gjerman. Kështu komunistët gjermanë prenë falas biletat e udhëtimit të mëvonshëm drejt kampeve të përqëndrimit për veten e vet, për socialdemokratët dhe tërë kundërshtarët politikë të Partisë Naziste.

 

            Industrializimi dhe tufëzimi

 

Më 1927, BRSS filloi zbatimin e planeve 5-vjeçare për zhvillimin industrial dhe tufëzimin e bujqësisë, por pa harruar ushtrinë. Më 1927, Ushtria e Kuqe kishte 79 tanke; më 1931, ajo kishte 4’538 tanke, kurse vetëm në vitet 1932-1933 prodhohen 21’573 avionë ushtarakë. Planet 5-vjeçare kërkonin njerëz të shumtë me çmim pothuaj zero dhe ato u gjetën “tek armiqtë e klasës, kulakët, sabotatorët, tradhëtarët e përkrahësit e tyre”. Më “të këqinjtë” e këtyre pushkatoheshin pa humbur kohë; të tjerët do të mbushnin armatën shumë milionshe të skllevërve. Që nga viti 1928, njësitë e Ushtrisë së Kuqe, në mes të dimrit, rrethonin rajone të tëra nga ku kulakët [fshatarë që prodhonin më shumë] bashkë me familjet e tyre i hypnin nëpër trena dhe i zbrisnin në fushë të hapët në Siberi, Urale e Kazakistan. Këto operacione kryheshin me urdhërin e Stalinit dhe zbatoheshin prej Molotovit. Sipas pohimit të vetë Molotovit, 20 milion fshatarë u shpëngulën nga tokat e tyre dhe u hodhën në vende të pajetueshme.

Më 27-12-1932, BRSS vuri në qarkullim letër-njoftimet vetëm për banorët e qyteteve. Dalja e tyre ndodhi në kulmin e urisë masive dhe fshatarët pa një letër-njoftim të tillë nuk iu largoheshin dot rajoneve ku ishte caktuar të pllakoste uria. Pa një dokument të tillë nuk mund të punoje, nuk mund të jetoje diku, nuk mund të lëvizje as brenda e as jashtë BRSS. Si rrjedhojë, miliona fshatarë të pa shpërmgulur bashkë me familjet e tyre vdiqën nga të pa ngrënët e të ftohtit. Edhe sot e kësaj dite, ukrainasit drithërohen po të dëgjojnë fjalën “Holodomor” [vdekje nga uria]. Në vitet e “kolektivizimit masiv” 1932-1933, vdiqën nga uria 3.5 – 5 milion vetë dhe prej të ftohtit 3 – 4 milion të tjerë. Pa armatat e skllevërve dhe pa popullatat e shpërngulura më forcë nuk do ishin ndërtuar piramidat në BRSS, nuk do ishte ndërtuar Metroja e Moskës, nuk do ishte nxjerrë ari i nevojshëm për të mbuluar financat, nuk do ishin ndërtuar uzinat dhe qytetet e nëndheshëm, nuk do ishin zhvilluar industritë apo minierat e Siberisë dhe tërë Perandorisë së Kuqe. Qeveria planifikonte që më përpara se sa skllevër do nevojiteshin për planet e ardhshme të zhvillimit. Më pas Ministria e Punëve të Brendshme planifikonte arrestimet për të mbushur kampet e përqëndrimit, të njohur me emrin e shkurtuar GULAG [Glavnoye Upravlyeniye Ispravityel’no-Trudovih Lagyeryey i koloniy], dhe më të këqinjtë e këtyre të njohur me emrin Dal’stroy që i shërbenin nxerrjes së arit.

Në fund të viteve 1920 Perëndimin e mbërtheu një krizë e paparë ekonomike dhe financiare. BRSS menjëherë filloi të blejë me çmime të ulta linja prodhimi, shpikje inxhinierike bashkë me inxhinierët, pajisje industriale dhe makineri të përparuara nga vendet e Perëndimit. Rezervat e arit të BRSS mbulonin edhe blerjet edhe zbatimin e teknologjive të përparuara. Në fillim të viteve 1930, inxhinierët amerikanë projektuan e ndërtuan në qytetin Nizhni Tagil fabrikën Uralvagonzavod [Fabrika e Vagonave Hekurudhorë në Urale]. Deri në fund të viteve 1980, ajo ishte ndërmarrja më e madhe industriale në botë dhe që kthehej menjëherë për prodhime ushtarake. Gjatë katër viteve të Luftës II Botërore, kjo fabrikë prodhoi 35’000 tanke vetëm të llojit T-34. Po të njëjtën origjinë e tipare kishte edhe fabrika e traktorëve e ndërtuar në qytetin Çeliabinsk të Uraleve.

 

            Pastrimi i skorjeve

 

Propaganda Lindje-Perëndim ka krijuar përrallën e “pushkatimeve të 40’000 oficerëve sovjetikë në vitet 1937-1938, si rrjedhim i të cilëve shumica e oficerëve të Ushtrisë së Kuqe më 1941 nuk kishin më shumë se një vit në detyrë”. Në fakt mungesa e përvojës egzistonte në shumë oficerë, por arësyeja ishte se gjatë viteve 1937-1941 Ushtria e Kuqe u zmadhua nga 1.1 milion ushtarë në 5.5 milion. Si rrjedhojë, pozitat komanduese u mbushën shpejt e shpejt me oficerë, të cilët gradoheshin po me shpejtësi. Megjithatë ky faktor nuk ishte themelor në disfatën që pësoi ushtria sovjetike kur u sulmua më 22-06-1941 nga ushtria gjermane, sepse ushtria sovjetike kryente manovra ushtarake sulmuese masive të vazhdueshme, biles edhe më 21-06-1941. Në anën tjetër, gradime të shpejta në rangjet ushtarake ndodhën edhe në ushtrinë gjermane që u zmadhua në numër në ato vite, por kjo nuk vihet në dukje në historitë e shkruara zyrtare.

Më 1937, Ushtria e Kuqe kishte 206’000 oficerë. Nëse do ishin “pushkatuar 40’000 oficerë” më 1937-1938 (20% e tërë oficerëve), është e pamundur të ndodhë që “më 1941 shumica e oficerëve sovjetike të kishin më pak se një vit përvojë në detyrë”. Në Arkivin Shtetëror Ushtarak të Rusisë egziston një dokument i Zyrës së Burimeve Njerëzore të Shtabit të Ushtrisë së Kuqe; dokumenti është në fondin 37’837, treguesi 10, kutia 142, fleta 93. Sipas këtij dokumenti më 1937 u liruan nga ushtria 20’643 oficerë dhe më 1938 u liruan 16’118 oficerë; domethënë gjithsejt 36’761 oficerë. Dokumenti e shkruan qartë: “u liruan”; në dokumenti nuk shkruhet “u arrestuan apo u burgosën apo u pushkatuan”. Për 54 vjet ky dokument u mbajt i fshehur dhe vetëm pak njerëz të këqinj e patën lexuar; pikërisht këto mashtrues raportuan për “36’761 oficerë të pushkatuar” dhe ushqyen çdo botim zyrtar, gazetaresk e shkollor në Lindje e Perëndim. Biles dokumenti sqaron më tej se më 1937 e 1938, nga të liruarit, u arrestuan përkatësisht vetëm 5811 dhe 5057 oficerë; domethënë gjithsejt 10’868 oficerë dhe nga këto vetëm 1’654 oficerë u pushkatuan ose u gjendën të vdekur nëpër burgje pa iu filluar gjygjet.

Lirimet e lëvizjet nga detyra janë të zakonshme në çdo ushtri e në çdo kohë, për arësye nga më të ndryshmet. Për një ushtri milionshe, numri i lirimeve natyrisht është i madh. Ritmi i lirimeve u rrit që në vitin 1935, sepse në këtë vit ushtria sovjetike përshpejtoi rigrupimet e nevojshme të forcave për sulmin që do të ndërmerrte në vitin 1941. Sipas një dokumenti tjetër ushtarak, 12’461 oficerë nga të liruarit e viteve 1937-1938 ishin marrë përsëri në ushtri deri më 01-05-1940.

 

(Vijon)

19 komente në ““Kryefajtori: Plani i madh i Stalinit për të filluar Luftën II Botërore” (1)”

  1. temujin says:

    Nje saktesim i vogel fare. Partia e kishte emri partia punetore gjermane (DAP). Hitleri ja ndryshoi emrin ne Partia Nacional Socialiste Punetore Gjermane(NSDAP).

  2. GAMORI says:

    si skeni turp ore Faqezinj , qe ndryshoni historine njerezore , ore Qelbesira qe keni skllaveruar globin dhe shkaterruar jeten e njerezimit me bemat tuaja !!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!

    1. Permeti says:

      Nuk po e ndryshon njeri historine. Ti je ai qe ke qene, i genjyeri.

  3. rasputin says:

    Ruset dhe Josif Visarjanovic Xhukashvili,ja shkerdhyen rropt gjithe nazi fashisteve te mbare botes,edhe sot ruset dhe Vladimir Vladimirovic Putin pothuajse po ben te njejten gje,lavdi ushtrise se kuqe dhe popullit te lavdishem dhe paqedashes Rus.

    1. ***** says:

      Populla paqedashes Rus? NE 99 forcat Ruse per ke paqe luftonin ne Kosove?

    2. Joni says:

      Pse di shqip ti?

  4. gregori says:

    Te festohet ne fillim 70 vjetori i fitores pastaj shkruani dhe po te doni festoni edhe 74 vjetorin e fillimit te luftes nga Stalini.
    Nuk mund te pritet nga dezertoret te shkruajne ndryshe, ndersa historia eshte krejt ndryshe.

    1. Lura says:

      Dezertore ne Luften II Boterore ishin italianet. Historia eshte ajo qe ka qene. Nese do te qendrosh i genjyer eshte zgjedhja jote.

  5. lexuesi i irrituar says:

    Nje titull “bombastik” alla “Tema” qe nuk perputhet me te vertetat historike…

  6. Z/Kallami says:

    Gjithe jeten u propogandue nga politika komuniste negativiteti ma mizore ndaj kapitalizmit.
    Me sa lexova mbeta i shastisun.Komunizmi i Lenin&Stalinit vertet paskesh kene nji perbindshe e krimit botenore duke fillua nga te vetet e deri ne hapsinen botenore.Leninizmi filozofik paskesh kene pjella ma e keqe e njerezimit.Dhe na e kan quejtur Hazreti Lenin.Nji Jude Lenin nga ma te ndyrit.Me vjen keq per ato njerez qe vdiqen me hyjnizimin e Leninit,pa e njohur te verteten se kush ishte Lenini.Jam shume i gezuar qe ma ne fund do vdes me njohjen e kriminelit folozofik Lenin.Te gjithe nji mizerje paskeshin kene:Socialnacionalistet e Hitlerit dhe Social sovjetiket e kominternit te Lenin & Stalinit.

  7. . says:

    Chomsky thote qe Amerika eshte terroristi me i madh ne bote.

    Viki thote qe fajin qe u zgjat LIB dhe filloi LIIB e paska BS.

    Disa te tjere ne Amerike kane nxjerre dokumente sekrete qe Ruzvelti ka qene agjent i Stalinit. Kuadroja u plotesua, gjithcka perputhet. Hitua dhe NSDAP-i jane viktime e konspiracionmit boteror amerikano-bolshevik.

    Tri here Urra per Rajhun III!

  8. Xhamers says:

    Bolsheviket Rus u financuan nga Bankeret Amerikane. Angla ja futi vetes pasi mbas luftes se dyte Boterore humbi statusin e Superfuqise. Hitleri u manipulua dhe Gjermania dhe populli Gjerman u shkaterrua qellimisht pasi Hitleri donte tu hiqte fuqine shterses qe po dominonte Gjermanin per 1 kohe te gjate me Median dhe Financen. Miljona jete njerzish te humbura kot ne saje te planeve djallzore te 1 grupi te vogel njerzish per te marre kontrollin Botrore eksluzivisht ne duart e tyre. Shpresoj qe mos te kete me luftra dhe idjot qe manipulohen ne to.

  9. pentax says:

    Mos u cudisni nga gjerat te cilat vijne nga arshivat marredheniet sekrete midis Gjermanise dhe Rusise dhe ndarja e influences mbi Evropen ka shume vjet qe edhe njihet nga artikuj te publikuar nga historiane simbas fakteve historike nga arshiva top sekrete ! Rusia ka pasur edhe Perandoreshe me origjine gjermane Sophi Frederique Augusta 1729-1796,- e njohur si Katerina e madhe! Ajo me nderhyrjen ambicioze te nenes se saj ne moshen 15 vjecare martohet ne Saint Petersbourg me Pierre III te dy ne nje moshe adoleshente! Si imperatrice apo perandoreshe e Rusise ku edhe njihet si nje diktatoreshe ajo fillon edhe lufterat e saj si me turqit ku edhe pushton Krimene apo me Polaket dhe finlanden ku si perfundim Rusia perfitoi ne ate kohe 518000 km katror si territor nga lufterat! Stalini edhe Hitleri kane pasur nje bashkpunim per te zgjeruar kufijte me ane te marreveshjeve natyrisht te pa njohura per njerzimin deri vone por sot kane dale keto sekrete ne drite dhe jane hapur arshivat!

  10. lume e det says:

    Mos u merzisni si shume, se popullata eshte shtuar ne menyre dramatike dhe gjerat ne glob nuk shkojne dhe si duhet… Ja te shkojme kush do te jete shkendia e trete!!!

  11. Tirana says:

    O Stalin te ishe gjalle , te shikoje cfare ka ngjare…eshte mbushur bota me kriminele e tradhetare…

    1. Tomi says:

      A ke lexuar ndonje liber deri tani, sepse po flet si injorant dhe i pashkolle?

  12. Skelari qe nuk eshte nga Fieri says:

    Ore ju te TEMES. Po mos botoni shkrime te pa kontrolluara dhe kot fare. Ne kete shkrim thuhet se Hitleri hypi ne fuqi ne aleance me komunistet. Una grande CACATA. Per nje vit me rradhe ne Gjermani eshte votuar 4 here dhe nuk formohej dot qeveria se nuk kishte mazhorancen. Me ne fund me ndihmen e Von Papenit te katolikeve presidenti emeron Hitlerin kancelar me vetem 3 naziste ne qeveri. …..keto nuk i shpika por e i lexova ne internet ne biografine e Hitlerit…..Pastaj gjithe te tjerat jane historira te shkruara sipas interesave.

  13. kastriot says:

    Histori e treguar ne forme te nje perralle per femije.Dhe personalitete te larta te kohes si Rusvelt dhe Cercill kane bashkepunuar me Stalinin pra i bie te kene bashkepunuar me nje kriminel apo aventurier.Popujt e BS bene sakrifica per te mbrojtur atdheun e tyre dhe keto te pashembullta ne historine e botes.Nje here na keni treguar perallen se Stalini nuk dha urdher te fillonte mbrojtja ne agresionin nazist Tani na thoni qe ka dhene urdher te bejne agresion.Ka nje te vertete qe eshte bere agresion ndaj vendeve Balltike pas propozimit per tja kompesuar me territor per te larguar kufirin nga qyteti Shen Peterburg[Leningrad] si simbol historik ku Ushtria Kuqe humbi 2 milion forca per shtyerjen e kufirit 40 kmFitimtari nuk gjykohet eshte thene.Por ju merni hitorine dhe kercitjen e kepuceve ne tavoline ja atriboni atij qe te pakten kishte 5 vjet vdekurPa dyshim qe trashegimia negative e personaliteteve te post stalin ishte faj personal i tij ndoshta faji i vetem i tij por eshte dhe defekt i klases dhe kombeve qe ata perfaqsojne si dhe kushteve te tjera qe duan nje liber te analizohen
    Por fakti historik eshte qe Stalini dhe Mao moren vendet e tyre ne gjendjen e zhberjes dhe i bene vende te konkurueshme me vendet me te zhvilluara te botes per me pak se 30 vjet bene ate qe te tjeret bene ne 3-4 shekuj.Ndoshta ka qene tendence historike por padyshim qe ka rol dhe personaliteti

  14. Sammy says:

    Vetem nen udheheqjen e Stalinit Bashkimi Sovjetik u be nje vend i industrializuar dhe me epersi te duksheme .Deri aty sa edhe vete SHBA e konsideron ate si fuqine e dyte boterore ,kjo per epersine ne fushen nukleare ne industri ne shkence.Por edhe per shpirtin luftarak Rus.Bashkepunimi i Rusise me Ameriken gjate luftes se dyte eshte spektakolar Ndihmat Amerikane bene te mundur fitoren.Ruset nuk duan te flasin shume per kete.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje